FillimiEuroamerikane

Në dështimin e Lëvizjes popullore shqiptare për dinjitet kombëtar, një rol të rëndësishëm, në mos më të rëndësishmin, luajti politika e kancelarive euroamerikane.
Në këtë politikë, nuk mund të mos vëmë re dy momente të rëndësishme : Sa kohë që kjo revoltë popullore, ishte paqësore apo dhe në fazën e parë të armatosjes së saj, ajo kishte përkrahjen e një pjesë të mirë prej politikës së këtyre kancelarive. Ajo shërbente qëllimeve të tyre për të eleminuar nga pushteti Berishën dhe partinë e tij. Por kur nga njohja që i bënë thellësisë së kësaj lëvizjeje, analistët e shumtë evropianë të cilët vëzhguan nga afër këtë revoltë, kur u pa qartë se kjo lëvizje filloi të organizohej dhe të krijonte organizmat e saj, kur fshehur pas parave të humbura shqiptarët filluan të kërkonin dinjitetin kombëtar, atëhere dhe qëndrimi i kancelarive europiane ndryshoi. Ajo i mori të gjitha masat që Lëvizja të shuhej. Partitë politike shqiptare, nuk bënë gjë tjetër veçse shërbyen si zëdhenës dhe zbatues të kësaj politike.
Eshtë e nevojshme të evidentohet dhe një fakt tjetër tragjik, që e bën të qartë cinizmin e fuqive të mëdha ndaj fateve të popujve të vegjël.
Nëqoftëse nuk do të ishte krijuar qrveria e pajtimit kombëtar, pas disa ditësh, pushteti shqiptar të cilit nuk i kishte mbetur asgjë, do të shëmbej dhe në pushtet do të vinin forcat kryengritëse. Ky veprim do të nxirrte jashte loje jo vetëm partinë që ishte në pushtet por dhe partitë e tjera të opozitës. Pra praktikisht pluralizmi në Shqipëri që deri në atë kohë kishte qënë vetëm juridik, do të pushonte së qëni dhe i tillë.
Së pari : Kancelaritë euroamerikane kishin më se katër vjet që me ndihmën e klasës politike shqiptare, kishin arritur që përgjithësisht në Kosovë, të ruanin statukuonë. Një qeveri e formuar nga forcat kryengritëse, do të ndihmonte dhe përkrahte ato forca në Kosovë që konsiderohen radikale duke e destabilizuar teresisht rajonin e Ballkanit.
Së dyti : Precedenti i rrëzimit me dhunë të pushtetit, nëqoftëse do të miratohej nga kancelaritë evropiane, do të përhapej në të gjitha vëndet ish-komuniste të Evropës Lindore, veçanërisht në Rusi. Por efekti “ domino ”, do të kishte pasoja të paparashikueshme për të gjithë Evropën
Së treti : Lejimi i formimit të një qeverie të krijuar me rrugë të armatosur, do të thoshte diskreditim total i politikës dhe propagandës euroamerikane në drejtim të Shqipërisë. Për njeriun më të thjeshtë në Shqipëri ka qënë e njohur mbështetja totale që i kishin dhënë këto kancelari pushtetit të mëparshëm në Shqipëri.
Së katërti : Lejimi dhe përkrahja e një qeverie të ardhur në pushtet me rrugë të armatosur, do të thoshte që jo vetëm teorikisht por dhe praktikisht, të merrte fund dhe të dështonte propaganda mbi rendin e ri botëror, mbi zgjidhjen e kontradiktave që lindin në vënde të ndryshme, me anë të formave demokratike dhe të zgjedhjeve të lira etj.
Prandaj : Për të mos ardhur në pushtet forcat patriotike shqiptare, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej nga flamuri i çjerrë i demokracisë shqiptare, për të shpëtuar nga diskreditimi i plotë i vehtvetes, kancelaritë euroamerikane dhe klasa politike shqiptare bënë një kompromis të madh. Thelbi i kompromisit ishte : Përballë ish-pushtetit, thelbi i garantit euroamerikan që përbën dhe thelbin e kompromisit ishte : “ Ju, dështuat në politikën tuaj, sepse një popull i tërë është ngritur në kryengritje kundër jush. Por ne do t’ju shpëtojmë nëqoftëse ju do ta lini “ vullnetarisht ” pushtetin dhe do të marrim masa që ta rimerrni vehten. Ndërsa përballë ish-opozitës, thelbi i kompromisit ishte : “ Ne do tju ndihmojme te vini ne pushtet me rrugë “ demokratike ”, do tju konsiderojmë si parti e rinovuar do tju mbështesim, ndersa ju do te na ndihmoni ta shuajme plotesisht kete levizje. Sot ju duhet të dilni si shprehësit e saj dhe nesër duhet ta neutralizoni atë. Ndërsa përsa i përket kryengritësve, ata që në luftë ishin forcë e vetme, në bisedime nuk u pranuan as si palë e tretë. Pasojat e kompromisit Cilat ishin dhe cilat do te jene pasojat e ketij kompromisi dhe si do te reflektohen ato ne jeten politike dhe sociale te vendit. Një analizë konkrete dhe e detajuar e pyetjes së mësipërme do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë cinizmin e politikës së fuqive të mëdha, kur rrezikon të cënohen interesat e tyre.
Pasoja e parë e këtij kompromisi midis ish opozitës shqiptare dhe politikës euroamerikane, ishte krijimi i qeverisë së pajtimit kombëtar. Pra konflikti real që ekzistonte në Shqipëri midis popullit në terësi dhe pushtetit të tij të korruptuar, në mënyrë shumë makiavelike u shndrrua në konflikt brënda vetë popullit. Përdorimi i termit “ pajtim ” në nivel qeverie presupozon ekzistencën e perçarjes në shkallë kombëtare. Njëkohësisht duke i dhënë termit pajtim një konotacion me përmasa kombëtare, kjo presupozonte që për hir të pajtimit kërkohej dhe heqja dorë nga revolta popullore.
Pasoja e dytë e kompromisit që u bë midis politikës euroamerikane dhe partive politike shqiptare, ishte tragjike dhe shumë e dhimbshme. Pas krijmit të qeverisë së ashtuquajtur të pajtimit kombëtar dhe deri në ditën e zgjedhjeve në datën 29 qershor, në Shqipëri pati disa mijra të vrarë dhe të plagosur në kuadrin e një kaosi dhe anrkie totale. Qëllimi kryesor që ju vu qeverisë së pajtimit kombëtar nuk ishte vendosja e rendit dhe qetësisë, por vetëm bërja e zgjedhjeve, pavarsisht nga çmimi me të cilën do të arriheshin këto. Dhe çmimi i tyre ishte tepër i lartë, me mijra të vrarë. Nëqoftëse çështja e pushtetit në Shqipëri do të ishte zgjidhur gjatë marsit, Shqipërisë do t’i kurseheshin me mijra të vrarë dhe të plagosur. Por duheshin bërë zgjedhjet që të shpëtonte nderi i kancelarive europiane. Dhe për të shpëtuar këtë nder ja vlente të sakrifikoheshin shqiptarët ! !
Pasoja e tretë e këtij kompromisi ishte dhe fyerja e madhe kombëtare që ju bë Shqipërisë duke ftuar forcat shumëkombëshe për të siguruar ekzistencën formale të shtetit shqiptar. Për herë të parë forcat shumëkombëshe kanë ardhur në Shqipëri në vitin 1913, kur dështoi qeveria e Ismail Qemalit. Pas 85 vjetësh, ato u ftuan për herë të dytë të vinë në Shqipëri. Dhe për këtë qeveria që u quajt padrejtësisht qeveri i pajtimit kombëtar, do të hyjë në histori si qeveria që tre ditë pas krijimit i vuri vëndit të saj njollën e turpit kombëtar, pranoi zyrtarisht se nuk ishte e zonja të qeveriste.
Ngelet për të sqaruar një problem tjetër i madh. Ai parashtrohet në formë pyetse : Kompromisi që u bë në Shqipëri në 9 Mars 1997, ishte një kompromis i detyrueshëm, një kompromis i dëshirueshëm, një kompromis i domosdoshëm apo një kompromis i përgjakshëm ?
Një retrospektive drejt ditëve të para të Marsit 1997 dhe analiza e veprimtarive të politikës dhe diplomacisë evropiane në drejtim të Shqipërisë, në atë periudhë, do të na ndihmojë të përgjigjemi pjesës së parë të pyetjes. Kompromis i detyrueshëm Tashme dihet nga të gjithë se ditët e para të marsit 1997, në Shqipëri erdhi në mënyrë urgjente ministri i jashtëm hollandez Van der Mirlo. Por nuk erdhi si ministër i vëndit të tij, por si kryetar i organizmit më të fuqishëm ekzekutiv të Evropës, Bashkimit Evropian. Detyra e tij ishte që me çdo kusht t’i jepte rrugë krizës shqiptare. Thelbi i misionit të tij, nuk ishte përkrahja e kësaj apo asaj force politike, por shuarja në mënyrë “ demokratike ”, e revoltës popullore shqiptare që po merrte hov duke gjetur format e organizmit siç ishin komitetet e shpëtimit publik. Kjo ishte detyra kryesore e misionit të trojkës europiane. Në funksion të saj do të ishin kombinacionet e ardhëshme politike. Dhe ato përfunduan me krijimin e qeverisë së “ pajtimit kombëtar ”. Pra kompromisi ishte i detyrueshëm. Partitë politike shqiptare të të gjitha ngjyrave, nuk i pyeti njeri donin apo nuk donin të bënin kompromis. Ato u detyruan ta bënin atë Kompromis i dëshirueshëm Cila ishte pozita e partive politike shqiptare në këtë periudhë. Pozita e partisë që ishte në pushtet dhe e aleatëve të saj në momentin e vizitës së të të dërguarve të Evropës ishte tepër e rëndë dhe e pashpresë. Urrejtja e popullit ndaj saj ishte kolosale dhe asaj nuk i kishte mbetur gjë tjetër në dorë me përjashtim të disa besnikëve të paguar me para. Për këtë grup partish kompromisi i ofruar ishte i dëshirueshëm, sepse do ta shpëtonte nga hakmarrja popullore por dhe se i jepte mundësi për të marrë sadopak vehten nga diskreditimi që kishte pësuar. Ndërsa partitë e opozitës ishin në një pozitë më të mirë. Pas tulatjes së parë ato e kishin marrë vehten dhe ishin vënë në krye të protestave paqësore popullore veçanërisht partia socialiste. Megjithatë armatosja e popullit në jug për tu mbrojtur nga ndëshikim i dhunës së pushtetit, këto parti dhe veçanërisht udhëheqjet e tyre i trëmbi së tepërmi. Udhëheqjet e këtyre partive ishin dhe janë udhëheqje të protestave paqësore dhe me leje nga policia, të fitores me zgjedhje dhe me komisione zgjedhjesh, ndërsa revolta popullore po u ofronte dhe kishte hedhur idenë dhe praktikën e një zgjidhjeje tjetër të marrjes së pushtetit nëpërmjet rrugës së armatosur. Një zgjidhje e tillë ishte e papranueshme për udhëheqjet e këtyre partive. Por nga ana tjetër ato ishin para dilemës se çfarë qëndrimi do të duhej të mbanin, nëqoftëse kryengritësit do të mbrinin në Tiranë. Të pranonin pjesmarrjen në pushtet bashkë me ta, kjo binte në kundërshtim me bindjet dhe praktikat e tyre, por ta refuzonin këtë, kjo do të thoshte të akuzoheshin si bashkëpuntorë me ish-pushtetin dhe të eleminoheshin nga skena politike. Në këto kushte për ish-opozitën dhe veçanërisht partinë socialiste kompromisi ishte i dëshirueshëm. Kompromis i domosdoshëm Kompromisi i realizuar në datën 9 Mars 1997, nga partitë politike shqiptare nën kujdestarinë e politikës euroamerikane, ishte veç të tjerash dhe një kompromis i domosdoshëm. Përse ai ishte i tillë ? Përse në kushtet konkrete në të cilat ndodhej jeta politike dhe sociale e shqipërisë në Mars 1997, kompromisi i arritur ishte i domosdoshëm ? Janë disa faktorë reale që e bëjnë atë të tillë.
Faktori i parë : Politika euroamerikane e përkrahu kryengritjen popullore shqiptare sa kohë që ajo ishte brënda kornizave dhe suazave të lejuara prej saj. Kur e pa se kjo Lëvizje i nisur si një protestë paqësore u shndrrua në një kryengritje të armatosur me përmasa gjithnjë në rritje, kur e pa se pas humbjes së parave dhe kërkesës për kthimin e tyre, Lëvizja popullore u shndrrua në një Lëvizje të fuqishme patriotike që kishte në thelb kthimin e dinjitetit kombëtar, atëhere politika euroamerikane ju kundërvu seriozisht kësaj lëvizjeje, për të mos e lejuar një gjë të tillë. Kjo politike arriti ta shuajë këtë lëvizje me ndihmën e klasës politike shqiptare, qysh në 9 Mars 1997. Por ajo përsëri do ta shuante atë edhe nëqoftëse Lëvizja Popullore Shqiptare do të kishte arritur të vëndoste dhe të krijonte një qeveri të dalë nga gjiri i saj. Një bllokadë politike e konkretizuar me mosnjohjen e kësaj qeverie, një bllokadë ekonomike e shoqëruar me prerjen e të gjitha ndihmave veçanërisht atyre ushqimore, të realizuara nga kancelaritë euroamerikane, do të shkaktonin shuarjen e kësaj Lëvizjeje pas disa kohësh veçse në kushte akoma më tragjike.
Faktori i dytë : Kundër thelbit të kësaj lëvizjeje me përjashtime të rralla, ishin të gjitha partitë politike shqiptare, e gjithë klasa politike shqiptare. Në kurorëzimin e kësaj lëvizjeje, klasa politike shqiptare e shikonte vehten të përjashtuar, nga skena politike. Nga ana tjetër në masa dhe shtresa të ndryshme njerëzish kishte iluzione nga më të ndryshmet për një pjesë të kësaj klase politike, të cilët vazhdonin akoma të shikoheshin si bartës të patriotizmit dhe dinjitetit kombëtar.
Faktori i tretë Përbën një fakt real se Lëvizja Popullore Shqiptare, për mjaft kohë ishte e paorganizuar. Të vetmet forma të organizimit të saj që ishin komitetet e shpëtimit publik, filluan të krijoheshin me vonesë dhe jo në të gjitha zonat ato kishin efektivitetin dhe nivelin e duhur. Nga ana tjetër, mungesa e organizmit dhe mungesa e një platforme të qartë politike si dhe mungesa e një udhëheqjeje reale e dalë nga gjiri i kësaj lëvizjeje dhe jo udhëheqja e presupozuar nga ky apo ai drejtues i kësaj apo asaj partie politike, përbënin një rrezik potencial për këtë lëvizje për të kaluar në anarki në të ardhmen.
Faktorët e mësipërm janë të mjaftueshëm për ta bërë bindës pohimin se kompromisi i 9 Marsit ishte dhe i domosdoshëm. Kompromis i përgjakur Tragjikisht, kompromisi i 9 Marsit 1997, hyri në jetën reale të shqiptarëve dhe do të hyjë në historinë reale të Shqipërisë si një nga kompromiset më të përgjakshme. Disa shifra konkrete janë të plota dhe të mjaftueshme. Pas kompromisit të 9 marsit e deri në ditën e 29 Qershorit, pra ditën e zgjedhjeve, në Shqipëri janë vrarë me mijra njerëz. Në kushtet kur qeveria që u quajt e pajtimit kombëtar, nuk e ushtronte pushtetin e saj ve4se në Tiranë, vështirë se mund të jepet shifra e saktë e të vrarëve, të masakruarve dhe të terrorizuarve. Por një gjë mund të jepet shumë e saktë. Kompromisi i arritur në 9 mars 1997, popullit shqiptar i kushtoi shumë jetë njerëzish. Eshtë pikërisht ky kompromis i përgjakshëm, që shumë shtresa njerëzish i kanë shtyre dhe vazhdojnë t’i shtynë drejt pyetjes : Po sikur kompromisi i 9 Marsit të mos ishte pranuar nga Lëvizja Popullore Shqiptare, a do të ishte kaq i përgjakshëm realiteti shqiptar ? Po sikur forcat kryengritëse të kishin arritur të vinin në Tiranë dhe të krijonin qeverinë e tyre, a do të kishte patur kaq shumë të vrarë ?
Mbi bazën e përvojë së kompromisit të 9 Marsit dhe nisur nga fakti se shoqëria shqiptare dhe për shumë kohë do të ketë nevojë për kompromise të tjera, natyrshëm shtrohen pyetje:
Kompromiset në Shqipëri do të arrihen atëhere kur populli të jetë masivisht i pakënaqur nga pushteti i tij apo atëhere kur duhen që pakënaqësia të mos jetë masive? Kompromiset do të arrihen gjithmonë vetëm me ndërmjetësimin e të huajve apo politikanët shqiptarë do të mësojnë të bëjnë dhe vetë kompromise ?
Dhe e fundit ; kompromiset e ardhëshme do të shoqërohen me mijra të vrarë si ai i 9 Marsit, apo do të jenë kompromise që do të bëhen për të kursyer jetët e njerëzve, do të jenë kompromise në emër të jetës kundër vdekjes apo kompromise në emër të pushtetit pa llogaritur numurin e viktimave ? ” Gjithsesi pyetjet rrinë dhe do të rrinë për shumë kohë pezull në sfondin e politikës dhe shoqërisë shqiptare. Ndërsa historia do të bëhet vetëm mbi gjykimin e atyre që kanë ngjarë dhe ashtu siç kanë ngjarë dhe jo mbi bazën e atyre që mund të ndodhnin kështu apo ashtu. Kush e bën historinë Kryengritja e Marsit 1997, do të hyjë denjësisht në historinë e popullit shqiptar. Sot ajo ka hyrë në eposin popullor të shqiptarëve. Ndërsa në historinë zyrtare të tanishme, aktualisht ajo është e cunguar, e banalizuar dhe degjeneruar. Versioni i politikës zyrtare shqiptare aktualisht flet për trazira, për pakënaqësi, për turbullira, për vit të mbrapsht etj. Por askush brënda politikës zyrtare nuk flet për kryengritje popullore, për lëvizje idealiste për dinjitet kombëtar. Në historinë e shqiptarëve kjo dukuri nuk është gjë e re. Ajo e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare, qysh se filloi të shkruhej historia e tij. Ngjarjet e rëndësishme historike në jetën e popullit shqiptar, në përshkrimet e tyre të para, nuk janë shkruar ashtu siç kanë ndodhur, ashtu siç kanë qënë në realitetin dhe thelbin e tyre, por ashtu siç u ka interesuar pushtetarëve dhe qeveritarëve. Nga kjo dukuri nuk po shpëtojnë dot as qeveritarët e pas 29 Qeshorit 1997. Termat “ trazira, turbullira, protesta ” në vënd të termave “ kryengritje, lëvizje për dinjitet kombëtar ”, nuk janë rastësira, nuk janë lapsuse të dikujt, por një mentalitet i llogaritur me kujdes. Pasojat e termave “ trazira dhe turbullira ” apo “ vit i mbrapsht ”, janë shumë herë më të lehta për tu përballuar, se sa pasojat e termave “ kryengritje apo lëvizje për dinjitet kombëtar ”. Duke e konsideruar një ngjarje historike me termat e mësipërm duke i bërë me anë të lloj lloj shkrimesh të besuashme këto terma, historia dhe politika zyrtare shqiptare, predikon të kundërtën e tyre, si “ qetësinë në vënd të trazirës ”, qartësinë në vënd të turbullirës ”, “ vitin e mbarë në vënd të vitit të mbrapsht ” etj.
Megjithatë analiza e ngjarjes së madhe historike të marsit 1997, nuk ezaurohet me mentalitetin e historisë dhe politikës zyrtare shqiptare. Deri tani kjo ngjarje e madhe historike po përdoret nga politika zyrtare në interes të pushtetit. Nesër ajo do të përdoret në interes të popullit dhe historisë së tij. Reperkusionet e levizjes popullore në jetën politike dhe sociale të Shqipërisë Megjithë,deshtimin e saj, kryengritja popullore shqiptare, ka lënë dhe do të lërë akoma më shumë gjurmë në të ardhmen e Shqipërisë. Mësimin më të madh e mori klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave politike, veçanërisht ajo që ka pushtetin politik. Legjitimiteti i një pushteti nuk duket tek sasia, tek numuri i votave dhe sasia e deputetëve, por në praktikën reale dhe në sjelljen reale të tij në mardhëniet me popullin. Pushteti që u vendos në Shqipëri në 22 Mars 1992, për nga sasia e votave dhe numuri i deputetëve, mori më shumë se dy të tretën. Në 26 maj 1996, ky pushtet mori gati 100% të votave dhe deputetëve. Lidërshipët e këtij pushteti, kishin pesë vjet që jepnin leksione mbi legjitimitetin e pushtetit të tyre, të cilin ata e mbështetnin vetëm në shifra votash dhe numurime deputetësh. Por kryengritja popullore në Mars 1997, tregoi se ky pushtet ishte ilegjitim.Legjitimiteti i tij ishte fallco. Ai mbahej në këmbë nga përkrahja ndërkombëtare e jashtme dhe nga dhuna e ushtruar brënda vëndit.
Partitë politike shqiptare të periudhës së pluralizmit morën mësimin më të madh se si duhet të qeverisin dhe të drejtojnë në kushtet e një shoqërie pluraliste. Në periudhën 1992-1996, ka patur me dhjetra rezoluta dhe raporte të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Por qeverisë shqiptare, dolumente të tilla nga një vesh i hynin dhe nga tjetri i dilnin. Asnjë seminar, asnjë rezolutë, asnjë rekomandim e OSBE-së, e Këshillit të Evropës, e Bashkimit evropian, e parlamentit evropian, e instituteve amerikane demokratike e republikane, nuk ka patur për partitë politike shqiptare vlerat që pati Lëvizja Popullore Shqiptare për dinjitet kombëtar.
Një mësim të madh mori dhe shtresa e shkencëtarëve shqiptarë veçanërisht të fushës së historisë. Përballë baltës që historianët shqiptarë hodhën mbi të kaluarën e tyre, kjo Lëvizje me thelbin e saj u tregoi atyre se çfarë duhet marrë dhe çfarë duhet hedhur poshtë nga historia e kaluar. Kryengritja popullore u tregoi këtyre historianëve dhe politikanëve se populli nuk mund të lejojë që fshehur pas gjyqit kundër diktaturës, realisht ti bëhet gjyqi racës siç u veprua në mjaft raste në periudhën 1992-1996. Dinjiteti kombëtar nuk e prek një shoqëri demokratike, në të kundërtën i jep kësaj shoqërie përmbajtje dhe fizionimi konkrete, duke dalluar një vënd nga një tjetër. Banori apo qytetari nuk ka nevojë për dinjitet kombëtar, ndërsa populli, atë e ka të nevojshëm dhe të domosdoshëm. Politika e dyerve të hapura dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe vlerave, nuk është premisë për mohimin e dinjitetit kombëtar, por premisë për kultivimin e tij në kushte dhe kohë të reja.
. Në vënd të epilogut Janë dy elementë të rëndësishëm të cilat nga historiografia, politologjia shqiptare e së nesërmes, aq sa do të jenë burim studimi, po aq do të jenë burim dinjiteti dhe krenarie kombëtare. E para: Kjo lëvizje idealiste do të jetë një faqe e nderuar në historinë e popullit shqiptar. Opozita shqiptare, deri në pranverën e vitit 1997, kishte bërë me dhjetra dhe qindra kërkesa për qeveri koalicioni dhe zgjedhje të parakohshme, por askush nuk merrej seriozisht me të, as ish-pushteti shqiptar dhe as kancelaritë euroamerikane. Këto kërkesa i bëri realitet vetëm kjo lëvizje popullore idealiste dhe kombëtare, pavarsisht se frytet e saj i shijuan politikanët shqiptare të partive politike të opozitës. Megallomaninë e ish-pushtetit shqiptar për zgjedhjet në vitin 2000 dhe gjoja vizionin e këtyre viteve, e theu kjo lëvizje idealiste. Në kushtet e një diktature kozmopolite që gëzonte mbështetjen e kancelarive të fuqishme europiane, kjo nuk është pak. Përkundrazi është një fitore shumë e madhe. Si çdo lëvizje idealiste që nuk lufton për pushtet dhe lavdi, Lëvizja shqiptare e pranverës 1997, i dha dhe njëherë mundësi politikanëve shqiptare të ndërtojnë një shoqëri ku parësore të jetë dinjiteti kombëtar. Nëqoftëse klasa politike shqiptare, nuk do ta ndërtojë këtë shoqëri, për këtë faji nuk do të jetë i kësaj lëvizjeje. Ajo nuk ka përse të turpërohet. E turperuar është dhe do të jetë klasa politike shqiptare, që nuk dijti t’i dalë zot vëndit, kur ai kishte nevojë më shumë se kurrë për të.
E dyta: Shuarja e Lëvizjes kombëtare shqiptare për dinjitet, nuk është fundi i saj. Në të kundërtën është vetëm fillimi i një lëvizjeje e cila në të ardhmen do të vijë duke u fuqizuar akoma dhe më shumë. Dinjitetin kombëtar, të cilin ua përdhosi për 5 vjet klasa politike shqiptare e pluralizmit, e fshehur pas maskës së luftës kundër komunizmit, në të ardhmen shqiparët do ta dijnë ta kërkojnë akoma më shumë. Shpirti i Lëvizjes popullore të pranverës 1997, ishin të rinjtë. Duan apo nuk duan politikanët shqiptarë, ata hyne në jetën politike shqiptare, duan apo nuk duan kanceleritë e huaja, ata tashme përbëjnë një gjeneratë që nesër do përbëjë boshtin e klasës politike shqiptare. Dhe kjo gjeneratë do ta vërë në vënd dinjitetin e humbur të Shqipërisë për disa kolltuqe qeveritarësh. Kjo gjeneratë gjatë periudhës shkurt-maj 1997, dëshmoi se ka vetëm një emblemë e cila nesër do të pushtojë terë skenën politike shqiptare: Ti Shqipëri, më jep nder; Më jep emrin shqiptar.