FillimiInterpretimet

Ngjarjet e pranverës 1997 ne Shqipëri, u bënë objekt interpretimi i shumllojshëm nga shqiptarë dhe të huaj. Tipari i përbashkët i këtyre interpretimeve janë interesat e atyre që i kanë bëre dhe jo analiza objektive e ngjarjeve. Në interpretimet e këtyre ngjarjeve duhen dalluar tre faza kryesore : Faza e parë që nis me fillimin e ngjarjeve deri në krijimin e qeverisë së pajtimit kombëtar. Faza e dytë që nis me qeverinë e pajtimit kombëtar dhe mbaron me zgjedhjet e 29 qeshorit. Dhe faza e tretë që nis pas zgjedhjeve të 29 qershorit dhe në vazhdim. Më konkretisht interpretimet e ngjarjeve që ndodhën në Shqipëri na japin një tabllo të tillë :
a-Interpretimi i ish-pushtetit shqiptar
Në interpretimet e tij, ish-pushteti shqiptar kaloi nëpër disa faza. Filimisht ai nuk u thellua shumë në përmbajtjen dhe thelbin e revoltave, por i trajtoi ato si pakënaqësi popullore ndaj mbylljes së skemave piramidale. Nisur nga kjo logjikë për interesa pragmatiste ai e spostoi qëndrën e zëmërimit popullor sa më larg Tiranës, duke mbyllur fondacionet që qëndrën e tyre e kishin në Vlorë, Berat dhe Lushnjë dhe duke ruajtur Vefën e cila ndodhej në Tiranë. Llogaria e pushtetit ishte : “ Sa më larg kryeqytetit, sa më larg syve të opinionit ndërkombëtar, sa më larg udheheqjes së opozitës, aq më mirë do të jetë për t’i fashitur këto revolta dhe këtë pakënaqësi popullore, aq më e lehtë do të jetë për t’i neutralizuar ato ”. Siç do ta tregonin më vonë ngjarjet dhe zhvillimi i tyre, ky ishte gabimi i parë fatal i ish-pushtetit shqiptar. Publicistja e njohur zvicerane Veronikë Paskie, në një nga shkrimet e saj të botuar në gazetën 24 Orë në Zvicër qysh në fillim të muajit shkurt 1997, nënvizon se spostimi i qëndrës së zëmëtimit në Jug dhe veçanërisht në Vlorë që historikisht ka qënë qëndra e patriotizmit, do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Berishës.
Në fillimet e revoltave, ish-pushteti shqiptar ndoqi metodën e kulaçit dhe të kërbaçit. Në propagandën e shtetarëve shqiptarë, predikohej se populli ka të drejtë të demonstrojë. Veçanërisht pas ngjarjeve të dhunshme në Berat dhe Lushnjë, lidërshipi shqiptar i pranonte manifestimet paqësore nëpër fjalimet dhe konferencat e tij të shtypit. Ndërsa nga ana tjetër policia sekrete filloi arrestimet dhe frikësimet e të gjithë atyre që dyshoheshin se kishin organizuar protestat. Precipitimi i ngjarjeve, veçanërisht në qytetin e Vlorës, shënoi dhe evoluimin e gjuhës dhe propagandës zyrtare. Demostratat në Vlorë treguan se nuk i besonte më kush propagandën dhe deklaratat e pushtetarëve. Në këto demonstrata, as më shumë dhe as më pak kërkohej denimi i atyre që i kishin prerë në besë. Pas këtij momenti propaganda zyrtare filloi të fliste me gjuhën e forcës kundër atyre që demonstronin duke kërkuar paratë e tyre. Propaganda zyrtare filloi të bëjë përpjekjet e para duke dezinformuar opinionin e brëndshëm dhe të jashtëm. Në shkrime gazetash dhe komentesh televizive, filluan të bëheshin aluzione dhe lidhje midis demonstruesve shqiptare dhe atyre serbë. Propaganda zyrtare filloi të luajë me kartën e patriotizmit. Por ky ishte një patriotizëm falso me një kartë të çjerrë, prandaj nuk pati sukses dhe asnjë peshë emocionale në popull. Përpjekjeve të pushtetit për t’i shtypur me forcat e policisë sekrete manifestimet paqësore, populli në Vlorë ju përgjigj me rrëmbimin e armëve. Pas kësaj qeveria shqiptare vuri në përdorim armën e saj të fundit, ajo shpalli gjëndjen e jashtëzakonshme duke mobilizuar ushtrinë dhe forcat speciale, per të shtypur revoltat. Ndërsa në fushën e propagandës, popullin e armatosur filloi ta quajë “ banditë të lidhur me disa agjensi zbulimi që duan të përmbysin me dhunë rendin kushtetues ”. Por as kjo armë e propagandës dhe e interpretimit të ngjarjeve, nuk pati sukses. Pas Vlorës, brënda një jave, populli u ngrit dhe u armatos gati në 14 qytete të Shqipërisë së jugut dhe Shqipërisë së mesme, ndërsa çdo rajon i Shqipërisë ishte gati në shpërthim. Përballe kësaj situate, propaganda zyrtare për të shpëtuar çfarë mund të shpëtonte, e ndihmuar dhe nga disa segmente të politikës dhe propagandës në Kosovë, përdori gurin e fundit; hodhi në eter tezën makabre se revoltat e jugut kishin synim përçarjen e Shqipërisë dhe aneksimin e Jugut Greqisë. Me këtë lloj propagande që përsëri nuk pati sukses populli e pa qartë se deri ku shkon lakmia e luftës për pushtet, deri në coptimin e vëndit.
Parantezë “ Revolucioni leninist ” dhe kryengritja shqiptare Nga ish-pushteti shqiptar dhe propaganda e tij, teza mbi kryengritjen shqiptare si “ revolucion leninist ”, është teza më e përhapur dhe më trajtuar. Mbas krijimit të qeverisë së pajtimit kombëtar, kur ish-pushteti shqiptar filloi ta marrë vehten, në propagandën e tij, në librat dhe pamfletet e shkruara, kryengritja popullore shqiptare, klasifikohet si “ rebelim komunist, si revolucion leninist ”. Një klasifikim i tillë ka patur dhe ka disa synime. Së pari : me një klasifikim të tillë, synohet që kryengritja popullore shqiptare të paraqitet si një lëvizje klasore dhe ideologjike, si një tentativë për kthimin prapa të historisë e ngjashme me lëvizjen e Haxhi Qamilit në vitet 1913. Së dyti : një klasifikim i tillë synon t’i heqë kryengritjes shqiptare mbështetjen brënda dhe jashtë vëndit. Së treti : Duke njohur negacionin që ka në qarqe të ndryshme brënda, por më shumë jashtë Shqipërisë teoria leniniste e revolucionit, u synua dhe vazhdon të synohet diskreditimi i thelbit të kryengritjes popullore shqiptare.
Së katërti : Legalizmi i kryengritjes shqiptare si revolucion leninist, pra si marrje e pushtetit me dhunë, presupozon dhe lënien hapur të rrugës për tu rikthyer në pushtet me anë të dhunës.
Por me gjithë synimet e qarta, propaganda dhe analiza e ish-pushtetit nuk i qëndron të vërtetës historike. Janë disa arsye dhe argumente që e dëshmojnë këtë. Së pari : Nuk ka asnjë dyshim se revolta e armatosur e marsit 1997 ishte një kryengritje popullore. Por jo çdo kryengritje popullore është e barabartë me një revolucion leninist. Pohimi se kryengritja shqiptare ishte revolucion leninist shpreh ose paditurinë dhe nivelin e ulët intelektual të predikuesve të kësaj teze, ose urrejtjen ndaj popullit dhe aspiratave të tij. Shoqëria njerëzore qysh nga krijimi i saj dhe deri në daljen e teorisë marksiste njeh me dhjetra dhe qindra revolucione dhe kryengritje popullore bashkë me interpretimet e tyre përkatëse teorike. Kryengritja e Spartakut në skllavopronari kundër Romës, kryengritjet e fshatarëve kundër feudalizmit që nga Zhakeria e Jan Husi deri tek lufta fshatare në Gjermani , që nga Robin Hudi e deri tek kryengritja e Parisit e 1948-ës etj, të gjitha këto nuk kanë qënë gjë tjetër veçse protesta të popujve kundër tiranisë dhe mjerimit ekonomik dhe shpirtëror.
Së dyti : Në pushtet në Shqipëri nuk erdhën drejtuesit dhe udhëheqësit e kryengritjes, por ish-opozita shqiptare që u mbështet nga diplomacia euroamerikane si e keqja më e vogël.
Së treti : Pretendimi për përsëritjen e ngjarjve historike nuk është gjë tjetër veçse një aventurizëm politik, që kur i lë fushë të lirë shndrrohet vetëm në terrorizëm.
Njohja e historisë botërore dhe analiza e ngjarjeve historike të ndodhura në Shqipëri në harkun kohor 1991-1997, dëshmojnë qartë vërtetësisnë e pohimit të mësipërm. Në 1991-1992, populli shqiptar u ngrit në demostrata dhe manifestime jo se i tha ky apo ai lider i Partisë Demokratike, por sepse ishte masivisht i pakënaqur nga pushteti i mëparshëm. Partia demokratike vetëm sa e shfrytëzoi këtë pakënaqësi. Populli shqiptar në shkurt-marsin e vitit 1997, u ngrit në demostrata, manifestime dhe deri në kryengritje, nga pakënaqësia masive ndaj pushtetit të atëhershëm. Partia socialiste dhe partitë e tjera të ish-opozitës vetëm sa e shfrytëzuan këtë pakënaqësi për të ardhur në pushtet duke u mbështetur dhe nga faktori ndërkombëtar, i cili ndërsa e dëshironte rrëzimin e Berishës, nuk e dëshironte ardhjen në pushtet të forcave kryengritëse. Këto janë ngjarje historike që në themel të tyre kanë shkaqe më të thella se sa lufta e politikanëve për pushtet. Të përpiqesh t’i përsëritësh këto ngjarje historike për të ardhur në pushtet, do të thotë të biesh në aventurizëm. Çdo ngjarje historike e përsëritur sipas dëshirave të politikanit, nuk ka qënë gje tjetër veçse karikaturë e vetë ngjarjes reale historike.
b-Interpretimi i opozitës
Ashtu si pushteti, dhe opozita në fillim nuk ishte në gjëndje t’i parashikonte ngjarjet që do të ndodhnin dhe gjërësinë e tyre. Ajo u gjënd e papërgatitur kur ato shpërthyen. Prandaj në fillim opozita operoi me parullat e manifestuesve. Mitingu i zhvilluar ne 26 janar 1997 ne Tirane ku thelbi i parullave ishin parullat e popullit dhe jo te opozites politike shqiptare, verteton qarte pohimin e mesiperm mbi spontanitetin e veprimeve të opozites në fillimet e revoltës popullore. Me kalimin e kohës opozita shqiptare e grumbulluar në Forumin për demokraci, hartoi kërkesat politike që rrithnin nga protestat popullore. Ne interpretimin e opozitës shqiptare, duke marrë parasysh nuancat e partive politike që bënin pjesë në opozitë dhe interesat e shtimit të elektoratit, ngjarjet në Shqipëri u interpretuan si refleks i zëmërimit popullor ndaj qeverisë, si dështim i vijës politike dhe ekonomike të saj. Ndërsa protestuesit u cilësuan si popull i zhgënjyer dhe i mashtruar nga pushteti. Këtë qëndrim e mbajtën jo vetëm partitë politike shqiptare të bllokut të majtë të përfaqësuar nga partia socialiste, por dhe shumë parti të bllokut të djathtë, veçanërisht nga e djathta e bashkuar. Në anën e popullit të revoltuar kaloi dhe shoqata e të përndjekurve politike e kryesuar nga Kurt Kola. Në momentin e rrëmbimit të armëve nga ana e popullit për tu mbrojtur nga egërsia e pushtetit, opozita shqiptare në fillim i hutua dhe hezitoi në qëndrimin e saj. Eshtë kjo arsyeja që ato nxituan ta nënshkruajnë atë që u quajt marrëveshja e 9 Marsit, duke marrë pjesë në qeverinë e koalicionit. Pas këtij momenti, opozita shqiptare, tashme bashkëpjesmarrëse në qeveri, fillon interpretimin e ngjarjeve sipas interesave të partive të ndryshme politike, me synim kryesor kush e kush të fitonte më shumë elektorat.