Propaganda e klasës politike shqiptare, ¨synon t’i mbushë mëndjen opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, se tashmë Shqipëria udhëhiqet dhe drejtohet nga politikanë bashkëkohorë dhe modernë, të cilët dallohen për një mentalitet i përparuar. Pavarsisht se në luftën politike mes partive të ndyrshme, ata luftojnë me mjete dhe forma të dala kohe, secili veç e veç kërkon të ketë primatin e të të qënurit modern dhe bashkëkohor. Megjithatë depërtimi në thelbin e veprimtarisë së tyre, të grupacioneve në veçanti dhe të të gjithë klasës politike shqiptare në terësi, nuk mund të mos evidentojë konkluzionin se klasa politike shqiptare, megjithse jeton dhe vepron në një shoqëri juridike pluraliste, megjithse i atribuon vehtes merita të mëdha, ajo vazhdon të vuajë nga një mentalitet primitiv. Pasojat e këtij mentaliteti, i ka vuajtur dhe vazhdon t’i vuajë në kurriz populli shqiptar. Megjithse politikanët shqiptarë kanë vite që nëpërmjet deklaratave dhe intervistave televizive predikojnë se 50 vjetët e kaluar të Shqipërisë janë një histori i humbur, se duhet hedhur poshtë 555 vjet mentalitet primitiv, ata janë aktualisht nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, bartësit më besnikë të mentalitetit që i ka kaluar koha. Analiza e mëposhtme të jep mundësinë për ta konkretizuar më tej konkluzionin e mësipërm. Kushdo e ka të qartë se fjala “ primitiv ”, parakupton një mentalitet që i kaluar koha, që dëmton ndërtimin e një shoqërie moderne, që materializohet me reperkusione politike, ekonomike dhe shoqërore në gjirin e shoqërisë shqiptare. Ku shfaqet mentaliteti primitiv tek klasa politike shqiptare ? Mentaliteti i etiketimeve Një nga elementet më negativë që bën pjesë në atë që duhet konsideruar si mentalitet që i ka kaluar koha, por që fatkeqsisht reminishencat e tij vazhdojnë të ndihen akoma në veprimtarinë e klasës politike shqiptare, është mentaliteti i etiketimeve. Gjatë periudhës 1991-1997, opinioni shqiptar është ushqyer me etiketime nga më të ndryshmet ndaj kundërshtarëve politike dhe ndaj atyre që kanë folur ndryshe nga pushtetari. Pa mundur ti përmëndim të gjitha sepse do të na duhej një libër i tërë, le të përmëndim vetëm disa prej tyre. “ Enverist, mega hajdut, sllavokomunist, pro sërb, progrek, stalinist, mafia e kuqe, etj etj ”. vetëm me një thirrje të kujtesës së tij dhe opinioni shqiptar menjëherë do të përfytyrojë klasën e tij politike dhe intervistat e politikanëve dhe shtetarëve të tij, të cilët kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë autorët e etiketimeve të mësipërme. Nëqoftëse do të terheqim një paralele me të kaluarën, kushdo e kupton qartë se kemi të bëjmë me një mentalitet primitiv të politikanëve shqiptarë të tarshëguar nga e kaluara. Nëqoftëse në të kaluarën në gojën e shtetarëve gjëndeshin ndaj kundërshtarëve politike etiketime me peshë emocionale në popull për tu bërë më i besueshëm diskutimi i shtetarit dhe më i besueshëm faji i kundërshtarit, me përjashtim të ndryshimit të ngjyrimit politik, e njëjta gjë vazhdoi dhe dhe periudhën e pluralizmit. Termat “ agjent i imperializmit, agjent i UDB-së, poliagjent, agjent i sovjetikëve etj ”, janë nga termat më të përdorura në të kaluarën, pasi ato kishin më shumë peshë emocionale në popull Ndërsa në periudhën 1991-1997, nga klasa politike shqiptare në luftën politike me kundërshtarët, u përdorën dy lloj etiketimesh. Për konsum të brëndshëm etiketimet “ i shitur tek sërbët dhe tek grekët ”, ndërsa për konsum të jashtëm “ stalinist, enverist, komunist ortodoks sekretari i partisë, mjeku i Enverit etj ”. Llogaria bëhej shumë saktë. Popullit i thuhej se nuk mund të përkrahen dhe mbështeten elementë të tillë, që gjoja janë shitur tek serbi dhe tek greku. Majën e tij më të lartë ky mentalitet e arriti në komunikatën televizive të fund vitit 1993, ku një sërë politikanësh shqiptarë u akuzuan nëpërmjet valëve televizive si të shitur, kuislingë dhe puthadorë të beogradit dhe të Athinës. Ndërsa opinionit të jashtëm i paraqitej realiteti ndryshe për t’i hequr mbështetjen ndërkombëtare, kësaj apo asaj force politike. Periudha 1991-1996, është një dëshmitare e saktë e atyre energjive të mëdha që janë harxhuar nga forca të ndryshme politike, për të hequr etiketimet përballë faktorit ndërkombëtar. Veprimtaria më e madhe e këtyre forcave politike në mardhëniet me jashtë, nuk kanë qënë problemet e mbarëvejtjes së Shqipërisë, por gjetja e rrugëve për të hequr etiketimet e vëna. Ndërsa pas 29 Qershorit 1997, ka rënë përdorimi i termave “ i shitur, apo agjent i sërbit dhe grekut ”, ndërsa vazhdon në fjalorin e shtetarëve shqiptarë dhe të politikanëve të opozitës etiketimi “ nostalgjikët e diktaturës, stalinistët etj ”. Mjaftojnë dy shëmbuj të thjeshtë për të parë se sa thellë është rrënjosur ky mentalitet primitiv në veprimtarinë e klasës politike shqiptare. Shëmbulli i parë ka të bëjë me mbylljen e Kongresit të Partisë Demokratike në tetor 1997. Në fjalimin e tij të mbylljes, Sali Berisha i etiketoi kundërshtarët e tij si “ diktaturë kozmopolite ”. Ndërsa salla e brohoriti me etiketimin “ poshtë komunizmi ”. Kushdo e di se diktatura kozmopolite eshtë e kundërta e komunizmit. Shëmbulli i dytë ka të bëje me aprovimin e ligjit mbi ngritjen e taksave nga ana e parlamentit shqiptar. Partia demokratike votoi kundër këtij ligji. Ndërsa kryeministri shqiptar i së majtës, votën kundër të Partisë Demokratike, e konsideroi si një qëndrim majtist. Absurditet që ka në themel mentalitetin primitiv. Teoria e biografive Për këdo eshtë e qartë se teoria e biografive që kishte një përhapje të gjërë në mentalitetin e klasës politike shqiptare të periudhës së socializmit, përbën një mentalitet që i ka kaluar koha, pra primitiv. Megjithatë, këtë mentalitet e ndeshim dhe sot në të gjithë veprimtarinë e klasës politike shqiptare dhe të propagandës së saj të shkruar e të folur. Një paralelizëm i thjeshtë do të i bëjë më të qartë tabllonë : Në kohën e socializmit pasi drejtuesit e partisë dhe të pushtetit të athershëm bënin ndonjë zbërthim, në fund kërkonin dhe mendimin e masës. Kur dikush që nuk ishte dakord, bënte vërejtje të argumentuara, drejtuesi i partisë, në pamundësi ta kundërshtonte, kalonte në “ sulm ” : “ Dëgjo ti, të njohim ne ty, ke lakra në kokë ti, prandaj flet kështu. ” dhe e neutralizonin me anë të biografisë. Kalojmë në kohën e tanishme. Eshtë po i njëjti mentalitet vetëm me një ndryshim të vogël. Në të kaluarën biografinë ta bënte vetëm një parti, ndërsa sot biografinë ta bëjnë të gjitha partitë. Provo të bësh ndonjë shkrim dhe të atakosh klasën politike shqiptare me argumente dhe menjëherë të nesërmen nëpër faqe gazetash apo intervistash televizive, do të gjesh biografinë : “ Dëgjo ti, të njohim ne ty, ti kërkon të kthesh diktaturën komuniste, je nostalgjik, je stalinist, ti flet si në kohën e Hoxhës etj ” Dhe e neutralizojnë për shkak të biografisë. Përhapsit e habereve Mentaliteti primitiv, si në të kaluarën dhe sot ka gjetur strehe në një fushë të tillë siç është politika e kuadrit. Një vëzhgim i thjeshtë e bën më të prekshëm këtë mentalitet. Në këtë fushë mentaliteti primitiv, nuk shfaqet me artikuj, diskutime apo intervista televizive, por me pëshpëritje, përpunime dhe përhapje opinionesh. Realizuesit janë një grup njerëzish të afërm me pushtetarët e lartë. Ky mentalitet ekzistonte dje, vazhdon të ekzistojë dhe sot. Paralelja e mëposhtme do të na i bëje më të prekshëm. Kur diskutohej për ndonjë kuadër në kohën e socializmit, për ta ngritur në përgjegjësi, në pamundësi për t’i gjetur ndonjë gjë në biografi, viheshin në përdorim qehallarët e pushtetarëve : “ Mirë e ke ti, filani është i mirë, por ki parasysh se ka një porosi nga lart për ta parë me kujdes këtë çështje. Vetë shoku Enver e tha këtë. E kupton tani si është puna ” E kishte thënë apo se kishte thënë shoku Enver, kjo nuk merrej vesh kurrë. Merrej vesh vetëm se ai njeri spostohej. Të njëjtin mentalitet primitiv e hasim masivisht dhe në kohën kur në Shqipëri drejtonte Berisha, por dhe aktualisht kur drejton qeveria e koalicionit. Dhe sot kur diskutohet për disa njerëz anëtarë të partive të koalicionit, dëgjon shpesh herë në mënyrë “ konfidenciale ” nga “ përhapësit e habereve ”. “ Mirë e ke ti se filani dhe filani janë shokë të mirë dhe të aftë, por duhet të dish një gjë se kur ishte Nanua në Uashington , Olbrajti i tha që të bëjë kujdes në emërimet e disa kuadrove, prandaj e kupton se ka ca vështirësi ”. E ka thënë apo nuk e ka thënë Olbrajti kjo nuk merret vesh kurrë. Merret vesh vetëm një gjë, që një pjesë njerëzish spostohen. Mentaliteti i agallëkut Kushdo që e njeh sado pak historinë e vjetër dhe të re të Shqipërisë, e di mirë se në Shqipëri ka ekzistuar mentaliteti i një shtrese njerëzish, të cilët postet dhe funksionet që kanë patur i kanë përdorur për komoditet, për interesa përsonale, ose siç thotë populli për agallëk. Për këtë lloj shtrese parësore ishte komoditeti i tyre vetjak. Mentaliteti i tyre fillonte dhe mbaronte brënda katër mureve të shtëpisë, ndërsa posti apo funksioni kishte vlerë vetëm në funksion të plotësimit të kërkesave dhe nevojave vetjake. Fatkeqësisht ky mentalitet agallëku vazhdon të ekzistojë dhe sot tek një pjesë e mirë e klasës politike shqiptare dhe tek një pjesë e administratës shtetërore. Le ta ilustrojmë me një shëmbull aktual : Parlamenti shqiptar ligjërisht e ka hequr gjëndjen e jashtëzakonshme. Por realisht gjëndja e jashtëzakonshme vazhdon të ekzistojë në Shqipëri dhe do të ekzistojë dhe për disa kohë. Të ringresh dhe të rindërtosh një shtet nga e para, në kushtet e një papunsie galopante dhe të një varfërie masive, kjo do të thotë të punosh në kushtet e gjëndjes së jashtëzakonshme. Përballimi i gjëndjes së jashtëzakonshme, nga administrata shtetërore, kërkon angazhim të jashtëzakonshëm, ashtu siç kërkon profesionalizëm, kërkon dhe idealizëm, ashtu siç kërkon tolerancë politike kërkon dhe ndjenjë patriotike. Por cili është realiteti ? Një vëzhgim i thjeshtë, të çon në pohimin se një pjesë e mirë e kësaj administrate shtetërore preferon komoditetin e posteve, angazhimin normal, pra mentalitetin e agallëkut, të shprehur në fjalët : “ Tani fituam, tani duhet të gëzojmë pushtetin ”. Mercenarizmi Ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në Shqipëri, një shtresë njerëzish, që jashtë një karakteri të qëndrueshëm, jashtë bindjeve politike të konsoliduara, në shkëmbim të posteve apo parave, ka preferuar tu shërbejë të gjitha pushteteve. Me e theksuar kjo shtresë ka qënë në kohën kur Shqipëria ka qënë e pushtuar nga perandoria turke. Ndërsa në periudhën e historisë se re, kjo shtresë filloi të kristalizohej pas viteve 70-të, të konsolidohej në fazën e parë të pluralizmit deri në ditët tona. Problemi nuk qëndron tek kjo shtresë në vetvehte. Problemi qëndron tek preferenca e një pjese të mirë të klasës politike shqiptare për tu mbështetur tek kjo shtresë, e cila, nga klasa politike kushdo qoftë ajo, nuk kërkon as dinjitet, as ndershmëri dhe drejtësi sociale, as zbatim ligjesh, por vetëm poste dhe para në shkëmbim të shërbimeve të tyre. Pushteti i Partisë Demokratike në fillimet e tij preferoi të mbështetej tek shtresa mercenare e pushtetit të partisë së punës e cila gjoja duke kuptuar gabimet dhe fajet e partisë së punës ishte gati t’i shërbente pushtetit të ri. Në shërbim të kësaj, kjo shtresë u la e lirë të pasurohej. Por dhe pushteti i koalicionit aktual, në një pjesë të mirë të tij, nuk bën gjë tjetër veçse mbështetet tek shtresa mercenare e Partisë Demokratike e cila përsëri gjoja duke kuptuar gabimet e Partisë Demokratike është gati ti shërbejë pushtetit të ri. Natyrisht që në propagandë problemi nuk del hapur, por fshihet pas termash të tilla si filozofia e përfshirjes, e tolerancës etj.Por djallëzia dhe finesa e propagandës, nuk mund ta fshehë dot realitetin. Fasada nuk mund të mbulojë mentalitetin primitiv të një pjese të klasës politike shqiptare dhe afeksionin e saj ndaj mercenarizmit. . Tutorët dhe protektorati Një rishikim i shpejtë i historisë 555 vjeçare të popullit shqiptar, të evidenton se në epoka të ndryshme historike, klasa politike shqiptare apo një pjesë e konsiderueshme e saj, ka pranuar në jetën politike dhe sociale të vëndit rolin e tutorit, që në faza të caktuara historike ka qënë një apo disa fuqi të mëdha evropiane. Në shkëmbim të kësaj, për një periudhë të caktuar kohe, kjo klasë politike ka arritur të ketë primatin në jetën politike të vëndit. Ndërsa vëndi të cilit ata i përkisnin, nuk ka qënë veçse një protektorat veçanërisht në mardhëniet ndërkombëtare. Zëri i kësaj klase politike në mardhëniet ndërkombëtare nuk ka qënë gjë tjetër veçse zëri i tutorit të tyre. I sjellë në kohët moderne, një metalitet i tillë nuk është ve4se një mentalitet primitiv të cilit i ka kaluar koha. Përderisa predikohet rendi i ri botëror, atëhere çdo vënd në mardhëniet ndërkombëtare nuk duhet të jetë protektorat, por aleat, që duhet të ketë zërin e tij dhe jo zërin e tutorëve të tij. Por natyrshëm shtrohet pyetja : A ekziston ky mentalitet i së kaluarës në praktikën e klasës politike shqiptare ? Përsëri një vëzhgim i shpejtë i praktikës së klasës politike shqiptare, të çon në konkluzionin se raportet reale të sotme të kjlasës politike shqiptare në mardhëniet ndërkombëtare, nuk janë një tjetër veçse mardhëniet e tutorëve me protektoratin, të veshura me frazeologjinë marramendëse mbi rendin e ri botëror, mbi integrimin e kulturave dhe të vlerave etj. Zëri real i politikanëve shqiptarë, nuk është zëri reale dhe nevojat reale të Shqipërisë, por zëri i tutorëve të klasës politike shqiptare. Vetëm dy shëmbuj janë të mjaftueshëm për pohimin e mësipërm : I pari : Problemi kombëtar shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni. Asnjëherë politikanët shqiptarë të pluralizmit, të djeshmit dhe të sotmit, nuk kanë folur për këtë çështje me zërin e tyre, por gjithmonë me zërin e tutorëve të tyre. Ata nuk kanë qënë gjë tjetër veçse altoparlantë të tutorëve të tyre. Predikimet e djeshme mbi Shqipërinë si faktor stabiliteti, mbi hapsirat demokratike, mbi heqjen dorë nga kërkesat maksimaliste etj, ashtu dhe predikimet e sotme mbi nevojën e integrimeve ballkanike, mbi komunitetet etnike, mbi filozofine e re politike etj, kanë të ndryshme propagandën dhe terminologjinë. Ndërsa kanë të përbashkët se ato nuk janë shprehje dhe pasyqrin i gjëndjes reale të çështjes kombëtare shqiptare, por pasqyrim i konceptit të tutorëve ndërkombëtare, për të cilët në çështjen shqiptare më shumë rëndësi ka banori se populli, më shumë rëndësi ka qytetari se shqiptari. I dyti : Ka të bëjë me thelbin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Dhe në këtë çështje madhore politikanët shqiptarë të pluralizmit, nuk janë gjë tjetër veçse altoparlantë të tutorëve të tyre. Përbën një fakt të njohur se shkatërrimi i Shqipërisë u realizua nën maskën e luftës kundër komunizmit. Ndërsa për zhvillimin e saj në kushtet e ekonomisë së tregut, politikanëve shqiptarë ju caktua detyra e zhvillimit të një ekonomie që nuk është gjë tjetër veçse ekonomia e një protektorati. Dje ish-opozita kritikonte pushtetin e athershëm se po e kthen Shqipërinë në një republikë bananesh, por edhe vija ekonomike e pushtetarëve të sotëm nuk është gjë tjetër veçse shndrrimi i Shqipërisë në një republikë ullinjsh dhe portokallesh. Kushdo e kupton se me përjashtim të ndryshimit të emrave “ banane ” dhe “ ullinj e portokalle ”, çdo gjë tjetër është e përbashkët në vijën ekonomike të pushtetit të djeshëm me këtë të sotëm ; Që të dy pushtetet si i Berishës dhe i Nanos, në thelbin e vijës së tyre ekonomike nuk bëjnë gjë tjetër veçse realizojnë porositë e tutorëve. Aftësia dhe krahasimi midis tyre nuk qëndron se kush nga ata po lufton dhe përcakton një vijë ekonomike që ta shndrrojë Shqipërinë në aleat, por se kush nga ata realizon më mirë vijën ekonomike që tutorët e huaj i kanë caktuar Shqipërisë. Berisha dështoi dhe prandaj tutorët e shmangën. Tani në provë para tutorëve është Nano dhe kabineti i tij. Mentaliteti i parashtruar më lart, nuk është gjë tjetër veçse mentalitet primitiv, anadollak që ekziston akoma në mëndësitë dhe praktikat e politikanëve shqiptarë. Populizmi , lëvizjet popullore dhe politika e rrugës Ka disa kohë që në gjuhën e politikanëve shqiptarë, kanë zënë vënd një sërë tezash mbi populizmin, duke e trajtuar atë të rrezikshëm dhe primitiv veçanërisht për Ballkanin dhe vëndet ballkanike. Eshtë arritur deri aty sa të bëhen dhe dallime midis populizmit pozitiv europian dhe populizmit primitiv ballkanik. Teza të tilla veçanërisht kur dalin nga goja e politikanëve më të lartë të Shqipërisë, prezupozojnë nevojën e analizës së tyre, për të shmangur keqkuptimet, për të shmangur abuzimet, për të shmangur manipulimet për interesa partiake dhe pushtetore. Populizmi dhe lëvizjet popullore As më shumë dhe as më pak, pohimet bëhen për të hedhur poshtë çdo lëvizje populiste në Shqipëri, si demode dhe jashtë kohës. Mos pranimi dhe mos përdorimi i termit “ Lëvizje popullore ”, për të shkëputur çdo lidhje me terimnologjinë marksiste, i jep termit “ populizëm ”, një përmbajtje të gjërë. Që ka në praktikën e luftës politike në Shqipëri elementë të populizmit primitiv, kjo është më së e vërtetë : Por përgjithësimi deri në absurditet me pohimin “ të hedhim poshtë populizmin ”, është historikisht i padrejtë, politikisht i gabuar dhe teorikisht jo shkencor. Për ilustrim, pa u larguar shumë në kohë, do të evidentojmë dy shëmbuj. I pari ka të bëjë me demostratat e studentëve në dhjetor 1990, qu u kurorëzuan me themelimin e Partisë Demokratike. Eshtë e vështirë që të gjëndet dikush nga klasa politike shqiptare dhe ta konsiderojë populizëm primitiv. Shëmbulli i dytë janë revoltat popullore dhe kryengritja e armatosur e marsit 1997, si rezultat i të cilit erdhi në pushtet koalicioni i sotëm qeveritar. Përsëri është e veshtirë që të gjëndet dikush nga klasa politike shqiptare veçanërisht nga ajo që është në pushtet që ta konsiderojë këtë Lëvizje si populizëm primitiv. Atëherë kë quajnë populizëm primitiv politikanët shqiptarë ? Servilizmi politik dhe e vërteta historike Momenti i dytë i rëndësishëm është pohimi për populizmin evropian që është i mirë dhe për populizmin ballkanik që është primitiv. A kemi të bëjmë me një pohim real apo kemi të bëjmë me një servilizëm politik, të cilin këto vitet e fundit po e ndeshim shumë në terminologjinë e politikanëve shqiptarë ? Një vështrim i shpejtë i historisë së Evropës dëshmon për të kundërtën e tezave të politikanëve shqiptarë. Formën më të shëmtuar të populizmit, më primitive të tij e ndeshin në Evropën Perëndimore dhe jo në Ballkan. Fashizmi italian dhe nazizmi gjerman janë shëmbujt më tipikë të populizmit primitiv. Dhe forma më konkrete e këtij populizmi ishte politika e rrugës. Gebelsi në librin e tij “ Jeta ime në Mynih ” e pohon shumë qartë filozofinë primitive populiste të partisë së tij kur thoshte se “ Kush ka në dorë rrugën, ka në dorë pushtetin ”. Mbi këtë bazë të pohosh se populizmi evropian është i mirë, ndërsa ai ballkanik është primitiv dhe duhet hedhur poshtë, e pakta kjo do të thotë servilizëm politik. Pohimi i mësipërm i shtetarëve shqiptarë, i vë ata në një pozitë të palakmuar dhe në luftën politike me opozitën veçanërisht partinë demokratike. Dihet se Partia demokratike qysh në shtator 1991, në Kongresin e saj të parë, e përcaktoi politikën e rrugës si kredon e saj politike. Përpjekjet e Preç Zogajt në këtë kongres në favor të dialogut nuk patën sukses. Kredua politike e Partisë Demokratike siç shihet nuk është ballkanike por një përvojë evropiane, bile përvojë e dy nga vëndet më të fuqishme të evropës, Gjermanisë dhe Italisë. Për analogji pohimi se populizmi evropian është i mirë, do të thotë se dhe populizmi i P.D-së, si kopjim i këtij populizmi është i mirë. Atëhere cili lloj populizmi në Shqipëri është primitiv që duhet hedhur poshtë ? |