Revolta popullore që shpërtheu në Shqipëri në fillim të muajit Mars 1997, ka vënë në lëvizje të gjithë jetën politike dhe propagandistike shqiptare që nga Prishtina deri në Sarandë. Janë me qindra dhe mijra komente, informacione, analiza, gjykime për këto ngjarje. Rrallë herë jeta politike dhe propagandistike shqiptare është shfaqur kaq hapur, kaq lakuriq sa këtë herë. Por dhe rrallë herë janë shfaqur disa dukuri trishtuese të jetës politike shqiptare se sa këtë herë.Këto dukuri janë të shumta, por do të evidentojmë disa prej tyre.
Krahinarizmi primitiv në pluralizëm
Krahinarizmi përbën një ndër tiparet kryesore të politikës dhe propagandës shqiptare të kësaj periudhe. Shumica e politikës dhe propagandës së Kosovës e ka shfaqur këtë tipar me hapur se kurrë. Një analizë e shkrimeve dhe deklaratave të mjaft politikanëve dhe gazetarëve nga Kosova, gjatë kësaj periudhe janë rreshtuar përkrah Berishës dhe grupit të tij. Cila është arsyeja ? Po të lexosh shkrimet dhe deklaratat e tyre, nuk gjen asnjë arsye politike, ideologjike apo nacionale. E vetmja arsye për ata është fakti se Berisha është nga veriu, ata që u revoltuan ndaj tij janë nga jugu. Prandaj Berisha duhet mbrojtur, duhet përkrahur, se ai është nga krahina jonë, të tjerët janë nga krahina të tjera prandaj janë armiq. Këtë vijë sjelljeje e gjen tek deklaratat, shkrimet, analizat e shumë politikanëve, gazetarëve dhe analistëve politike në Kosovë Shkrimet e kësaj periudhe treguan veçanërisht në Kosovë se ndjenja e krahinizmit është shumë më e fuqishme se bindjet politike. Fakt i qartë për pohimin e mësipërm eshtë kundërvënia e politikës dhe propagandës së Kosovës dhe ndaj vijës politike të Ibrahim Rugovës. Eshtë tashmë e njohur se Rugova ndaj ngjarjeve në Shqipëri bëri një veprim të mënçur politik. Ai jo vetëm që u distancua nga Berisha duke kërkuar krijimin e një qeverie koalicioni dhe zgjedhje të parakohshme, por shkoi dhe më tej duke e ftuar Berishën të jepte dorëheqje. Me këtë veprim Rugova doli hapur si zëdhënës i qëndrimeve të Amerikës. Megjithkëtë, mjaft analistë, publicistë dhe politikanë antarë të partisë së Rugovës apo aleatë të tij, dolën hapur në mbrojtje të Berishës dhe ju kundërvunë Kryetarit të tyre. Nuk ishin bindjet politike që sollën këtë qëndrim, nuk ishte meraku i Kosovës, por ishte thjesht « kushtrimi i të parëve », ishte ndjenja e krahinizmit primitiv ajo që doli lakuriq në qëndrimin e tyre. Mentaliteti i fisit, i bajrakut, i qehajait apo kajmekamit është i tillë ; ai nuk e kapërcen dot kufirin e fisit apo të bajrakut. Megjithse jeton në fundin e shekullit të 20-të, megjithse hiqen modernë demokratë e bashkëkohorë, njerëz të tillë në thelbin e tyre, jetojnë me mëndësitë e shekullit të 19-të. Të gjithë ata që ngrihen kundër të parit të fisit apo të bajrakut të tyre, për ata janë armiq, tradhëtarë, që duhen ndëshkuar dhe dënuar.Tezat greke si mjet propagande Në shumicën e propagandës në Kosovë ndaj ngjarjeve në Shqipëri dhe veçanërisht ndaj Kryengritjes, vihet re një element shumë i « çuditshëm ». Kjo propagandë i ka sulmuar dhe vazhdojë t’i sulmojë me tërbim këtë ngjarje me lloj lloj emërtimesh nga më të neveritshmet. Por ajo që bie më shumë në sy është fakti se me dashje apo pa dashje kjo në thelbin e saj nuk është gjë tjetër veçse jehonë e tezave greke. Cili është thelbi i kësaj propagande ? Ja disa pohime : « Jugun e kanë marrë grekët. Ata që janë ngritur kundër Berishës janë grekë, në Vlorë luftojnë grekët, në Tepelenë përsëri janë grekët. Të gjithë ata që janë nga jugu si Fatos Nano, Fatos Lubonja, etj janë grekë » etj, pohime si këto. Le të prekim shkarazi dhe tezat shoviniste greke.Sipas këtyre tezave në Shqipëri jetojnë me shumë se 400 mijë grekë. Pra gati të gjithë shqiptarët të besimit ortodoks sipas shovinizmit grek, janë grekër. Kjo tezë qindravjeçare greke, që barazon besimin fetar me kombësinë, asnjëherë nuk ka zënë vënd në Shqipëri, veçanërisht tek shqiptarët e besimit ortodoks. Rilindasit dhe patriotët e mëdhenj si Naun Veqilharxhi, Thimi Mitko, Jani Vreto, Petro Luarasi, Parashqevi Qiriazi, Thanas Tashko, Koto Hoxhi, Papa Kristo Negovani, Spiro Bellkameni, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, etj shqiptarë të besimit ortodoks, historia e Shqipërisë i njeh nga figurat më të shquara atdhetare të saj që i bënë ballë shovinizmit grek duke dhenë dhe jetën e tyre për rilindjen e Shqipërisë. Por pati dhe disa si Kristaq dhe Jorgji Zografos apo Spiro Milo, që u bënë mbështetësit dhe përhapësit e tezave shoviniste greke se e gjithë Shqipëria e jugut është greke, se të gjithë shqiptarët e besimit ortodoks janë grekë etj. Historia shqiptare këta i ka stigmatizuar si tradhëtare dhe shërbëtore të shovinizmit grek. Sot pas 80 vjetësh përsëri tezat shoviniste greke i mbrojnë qarqe ultra nacionaliste greke. Por me e çuditshmja dhe më e habitshmja eshtë se sot këto qarqe shoviniste kanë gjetur përkrahës të tyre në Shqipëri, kanë gjetur « Kristaq dhe Jorgji Zografos ». E veçanta eshtë se këta përkrahës dhe mbështetës të tezave greke, sot janë nga Prishtina. E veçanta tjetër është se ata sot nuk quhen « Kristaq apo Jorgji », por quhen Teki, Gani, Abdi, Xhaferr, Rrahman, Adem, Bajram, Mehmet etj Vëllezrit serbë dhe armiqtë shqiptarë Në qëndrimin e një pjesë të politikës dhe propagandës nga Kosova për ngjarjet në Shqipëri, vihet re dhe një dukuri tjetër. Në propagandën e tyre, të gjithë e pranojnë se Kosova është e pushtuar nga Serbia. Të gjithë ata në teori e pranojnë se platforma serbe ndaj Kosovës eshtë e njëjtë si për nacional-komunistët e tipit të Milosheviçit ashtu dhe për nacional socialistët e tipit të Drashkoviçit. Ashtu siç pranojnë në teori se pa ndihmën e popullit shqiptar në Shqipëri, nuk e zgjidhin dot çështjen e tyre, se shqiptarët e Shqipërisë janë vëllezër etj. Por le të shikojmë praktikën. Ajo flet ndryshe, bile kthehet kokë poshtë. Në praktikë armiqtë serbë bëhen « vëllezër », ndërsa vëllezërit shqiptarë bëhen « armiq ». Ja disa fakte : Egërsia e shkrimeve ndaj ngjarjeve në Shqipëri dhe veçanërisht ndaj kryengritjes, ua kalon disa fish shkrimeve që botohen ndaj dhunës serbe. Në kohën e demostratave në Beograd të drejtuara nga çetniku Drashkoviç, politika dhe propaganda në Kosovë demostruesit i bëri heronj, bile u dërgoi dhe telegrame urimi. Megjithse të gjithë e dinin se Drashkoviçi ndryshon nga Milosheviçi vetëm nga kostumi dhe asgjë tjetër. Ndërsa për revoltën në Shqipëri, po të njëjtët njerëz, ndaj protestuesve shqiptarë dërguan vetëm mallkime, vetëm sharje, vetëm kërcënime, nxorrën nga arsenali i tyre sharjet më të neveritshme. Njëri prej tyre dhe ndër më të njohurit, në një nga intervistat e tij, serbët i quajti « vëllezër », ndërsa shqiptarët që bënë kryengritje, i quajti armiq dhe kërkoi që mbi ta të ushtrohej dhuna e egër e shtetit.
Përse gjithë kjo urrejtje ?
Me të drejtë lind pyetja : Përse gjithë kjo egërsi ndaj revoltës në Shqipëri ? Thjesht për krahinarizëm ? Siç duket ekziston një shkak më i thellë. Revolta në Shqipëri që nxorri në shesh gjithë kalbësirën dhe shëmtinë e pushtetit shqiptar, që nxorri në shesh gjithë mashtrimin kolosal pesëvjeçar të fshehur pas fjalës demokraci, i tmerroi politikën dhe propagandën në Kosovë. Mashtrim dhe shëmti në periudhën 1991-1997, nuk kishte patur vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë. Politikës dhe propagandës në Kosovë, duke parë revoltat dhe kryengritjen e popullit shqiptar, pyetja e parë që i erdhi në mënd, ishte : « Po sikur dhe tek ne në Kosovë, populli të ngrihet siç u ngrit në Shqipëri, ku do të shkojmë ne, ku do të shkojnë mashtrimet tona, shëmtia jone. Dhe ne do të pësojmë fatin e pushtetit në Shqipëri bile më keq, se ne jemi dhe kolaboracioniste me serbët. Prandaj me çdo kusht të parandalojmë këtë gjë » Analiza e e botuar në gazetën gjermane « Die Welte » e përkthyer dhe e botuar nga Jusuf Buxhovi në Rilindje me titull : « Vlora nuk teston vetëm Shqipërinë por tërë Ballkanin », ishte një këmbanë e fuqishme alarmi për këtë shtresë. Prandaj një pjesë e tyre u shkëput nga pushteti shqiptar duke mbajtur qëndrim kritik ndaj tij, ndërsa më fanatikët u hodhën në sulm për ta paraqitur revoltën popullore si antishqiptare. Me këtë spiegohet dhe ai sulm i egër kundër Rexhep Qosjes, që ngjarjet në Shqipëri i konsideroi me të drejtë si Revolucion demokratik. Këtë shtresë e tmerron fjala revolucion, fjala kryengritje, e lë pa gjumë, prandaj dhe ajo është e pamëshirshme ndaj revolucionit dhe kryengritjes. Në pamundësi ta shuajë atë qysh në lindje, ajo bën çmos që të mos përhapet, bën çmos që atë ta diskreditojë, ta paraqesë në sytë e opinionit ashtu siç nuk është. Interpretimet e të huajve a-Interpretimet e shtypit dhe mediave televizive Në shumicën dërrmuese shtypi dhe mediat kryesore të huaja i mbështetën në fazën e parë revoltat dhe rebelimin e popullit të armatosur. Në këtë fazë, në kundërshtim me propagandën zyrtare të Shqiperisë, asnjëherë propaganda euroamerikane, kryengritësit nuk i quajti banditë apo kriminelë. Termi më i përhapur në shkrimet dhe komentet e tyre ishte termi “ kryengritje popullore dhe popull i armatosur ”. Një tipar tjetër i kësaj propagande është se gjatë periudhës Janar-Prill 1997, u shpeshtuan akuzat e shtypit dhe mediave televizive ndaj pushtetit shqiptar duke e konsideruar atë si pushtet diktatorial. Në mjaft stacione televizive të huaja si në Gjermani, Itali, Zvicër, Angli etj, filloi të flitej hapur se demokracia në Shqipëri ishte një farsë dhe se atje sundonte pushteti i një njeriu të vetëm me prirje të theksuara diktatoriale. Në interpretimin e ngjarjeve në Shqipëri nuk kanë munguar dhe mjaft shkrime kritike ndaj qeverive evropiano perëndimore për indiferencën dhe përkrahjen që i kishin dhënë një pushteti diktatorial. Në disa shkrime, këto ngjarje u interpretuan nga pozita shoviniste dhe raciste ndaj kombit dhe popullit shqiptar. Thelbi i këtyre interpretimeve ka qënë gjoja pamundësia e shqiptarëve për të mbajtur shtetin dhe për tu vetëqeverisur. Kritikat ndaj qeverisjes së keqe, u përgjithësuan dhe trajtuan si kritika ndaj aftësisë së popullit shqiptar për të bërë dhe mbajtur shtet. Në mënyrë cinike, ky lloj shtypi la në harresë periudhën 1920-1939 dhe 1945-1992, kur pavarsisht nga forma qeverisëse e regjimit, shteti shqiptar ishte konsoliduar si i tillë. Në ndihmë të këtyre interpretimeve ishin dhe thirrjet neveritëse të klasës politike shqiptare për nevojën e një force shumëkombëshe. b-Interpretimi i kancelarive euroamerikane Në interpretimin e ngjarjeve në Shqipëri, në ndryshim nga mediat e ndryshme, intepretimi i kancelarive euroamerikane, përshkohet nga dy veçori: Veçoria e parë ka të bëje me vonesën e reagimit zyrtar të kancelarive euroamerikane ndaj këtyre ngjarjeve. Veçoria e dytë ka të bëjë me diferencën e qëndrimit amerikan nga qëndrimi i Unionit europian ndaj këtyre ngjarjeve veçanërisht në fazën e parë të zhvillimit të tyre. Qëndrimi ameikan, konstant pas zgjedhjeve të 26 Majit, qysh në fillim të ngjarjeve fajësoi ashpër qeverinë shqiptare si shkaktaren kryesore të trazirave në shqipëri. Për daljen nga kriza qeveria amerikane përsëriti qëndrimin e saj për krijimin e një qeverie koalicioni dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Sekretarja amerikane e shtetit Madlenë Olbrajt e shprehu hapur këtë qëndrim gjatë vizitës në Evropë duke kërkuar nga evropianët që të kenë një qëndrim të njëjtë ndaj qeverisë shqiptare. Por siç tregoi zhvillimi i ngjarjeve, Këshilli i Ministrave të Bashkimit europian nuk e pranoi në fillim rekomandimin amerikan duke e zbutur qëndrimin ndaj qeverisë shqiptare me anë të një deklarate të përgjithshme ku kërkohej thellimi i reformave ekonomike. Kjo diskordance ne qendrimin ndaj ngjarjeve ne Shqiperi ashtu si do ta shikojme me poshte, nuk eshte gje tjeter veçse refleks i kontradiktave midis fuqive te medha dhe luftes se tyre per zona influence. Ndërsa në fazë e dytë të zhvillimit të ngjarjeve në Shqipëri qëndrimi euroamerikan u njehsua dhe kjo nuk ndodhi rastësisht. Ishin ngjarjet që precipituan me shpejtësi në Shqipëri, ato që i detyruan kanceleritë evropiane të ndryshonin qëndrimin e tyre. Në këtë fazë ato u rreshtuan në anën e popullit kryengritës duke i pranuar kërkesat e tij. Pavarsisht nga manovrimet e fundit, duhet thënë se qëndrimi euroamerikan dhe politika e tyre ndaj Shqipërisë dhe qeverisë se saj u diskreditua plotësisht nga lëvizja popullore në Shqipëri dhe nga shtypi dhe televizioni i pavarur perëndimor. Konkluzioni i revoltave të popullit shqiptar ishte se kanceleritë euroamerikane kishin mbrojtur dhe përkrahur në Shqipëri një qeveri gangsterësh dhe hajdutësh dhe jo një qeveri demokratike. |