Cfarë paska ndodhur vallë ? Ky libër ka probleme moshash apo sekreti ? As njëra e as tjetra. Libri “ Popull i tradhëtuar ” i Koço Danaj, që në titull tregon se nuk mund të jetë i përshtatshëm për të gjithë. Cila kategori nuk e do këtë libër ? 1-Eshtë kategoria popullore e “ besimtarëve ” të ngrohtë. Këta janë njerëz të mirë, por i mëshojnë vetvehtes me të drejtë dhe pa të drejtë, që ta detyrojnë vehten e tyre të besojë ato që thotë dëshira dhe jo atë që shikon syri dhe mëndja. Në Shqipëri tani ka shumë njerëz të tillë, sepse sapo është ndërtuar një qeveri e re e pas-krizës më të egër që ka parë ky vënd. Në këto kushte njerëzit kanë frikë se mos ju prishet kjo qeverisje, ose akoma më keq : se mos ju vjen përsëri periudha shkatërruese e Sali Berishës. Prandaj dhe kanë të drejtë të mbyllin sytë e të luten : “ Aman, mos më thuaj ndonjë fjalë të keqe për këtë qeveri ”. Eshtë mjaft njerëzore dhe deri diku normale për këtë kategori. Këta nuk kanë përse e lexojnë qysh sot librin e Koço Danaj. Mund të presin për një periudhë të mëtejshme, ndoshta periudhën kur këta njerëz do të jenë mërzitur me qeverinë e tyre, dhe atëhere libri do të jetë një ilaç për ta. 2-Këtë libër mund të mos e lexojnë ata që kërkojnë të tilla shkrime që shpesh quhen “ simite furre ”. Edhe këto janë shkrime të mira sepse e tregojnë ngjarjen aty për aty. Shpesh herë këto shkrime, mbase dhe libra dalin në konkluzione të gabuara përgjithësisht. Natyrisht kështu do të ndodhë përderisa ngjarjen e ke aq pranë fytyrës saqë nuk mund ta shikosh të tërën. Por ka dhe mjaft lexues që e duan ngjarjen të përshkruar dhe të analizuar aty për aty, edhe pse të papjekur mirë. Këta nuk kanë përse ta lexojnë këtë libër. Sepse libri “ Popull i tradhëtuar ” i lodh ata. Ky libër e ka pritur ngjarjen e Pranverës së egër 1997, që të distancohet pak nga pak, në harkun e një viti e pastaj e ka analizuar. Eshtë njësoj si me aparatin fotografik, që nuk pranon të fotografojë aq afër sa të dalë fytyra në flu ose dhe e deformuar. Edhe aparati fotografik e kërkon një distancë të caktuar që të të japë portret të vërtetë. Aq më shumë ngjarjet historike. Koço Danaj e ka “ përgjuar ” kohën deri në momentin kur portreti i ngjarjeve të fillimit të vitit 1997, është shfaqur si një hënë e plotë prapa malit plot me paragjykime , errësirë informative, pasione etj. Letërsia jonë politike ka shumë nevojë për libra të tillë. 3-Do të ishte mirë të mos fillonin ta lexonin librin edhe ata lexues që pëlqejnë të kenë ngjarje të rrafshta, të buta, të tjerrura si në netët e dimrit. Edhe këto bëjnë pjesë në një letërsi të përlqyeshme. Por kjo kategori lexuesish nuk do të ndjeheshin mirë me këtë libër. Arsyeja është se ky libër ka deduksione dhe jo përshkrim të ngjarjes dita me ditë ose ora më orë ; ky libër ka analizë politike dhe filozofike dhe jo “ tale ” ; ky libër nuk mbaron me faqen e fundit si shumë libra të tjerë. Mund të them se në faqen e fundit, lexuesi fillon të mendohet më shumë për atë që ndodhi në vitin 1997 në Shqipëri. Prandaj mendoj që të paralajmëroj lexuesin për vlerën e këtij libri : Nuk është libër për të gjithë. Frrok Cupi Një libër që e njeh “ hilenë ” e historisë për të fshehur vetvehten Prej kohësh më ka shqetësuar rreziku i mjegullimit dhe errësimit të historisë së dhimbëshme të ngjarjeve të vitit 1997. Shkrimtari Dritëro Agolli e pati shfaqur i pari këtë alarm, duke u shprehur se në një vënd të qytetëruar dhe në një shoqëri që funksionon mirë, për këto ngjarje duhet të kishin vërshuar botimet, duhej të ishin botuar libra. Ndërkaq siç dihet në muajt më të rëndë të atij viti edhe shtypi i përditshëm ishte i ndaluar, për shkak të gjëndjes së shtetrrethimit. Pak kohë më parë një komision i posaçëm parlamentar paraqiti raportin e vet mbi zhvillimet e trazuara të vitit të kaluar. Ishte me të vërtetë alarmuese pyetja që bëri një nga deputetët : “ Vetëm kaq di komisioni ? Po të jetë për kaq, jo ne, por dhe ajo pjesë e popullsisë që i ka ndjekur ngjarjet përmes ekranit televiziv, di më shumë se komisioni ”. Ideja e tmerrshme se “ historia është e prirur për të fshehur vetvehten, më kishte trëmbur aq shumë, sa që kur mora për të lexuar librin “ Popull i tradhëtuar ”, bashkë me kumtin e autorit se “ ky libër u kushtohet mgjarjeve të vjetshme ”, gjëja e parë që më shkoi ndërmënd ishte të vëreja se a ka mundur autori ta njohë këtë hile të mbrapshtë të historisë dhe si ja ka dalë mbanë të zbulojë atë që priret të shmanget prej zonjës së njohjes. “ Popull i tradhëtuar ”, është libri i parë që përpiqet ta kapë historinë sa pa u larguar e pa u vështirësuar për të mbritur tek e vërteta. Unë nuk di nëse autori e ka pasur në mëndje në formë të shprehur atë ide që më trëmbte mua, mendimin se historia e fsheh vetvehten, por jam i bindur se diku në vetëdijën e tij, apo në nënvetëdije ka qënë i njëjtë preokupim. E çmoj këtë libër para së gjithash, për këtë kontribut. Historia ndërtohet me referenca. Të parat referenca janë letërsia dokumentare dhe ajo e analizës. Ne nuk patëm reporterë në këtë periudhë të vrazhdë për një njohje të drejtë për drejtë nga vëndi i ngjarjes. Së paku të kemi një analizë të kujdesëshme dhe të baraspeshuar të tyre. Libri “ Popull i tradhëtuar ”, u ofrua nga autori si hap i parë i mbarë. Shaban Sinani Në vënd të prologut A mund të thuhet se urrejtja dhe dhuna e shekullit të 20-të, janë thjesht shëmbëlltyre e thelbit tonë të pashmangshëm? Po qe se kjo nuk është e vërtetë, atëhere si shpiegohen fatkeqësitë që kanë pllakosur sot botën dhe si mund të krijojmë një koncept më të thellë dhe të aplikueshëm? Çfarë aftësish kemi për ta realizuar këte¨? A është e mjaftueshme forca njerëzore apo mos vallë? ” Glen Tinder Vija politike që ndoqën politikanët shqiptarë gjatë periudhës 1991-1996 pati një fund tragjik, nje fund te turpshem. Në muajt shkurt-mars 1997, pushteti shqiptar per here te pare ne historine moderne te shtetit shqiptar, vendosi gjendjen e jashtezakonshme e pas kesaj, shteti shqiptar, pushoi së qëni. Elementët e tij bazë, që janë ushtria, policia dhe financa u shkatërruan plotësisht. Mbeti vetëm një pushtet i arnuar, i sakatosur, që u quajt qeveri e pajtimit kombëtar e cila kishte fuqi në Tiranë dhe përreth saj. Për të mbajtur rendin dhe qetësinë në Shqipëri, klasa politike shqiptare e pluralizmit e djathtë dhe e majtë, thirri në ndihmë forcat shumëkombëshe. Janë shkruar me qindra analiza, janë dhënë me qindra opinione pse ndodhi një gjë e tillë. Janë bërë me qindra aluzione dhe supozime, që nga përzierja e fuqive të huaja dhe e shërbimeve të ndryshme sekrete, e rebelimit komunist, e mafies etj. Por opinionet dhe aluzionet janë të kota dhe nuk i japin përgjigje çështjes kryesore që shtrohet para çdo shqiptari. Ajo shtrohet në formën e dileme të madhe që qëndron pezull në ndërgjegjen e çdo shqiptari, në ndërgjegjen kombëtare: Edhe në kohën e Ahmet Zogut kishte rebelime, përzierje të shërbimeve të huaja, dhe në kohën e Enver Hoxhës kishte të tilla, por asnjëherë nuk u vu në pikëpyetje ekzistenca e shtetit shqiptar. Si shpiegohet që kjo ndodhi në kohën e “ demokracisë ”, në të cilën, sipas politikanëve shqiptarë nuk ka armiq? E dyta në gjithë historinë e shtetit shqiptar, gjëndja e jashtëzakonshme nuk u vendos as në kohën e monarkisë, as të komunizmit, por u vendos në kohën e demokracisë, kur gjithë propaganda europiane dhe botërore predikon krijimin e rendit të ri botëror dhe avantazhet e tij. Si shpiegohet një gjë e tillë? E treta: Populli shqiptar as në kohën e monarkisë e as në atë të komunizmit, nuk është ndodhur në pragun e luftës civile. Në pragun e kësaj lufte ai u ndodh vetëm në kohën e demokracisë. E katërta : Si shpiegohet që deri në datën 13 mars 1997, kur populli kryengritës ishte në këmbë dhe në llogore, numëri i të vrarëve ishte vetëm 27, ndërsa pas kësaj date kur frenat i morën në dorë politikanët, pra kur u krijua qeveria e ashtuquajtur e “ pajtimit kombëtar ”, numëri i të vrarëve arriti me mijra vetë ? Dhe, e fundit, në kohën e demokracisë, një popull i tërë ngrihet në revoltë kundër pushtetit të tij, duke kërkuar në fillim në rrugë paqësore dhe më vonë me mjete dhune dorëheqjen e këtij pushteti. Analiza dhe përgjigja shkencore e çështjeve të shtruara më lartë, do të jetë me interes të veçantë jo vetem per shpiegimin shkencor te ngjarjeve qe ndodhen ne Shqiperi ne pranveren 1997 por akoma me shume, ato do te jene me interes për një rishikim tërësor të predikimeve dhe propagandës së bërë deri më sot ndaj të kaluarës së Shqipërisë, ndaj historise se saj, ndaj të sotmes dhe veçanërisht ndaj së ardhmes së saj. Atdhetarizëm apo kozmopolitizëm Ngjarjet në Shqipëri në pranverën -1997, që nisën në jugun e vëndit dhe u përhapën shumë shpejt në të gjithe Shqipërinë, patën një jehonë të madhe në mbarë opinionin botëror dhe reperkusione të mëdha edhe në jetën politike dhe sociale të Shqipërisë. Përballë këtyre ngjarjeve që morën formën e kryengritjes popullore, shteti “ demokratik ” shqiptar u shëmb shumë shpejt. U deshën revoltat popullore që morën shkas nga shëmbja e fondacioneve piramidale, u desh shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme nga ish-pushteti shqiptar, që institucionet themelore të shtetit të shëmbeshin plotësisht. U shpërbë ushtria “ demokratike ” që në shumicën e rasteve kaloi në anën e popullit kryengritës. U shpërbë policia që nuk pranoi të qëllonte mbi popullin. U shpërbë dhe pushoi së ekzistuari shërbimi informativ kombëtar. Partia demokratike u detyrua ta lëshojë pushtetin. Opozita ishte e paaftë dhe frikacake ta marrë atë. Frut i frikës së klasës politike nga revolta popullore ishte krijimi i qeverisë së koalicionit që tragjikisht u quajt “ »Qeveria e Pajtimit Kombëtar» ” dhe ftesa për të dislokuar në Shqipëri forcat shumëkombëshe, të cilat e shkelën Shqipërinë për herë të dytë pas 85 vjetësh. Ngjarjet që ndodhën në Shqipëri, janë bërë objekt i deklaratave, analizave, vëzhgimeve nga masa e gjërë e politikanëve shqiptarë dhe të huaj, të politologëve shqiptarë dhe të huaj, të publicistëve dhe mediave të shumëllojta televizive botërore. Por megjithse u shkruan me qindra dhe mijra artikuj dhe analiza, megjithse u dhanë me qindra deklarata dhe komente televizive, në morinë e shkaqeve të dhëna për shperthimin e këtyre ngjarjeve, në hipotezat e politikanëve, mungon evidentimi i thelbit real të këtyre ngjarjeve. Me disa përjashtime ky thelb “ çuditërisht ” është anashkaluar. Vërtet politikanët dhe analistët shqiptarë dhe të huaj, nuk janë në gjëndje të zbulojnë thelbin e këtyre ngjarjeve? Vështirë të besohet. Për propagandistët fanatikë partiakë, është normale të mos depërtojnë në thelbin e ngjarjeve, por të mbrojnë interesat e partive. Por për shumicën e politikanëve dhe analistëve të huaj kjo nuk qëndron. Ata kanë qënë dhe janë në gjëndje ta zbulojnë thelbin e këtyre ngjarjeve, ata e kanë ditur dhe e dinë mirë se kush qëndron në themel të këtyre ngjarjeve. Arsyeja përse nuk e kanë thënë hapur dhe në mënyrë të plotë, ka rrënjë të thella që lidhen me historinë e Shqipërisë veçanërisht me të kaluarën e saj, që lidhen me kuptimin dhe interpretimin e nocioneve të tilla si liri dhe pavarsi kombëtare, dinjitet dhe sovranitet kombëtar. |