FillimiMashtrimi i pushtetit

Mashtrime

Dështimi i skemave piramidale Ngjarjet në Shqipëri filluan pas shëmbjes së skemave piramidale si protesta dhe revolta paqësore, vazhduan si kryengritje e armatosur dhe perfunduan si anarki dhe kaos. Eshtë një fakt i njohur se në këto skema piramidale të konsideruara nga klasa politike shqiptare në pushtet si mrekullia shqiptare, populli humbi rreth 1 miliard dollarë. Në kushtet ekonomike dhe sociale te Shqipërisë kjo ishte një humbje totale. Mashtrimi i pushtetit Përbën një realitet të pakundërshtueshëm për të gjithë opinioni publik shqiptar dhe të huaj se firmat piramidale që për më se dy vjet vepruan në Shqipëri, kishin përkrahjen dhe mbrojtjen e klasës politike shqiptare, veçanërisht të asaj që ishte në pushtet. Midis pushtetit dhe firmave të fajdeve ishte vendosur një marrëveshje nga e cila kishin fitim të dy palët. Piramida shtetërore kishte përfitimin sepse ekzistenca e këtyre firmave, përqindjet e larta të parave që ato jepnin, ishte mjeti dhe propaganda më e mirë, për përfitime politike dhe për ruajtjen e pushtetit. Mardhënie të tilla midis pushtetit dhe popullit ishin më tepër se komode. Eshtë kjo arsyeja që shumë qeveritarë shqiptarë deklaronin hapur se këto lloj mardhëniesh ishin mrekullia shqiptare e ndërtimit të kapitalizmit, se paratë që merrnin shqiptarët nga firmat ishin nga paratë më të pastra në botë. Sipas tyre, ky ishte kapitalizmi popullor shqiptar. Nga ana tjetër dhe për bosët e firmave të fajdeve, ky qëndrim i pushtetit shqiptar ishte shumë i dobishëm. Në kompensim të përkrahjes që i bënin qeverisë dhe klasës politike shqiptare, në kompensim të parave që derdhnin veçanërisht për fushatat elektorale dhe xhepat e qeveritarëve, ata ishin të lirë të vepronin si të donin. Pushteti shqiptar dhe administrata e tij ishin mbulesa e tyre. Dhe mbulesa e shtetit është një koracë shume e fortë.
Brënda kësaj tablloje u vendosën marrdhëniet ekonomike midis pushtetit shqiptar dhe popullit në vitet 1993-1997.
Parantezë
Në ndriçimin më të plotë të enigmës shqiptare lypset evidentuar dhe një elemnt i rëndësishëm i jetës politike dhe sociale në Shqipëri, për periudhën 1993-997. Mardhëniet midis pushtetit shqiptar dhe popullit gjatë kësaj periudhe, nuk u vendosën mbi bazën e ligjeve që ka çdo shoqëri njerezore, pavarsisht nga forma e qeverisjes se saj. Ligje u miratuan me qindra por ato ishin vetëm fasada. Ato realisht mbeten forma e shoqerise shqiptare, propaganda e saj e jashtme, por jo thelbi i saj. Marrdhëniet reale u ndërtuan mbi bazën e kodeve zakonore, veçanërisht mbi bazën e institucionit të besës.
Pushteti shqiptar që veproi pas vitit 1992 në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një pushtet i ngritur mbi bazën e kodeve zakonore të para 400 vjetëve. Jo vetëm opinioni shqiptar por dhe ai i huaj njeh mirë argumentimin që lidërshipi shqiptar i bëri kanunit të Lekë Dugagjinit gjatë fushatës për hartimin e projektkushtetutës. Thelbi i këtij argumentim ishte se Kanuni i Lekë Dugagjinit ishte shumë herë më përparimtar se teoria e Karl Marksit. Gati në të gjitha fjalimet e tij të kësaj periudhe, lidërshipi shqiptar, fjalinë e fundit e kishte standarte: “ Kam ardhur të kërkoj besën tuaj ”. Pavarsisht nga neveria që ngjalli ky argumentim në qarqet politike dhe gazetareske të huaja, duhet thënë se në Shqipëri, alergjia e njerëzve ndaj komunizmit, solli si pasojë që në shtresa të tëra njerezish të pranohej si i vërtetë. Për më tepër, duke qenë i veshur dhe me “ vellon ” e nacionalizmit pasi Leka ishte shqiptar, ndërsa Marksi ishte gjerman.
Ndikimin më të madh të institucionit të besës në psikologjinë e shqiptarëve e vërejmë më dukshëm në marrdhëniet ekonomike midis shtetit dhe popullit në Shqiperi. Për shumë prej nesh sot është e habitshme, e pabesueshme se si qindra mijra njerëz depozitonin me mijra dollarë, franga apo marka në këto fondacione fajdesh në shkëmbim të një emri në listë apo të një fature të thjeshtë. Por çudia dhe pabesueshmëria ”, bëhen të pavlefshme përballë thenies së njerëzve: “ Këto fondacione nuk falimentojnë pasi ato i mbron shteti, i mbron presidenti, ata na kanë dhënë besën ” Fjala e qeverisë e dhënë nëpërmjet deklaratave televizive apo fjalimeve të ndryshme, pamjet televizive që tregonin bosët e firmave piramidale krah për krah me qeveritarët ishin një konfirmim i “ besës ” së pushtetit.
Ndërsa gjatë muajit Janar 1997, ishte qeveria dhe lidërshipi krysor i pushtetit që filluan t’i mbyllnin këto fondacione, që filluan të deklaronin se nuk dinin gjë për veprimtarinë e tyre, që nuk do t’i kompensonin njerezit që kishin humbur paratë. Për qindra mijëra shqiptarë nga Veriu në Jug, ky qëndrim i qeverisë dhe lidërshipit të saj, nuk ishte gjë tjetër veçse prerje në besë. Qeveritarët shqiptarë vepruan me kanun në marrdheniet me popullin e tyre, por dhe me kanun do ta merrnin përgjigjen. Në bazë të kanunit, besëprerja shpaguhet me dënim kapital. Indiferenca e opozitës Gjatë viteve 1992-1996, për shkak të luftës së egër për pushtet, opozita shqiptare ka qënë nën një represion të egër të pushtetit shqiptar, duke filluar qe nga ndjekjet dhe persekutimet e duke mbaruar tek burgosjet. Ndaj fondacioneve piramidale, opozita teorikisht mbajti një qëndrim indiferent, ajo dhe teoricienet e saj te fushave te ekonomise apo te prognozave politike, asnjehere nuk reaguan ndaj predikimeve dhe propagandes se pushtetit mbi nevojen e ketyre fondacioneve si thelbi i kapitalizmit popullor shqiptar. Heshtja e teoricienëve të opozitës ishte ndihmë e madhe për pushtetin shqiptar. Ndërsa praktikisht i mbështeti ato. Dyzimi i saj përbën një ndër shkaqet e zëmërimit popullor. Vetëm gjatë muajit dhjetor 1996 dhe më konkretisht në 24 dhjetor 1996, Departamenti ekonomik i Partisë Socialiste, mori qëndrim kundër fondacioneve, duke kërkuar shndërrimin e tyre në banka private. Ishte shumë vonë ! Në këtë kohë kishin filluar të flisnin pak nga pak dhe segmente të veçanta të pushtetit. Ishte koha kur institucionet e fuqishme ndërkombëtare si Fondi Monetar, kishin kërkuar me forcë ndërhyrjen e qeverisë për ndalimin e veprimtarisë së tyre.
Përse nuk mbajti qëndrim opozita kundër fondacioneve, dhe veçanërisht kundër mashtrimit së pushtetit? Pergjigjja e kesaj pyetjeje nuk eshte e thjeshtë, ajo ka te bëjë me seriozitetin e nje force politike qe kerkon te marrre pushtetin dhe ta mbaje ate, ka te beje me largepamesine e kesaj force politike. Nuk e dinte rrezikshmërinë e tyre opozita apo e mbajti qendrimin e saj për qëllime pushtetore.? Indiferenca e opozitës shqiptare nuk ka bazë tjetër veçse naivitetin politik dhe mungesën e një strategjie të saktë në luftën politike. Gjatë periudhës 1992-1996, vija politike e saj ishte një vijë politike e lëkundur, pa një bosht të qartë. Në qëndrimin ndaj fondacioneve piramidale, kjo lëkundje u shfaq lakuriq. Nuk është vijë e qartë politike gjykimi se dalja kundër fondacioneve do të ndikonte në zvogëlimin e elektoratit, do te ulte perqindjen ne zgjedhje dhe do të shkaktonte zëmërimin e bosëve të këtyre fondacioneve. Të lësh një popull të mashtrohet nga mashtrimi i pushtetit me pretekstin se do të me humbasë elektorati, do të thotë që për qëllime pushtetore indirekt të jesh pjesmarrës në mashtrim. Por përsëri nuk është qëndrim i pjekur politik gjykimi se dhe po të ndodhë gjë përgjegjësinë do ta mbajë qeveria. Të përdorësh humbjen popullore përsëri për efekte pushtetore, kjo nuk është gjë tjetër veçse cinizëm. Në politikë gjykohet me largpamësi, politika e ditës është e vlefshme vetëm brënda ditës apo brënda muajit. Zgjedhja e indiferencës zyrtare ndaj pabesisë së pushtetit, as kundër, por as dhe pro, ishte një ndër faktorët kryesorë që opozita shqiptare, u ndodh krejtësisht e papergatitur kur filluan revoltat popullore. Politikën gjatë muajit Janar dhe Shkurt 1997 nuk e drejtoi as pushteti dhe as opozita. Në të kundërtën, e drejtoi zëmërimi popullor nëpër rrugët dhe sheshet e Shqipërisë. Në ngjarjet e janar-shkurtit 1997 klasa politike shqiptare mori atë që meritonte; mashtrimi i pushtetit mori zëmërimin e egër popullor, indiferenca e opozitës mori indiferencën e popullit. Pragmatizmi euroamerikan Pragmatizmi euroamerikan ishte dhe mbetet një ndër shkaqet e jashtme të ngjarjeve në Shqipëri. Mardheniet e popullit shqiptar me pushtetin kanë qënë me kohë të njohura për politikën euroamerikane. Veprimtaria e dyshimtë e fondacioneve piramidale, po ashtu ka qënë shumë e njohur nga institucionet ndërkombëtare monetare dhe shërbimet sekrete të këtyre shteteve. Ka qënë shumë e njohur situata politike dhe sociale në Shqipëri nga të gjitha kancelaritë euro-amerikane. Por të gjitha këto dukuri, nuk i penguan këto kancelari të deklaronin se Shqipëria ishte një ndër vendet më të përparuara në fushën e demokracisë, kur demokracia ne Shqiperi ishte thjesht nje proklamate dhe jo nje realitet, te deklaronin se pushteti shqiptar ishte nga me demokratiket ne te gjitha vendet e Evropes Lindore, kur ai nuk ishte i tille. Shkaqet janë të njohura. Për politologet dhe analistet serioze, ato janë dy: Shqipëria u kishte rezistuar këtyre kancelarive për më se 40 vjet, ajo nuk e kishte pranuar ndarjen ndërkombëtare të punës të predikuar në fillim nga sovjetikët e më vonë nga të tjerët. Në marrdhëniet ndërkombëtare siç pohonte me të drejtë Andre Fonteni “ Ajo kërkon zërin e saj, të barabartë me atë të tre të mëdhenjve ” Pas viteve 1990, fshehur pas fjalës demokraci dhe pas gjëndjes së rëndë ekonomike të shqiptarëve, kishte ardhur koha e hakmarrjes së të madhit ndaj rebelimit të të voglit. Realizimi i kësaj hakmarrjeje nga vetë shqiptarët ishte mëse komod për kancelaritë euroamerikane. Dhe shkaku i dytë ishte stabiliteti i paqes në Ballkan. Pushteti shqiptar që u vendos me përkrahjen dhe bekimin e kancelarive euroamerikane mori persipër në politikën e jashtme të bëhej garant i paqes në Kosovë. Sa kohë që vazhdonte lufta në Bosnjë, klasa politike në Shqipëri, me teoritë e saj të hapsirave demokratike, të heqjes dorë nga kërkesat maksimaliste, arriti që gjëndjen në Kosovë ta mbante larg shpërthimit të zëmërimit popullor. Klasa politike shqiptare në Prishtinë dha një ndihmesë të madhe. Ajo në vënd të merrej realisht me fatin e Kosovës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, më shumë u kujdes për “ shkatërrimin ” e komunizmit në Shqipëri. Kjo ishte një ndihmë e madhe për kancelaritë euroamerikane.
Ndryshimi i qëndrimit euroamerikan filloi pas farsës tragjike të 26 Majit 1996. Në fillim Amerika dhe institucionet ndërkombëtare nisën akuzat ndaj pushtetit shqiptar. Reagimi euro-amerikan dhe në këtë rast ishte pragmatist dhe asgjë tjetër. Me veprimet dhe qëndrimet e tij pushteti shqiptar e vuri në vështirësi të madhe propagandën euroamerikane mbi rendin demokratik dhe demokracinë. Kishte vite të tëra që kjo propagandë, para popullit shqiptar e kishte paraqitur demokracinë si burimin e të gjitha të mirave materiale dhe shpirtërore. Por në qoftë se kjo parrullë pati efektet e saj në fillimet e pluralizmit, me kalimin e kohës ajo u zvetënua, dhe transformua në sytë e popullit shqiptar në të kundërtën e saj. Shumica dërrmuese e shqiptarëve në fundin e 1996-ës, pyetjes se “ Kush është më i keq se sistemi i kaluar ”, kishin filluar t’i përgjigjeshin masivisht : “ Kjo që po jetojmë sot ”. Prandaj dhe kjo propagandë për të shpëtuar nga diskreditimi predikimet e saj, u kujtua të mbante qëndrim ndaj atyre që për vite të tëra i kishte përkëdhelur. Propaganda dhe politika euroamerikane nuk denoi manipulimin e farsës shqiptare të 26 Majit, por u detyrua të dënonte brutalitetin dhe vrazhdësinë e këtij manipulimi, egërsinë e tij. Në këtë moment pushteti shqiptar dhe lidërshipi i saj, bënë gabimin e tyre fatal për të ruajtur pushtetin. Ata deshën të kundërshtonin atë që i kishte sjellë në pushtet dhe që i mbante me bukë, duke i propaganduar si kampionë të demokracisë kur nuk ishin gje tjeter vetem se varremihesit e saj. Ky ishte fundi i këtij pushteti. Qeveritë kukulla mbahen ne secilin vend te botes nga te huajt vetem per interesa te tyre. Ky konkluzion është i vlefshëm për të gjitha kohët dhe për të gjitha sistemet, për ideologjitë e djathta dhe për ideologjitë e majta. I vetmi ndryshim qëndron tek “ kostumi ” politik. Kur këta të huaj zëmërohen, atëhere ky është fundi i këtyre qeverive. Opinionit botëror dhe atij shqiptar filluan t’i bëheshin të njohura pak nga pak lidhjet reale të pushtetit shqiptar me fondacionet mafioze, filluan t’i tregoheshin dhe denoncoheshin shkeljet e rënda ndaj lirive të individit, deri atje sa në fillim të muajit janar 1997, me të dhëna të shërbimeve sekrete perëndimore, pushteti shqiptar në një gazetë të madhe perëndimore, u cilësua si “ qeveri gangsterësh ”. Retrospektive
Opozita juridike dhe reale në Shqipëri
(Zvicër, Fillimshkurti 1997) Aktualisht në pushtet në Shqipëri eshtë Partia Demokratike. Prej koalicionit me të janë larguar republikanët e Sabri Godos dhe Partia e Ballit Kombëtar. Ka mbetur vetëm një parti shumë e vogël, e quajtur Bashkimi Social-demokrat si partnere qeveritare. Ndërsa në opozitë ndodhen shumë parti. Ato fillojnë nga Partia Socialiste, SocialDemokrate, Aleanca Demokratike dhe mbarojnë tek Partia Demokratike e Djathtë e Kalakulës dhe monarkistët e Durollarit. Spektri i opozitës në Shqipëri eshtë shumë i gjërë. Ai përfshin në vetvehte të majtën dhe të djathtën bashkë. Në rregullat e lojës së pluralizmit kjo lloj opozite ku bashkohen të djathtët dhe të majtët bashkë, përbën një rast unikal të panjohur në lojën politike që zhvillohet në vëndet pluraliste. Megjithatë ky përbën një problem më vehte për tu trajtuar dhe nuk është objekt i kësaj analize. Problemi që duam të analizojmë dhe të trajtojmë është: Kush është opozita reale në Shqipëri për pushtetin aktual dhe kush është opozita juridike? Opozita juridike në Shqipëri Partia Socialiste, SocialDemokrate, Aleanca Demokratike, Partia Demokratike e së Djathtës, republikanët, ballistët etj, të grumbulluar në Forumin për demokraci, paraqiten në opinionin publik të brëndshëm dhe të jashtëm si opozita reale e pushtetit aktual shqiptar.
Por a eshtë vërtetë kështu? A përbëjnë partitë e mësipërme opozitën reale në shqipëri për pushtetin aktual. Arsyetimi i zhveshur nga propaganda partiake dhe nga mburrjet, arsyetimi i bërë mbi bazën e analizës reale të situatës në Shqipëri të nxjerr në një konkluzion tjetër. Partitë e mësipërme janë vërtetë opozitë e pushtetit aktual në Shqipëri. Por ato nuk janë opozitë reale, janë vetëm opozitë juridike. Konkluzioni i mësipërm del nga vetë realiteti shqiptar. Për një pushtet kushdo qoftë ky opozitë reale është vetëm ajo opozitë që i rrezikon seriozisht pushtetin. Dhe aktualisht pushteti i Partisë Demokratike në Shqipëri është shumë i rrezikuar. Por jo nga partitë e mësipërme. Aleanca midis këtyre partive ishte dhe në 26 Maj 1996, ishte dhe në 20 Tetor 1996, por megjithatë pushteti aktual nuk e ndjente vehten të rrezikuar sa tani. Për më tepër pushteti shqiptar disa partive që tani paraqiten si opozitare si republikanët dhe ballistët në 26 Maj 1996 u bëri dhe disa të mira, iu la në fazën e balotazhit disa vënde në parlament. Ndërsa politikanët e tjerë të opozitës si Kurt Kolën, Arben Imamin, Skënder Gjinushin etj i rrahu me kërbaç dhe kurrkush nuk u shqetësua as nga opinioni i jashtëm e as nga opinioni i brëndshëm. Partitë e mësipërme, për pushtetin aktual shqiptar nuk janë të rrezikshme, sepse ato janë vetëm opozitë juridike. Fuqia e opozitës juridike e shumta eshtë të bëjë konferenca shtypi, të bëjë deklarata, të bëjë artikuj nëpër gazeta dhe protesta pranë organizmave ndërkombetare që përfundojnë në rastin më fatlum me ndonjë rezolutë dhe asgjë tjetër. Opozita reale në Shqipëri Megjithatë pushteti shqiptar ka aktualisht përballë edhe një opozitë të fuqishme reale. Kësaj ai i trëmbet shumë. Prandaj është e para herë brënda këtyre pesë vjetëve që Partisë Demokratike po i rrezikohet seriozisht pushteti. Po cila është opozita reale e pushtetit aktual shqiptar? Ajo eshtë brënda dhe jashtë Shqipërisë. Populli i mashtruar Kjo është opozita reale e brëndëshme. Falimentimi i fondacioneve piramidale dhe varfërimi i tejskajshëm, e nxorri popullin në Shqipëri për herë të parë si opozitë reale ndaj pushtetit të Partisë Demokratike. Kjo është një opozitë shumë e rrezikshme. Sepse një popull i lënë pa para, i zhgënjyer dhe i mashtruar, nuk i njeh rregullat e lojës se pluralizmit politik. Ai nuk bën konferenca shtypi, deklarata dhe protesta. Ngjarjet e ndodhura në Berat, Lushnjë, Fier, Korçë, Vlorë, Memaliaj etj e provojnë më së miri këtë. Kjo opozitë nuk ka ngjyra politike. Në të janë të gjithë që nga socialistët deri tek demokratët, sepse të gjithë një ditë të bukur mbetën në mjerim te plotë, pa para dhe një pjesë edhe pa shtëpi. Mjerimi dhe zhgënjimi nuk njeh ngjyra partie. Ai është i njëjtë dhe ka vetëm një emër: Mjerim dhe varfëri. Rrezikshmëria e kësaj opozite qëndron në faktin se ajo duke qënë jashtë ngjyrave partiake, eshtë e vështirë të futet në kornizat e pambukta të lojës politike të pluralizmit politik, ajo nuk kënaqet me një kolltuk qeveritar siç mund të kënaqet ndonjë parti, ajo nuk kënaqet as me ndonjë rezolutë të Këshillit të Evropës apo Parlamentit Europian siç mund të kënaqet opozita juridike në Shqipëri. Për opozitën reale në Shqipëri këto nuk mjaftojnë. Kërkesa e saj eshtë e thjeshtë por është jetike: “ Ti qeveri më mashtrove, kur më the se këto fondacione janë mrekullia shqiptare, se paratë e tyre janë paratë më të pastra dhe unë të besova. Prandaj gjithë kursimet e mija, të djemve të mij në Itali, Greqi apo Gjermani, i investova në to, shita shtëpitë dhe paratë e tyre i futa në këto fondacione. Ndërsa një ditë shpalle falimentimin e tyre dhe mua më le në mjerim të plotë. Prandaj dua paratë e mija sepse më ke prerë në besë ”. Pushteti shqiptar që e ka bërë shumë të njohur kanunin e Lekë Dugagjinit e di shumë mirë se cili është çmimi i besëprerjes.
Eshtë një kërkesë e rrezikshme, që nuk realizohet me kolltuqe qeveritare, as me premtime politikanësh, që nuk qetësohet me fjalët e bukura të Leni Fisherit apo Zhak Santerit, por eshtë dhe një kërkesë që nuk trëmbet nga policia dhe kërbaçi. Zhgënjimi dhe mashtrimi janë më të fortë nga shkopi i policit.
Prandaj pushteti aktual shqiptar është shumë i shqetësuar dhe i tronditur. Sepse tani ai e di se ndodhet para opozitës reale, e cila deri në 31 Dhjetor ishte aleate e tij duke i dhënë dhe fitoren e 20 Tetorit 1996. Shtetet e Bashkuara të Amerikës-opozita reale e jashtme Edhe kjo është një opozitë reale shumë e rrezikshme për pushtetin shqiptar. Gjatë këtyre pesë vjeteve, pushteti shqiptar ka patur nga organizma të ndryshme ndërkombëtarë që nga Këshilli i Evropës, OSBe-ja, Federata e Helsinikit etj, dhjetra rezoluta e protesta të ndryshme. Por nuk është shqetësuar shumë. Organizmat e mësipërme kanë qënë opozita juridike e jashtme e pushtetit, fuqia e të cilave ka qënë deri në bërjen e rezolutave. Ndërsa pas 26 Majit 1996 e deri tani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë opozitën reale të jashtme të pushtetit shqiptar. Pushteti shqiptar këtë e di mirë prandaj dhe është i shqetësuar. Për atë është e qartë se në rastin konkret nuk ka të bëjë me ndonjë organizëm ndërkombëtar që ka në dorë vetëm çelsat e kashtës, por ka të bëjë me NJESHIN e botës nga i cili trëmben dhe i binden edhe fuqi më të mëdha dhe më të zhvilluara se Shqipëria. Eshtë interesante, por është shumë reale, se dhe në rastin e SH.B.A-ve kemi të bëjmë me një kalim nga aleati më i ngushtë i jashtëm në opozitën reale me të egër të jashtme. Dhe kjo ndodhi pas 26 Majit të 1996-ës, kur nga Amerika, pushtetit shqiptar i erdhën kritika të ashpra lidhur me zgjedhjet parlamentare. I tronditur dhe i çoroditur nga katrahura dhe manipulimi kolosal i 26 Majit, pushteti shqiptar, ndaj kritikave të Amerikës reagoi njësoj si ndaj OSBE-së, duke bërë gabimin e saj më fatal. Njëri pas tjetrit disa politikanë amerikanë duke filluar që nga Timothe Wirthi e duke mbaruar tek Eliot Engell gati sa nuk u shpallën persona të padëshirueshëm nga pushteti shqiptar, u shpeshtuan kritikat ndaj vetjakiteteve amerikane nga organet e shtypit proqeveritar. Që nga ky moment Amerika u shndërrua në opozitën reale të jashtme të pushtetit shqiptar.
Po cili është qëllimi i kësaj opozite reale të jashtme? Shtypi dhe politikanët e partive politike shqiptare, i mëshojnë faktit se Amerika është e shqetësuar për fatin e demokracisë në Shqipëri. Gjykim i gabuar ose propagandistik. Amerika u shndrua në opozitë reale ndaj pushtetit shqiptar, jo për faktin se është e merakosur për fatin e demokracisë në Shqipëri. Mjafton të përmëndim se para 26 Majit në Shqipëri janë shkelur me dhjetra herë demokracia dhe të drejtat e njeriut. Rasti më flagrant ishte arrestimi i Fatos Nanos dhe dënimi i tij. Megjithatë, Amerika nuk reagoi ndonjëherë, për të mos thënë se ishte ambasadori amerikan Raierson në Korçë ai që ideoi fushatën e makartizmit në Shqipëri, kur deklaroi se pas zgjedhjeve të 22 Marsit, socialistëve u uronte të mbeteshin pa punë. Ndërsa pas 26 Majit pushteti shqiptar dhe lidërshipi i tij “ u rebeluan ” ndaj Amerikës, u bëne të “ pa bindur ” dhe filluan të kërkojnë aleatë të tjerë në Evropë. Dhe për ti ndëshkuar “ rebelët ”, ajo ka dalë në vënd të parë në kritikat ndaj pushtetit shqiptar, duke ju kërkuar dhe vëndeve evropiane të mbajnë qëndrimin e saj. Me këtë qëndrim, Amerika do që tju japë dhe një mësim dhe partive të tjera politike në Shqipëri, i cili mund të përmblidhet në shprehjen: “ Unë që ju sjell në pushtet, unë mund dhe tju heq përsëri, kur tregoheni të pabindur dhe rebelë ”.
Eshtë një opozitë e pamëshirshme në thelb, po të kemi parasysh dhe filozofinë e saj, pragmatizmin amerikan. Por që në aparencë vepron me maturi dhe shumë diplomaci, me flamurin e mbrojtjes së demokracisë në Shqipëri. Kush do të fitojë Kjo është tablloja e jetës politike dhe sociale. Por natyrshëm shtrohet pyetja: Kush do të fitojë? Do të fitojë opozita juridike apo përsëri pushteti aktual do të dalë fitues? Opozitës juridike në Shqipëri i duhet të shndërrojë në aleatë të saj opozitën reale, popullin e mashtruar dhe Amerikën. Detyrë e vështirë përpara partive politike shqiptare të grumbulluara në Forumin për Demokraci. Atyre u duhet tja mbushin mëndjen popullit se po të vinë ata në pushtet, situata do të ndryshojë. Në kushtet e zhgënjimit të tanishëm kjo detyrë kërkon mënçuri të madhe nga opozita juridike shqiptare. Në radhë të parë kërkon jo vetëm solidarizim, por përpunimin e një alternative më të mirë se të tanishmen. Kjo alternativë përmban dy elementë të rëndësishëm. E para një program politik social dhe ekonomik për të kapërcyer situatën e tanishme. Pikpamja e shprehur nga disa drejtues të forumit se ne nuk luftojmë për pushtet, prandaj nuk kemi përpunuar alternativë, nuk qëndron. Brënda forumit janë disa parti politike dhe të gjithë e dinë se ato luftojnë për pushtet, që në mënyrë të natyrshme kërkon dhe një alternativë që ti mbushë mëndjen popullit për tu shkuar pas dhe Amerikës për të siguruar mbështetjen e saj. E dyta: Opozitës juridike i duhet dhe lideri i saj. Pushteti aktual e ka një lider dhe ky është Berisha. Ndërsa opozita akoma nuk ka një lider të saj. Fatos Nano është në burg. Atëhere kush është lideri i opozitës, Ceka, Mejdani, Kalakula, Gjinushi, Kola? Të gjithë bashkë nuk mund të jenë. Lideri është një. Opozitës i duhet t’i zgjidhe në mënyrë urgjente këto dy detyra, për tu bërë e besueshme tek opozita reale, populli dhe Amerika.
Por nga ana tjetër dhe pushteti aktual shqiptar megjithë goditjen që ka marrë nga opozita reale, veçanërisht nga populli i zhgënjyer, nuk po jepet. Ai po përdor të gjitha format për të rezistuar. Por e ka tepër të vështirë. I duhet të bindë një popull të tërë, cili këtë radhë nuk gënjehet me premtime, por kërkon paratë e humbura. Por pushteti nuk ka para për buxhetin e tij dhe jo ti japë popullit milionat dhe miliardat e dollarëve të humbura. Por i duhet të bindë dhe Amerikën e cila përsëri nuk bindet me premtime.
Kush do të fitojë? Do të ketë ndonjë fitues në këtë luftë tepër të vështirë politike, apo do të ketë vetëm humbës? Akull, kujdes rreshqitje Edhe kjo mund të ndodhë. Mund të ndodhë që pushteti aktual të dështojë në përpjekjet e tij për të qetësuar popullin dhe neutralizuar Amerikën. Kjo ka shumë mundësi të ndodhë. Por mund të ndodhe që dhe opozita juridike të mos hartojë dot një alternativë të besueshme dhe të mos e bëjë dot me vehte popullin dhe Amerikën. Kjo do ta futë vëndin në një rrugë pa krye. Në një rast të tillë anarkia dhe kaosi do të bëjnë ligjin duke i hapur rrugën destabilizimit të vëndit. Ky do të ishte varianti më tragjik, por në luftën politike duhet parashikohen të gjitha variantet. Prandaj ka nevojë të hiqet dorë nga slloganet bajate: luftojmë për demokracinë etj si këto. Duke llogaritur dhe variantin më tragjik, parulla më e saktë do të ishte: Luftë për ruajtjen e Shqipërisë. Masat qindra mijëshe të popullit janë vërtet të zhgënjyer nga pushteti aktual, janë akoma dyshues nga opozita juridike e grumbulluar në Forumin për demokraci, por kanë akoma besim tek politikanët shqiptarë. Parullat e hedhura gjatë demostratave në Vlorë, e konfirmojnë më së miri një gjë të tillë.