FillimiNaiviteti politik

Klasa politike shqiptare e periudhës 1992-1998, është karakterizuar nga një naivitet politik në gjykimin e dukurive dhe ngjarjeve të ndodhura në Evropë dhe në botë. Kulmin e vet ky naivitet e arriti me përpunimin dhe zbatimin e doktrinës së mbrojtjes pas viteve 1991. Koncepti bazë i klasës politike shqiptare ishte : “ Shqipëria nuk ka patur armiq ”, “ ajo nuk ka armiq as në periudhën e pas viteve 90-ta ”. Mbi bazën e këtij koncepti nga ana e klasës politike shqiptare u përpunua dhe doktrina e mbrojtjes, politika e jashtme dhe pozicioni i Shqipërisë në mardhëniet ndërkombëtare. Burimi i këtij naiviteti politik të klasës politike shqiptare, është moskuptimi i thelbit të mardhënieve të sotme ndërkombëtare, mos dallimi thelbësor midis epokës së viteve 1945-1990 dhe epokës se pas viteve 1991. Për klasën politike shqiptare pas viteve 1991 ka filluar ndërtimi i rendit të ri botëror, kontradiktat midis shteteve të ndryshme zgjidhen me mjete demokratike, ka mbaruar lufta e ftohtë etj. Në fakt pas viteve 1991, u përmbys sistemi socialist, pushoi së ekzistuari kampi socialist, propagandohet rendi i ri botëror. Ndërsa realiteti i viteve 1991-1998 në mardhëniet ndërkombëtare, na jep një tabllo tjetër nga propaganda që bëhet dhe krejtësisht të ndryeshme nga konceptet e klasës politike shqiptare
Deri ne vitin 1989-ne, Evropa ishte ne fazen e luftes se ftohte, te luftes se blloqeve, dhe agresioneve ushtarake, të armiqësive dhe konfrontimeve të përgjakshme. Një panoramë pa koment e mardhënieve ndërkombëtare në vitet 1900-1945 e mardhënieve ndërkombëtare të periudhës 1945-1989 dhe të periudhës 1990-1998, do ta bëjë më të lehtë thelbin real të mardhënieve ndërkombëtare dhe naivitetin e politikanëve shqiptare. Bota në periudhën 1900-1945 Dy luftra botërore. Bilanci: Reth 70 milion të vrarë dhe të masakruar ose përafërsisht rreth 8 milion çdo vit të luftës.
Tabloja e dytë u përket viteve 1945-1990. Në këtë periudhë kohore ekzistojnë dy sisteme, ai kapitalist dhe sistemi socialist. Brënda kësaj tabloja kemi me dhjetra luftra dhe konflikte lokale. Shkaku i tyre: Kontradiktat midis dy kampeve, atij kapitalist dhe atij socialist. Pasojat e tyre: Ato i provuan më shumë në kurriz vetëm të vegjlit në trojet e të cilëve u bënë luftrat. Në menyrë kronologjike po ja rikujtojmë lexuesit: Bota në periudhën e Luftës së ftohtë, 1945-1990 Gjatë viteve 1945-1990, në rajone të ndryshme të botës ndodhën dhe u zhvilluan mbi 130 konflikte ndërshtetërore, luftra çlirimtare dhe luftra civile
1-Konflikte ndërshtetërore
Konflikti midis Indisë dhe Pakistanit gjatë viteve 1947-1949, 1965, 1971
Konflikti izraelito-arab gjatë viteve 1948-1949, 1967, 1973
Konflikti në Kore me pjesmarrjen e rusëve, kinezëve dhe amerikanëve gjatë vitit 1950-1953
Konflikti Vietnam i veriut dhe Amerikës gjatë viteve 1965-1975
Konflikti Midis Iranit dhe Irakut gjatë viteve 1980-1987
Konflikti midis Anglisë dhe Argjentinës për Ishujt Malvine në vitin 1982
Konflikti midis Kinës dhe Vietnamit gjatë vitit 1979
Konflikti midis Guatemalës dhe Hondurasit në vitin 1954
Konflikti midis Indisë dhe Kinës në vitin 1959, 1962
Konflikti midis Hollandës dhe Indonezisë në vitet 1960-1962
Konflikti midis Indonezisë dhe Malajzisë në vitin 1963
Konflikti midis Algjerisë dhe Marokut në vitin 1963
Konflikti midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1969
Konflikte midis Greqisë dhe Turqisë në vitin 1974
Konflikti midis Salvadorit dhe Hondurasit në vitin 1969
Konflikti midis Sirisë dhe Libanit në vitin 1976
Konflikti midis Somalisë dhe Etiopisë në vitin 1977-1978
Konflikti midis Vietnamit dhe Kamboxhias në vitin 1978
Konflikti midis Jemenit të veriut dhe Jemenit të Jugut 1979
2-Intervencione të armatosura
Intervencioni anglo-francez në Suez në vitin 1956
Intervencioni sovjeitik në Hungari në vitin 1956
Intervencioni amerikan në Liban në vitin 1958
Intervencioni francez në Mauritani në vitin 1961
Intervencioni amerikan në Kubë 1961
Intervencioni francez në Bizerta në vitin 1961
Intervencioni belg në Zaire në 1961 dhe 1964
Intervencioni francez në Gabon 1964
Intervencioni britanik në Uganda, Kenia dhe Tanzani në vitin 1964
Intervencioni amerikan në republikën Domenikane në vitin 1965
Intervencioni sovjetik në Çekosllovaki në vitin 1968
Intervencioni amerikan në Kamboxha në vitin 1970
Intervencioni kuban në Etiopi në vitin 1977
Intervencioni francez dhe maroken në Zaire në vitin 1977
Intervencioni francez në Çad 1968-1980
Intervencioni sud-afrikan në Angola
Intervencioni libian në Çad 1980
Intervencioni amerikan në Grenada 1983
Intervencioni sovjetik në Afganistan 1979
Intervencioni amerikan në Panama 1986
Intervencioni i Irakut kundër Kuvaitit në vitin 1989
3-Lëvizje nacional-çlirimtare për pavarsi
Lëvizja sioniste në Palestinë kundër Anglisë në vitet 1945-1947
Lëvizja çlirimtare në Vietnam kundër Francës në vitet 1946-1954
Lëvizja çlirimtare në Vietnam kundër amerikanëve në vitet 1965-1975
Lëvizja çlirimtare në Laos kundër Francës në vitet 1946-1954
Lëvizja çlirimtare në Indonezi kundër Hollandës në vitet 1946-1949
Lëvizja çlirimtare në Malajzi në vitet 1948-1957
Lëvizja çlirimtare në Kenia kundër Anglisë në vitet 1952-1954
Lëvizja çlirimtare në Algjeri kundër Francës në vitet 1954-1962
Lëvizja çlirimtare në Angola kundër Portugalisë në vitet 1961-1974
Lëvizja çlirimtare në Jemenin e Jugut kundër Anglisë në vitet 1963-1967
Lëvizja çlirimtare palestineze kundër Izraelit në vitet 1965-1991
Lëvizja çlirimtare në Mozambik kundër Portugalisë në vitet 1964-1974
Lëvizja çlirimtare në Zimbabve kundër sundimit të të bardhëve në vitet 1972-1979
Lëvizja çlirimtare në Saharanë perëndimore kundër Marokut në vitet 1975
Lëvizja çlirimtare në Afganistan kundër sovjetikëve në vitet 1979-1986
4-Luftra civile për ndryshimin e regjimit
Luftë civile në Greqi në vitet 1947-1949
Luftë civile në Kinë në vitet 1945-1949
Luftë civile në Filipine në vitet 1949-1952
Luftë civile në Kuba në vitet 1956-1959
Luftë civile në Vietnamin e Jugut në vitet 1957-1964 dhe 1973-1975
Luftë civile në Indonezi në vitet 1947-1958
Luftë civile në Zaire në vitet 1960-1965
Luftë civile në Laos në vitet 1960-1975
Luftë civile në Kamerun në vitet 1960-1966
Luftë civile në Guatemala në vitet 1961-1968 dhe 1980-1990
Luftë civile në Venezuela në vitet 1962-1967
Luftë civile në Jemenin e Veriut në vitet 1962-1967
Luftë civile në Qipro në vitet 1963-1964
Luftë civile në Kamboxhia në vitet 1965-1975
Luftë civile në Nikaragua në vitet 1972-1979
Luftë civile në Kili pas vitit 1973
Luftë civile në Argjentinë në vitet 1973-1977
Luftë civile në Irlandën e veriut 1968 e deri sot
Luftë civile në Liban në vitet 1975-1982
Luftë civile në Brazil në vitet 1967-1970
Luftë civile në Iran në vitet 1978-1979

Luftë civile në Uruguai në vitet 1965-1973

Luftë civile në Bolivi në vitet 1967-1979
Luftë civile në Çad në vitet 1968-1982
Bilanci: Në këto konflikte të armatosura që janë zhvilluar gjatë periudhës 1945-1990, janë vrarë rreth 17’5 milion njerëz ose 400 mijë njerëz çdo vit.
Fillimi i tablosë së tretë. Fundshekulli i 20-të dhe përgatitjet për fillimin e shekullit të ri. Socializmi është përmbysur; aktualisht ekziston vetëm një sistem, ai kapitalist. Predikohet rendi i ri botëror. Por luftrat ende nuk kanë përfunduar. Ato vazhdojnë në pika të ndryshme të globit tokësor. Përsëri në mënyrë kronologjike po ja rikujtojmë lexuesit:
Bota në vitet 1990-1996
1-Konflikte ndërshtetërore
Konflikti Serbi-Kroaci 1991-1993
Konflikti Serbi-Bosnjë Hercegovinë-Kroaci 1992-1995
Konflikti Rusi-Çeçeni 1993-1996
2-Luftra civile për ndryshimin e regjimit
Luftë civile në Afganistan 1991-1996
Luftë civile në Ruanda 1992-1994
Luftë civile në Burundi 1994-1996
Luftë civile në Irlandën e Veriut
Luftë civile në Birmani 1992-1994
Luuftë civile në Kamboxhia 1991-1995
Luftë civile në Taxhikistan 1992-1996
Luftë civile në Sri-Lanka
Luftë civile në Algjeri 1992-1996
3-Lëvizje Çlirimtare për të drejta kombëtare
Lëvizja çlirimtare e popllit shqiptar në Kosovë kundër Serbisë
Lëvizja çlirimtare e baskëve kundër Spanjës
Lëvizja çlirimtare e kurdëve kundër Turqisë
4-Intervencione të armatosura
Intervencioni i Amerikës, Francës dhe Anglisë kundër Irakut për Çlirimin e Kuvaitit 1990
Intervencion i forcave të O.K.B-së në Somali në vitet 1992-1994
Intervencion i forcave të O.K.B-së në Bosnjë 1992-1995
Intervencion i forcave të Natos në Bosnjë për ti dhënë fund luftës 1995-1996
Intervencion i Amerikës në Haiti në vitin 1995
Bilanci i viktimave në periudhën 1990-1996: Rreth 2 milion të vrarë dhe të masakruar ose mesatarisht 400 mijë për çdo vit
Tablloja e mësipërme është e qartë. Dhjetrat dhe qindrat e konflikteve të armatosura veçanërisht në periudhën 1945-1989, dëshmojnë për armiqësinë që ekzistonte në botë në këtë periudhë. Milionat e të vrarëve nuk janë dëshmi e paqes, por dëshmi e armiqësisë. Por kjo tabllo flet dhe për një dukuri tjetër. Dhe periudha 1991 e në vazhdim që trumbetohet si periudhe e paqes dhe miqësisë, vazhdon të jetë e mbushur me konflikte dhe armiqësi. Dhjetrat e konflikteve dhe qindra mijra të vrarët e dëshmojnë më së miri pohimin e mësipërm. Socializmi u përmbys, por luftrat dhe konfliktet mbetën.
Për të parë më konkretisht që thelbi i mardhënieve ndërkombëtare, me përjashtim të ndryshimit të sistemit socialist, ka mbetur po ai që ka qënë, shëmbulli i Afganistanit, është me domethënie të plotë dhe nuk ka nevojë për koment.

Afganistani jashtë ideologjive

Afganistani gjatë luftës së ftohtë :
-1973, Grusht shteti kundër mbretit Zaher. Nipi i tij, princi Daut merr pushtetin në 17 korrik 1973.
-1978, Grusht shteti komunist. Princi Daut vritet dhe në 27 prill 1978 pushtetin e merr Muhamet Taraki.
-1979, trupat sovjetike pushtojnë Afganistanin. Pushtetin e merr në 27 dhjetor 1979 Babrak Karmali.
-1988, Mihail Gorbaçovi njofton në datën 8 shkurt se trupat sovjetike do të tërhiqen nga Afganistani.
Afganistani pas luftës së ftohtë :
-1992, Përmbyset regjimi komunist. Pas aleancës së lidhur me një nga shefat e vjetër të milicisë komuniste, Abdul Dostum, shefi i luftës Massud marshon drejt Kabulit. Presidenti Naxhibullah, jep dorëheqjen. Fillon lufta midis fraksioneve të ndryshme të rezistencës antisovjetike.
-1994, krijohet aleanca midis Hekmatjarit dhe Dostumit që provojnë në 1 janar 1994 të përmbysin qeverinë e presidentit Rabani dhe shefit të tij uishtarak Massud. Në Kabul zhvillohen luftime të përgjakshme.
-1994, krijohet lidhja e studentëve islamikë talibanë e cila arrin sukseset e para duke vënë nën kontroll qytetin e rëndësishëm të Kandaharit.
-1996, talibanët arrijnë të marrin Kabulin në muajin shtator 1996 dhe vendosin pushtetin e tyre të bazuar vetëm mbi sheriatin
-1997, pas shumë përpjekjesh për të marrë kryeqytetin e Afganistanit verior, Mazar-el-Sharif, talibanët thyhen nga ushtria uzbeke e Dostumit. Lufta aktualisht zhvillohet midis “ aleancës së veriut ” dhe talibanëve
Lëvizja ilegale me qëllim legal dhe lëvizja legale me qëllim ilegal
Në lëvizjet e popujve të ndryshëm për liri dhe pavarësi kombëtare, janë shfaqur në skenën politike dhe kombëtare, dy lloj lëvizjesh. Njëra prej tyre ka dëshiruar të mbetet ilegale në format kryesore të veprimit dhe organizimit të saj, ndërsa tjetra ka dëshiruar dhe vepruar legalisht në format e veprimit të saj. Një dukuri e tillë ka shoqëruar dhe veprimtarinë e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi historikisht dhe deri në ditët tona. Sot në lëvizjen legale hyjnë dhe janë të inkuadruara dhjetëra parti politike në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, me kryetarët e tyre dhe programet e tyre politike, më e rëndësishmja prej të cilave është Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërsa në lëvizjen ilegale hyjnë dhe marrin pjesë disa organizata të veçanta ndër më të rëndësishmet e të cilave është Lëvizja Popullore e Kosovës. Dhe brënda forcave të shqiptarëve pavarësisht nga nuancat e parëndësishme midis partive të ndryshme politike, thelbi i mëdyshjeve, diskutimeve, opinioneve politike, i ndarjeve dhe rreshtimit të shqiptarëve, është sjellë dhe vazhdon të sillet rreth një problemi kryesor: Cilën rrugë duhet të ndjekim për arritjen e pavarësisë: Legale apo ilegale?
Nëqoftëse do të bëjmë një bilanc të gjëndjes aktuale, del se shumica e shtresave të popullsisë shqiptare është për vijen legale të arritjes së pavarësisë kombëtare. Fakti që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe garniturat e saj me emërtime të ndryshme partishë, kanë me vete masën më të madhe të njerëzve, flet në pamje të parë në favor të tyre. Për rrugën ilegale të arritjes së pavarësisë, janë një pakicë e popullsisë. Fakti që Lëvizja Popullore e Kosovës dhe organizatat e tjera ilegale kanë me vete një pakicë njerëzish në raport me popullsinë, flet në pamje të parë në disfavor të tyre.
Në ndihmë dhe mbështetje të lëvizjes legale për arritjen e pavarësisë, janë disa ngjarje të rëndësishme të viteve 1990-1992. Gjatë kësaj periudhe shqiptarët në mënyrë legale arritën të krijojnë parti politike, gjatë kësaj periudhe ata filluan të kritikojnë në shtyp dhe fjalime pushtuesin e tyre duke mos patur frikë që nga një kritikë mund të futesh në burg siç ndodhte në të kaluarën. Gjatë kësaj periudhe ata arritën që të bëjnë referendumin popullor dhe të shpallin Republikën e Kosovës. Të gjitha këto akte në pamje të parë shumë të rëndësishme për arritjen e pavarësisë i kanë shtuar shumë radhët e lëvizjes legale për pavarësi.
Megjithatë kjo është ana e jashtme e problemit që po analizojmë. Po të depërtojmë më në thellësi dhe po t'ja nënshtrojmë analizës, po ta matim me qëllimin që kanë të dy këto lëvizje, raporti do të na kthehet kokëposhtë; lëvizja ilegale del më e fuqishme në qëllimin e saj, ndërsa lëvizja legale del shumë më e dobët. Le ta bëjmë këtë analizë pa paragjykime:
Lëvizja legale qëllimin e ka ilegal
Menjëherë shumë anëtarë dhe simpatizantë të lëvizjes legale do të protestojnë duke thënë: «Nuk është e vërtetë, qëllimi ynë është shumë legal, ne luftojmë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me mjete paqësore, ne kemi shpallur kushtetutën, kemi shpallur Republikën e Kosovës etj». Njerëz të tillë kanë të drejtë vetëm kur bëjnë propagandë, ndërsa kur futemi në analizë më të thellë ata mbeten pa argumente.
Përse? Lidhja Demokratike e Kosovës që është përfaqësuesja kryesore e lëvizjes legale, kërkon ta arrijë qëllimin e saj, pra pavarësinë e Kosovës, me ndihmën e fuqive të mëdha evropiane dhe si rezultat i bisedimeve me Sërbinë dhe në dialog me të. Këtu fillon ilegaliteti i qëllimit të saj. Qysh nga ky moment, kjo lëvizje legale del me qëllim ilegal. Le ta argumentojmë: shikoni shtypin e kësaj lëvizjeje: pas çdo takimi të të mëdhenjve, gazetarët dhe politikanët fillojnë dhe bëjnë supozime: «Çfarë u tha për ne, si foli filani, kush na mbështeti, kush ishte kundër, ai që ishte kundër ishte kundër vërtet apo kjo ishte rastësi, si duhet kuptuar kjo thënie apo ajo thënie etj., etj». Kush i ka lexuar shkrimet e Shkëlzen Maliqit apo Jusuf Buxhovit, e ndjen menjëherë pozitën e vështirë të autorëve të shkrimeve, ata vetëm supozojnë në shkrimet e tyre. Dhe nuk kanë faj për këtë. Kur nuk di asgjë, je i detyruar të bësh lloj-lloj supozimesh. Kush ka dëgjuar dhe lexuar konferencat e ndryshme të shtypit dhe intervistat e politikanëve në Kosovë, e ndjen menjëherë pozitën e vështirë të tyre. Ata duke mos ditur gjë se çfarë thuhet realisht në takimet e të mëdhenjve, vetëm supozojnë dhe merren me pandehma. Këto pandehma dhe supozime të tyre janë reale, sepse ata nuk e dinë se çfarë u tha për pavarësinë e Kosovës në këtë apo atë mbledhje. Pra fshehtësia ekziston, ajo duket hapur, ilegaliteti i qëllimit ekziston, atë nuk e mbulon dot. Duke e ndjerë ilegalitetin e qëllimit të tyre, ata përpiqen me anë të propagandës, me anë të ndonjë thënie, të qetësojnë opinionin, ta bëjnë legal se çfarë u tha dhe çfarë u diskutua. Por kjo është pak dhe ka vlerë vetëm për një kohë të shkurtér dhe vetëm për njerëzit që kanë dëshirë të mashtrohen.
Element tjetër që e bën ilegal qëllimin e lëvizjes legale të përfaqësuar nga Lidhja Demokratike, është fakti, se realizimi i pavarësisë kërkohet të bëhet me pazarllëqe politike. Pazarllëqet politike githmonë kanë në thelbin e tyre lëshimet e ndryshme. Vetë fjala «pazar» në terminologjinë popullore e ka këtë kuptim. Megjithatë sikur të kishte mundësi që këto pazarllëqe t'i realizonte udhëheqja e lëvizjes legale, do të ishte gjysma e së keqes. Por këto pazarllëqe politike bëhen midis të mëdhenjve, ata duhet të kënaqen të gjithë që të bien dakord. Por interesat e tyre nuk janë të githa të njëjta përballë qëllimit të shqiptarëve. Të tjera janë interesat e Amerikës, të tjera të Gjermanisë, të tjera të Rusisë, Francës dhe kështu me radhë. Se çfarë pazarllëqesh bëjnë ato me njëri-tjetrin shqiptarët nuk e dinë. Kjo është e fshehtë, është ilegale. Se çfarë u tha për qëllinýin e lëvizjes legale që është pavarësia e Kosovës në Dejton, kjo është ilegale, se çfarë u tha në takimet midis 16-shes së Unionit Evropian, përsëri kjo është e fshehtë, është ilegale. Shqiptarët dhe udhëheqja e tyre, nuk ftohen atje ku ndizet zjarri. Ata janë të detyruar të rrinë larg, kanë të drejtë të shikojnë vetëm tymin dhe mbi këtë bazë të orientohen.
Lëvizja legale e shqiptarëve ka vetëm një ritual: pret me gjak të ngrirë se çfarë do të thotë Klintoni, Koli, Jelcini, apo Shiraku nëpërmjet emisarëve të tyre për qëllimin e tyre që është pavarësia e Kosovës dhe e dyta vazhdon të përsërisë të njëjtin sllogan për të krijuar tek pasuesit dhe simpatizantët e saj imazhin e kundërt se «ne aty jemi, kërkesat tona i kanë parasysh, nuk heqim dorë nga pavarësia» etj. Ilegaliteti i qëllimit të lëvizjes legale, del më lakuriq, në qoftë se do të krahasojmë qëllimin që i vuri ajo vehtes në vitin 1990 dhe qëllimin që i ka vënë sot. Në 1990, lëvizja legale i vuri vehtes si qëllim pavarësinë e Kosovës. Gjatë viteve në vazhdim deri në ditët tona, u pa qartë se «pavarësia e Kosovës», nuk ishte qëllimi i vërtetë i kësaj lëvizjeje, ai ishte vetëm fasada, qëllimi i vërtetë ishte ilegal, i fshehur nga tymi i propagandës shurdhuese dhe zhargoni politik. Vitet 1995-1996 e nxorën atë nga ilegaliteti, e bënë legal. Insistimi i Berishës që shqiptarët në Kosovë të pranojnë një autonomi, sugjerimi i amerikanëve që shqiptarët të heqin dorë nga republika, kërkesat e Rugovës për një protektorat civil etj. janë qëllimi i vërtetë i lëvizjes legale. Por sot ai nuk mund të qëndrojë më i fshehur dhe ilegal. E detyruar nga fuqitë e mëdha lëvizja legale tani po e nxjerr hapur qëllimin e saj, po e nxjerr atë nga ilegaliteti dhe njerëzit po e marrin vesh të vërtetën. Vrapimi drejt bisedimeve pa kushte me Serbinë pavarësisht rezultateve është treguesi më i mirë i kësaj. Lëvizja legale nuk ka histori,
ajo përdor historinë e lëvizjes ilegale Harku i pesë viteve të lëvizjes legale në trojet shqiptare jep dhe një dëshmi shumë interesante, të pavënë në dukje nga propaganda aktuale. Cila është kjo dukuri? Dihet se çdo lëvizje politike dhe kombëtare, që të qëndrojë dhe të ketë simpati në popull, është e nevojshme dhe e domosdoshme të ketë jo vetëm një program joshës aktual, por dhe një histori, një të kaluar të pëlqyeshme dhe të pranueshme nga populli. Para këtij problemi të madh u ndodh në fillimet e saj në fillim të viteve 90-ta edhe Lëvizja legale e Kosovës e përfaqësuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pas pesë vjetësh na duhet të pohojmë se Lëvizja legale e zgjidhi me sukses këtë dilemë. Zyrtarisht sot ajo paraqitet me një histori të pëlqyeshme dhe të pranueshme nga populli. Cila është kjo histori e djeshme e lëvizjes së sotme legale. Këtu fillon një nga paradokset më të çuditshme të skenës politike shqiptare. Lëvizja e sotme legale në Kosovë, zyrtarisht përpiqet të bëjë të sajën historinë e djeshme të lëvizjes ilegale. Ajo kritikon dhe kundërshton sot lëvizjen ilegale, megjithatë është e detyruar të mbështetet tek historia e kësaj lëvizjeje. Pse ndodh një gjë e tillë? Sepse lëvizja legale nuk ka histori kombëtare, nuk ka të kaluar. Prandaj ajo sot përpiqet të marrë dhe të konsiderojë si të sajën historinë e lëvizjes ilegale, qoftë dhe formalisht. Sot lëvizja legale, partitë e ndryshme politike, janë te detyruara të flasin para popullit, por dhe para të huajve, janë të detyruara të shkruajnë dhe botojnë shkrime për Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Gjon Serreqin, Marie Shllakun, Kadri Halimin, Metush Krasniqin, Zija Shemsiun, Afrim Zhitinë etj., që të gjithë përfaqësues të lëvizjes ilegale në Kosovë. Pra lëvizja e sotme legale, nuk e pranon lëvizjen e sotme ilegale, por ka dëshirë të jetë pronare e historisë së kësaj lëvizjeje. Përse ndodh një gjë e tillë kur realisht lëvizja legale e shqiptarëve nuk është dakord me idetë dhe rrugët e lëvizjes ilegale, kur është kundërshtarja më e madhe e kësaj lëvizjeje? Siç duket ka disa arsye.
E para: Të vdekurit nuk flasin. Ata nuk kanë mundësi t'i kundërvihen hipokrizisë sepse janë vrarë. Kështu që për lëvizjen e sotme legale historia e tyre përbën një rast të mirë për të mbushur boshllëkun e madh të lëvizjes legale në çështjen kombëtare. Të shkruash historinë e atyre që vepruan në kushte të vështira ilegale, është njëqind herë më komode se sa të veprosh dhe vetë si ata. Fjalimi apo artikulli, nuk kërkojnë privacione, për më tepër kur shoqërohen dhe me honorare dhe emër të mirë në popull.
E dyta: Lëvizja legale si e tillë ka një histori të papranueshme për popullin. Cila është kjo histori që zyrtarisht kërkon ta fshehë lëvizja legale? Historia e vërtetë reale e saj nuk është gjë tjetër, veçse historia e lëvizjes legale në vitet 1945-1989, e përfaqësuar nga historia e klasës politike shqiptare gjatë kësaj periudhe. Ta pranojë hapur se kjo është e shkuara e saj, kjo për lëvizjen e sotme legale dhe politikanët e saj do të thotë të humbasë simpatinë në popull. Prandaj ajo ka zgjedhur një rrugë më të zgjuar. Në thelbin e saj të sotëm, ajo nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i lëvizjes legale të viteve 1945-1990, ndërsa në dukje, për të fituar simpati në popull, ajo i ka marrë lëvizjes ilegale historinë e saj, të shkuarën e saj. Kështu ajo sot paraqitet si një lëvizje me mjete paqësore dhe legale, që përpiqet të përvehtësojë dhe pronësojë historinë e lëvizjes ilegale. Lëvizjes së sotme legale në Kosovë, më shumë se sa Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Emin Krasniqi, Gani Syla, Berat Luzha etj, u duhet historia e tyre e djeshme, veprimtaria e djeshme ilegale e tyre. Kësaj ajo ia ka arritur me sukses.
Lëvizja ilegale qëllimin e ka legal
Sot në trojet shqiptare, ekziston dhe lëvizja ilegale. Lëvizja Popullore e Kosovës është përfaqësuesja kryesore e kësaj rryme. Megjithë vështirësitë dhe mangësitë, ajo është e pranishme në skenën politike shqiptare. Në raportin e forcave, lëvizja ilegale, është në disfavor në krahasim me lëvizjen legale. Ndërsa në raportin e qëllimit, lëvizja ilegale ka një avantazh shumë të madh. Në qoftë se qëllimi i lëvizjes legale është ilegal, qëllimi i lëvizjes ilegale është legal. Në qoftë se për lëvizjen legale, liria dhe pavarësia nuk përbën veçse maskën për të fituar simpatinë e popullit, për lëvizjen ilegale liria dhe pavarësia e Kosovës, përbën thelbin e saj të programit dhe veprimtarisë, që për tu realizuar kërkon sakrificat dhe privacionet e lëvizjes ilegale dhe vendosmërinë e shtresave të tjera të popullsisë.
Legaliteti i qëllimit të Lëvizjes ilegale, nuk është një dëshirë apo pohim subjektiv e propagandistik. Këtë pohim e mbështesin disa faktorë shumë të rëndësishëm, që vështirë se mund t'i kontestojë dikush. Cilët janë këta faktorë?
E para: Në funksion të realizimit të qëllimit të saj, lëvizja ilegale qysh nga viti 1945 deri në ditët tona i ka dhënë historisë qindra dhe dhjetëra dëshmorë, me qindra dhe mijra vite burg. Dihet nga të giithë se dhënia e jetës dhe privimi i jetës personale është treguesi më i lartë i vërtetësisë së qëllimit të një lëvizjeje. Askush nuk mund të dyshojë në legalitetin e qëllimit të lëvizjes ilegale. As dje, por as edhe sot. Pohimet e sotme se tani kanë ndryshuar kushtet, se lëvizja ilegale nuk ka të ardhme, se ajo ka këtë apo atë ngjyrë politike, në variantin më të mirë nuk janë gjë tjetër veçse shprehje e filisteizmit dhe pafuqisë së atyre që i predikojnë. Ndërsa në variantin më të keq, ato nuk janë gjë tjetër veçse refleks i psikologjisë së matrapazëve politikë dhe kozmopolitë që nuk mund ta mendojnë kurrë jetën e tyre jashtë tutelës së Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
E dyta: Legaliteti i lëvizjes ilegale bëhet më i dukshëm edhe nga fakti se ajo qëllimin e saj e mbështet më shumë tek faktori i brendshëm dhe ndihma e faktorit të jashtëm. Parimi i saj se po nuk u përpoqe vetë, nuk të ndihmon njeri, më shumë se një parim ideologiik, siç trumbetohet nëpër disa gazeta, është një parim i njohur dhe pranuar nga historia e njerëzimit deri në ditët tona.
E treta: Legaliteti i qëllimit të lëvizjes ilegale, del më qartë dhe në raportet dhe marrëdhëniet e saj me lëvizjen legale të përfaqësuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Duke e kuptuar nevojën e ekzistencës dhe të një lëvizjeje legale, Lëvizja Popullore e Kosovës, si përfaqësuesja kryesore e lëvizjes ilegale, në qëndrimin ndaj saj zgjodhi një rrugë shumë të zgjuar dhe kombëtare. Ajo preferoi të jetë oponencë e lëvizjes legale dhe jo opozitë e saj. Ky pozicion i lëvizjes ilegale është sa politikisht i zgjuar, aq dhe kombëtarisht i nevojshëm. Oponenca ndaj lëvizjes legale, i la lëvizjes ilegale rrugë të hapur për të mbetur deri në fund kundërshtare e pushtuesit. Ky qëndrim i pjekur tregon qartë legalitetin dhe vërtetësinë e qëllimit të lëvizjes ilegale. Qoftë në programin e saj, qoftë në veprimtarinë praktike, lëvizja ilegale e përfaqësuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës, ka treguar dhe vazhdon të tregojë se ajo nuk lufton për pushtet, por për shtetin shqiptar të Kosovës. Nga historia e lëvizjeve politike dhe çlirimtare të të gjitha vëndeve, dihet mirë se njerëzit që nuk luftojnë për pushtet, janë njerëzit më të zhveshur nga vese të tilla si karrierizmi, hipokrizia, dyfytyrësia, mashtrimi politik, lypsarllëku etj. Në të gjitha këto raste, qëllimi i një lëvizjeje të tillë është shumë legal dhe i qartë, i zhveshur nga prapaskenat dhe matrapazllëqet politike, që në fjalorin e sotëm politik, quhen elasticitet, dialog, bisedime, kompromise etj.
Elementët e mësipërm, janë ata faktorë që lëvizjen ilegale e fuqizojnë dhe forcojnë, që i sigurojnë asaj drejtësinë e qëndrimeve dhe të ardhmen, pavarësisht nga pozita e sotme e disfavorshme e saj. Një trajtim më shkencor, më analitik, një oponencë më e ngrohtë dhe më e kulturuar ndaj problemeve të sotme të çështjes shqiptare dhe klasës politike shqiptare të pluralizmit, nga ana e kësaj lëvizjeje, do të ketë rrjedhime të shpejta në zgjerimin e influencës dhe rritjen e peshës së saj në spektrin e forcave që aspirojnë për lirinë dhe pavarësinë reale të Kosovës. Politikë që vret njerëz Ngjarjet në Kosovë, kanë ditë që janë objekti kryesor i politikës dhe propagandës. Informacione, komente, fjalime, mbledhje parlamenti, mitingje partish dhe koalicionesh partish kanë qënë të pranishme në jetën politike dhe sociale shqiptare. Por ngjarjet e Kosovës, kane nevojë dhe për një analizë të ftohtë e të thelluar. Masakra serbe në Kosovë, ishte rastësi apo rezultat i një përgatitjeje të gjatë ? Cila është përgjegjësia e klasës politike shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë ? A është ajo indirekt bashkëpërgjegjëse e kësaj masakre. Kjo klasë politike i kishte thënë popullit se bashkësia ndërkombëtare nuk e lejon Milosheviçin të kalojë vijën e kuqe. Tashmë kjo “ vijë ” u shndrrua në lumë gjaku grash dhe fëmijësh të pafajshëm. Kjo klasë politike i kishte thënë popullit se shteti shqiptar do të reagonte ndaj masakrës dhe gjenocidit. Por masakra ndodhi dhe “ shteti amë ” nuk ekzistonte, pasi ai ishte shkatërruar nga klasa politike shqiptare. Politikë pa bosht Politika shqiptare e periudhës 1992-1997, në drejtim të realizimit të çështjes kombëtare, ka qënë një politike pa bosht, ka qënë një amalgamë zgjidhjesh, pozicionesh, qëndrimesh, asnjëherë në unison me njëra tjetrën. Me përjashtim të slloganit “ ne kemi shpallur pavarsinë ”, çdo veprim tjetër nuk i është përgjigjur realitetit politik dhe social në Kosovë. Disa tregues konkretë janë të mjaftueshëm : Teoria e bindjeve politike. Në Kosovë dhjetra parti politike predikojnë se luftojnë për Kosovën. Secila prej tyre ngul këmbë se bindjet politike të saj janë më të mirat. E njëjta gjë propagandohet dhe në Shqipëri. Shumica e veprimtarisë së politikanëve shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë me shumë është marrë me vërtetësinë e tezës së partisë se sa të rrugëzgjidhjeve të tezave të realitetit. Koncepti i tyre rrëzohet shumë kollaj po të shtrohet pyetja: Në konferencën e Berlinit cilat bindje politike i coptuan trojet shqiptare. Në konferencën e Londrës, në konferencën e Versajës apo dhe më vonë dhe në atë të Jaltës, kush ishte primare: bindjet politike apo interesat e fuqive evropiane për tregje dhe zona influence? Para klasës politike shqiptare qëndron një pyetje e madhe: Kur të tjerët për të na coptuar, nuk janë nisur nga bindjet politike, por nga interesat, përse ne për tu bashkuar nisemi nga bindjet politike? Luftë për shtet apo luftë për pushtet. Deri tani megjithse në propagandë, është theksuar se veprimtaria e të gjitha forcave politike të Kosovës është orientuar drejt luftës për pavarsinë e saj, në praktike është vepruar në të kundërtën. Veprimtaria e tyre, tregon se ato parësore kanë patur luftën për pushtetin fiktiv në pushtetin sërb se sa luftën për shtetin real të Kosovës. Në luftën për të fituar një shtet përdoren të gjitha format e luftës, ndërsa në luftën për pushtet përdoren vetëm format paqësore të luftës. Përcaktimi i klasës politike shqiptare për një rezistencë paqësore pasive ështe domethënia më e qartë se në veprimtarinë tyre lufta për shtetin e Kosovës është vetëm një reklamë propagandistike, ndërsa lufta për pushtet brënda shtetit serb është thelbi i veprimtarisë së tyre. Teoria e mohimit Vija politike e politikanëve dhe partive politike në Kosovë, ka qënë në shumicën e saj, një vijë politike mohuese. Ato të gjitha dhe me dhjetra herë kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë "se ne nuk mund të jetojmë dot nën pushtetin serb". Kjo përbën tiparin themelor të vijës së tyre politike. Por mungon themelorja në këtë vijë: Si do të dilet nga kjo situatë, si do të realizohet pavarsia e Kosovës. Në këtë drejtim vija politike e politikanëve shqiptarë është tepër e zbehtë dhe përmblidhet vetëm në një frazë, që tashme është bërë bajate: "Ne kemi shpallur pavarsinë ”.
Këtij difekti themelor nuk i shpëtoi as grupimi i Adem Demaçit, që doli në skenën politike shqiptare në fillim të 1997-ës Thelbin e vijës së tij politike, Demaçi e ka përmbledhur në shprehjen "As luftë, as Kapitullim". "As.., as", pra mohim. Populli ka nevojë pikërisht për atë që do të bëhet, për rrugët nëpër të cilat do të eci drejt realizimit të pavarsisë dhe jo për ato që nuk duhet të ecë. Propaganda dhe politika Në praktikën e klasës politike të Prishtinës dhe Tiranës më shumë është bërë dhe vazhdon të bëhet propagandë se sa politike. Dukuria e parë është zbukurimi i realitetit të çështjes së Kosovës, fshehja e gjëndjes reale, krijimi i një gjëndjeje euforike etj. Ja një shëmbull konkret: Qysh në Maj 1993 në Deklaratën e pesë shteteve të grupit të Kontaktit, ku bënte pjesë dhe Amerika u deklarua se ato nuk e njohin pavarsinë e Kosovës. Këtë të vërtetë të hidhur, politikanët shqiptarë ja mbajtën të fshehur popullit, duke predikuar të kundërtën, që gjoja Amerika po i mbështet. Pas 5 vjetësh kur grupi i kontaktit i kërkon Milosheviçit që t’i japë Kosovës vetëm një autonomi, kjo ishte një zhgënjim i madh për popullin shqiptar që ishte ushqyer për shumë vite nga politikanët e tij me idenë false se Amerika po na mbështet. Të luash me një histori nuk është dinjitoze, të luash me një gazetë nuk është profesionalizëm, të luash me një parti nuk është serioze, por të luash me ndjenjat e një populli, kjo është më tepër, është aventurë, është hipokrizi Kosova si kapital politik Nga klasa politike në Tiranë çështja e Kosovës është përdorur si kapital politik në funksion të marrjes dhe të mbajtjes së pushtetit në Shqipëri. Por asnjëherë nuk është përdorur si një nga problemet më të mëdha të kombit shqiptar. Blloku i politikanëve që në 1992-shin dolën në opozitë me Partinë e Punës, hodhën tezën e bashkimit të Shqipërisë më Kosovën. Por pasi erdhën në pushtet u pa se kjo ishte vetëm një mashtrim politik. Kronika historike e bën më të qartë : Së pari : Partia demokratike dhe aleatët e saj 1-Në opozitë 1991
Krijohet në fillimet e vitit 1991 në Tiranë dhe Prishtinë klasa politike e pluralizmit. Qëndrimi i saj ndaj çështjes kombëtare është i njëjtë : “ Kosovën e kanë shitur komunistët, kur ne ta përmbysim komunizmin, atëhere do ta zgjidhim dhe problemin e Kosovës ”.
-Partia demokratike në fushatën e saj elektorale premton bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, klasa politike në Prishtinë rreshtohet krah saj.
2-Në pushtet 1992-1997
-Gusht 1992, mblidhet në Londër konferenca për Jugosllavinë dhe Kosova trajtohet si minoritet. Tekstin e deklaratës e miraton dhe qeveria shqiptare me anë të ministrit të jashtëm të saj
-1994, presidenti gjerman Hercog premton në parlamentin shqiptar autonominë e Kosovës dhe duartrokitet nga deputetet e parlamentit që para 3 vjetësh kishte aprovuar një rezolutë ku njihte pavarsinë e Kosovës.
-1994klasa politike shqiptare në Prishtinë që kishte bërë referendumin për pavarsinë e Kosovës, bën thirrje për miratimin e kushtetutës së Shqipërisë ku Kosova trajtohet si pakicë kombëtare.
1994-1995, qeveria shqiptare u bën thirrje klasës politike shqiptare në Prishtinë të heqin dorë nga kërkesat maksimaliste.
3-Përseri në opozitë 1997-1998
-Njihet dhe përkrahet veprimtaria e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës
-Konsiderohet veprimtari antiokombëtare takimi midis Nanos dhe Milosheviçit Së dyti : Partia Socialiste dhe aleatët e saj 1-Në opozitë 1992-1997
1993-1996, ish opozita shqiptare dhe gazeta e saj “ Zëri i Popullit ” akuzojnë qeverinë se përdor Kosovën për kapital politik. Në shtypin e opozitës zënë vënd të dukshëm shkrimet e krahut radikal në Kosovës veçanërisht të gazetës “ Zëri i Kosovës ” dhe Rexhep Qosjes
-1994-1996, Partia socialiste dhe aleatët e saj akuzojnë pushtetin shqiptar se po e shet Kosovën
-Dhjetor 1996-janar 1997, Partia socialiste dhe aleatët e saj akuzojnë pushtetin shqiptar se kërkon të ndezë luftën në Kosovë për të mbajtur pushtetin
2-Në pushtet 1997-1998
-Pushteti i pas 29 Qershorit zhvillon bisedime me Millosheviçin në Kretë.
-Nga “ Zëri i Popullit ” hiqen artikujt e krahut radikal në Kosovë, me përjashtim të atyre që sulmojnë Berishën. Partia socialiste shkëput lidhjet me Lëvizjen Popullore të Kosovës. Shovinizmi serb, nga nacional-komunizmi tek nacional-socializmi Nacional-komunisti Milosheviç qysh nga mitingu i madh në Gazi Mestan ku shpalosi idenë e Serbisë së madhe e deri më sot ka qënë konstant ndaj çështjes së Kosovës. Sipas tij “ Kosova është çështje e Jugosllavisë dhe do marrë aq sa do ti japë ajo ”. Në Kosovë lejohen parti politike, lejohen me dhjetra gazeta lejohen konferenca shtypi që zbatojnë ligjet serbe. Por nuk lejohet askush që shkel seriozisht platformën serbe mbi Kosovën. Të gjithë ata që kanë shkelur këtë platformë janë arrestuar dhe burgosur. Dhjetra dhe qindra antarë dhe simpatizantë të organizatave ilegale janë dënuar me burgime të rënda në periudhën 1992-1997. Nacional-socialistët Drashkoviç dhe Gjingjiç kundërshtarë për pushtet të Milosheviçit, kanë të njëjtën platformë për Kosovën. Dhe për ata, “ Kosova është çështje e brëndëshme e Jugosllavisë ”. Maksimumi i statusit të Kosovës, për ata është krahina autonome. Për Drashkoviçin “ Kosova është Jeruzalemi serb ”. Për Gjingjiçin “ Kosova e ka tepër dhe autonominë ”. Epoka e re dhe zonat e influencës Klasa politike shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë u tregua plotësisht e paaftë për të kuptuar thelbin e ndryshimeve pas viteve 1991, veçanërisht në mardhëniet ndërkombëtare. Përmbysja e socializmit, u shoqërua me një luftë të ashpër të fuqive të mëdha për rikrijimin e zonave të reja të influencës në Shqipëri dhe shtetet e reja që u krijuan nga shpërbërja e Jugosllavisë. Përkundër deklaratës së Bejkerit për ruajtjen e unitetit të Jugosllavisë në qershor të vitit 1991, Gjermania veproi ndryshe. Ish-ministri i jashtëm Gensher, njohu pavarsinë e Kroacisë dhe Sllovenisë e pas kësaj dha dorëheqjen. Me këtë akt, për këdo ishte e qartë se Sllovenia dhe Kroacia do të bënin pjesë në influencën e bllokut austro-gjerman. Me fillimin e luftës në Bosnjë dhe platformës së Izetbegoviçit për ekzistencën e kombit musliman, fuqitë e mëdha heshurazi përkrahin përpjekjet sërbe dhe kroate për spastrimin etnik të Bosnjës nga boshnjakët. Në funksion të kësaj, ato pranuan dhe poshtërimin që u bëri ushtria sërbe duke u lidhur ushtarët e O.K.B-së pranë depove dhe objekteve të tyre strategjike. Përballë kësaj situate Izetbegoviçi kërkon ndihmë në vëndet arabe. Janë të njohura përpjekjet e Iranit për të shtrirë influencën në Bosnjë. Ndërhyrjet e fuqive të mëdha realizojnë konferencën e Dejtonit, dhe e detyrojnë Izetbegoviçin të shkëputet nga Irani. Pasojë e kësaj ishte shkarkimi i zëvëndës ministrit të mbrojtjes me prirje islamike dhe caktimi i Haris Silaxhiçit me prirje perëndimore si kryeministër. Amerika merr në mbrojtje shtetin e porsa formuar të Maqedonisë. Në 1995 në Shqipëri nën kujdestarinë e ish ministrit amerikan të mbrojtjes Perry, zhvillohet mbledhja e ministrave të mbrojtjes të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Për këdo ishte e qartë se këto shtete përbënin zonën e influencës amerikane, i quajtur figurativisht “ jastëku ” amerikan i Ballkanit. Ndërsa Jugosllavia me Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën ruajti lidhjet e vjetra tradicionale me Rusinë dhe Francën. Në atë periudhë Perry, këtë e shprehu hapur duke theksuar në Tiranë se Rusia është mikja dhe partneri ynë i ngushtë. Ndërsa klasa politike shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, vazhdonte me slloganin e njohur se “ ne kemi mbështetjen e miqve tanë në çështjen e Kosovës ”
Përfitimet politike
Nën maskën e luftës kundër terrorizmit u masakruan njerëz të pafajshëm. Pyetja shtrohet : Kush do përfitojë nga këto ngjarje ?
Së pari : Do të përfitojë Milosheviçi dhe klani i tij shovinist. Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare drejtuar atij për të rivendosur qetësinë, do të thotë që dhe dialogu që mund të fillojë nesër, të jetë dialog pas provës së forcës. Milosheviçi arriti ta bindë bashkësinë ndërkombëtare se në Kosovë veprojnë “ terroristët ” shqiptarë. Deklarata e Amerikës ku denohej Ushtria çlirimtare e Kosovës, është fitore e Milosheviçit.
Së dyti : Do të përfitojnë politikanët shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë. Dhe ata do të fillojnë të mburren dhe do të thonë se “ përpjekjet tona e bindën bashkësinë ndërkombëtare ta detyronte Milosheviçin të pushonte masakrën dhe të fillonte bisedimet me politikanët shqiptarë ”, “ ne shmangèëm luftën, shmangëm pastrimin etnik ”. Masakra do të shërbejë dhe për politikanët shqiptarë të ngjyrave dhe klaneve të ndryshme të forcojnë pozitat e tyre. Pas mbledhjes së grupit të Kontaktit dhe deklaratës së tij, politikanët shqiptarë shpejtuan të nxjerrin në pah aftësitë e tyre. Në vënd të përfundimit Shovinizmi serb gjykoi se ishte momenti që popullit shqiptar në Kosovë e në mbarë kombin shqiptar t’i jepte një mësim. Por nuk e realizoi dot, prandaj bëri një masakër. Për herë të parë kombi shqiptar u ngrit masivisht në mbrojtje të dinjitetit të tij kombëtar. U ngrit në Kosovë ku përballë kishte një makinë të egër shtetërore. U ngrit në Shqipëri ku përballë kishte një varfëri totale, një luftë të egër politike, një shtet që më shumë ekziston në letër se në realitet. Mësimin e morën politikanët shqiptarë, të cilën ua dha populli shqiptar. Thelbi i këtij mësimi është : Politika e rezistencës pasive nuk është shënjë e qytetërimit evropian, por dukuri e vetnënshtrimit dhe fyerjes kombëtare. Politika e “ nacionalizmit si kapital politik ”, nuk është shënjë e atdhedashurisë, por dukuri i mashtrimit politik. Politika e “ integrimit ”, “ e hapsirave demokratike ”, e “ kompromiseve ”, e “ qarkullimit të lirë të njerëzve ”, nuk është premisë për mohimin e dinjitetit kombëtar, por premisë për kultivimin e tij në kushte dhe kohë të reja. Kush e udhëheq politikën shqiptare Në periudhën 1991-1997, në Shqipëri u krijua dhe po vazhdon të konsolidohet klasa politike shqiptare e periudhës së pluralizmit.
Brënda kësaj periudhe, ajo i shfaqi tërësisht tiparet e saj themelore. Cilat janë këto tipare dhe si janë pasqyruar ato në jetën ekonomike dhe shoqërore të vëndit ? Politikanë me mentalitet primitiv Nga të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare politikanët shqiptarë përbëjnë shtresën më nostalgjike ndaj mëndësive dhe praktikave të së kaluarës. Paradoksi është se ata duke qënë drejtues partish apo funksionarë shteti përpiqen ta fshehin mentalitetin e tyre primitiv. Por dukuritë e mëposhtme do ta bëjnë më të plotë pohimin e mësipërm.
Së pari : Propaganda e mjaft politikanëve shqiptarë dhe praktikat e tyre në mardhëniet ndërkombëtare të kujton gjuhën dhe praktikat e së kaluarës komuniste të Shqipërisë. Ja disa shëmbuj:
Në 30 korrik 1993, tre orë e gjysëm para se të arrestohej, Nano deklaron në konferencën e partisë socialiste për Tiranën se ambasadori amerikan Raierson ka ardhur në Shqipëri me thikë në gojë për të vënë shqiptarët kundër shqiptarëve.
Po kështu në prag të vizitës së Berishës në Amerikë dhe të zhvillimit të manovrave shqiptaro-amerikane, opozita shqiptare kërkon në parlament mocion mosbesimi kundër Zhulalit, që në fakt ishte mocion mosbesimi kundër Amerikës.
Lidhur me deklaratën e presidentit të fondacionit Konrad Adenauer, partia socialiste reagon duke thënë mes të tjersh se e hedhim poshtë me neveri këtë deklaratë duke e konsideruar si përzierje në punët e brëndëshme të vëndit.
Partia demokratike dhe pushteti i saj papritur dhe pakujtuar arrestojnë pesë minoritarë grekë duke i akuzuar publikisht për spiunazh.
Partia demokratike pas 26 Majit 1996, kritikave të opinionit ndërkombëtar fillon tju kundërvihet duke theksuar se Shqipëria është një shtet “ sovran ” dhe nuk merr mendime nga të tjerët, apo duke akuzuar vëzhguesit gjermanë dhe danezë si bashkëpuntorë të Sigurimit të shtetit.
Ish-pushteti shqiptar refuzon të presë disa zyrtare të lartë amerikanë si Timothe Wirth apo Eliot Engel me arsye dhe pretekste të ndryshme.
Partia demokratike nuk pranon deklaratat e bashkësisë ndërkombëtare për të marrë pjesë në parlament dhe për të hequr dorë nga politika e rrugës.
Ka dhe shumë të tjera, por dhe kaq mjaftojnë për të nënvizuar se gjuha dhe veprimet e mësipërme nuk janë gjë tjetër veçse reminishencë e së kaluarës. Njerëzve ajo u kujton propagandën e Partisë së Punës dhe fjalimet e udhëheqsve të saj.
Së dyti : Një nga elementet më negativë në veprimtarinë e klasës politike shqiptare, është mentaliteti i etiketimeve. Gjatë periudhës 1991-1997, opinioni shqiptar është ushqyer me etiketime nga më të ndryshmet ndaj kundërshtarëve politike dhe ndaj atyre që kanë folur ndryshe nga pushtetari. Pa mundur ti përmëndim të gjitha sepse do të na duhej një libër i tërë, le të përmëndim vetëm disa prej tyre. “ Enverist, mega hajdut, sllavokomunist, pro sërb, progrek, stalinist, mafia e kuqe, etj etj ”. Autorë dhe aktorë të etiketimeve të mësipërme janë politikanët shqiptarë. Kushdo e kupton qartë se kemi të bëjmë me një mentalitet primitiv të trashëguar nga e kaluara. Në të kaluarën në gojën e shtetarëve përdoreshin etiketime me peshë emocionale në popull për tu bërë më i besueshëm faji i kundërshtarit. Termat “ agjent i imperializmit, agjent i UDB-së, poliagjent, agjent i sovjetikëve etj ”, janë nga termat më të përdorura në të kaluarën.
Ndërsa në periudhën 1991-1997, nga klasa politike shqiptare në luftën politike me kundërshtarët, u përdorën dhe vazhdojnë të përdoren dy lloj etiketimesh. Për konsum të brëndshëm etiketimet “ i shitur tek sërbët dhe tek grekët ”, ndërsa për konsum të jashtëm “ stalinist, enverist, komunist ortodoks, sekretari i partisë, mjeku i Enverit etj ”.
Së treti :Komisioni Mezini-Bezhani. Si në kohën kur u krijua nga pushteti i Partisë Demokratike dhe sot që po mbahet nga pushteti i partisë socialiste, ky komision trumbetohet dhe propagandohet si një ndër levat kryesore të ndërtimit të shtetit ligjor. Kush është komisioni famëkeq i të shtatëve ? Ata që e njohin të kaluarën në Shqipëri, por dhe jashtë saj, e njohin mirë funksionin e Zyrës së Përgjithshme që ekzistonte në Kinë e cila ishte mbi të gjithë organizmat, njohin mirë komisionin e vërtetimit të bindjeve politike në Amerikë në vitet 1952, njohin mirë komisionin e kontroll revizionit të partisë së punës, ashtu siç njohin mirë dhe vertetimin biografik që bëhej nga organet e sigurimit të shtetit. Vetëm emri ka ndryshuar, ndërsa thelbi është një i vetëm ; mjet frikësimi dhe eleminimi i kundërshtarëve
Së katërti : politikanë-prokurorët e pluralizmit. Përbën një realitet se mjaft politikanë shqiptarë ndërsa flisnin dhe flasin për ndërtimin e shtetit të së drejtës, ndaj kundërshtarëve të tyre janë shndrruar në prokurorë. Përpara se gjykata të dënonte Fatos Nanon, atij i ishte bërë pretenca nga Berisha, Selami, Blerimi etj si “ hajdut dhe kriminel ”. Përpara se tani drejtësia shqiptare të thotë fjalën e saj për ngjarjet e Marsit 1997, politikanët-prokurorë Nano, Dokle, Majko etj, ja kanë bërë pretencën duke thënë “ se ne nuk do ta futim në burg Berishën ”.
.Klasë politike e përçarë
Klasa politike shqiptare është klasa më e përçarë në krahasim me klasat politike të vëndeve të tjera europiane.
Për propagandën e së majtës, përçarjet e ndryshme të ndodhura janë parë si produkt i veprimtarisë së P.D-së dhe Berishës Për propagandën e së djathtës përçarjet e ndryshme janë konsideruar si produkt i veprimit të forcave neokomuniste etj. Po cili është realiteti, cilat janë shkaqet ?
Tablloja reale të përçarjeve të ndodhura në Shqipëri në harkun kohor të periudhës 1992-1997 është :
Përçahet Partia demokratike nga gjiri i së cilës një pjesë shkëputen dhe aderojnë në partinë e Aleancës demokratike.
Vazhdon të përçahet Partia demokratike. Nga gjiri i saj shkëpten elementë që rigrupohen në partinë e Djathtë demokratike.
Përçahet Partia Social-Demokrate, nga gjiri i së cilës shkëputen një pjesë dhe krijojnë Partinë e Bashkimit Social-demokrat shqiptar.
Përçahet Partia e djathtë Demokratike, duke u shkëputur nga gjiri i saj elementë që krijojnë pas disa kohësh partinë e Rimëkëmbjes Kombëtare.
Fillon përçarja në Partinë Socialiste në formë elementësh të veçantë por pa mundur të krijojnë dot ndonjë parti politike. Në vënd të kësaj preferohet lufta e klaneve dhe karrikeve
Përçahet Partia e Legalitetit duke krijuar dy parti bija të legalitetit
Perçahet Lidhja e gazetarëve të Shqipërisë duke krijuar dy lidhje gazetarësh
Përçahet Shoqata e të përndjekurve politike, duke krijuar përsëri dy shoqata
Përçahet organizata e veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare duke krijuar dy organizata veteranësh
Përçahet Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë duke krijuar dy lidhje Shkrimtarësh, njëra prej të cilave merr ndajshtimin “ antikomuniste ”.
Përçahet partia demokratike duke krijuar një parti tjetër të quajtur Lëvizja për demokraci.
Ku qëndrojnë shkaqet e përçarjeve ? Së pari : Në psikologjinë e bajraktarizmit. Bashkë me pluralizmin në Shqipëri nuk munguan të shfaqeshin në skenën politike të veshur me mantelin e demokracisë edhe “ bajraktarët dhe të parët e fiseve ”, të cilët në mungesë të bajraqeve dhe fiseve reale, kërkuan ta lozin këtë rol nëpër partitë dhe shoqatat ku bënin pjesë. Por në pamundësi të realizimit të kësaj sepse hapsira ishte shumë e kufizuar, pasi shteti ka vetëm një president, vetëm një kryeministër, vetëm disa ministra, ndërsa partitë vetëm një kryetar, vetëm disa nënkryetarë, atëhere zgjidhja më e mirë ishte krijimi i partive të reja. Pra nuk ka rëndësi programi i njëjtë, nuk rëndësi se sa elektorat ke, nuk ka rëndësi se ç’thonë të tjerët. “ Rëndësi ka që dhe unë jam i pari fisit “ demokratik ” që tani quhet partizë, i pari i bajrakut “ demokratik ” që tani quhet shoqatëzë ”
Së dyti : Psikologjia e karierizmit. Ky është elementi i dytë qënësor që spiegon përçarjet e shumta të skenës politike shqiptare, ashtu siç është dhe elementi që është fshehur më shumë në fushën e propagandës partiake. Nëqoftëse ndokush do kërkojë që realisht dhe në mënyrë konkrete të analizojë çdo përçarje që ka ndodhur në Shqipëri, ka për të arritur në konkluzionin se shumica derrmuese e tyre kanë në themel vetëm karierizmin dhe asgjë tjetër.. Duke qënë veti e karakterit të njeriut, ai nuk ka as ngjyrë politike. Karrierizmi nuk është as i majtë e as i djathtë. Ai është vetëm karierizëm.
Kur kanë qënë të bashkuar politikanët shqiptarë
Klasa politike shqiptare në periudhën 1992-1998, ka qënë e bashkuar vetëm në tre raste për tre probleme “ madhore ”. E para : Të gjithë politikanët shqiptarë, të majtë dhe të djathtë, pranuan zyrtarisht në parlamentin shqiptar se populli shqiptar ka bërë gjenocid, se ai është një popull gjenocidist. E dyta : Të gjithë politikanët shqiptarë të djathtë apo të majtë, pranuan që populli shqiptar ishte një popull i përçarë dhe prandaj kishte nevojë për një qeveri të “ pajtimit kombëtar ”. E treta : Të gjithë politikanët shqiptarë, të djathtë apo të majtë ishin dakord dhe të një mendimi se në Shqipëri duhej të ftoheshin forcat shumëkombëshe, për të administruar Shqipërinë pasi ata ishin të paaftë të qeverisnin.
Vullneti i elektoratit dhe kombinacionet politike të qeverisjes
Analiza e përvojës së viteve 1991-1997, dëshmon se klasa politike shqiptare ka ardhur në pushtet jo si rezultat i vullnetit të popullit por si rezultat i kombinacioneve politike të prapaskenës. Në vitin 1992, populli shqiptar i pakënaqur masivisht nga pushteti i partisë së punës, kërkoi ndryshimin e këtij pushteti, kërkoi një jetë tjetër më të mirë se e para. Pra e shprehur me gjuhën e politikës, kjo do të thoshte se një popull që e kishte provuar për 45 vjet të majtën, donte të provonte pushtetin e së djathtës. Por qeveria e krijuar pas 1992-shit, e përbërë nga një shtresë ish-komunistësh të konvertuar në antikomunistë brënda natës, me tepër se shprehje e vullnetit dhe aspiratave të popullit ishte pjellë e kombinacioneve politike. Si e tillë ajo punoi për të realizuar vetëm interesat e shtresës që e mbështeti duke krijuar një pakënaqësi masive në popull. Ndërsa në vitin 1997 kemi të njëjtën tabllo, por në krah të kundërt. Përsëri populli i pakënaqur nga pushteti u ngrit masivisht në kryengritje të armatosur për ta rrëzuar këtë pushtet. Por përsëri qeveria e krijuar nuk është pasqyrim i aspiratave dhe vullnetit të popullit kryengritës, por pjellë e kombinacioneve politike. Kjo mospërputhje midis vullnetit të elektoratit dhe qeverive të krijuara, është pasqyruar në veprimtarinë e pushtetit të periudhës 1992-1998 duke na dhënë paradokse nga më të çuditshmet. Po të nisemi nga emërtimet e partive politike shqiptare në të majta apo të djathta do të na duhet të pohojmë se pushteti i “ djathtë ” që u vendos pas marsit të 1992-shit, në fushën ekonomike ndoqi një politikë të majtë, ndërsa në fushën politike një politikë të djathtë, shpesh herë me nuanca të ekstremit të djathtë. Ndërsa pushteti i “ majtë ” i vendosur pas 29 qershorit 1997 në fushën ekonomike po ndjek një politikë të djathtë, ndërsa në fushën politike një politikë amalgamë, as të majtë as të djathtë, por të bashkëjetesës me të gjithë e me çdo gjë. Ky lloj pushteti nuk mund të mos pasqyrohej dhe në ndërtimin e administratës shtetërore. Në periudhën 1992-1997, në administratë nuk zuri vënd shtresa e djathtë realisht, por me qindra antarë dhe simpatizantë të komunizmit të cilët u bënë “ të djathtë ” në janar-mars 1992. Në një mënyrë më të sofistikuar, fshehur pas termit “ meritokraci ”, e njëjta dukuri po vihet re dhe në ndërtimin e administratës që po krijon pushteti i “ majtë ” i pas 29 qershorit. Në këtë administratë nuk janë terhequr njerëz realisht të majtë politikisht dhe të aftë intelektualisht, por një shtresë e tërë e cila u bë e “ majtë ” në muajt maj-qershor 1997. Rezultatet e klasës politike shqiptare Periudha 1992-1997 shënoi si rezultante të veprimtarisë së klasës politike shqiptare, veçanërisht të asaj që ishte në pushtet, shpërbërjen e shtetit shqiptar në shkurt-mars 1997. Pavarsisht nga justifikimet, pavarsisht nga predikimet mbi “ armiqtë e brëndshëm dhe agjenturat e jashtme ”, shpërbërja e shtetit shqiptar ishte pasojë e paaftësisë totale të klasës politike shqiptare që ishte në pushtet. Domethënia e kësaj periudhe është : Të luftosh me të gjitha forcat të mbash pushtetin, duke shkatërruar qoftë dhe shtetin.
Pas 29 qershorit klasa politike shqiptare që është në pushtet mori përsipër ringritjen e shtetit shqiptar. Pas 8 muajsh qeverisje, jemi në gjëndje të themi se deri tani shteti më shumë ekziston në fushën e propagandës, të programit të qeverisë, se sa në fushën e realitetit. Pavarsisht nga propaganda, pavarsisht nga justifikimet mbi rolin destruktiv të opozitës, mbi veprimin e “ agjenturave të huaja ”, përgjegjësia bie mbi klasën politike që është në pushtet. Ngjarjet e Shkodrës, veçanërisht e fundit kur 30 veta për 24 orë bënë ligjin në qytet ndërsa policia u “ zhduk ”, treguan se shteti është akoma larg të jetë shtet. Në kushtet kur ke fituar 70% të votave, kur ke një përkrahje ndërkombëtare totale, të mposhtesh nga 30 vetë, të mos kesh arritur të krijosh një administratë efikase, por të vazhdosh të mbash fjalime e të bësh propagandë megjithse je pushtetar, kjo është paaftësi shtetndërtuese. Domethënia e periudhës korrik 1997-shkurt 1998 është se qeveritarëve aktualë më shumë u intereson komoditeti i pushtetit, se sa ndërtimi real i shtetit.
Në vënd të përfundimit
Brënda klasës politike shqiptare,ka politikanë të aftë dhe të përkushtuar, por shumica dërrmuese e kësaj klase brënda harkut kohor 1992-1998, tregoi se është e paaftë të mbajë shtetin, por dhe të ndërtojë shtetin. Si e tillë kjo klasë politike në shumicën e saj, duhet të shmanget nga skena politike. Kjo është nevoja e parë për fillimin e ndërtimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Për këtë ka dy rrugë : Rruga e parë dështoi sepse kryengritja e marsit të vitit të kaluar u shtyp në mënyrë “ demokratike ”, nga kjo klasë politike me ndihmën e politikës euroamerikane. Ngelet rruga e dytë, akuzat për korrupsion, paaftësi dhe shpërdorim postesh. Kjo rrugë u provua duke dhënë sukses në Italinë e viteve 1993. Proçesi i famshëm i “ Duarve të pastra ” nxorri jashtë skenës politike shumicën e klasës politike italiane që kishte drejtuar Italinë për vite me radhë si Andreotin, Kraksin, Martelin, De Mikelisin etj. Në kushtet e Shqipërisë së viteve 1992-1998, është shumë e lehtë të fillosh dhe të zbatosh proçesin e “ Duarve të pastra ” ndaj klasës politike shqiptare. Korrupsioni i tyre është aq i madh dhe aq brutal, një pjesë e tyre janë aq të paaftë, një pjesë tjetër kanë shpërdoruar aq shumë postet saqë vetëm fantazma e “ Di Pietros ”, do të mjaftojë që të lënë vetë skenën politike.
Janë tre faktorë të rëndësishëm, para të cilëve qëndron përgjegjësia e fillimit të proçesit “ Duart e pastra ”. I pari është populli shqiptar, që vazhdon të terrorizohet shpirtërisht dhe trupërisht duke e dhënë votën sa nga e djathta tek e majta pa arritur asgjë deri tani. I dyti janë ajo pjesë e klasës politike, e aftë mëndërisht, e moderuar politikisht dhe e përgatitur organizativisht për ndërtimin e shtetit shqiptar si parakusht i shtetit ligjor. Ata nuk kanë pse të rrinë indiferentë dhe të mënjanuar. I treti është politika euroamerikane. Në ngjarjet e marsit 1997, propaganda e kësaj politike mbi demokracinë dhe rendin e ri botëror mori një goditje të ¨rendë në Shqipëri. Eshtë momenti që kjo politikë të mos diskreditohet përfundimisht. © Copyright