Ndërtimi i një shoqërie civile demokratike, krijimi i një mentaliteti bashkëkohor, shtron si imperativ dhe domosdoshmëri realizimin dhe ekzistencën e një pluralizmi real politik dhe krijimin e koalicioneve politike reale të mbështetur mbi interesa dhe përputhje ekonomike. Pluralizmi politik në Shqipëri, i shpallur juridikisht qysh në dhjetor 1991, i shfaqur realisht për më shumë se pesë vjet si pluralizëm karakteresh, me krijime dhe rikrijime partish, siç duket dhe për shumë kohë do të vazhdojë të jetë i hallaktur dhe në gjëndje kaosi. Për pasojë në të ardhmen opinioni shqiptar do të ndeshet me spostime forcash politike me ndryshime emërtimesh të këtyre forcave, me krijime të reja partish, me prishje aleancash dhe krijime aleancash të reja partiake etj. Kaosi dhe rrëmuja që ekziston në realitetin shqiptar, nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrim i kaosit dhe rrëmujës që ekziston në jetën politike shqiptare. Në shumicën e tyre, aleancat, koalicionet dhe grupimet e ndryshme partiake që janë realizuar në Shqipëri, nuk kanë gjë tjetër veçse aleanca, grupime dhe koalicione të realizuara mbi baza miqësie, preferencash vetjake, mbi baza ideologjike dhe mbi baza krahinore e klanore. Por asnjëherë nuk kanë qënë pasqyrë dhe kërkesë e vetë realitetit shqiptar. Zgjedhjet e 29 Qershorit 1997 krijuan një lloj të ri aleancash dhe grupimesh politike, që do të kenë pasoja dhe reperkusione dhe në jetën politike dhe sociale të vëndit. Në thelbin e saj, ndryshimi midis periudhës 1992-1997 dhe periudhës së pas 29 qershorit do të jetë shumë i madh. Nëqoftëse në periudhën 1992-1997, lufta politike arriti të fshehë mirë interesat dhe luftën e egër ekonomike, në periudhën pas zgjedhjeve të 29 Qershorit, do të jenë interesat ekonomike ato që kanë filluar dhe akoma më shumë në të ardhmen do t’i japin tonin dhe luftës politike. Koalicioni qeveritar dhe partia socialiste Aktualisht Shqipëria qeveriset nga një koalicion qeveritar. Tipar i rëndësishëm i këtij koalicioni është se pavarsisht nga përqindjet e fituara në zgjedhje, portofolet ministeriale janë ndarë duke favorizuar partitë e vogla, pjesmarrëse në të. Tipar tjetër i tij është programi i hartuar nga qeveria e koalicionit. Megjithse partia socialiste, ka shumicën dërrmuese në zgjedhjet e fundit, programi i qeverisë së hartuar nga ata, më shumë ngjason me programin e një partie të djathtë se sa me programin e një partie majtiste. Spekullimet e shumta që janë bërë rreth kësaj çështje në shtyp, deklarata dhe intervista politikanësh veçanërisht nga e majta, kanë marrë një spiegim që më shumë është manipulativ se sa realitet. Qeveritarët e lartë të së majtës e kanë spieguar hartimin dhe zbatimin e një programi djathtist, si një domosdoshmëri të diktuar nga situata ekonomike dhe sociale e vëndit. Me këtë spiegim ata kanë tulatur zërat brënda partisë së tyre dhe akuzat për devijime nga programi i partisë. Por siç duket problemi është më i thellë se sa shfaqet në spiegimet e qeveritarëve socialistë. Zhvillimet e tanishme politike dhe ekonomike, na japin mundësinë të evidentojmë arsyen e vërtetë të përqafimit nga ana e liderve socialistë të një programi ekonomik me prirje të djathta. E para : Nano dhe pasuesit e tij, pavarsisht se flasin për aplikimin e përvojës se partisë socialiste franceze, në fakt ata janë më të prirur për aplikimin e përvojës së partisë laburiste angleze dhe taktikës së Masimo D’Alemës i Partisë Demokratike të së Majtës, që pavarsisht se i fitoi zgjedhjet, qeveria italiane hartoi dhe po zbaton një program të qëndrës së djathtë. Nano më shumë është idhtar i Toni Blerit se sa i Partive socialiste klasike evropiane. Tashmë është e qartë se spostimi i programit të partisë laburiste nga e majta drejt qëndrës së djathtë, i dha atij një fitore spektakolare në zgjedhjet e fundit në Angli. E dyta : Me hartimin e këtij programi, Nano dhe pasuesit e tij, me shumë se programi i partisë socialiste, u ka interesuar nxjerrja jashtë loje e Partisë Demokratike dhe në fushën e përpunimit të alternativave ekonomike. Me veprimet e deritanishme të Partisë Demokratike kur për rreth 45 ditë u morën me mitingje dhe demostrata dhe tani së fundi vetëm me konferenca shtypi, duhet thënë se Nano, Ceka, Gjinushi, Islami dhe të tjerët, ja kanë arritur qëllimit. Programi aktual i qeverisë të kryesuar nga Fatos Nano, në fushën social-ekonomike, nuk është gjë tjetër veçse programi i Partisë Demokratike. Aktualisht partia demokratike në fushën ekonomike ka mbetur pa program. Shtrohet pyetja : A do të ketë pasoja kjo manevër e drejtuesve kryesorë të partisë socialiste në gjirin e partisë socialiste dhe cilat do të jenë këto në të ardhmen e afërt : Përbërja aktuale e partisë socialiste Si rezultat i politikës shpesh herë të ekstremit të djathtë që ndoqi qeveria e mëparshme, rreth partisë socialiste si antarë dhe simpatizantë të saj u grumbulluan rryma dhe shtresa të ndryshme që në kushte të qeta, grumbullohen rreth partive të ndryshme politike. Aktualisht në këtë parti gjen socialistë, socialdemokratë, laburistë, anarkistë, komunistë të tipit bertinoti dhe komunistë të tipit të grupeve marksiste leniniste. Pyetja shtrohet : A do të pranojë të kalojë djathtas, kjo masë e madhe prej qindra mijra vetësh ? Avantazhet e Nanos dhe pasuesve të tij Avantazhi i parë : Në thelbin e saj, lufta që bëhet aktualisht brënda partisë socialiste, nuk është luftë për shkeljen apo devijimin nga programi, por është luftë dhe pakënaqësi për ndarjen e posteve dhe karrikeve të ndryshme. Vetëm një vëzhgim i thjeshtë i të dhënave të shtypit të bind për këtë. Shumica dërrmuese e pakënaqësive ka të bëjë jo me devijime programi, por me mos dhënie postesh si “ pse socialdemokratët morën kaq vënde, pse aleanca mori aq, pse ne morëm më pak kur kemi luftuar më shumë, pse nuk bëhet spastrimi i plotë i administratës se kështu do të hapen më shumë vënde etj ”. Duke e njohur thelbin e këtyre pakënaqësive, Nano dhe ekipi i tij e kanë të lehtë t’i neutralizojnë ato qoftë me joshje me anë të posteve të ndryshme, qoftë atakimin që ka njëfarë peshe emocionale si : “ partia jonë nuk ka për mision kryesor angazhimin e gjithë masës së antarëve të saj me punë, por rilindjen e Shqipërisë ”. Avantazhi i dytë : Ne Shqipëri këto gjashtë vjet ka patur më shumë pluralizëm karakteresh se sa pluralizëm politik. Këtë dukuri Nano dhe pasuesit e tij në Qeveri e njohin mirë dhe dinë ta shfrytëzojnë mirë në favor të tyre Avantazhi i tretë : Brënda dhe jashtë Shqipërisë, Nano ka arritur të krijojë figurën e një lideri modern dhe bashkëkohor. Në gjirin e partisë socialiste, nuk ka akoma ndonjë lider që të arrijë të përpunojë dhe të bindë masën qindra mijshe të shkojë pas tij. Pakënaqësitë ndaj Nanos brënda partisë së tij janë në formën e thashethemnajës dhe politikës së kafeneve, por akoma nuk janë shndrruar në rivalizm programi dhe alternative sociale dhe ekonomike. Si në të gjithë jetën politike shqiptare dhe brënda partisë socialiste, ka rivalitete personash dhe grupacionesh, por jo rivalitete programesh dhe alternativash. Tentativa e Servet Pëllumbit me letrën e tij u dhe së fundi me diskutimin në Konferencën kombëtare të Partisë Socialiste sfumua shpejt dhe u ndoq nga pakkush në gjirin e kësaj partie Disavantazhet e Nanos dhe pasuesve të tij Disavantazhi parë : Nga masa qindra mijëshe e antarëve dhe simpatizantëve aktuale të partisë socialiste do të shkëputen elementët me bindje komuniste dhe simpatizantët e tyre. Se sa do të jetë sasia e tyre kjo do të varet nga ata që do të drejtojnë partinë komuniste që do të krijohet dhe nga diversioni që do të ushtrohet mbi ta nga drejtuesit aktualë socialistë Përbën një fakt të njohur tashmë se Partia komuniste, do të legalizohet në Shqipëri. Vonesat dhe pengesat që sillen, kanë për burim përpjekjet për njohjen e mirë të elektoratit të kësaj partie dhe synimet e drejtuesve të saj. Në mungesë të veprimtarisë se saj reale, të programit dhe drejtuesve të saj, mund të shtrohen dy hipoteza të mundshme, realizimi i të cilave do të kushtëzojë dhe reperkusionet e ardhëshme në përbërjen e partisë socialiste dhe të jetës politike shqiptare në tërësi. E para : Krijimi i një partie komuniste, që nuk merr parasysh kushtet dhe realitetin real të Shqipërisë aktuale, i një partie komuniste që do të merret vetëm me problemet e teorisë komuniste, për koalicionin e sotëm qeveritar do të ishte shumë e preferueshme, pasi do të terhiqte një elektorat të kufizuar që do të shërbente vetëm si sfond i pluralizmit të plotë politik dhe si “ gogol ”, ndaj kundërshtarëve politikë, veçanërisht opozitës. E dyta : Krijimi i një partie komuniste moderne dhe bashkëkohore, që merr parasysh realitetin politik, social dhe ekonomik shqiptar, do të krijonte probleme të mëdha në jetën politike shqiptare. Një parti e cila brënda vëndit merr në mbrojtje shtresat e paprivilegjuara të cilat i braktisi partia socialiste dhe që janë me qindra mijra, ndërsa në mardhëniet me jashtë vendos lidhje me partitë komuniste që janë në qeveri si në Francë dhe në Itali, dhe njeh realitetet e reja politike të krijuara, pra një parti e tillë, nuk do të jetë garniturë e pluralizmit politik dhe as “ gogol ” i tij, por një forcë serioze që ka të drejtë të synojë pushtetin politik me votën e lirë të popullit. Një parti komuniste e tillë ka të drejtë të synojë të paktën mbështetjen e një të tretës së elektoratit shqiptar. Një parti komuniste, me një vizion të tillë, i ka të gjitha mundësitë të sigurojë dhe përkrahjen e fuqive të mëdha dhe veçanërisht të Amerikës. Mjafton vetëm një fakt për ta ilustruar këtë : Kur Enver Hoxha, për 45 vjet fshehur kërkoi 7 herë rrjesht mardhënie diplomatike me Amerikën, duke arritur deri atje sa në vitin 1982, ti njihte dhe konçesionet e përfunduara qysh nga koha e Zogut, do të ishte normale dhe seriozitet politik, që nga drejtuesit e partisë komuniste hapur të kërkohet miqësia me Amerikën. Disavantazhi i dytë : Masa e të pakënaqurve që nuk kanë përfituar dhe që nuk do të përfitojnë as një lloj posti dhe vëndi pune do të shkaktojë një rrjedhje tjetër nga elektorati aktual socialist. Dalja e një lideri të besueshëm nga gjiri i partisë socialiste, mund ta shndrrojë këtë shtresë në kontigjentin më të përshtatshëm për krijimin e një partie socialiste realisht të majtë, ose në pamundësi të kësaj, mund ta spostojë drejt partisë social-demokrate dhe Aleancës demokratike. Përderisa lufta aktuale në gjirin e partisë socialiste bëhet më shumë për vënde pune dhe poste, kjo shtrese mund të anojë nga partitë e mësipërme në shkëmbim të një posti apo të një vëndi pune. Kjo është më e mundshme. Megjithë përqindjet e vogla që kanë arritur partitë e mësipërme, në sajë të realizmit të një koalicioni real, drejtuesit e këtyre partive, kanë arritur të kënaqin shumë më mirë masën e antarsisë së tyre, se sa udhëheqja e partisë socialiste. Mbi këtë realitet janë reale dhe të mundshëm ekzistenca e koncepteve të shumë antarë dhe simpatizantë të partisë socialiste : “ Më mirë po kaloj në Aleancën demokratike apo në Social-demokraten, sepse ata po i rregullojnë të gjithë njerëzit e tyre ” Disavantazhi i tretë : Shtresa të caktuara në gjirin e partisë socialiste, nuk janë dakord me atë që Nano e quan filozofia e përfshirjes. Më të dukshme janë këto shtresa në jug të Shqipërisë. Kërkesa e tyre është për një qëndrim më të ashpër ndaj shkaktarëve të vrasjeve dhe masakrave të muajit mars 1997. Nëqoftëse do të marrim parasysh dhe konfuzionin e krijuar nga politika zyrtare rreth atij që quhet “ pajtim kombëtar ”, që më shumë se sa një realitet, është shndrruar tashmë në një cipë për përfitime politike dhe pushtetore, kemi të drejtë të nënvizojmë se pohimi i mësipërm përbën një ndër disavantazhet më të mëdha të ekipit të Nanos. Disavantazhi i katërt : Megjithë përpjekjet e bëra dhe propagandën e zhvilluar, ekipi i ri qeveritar, akoma nuk ka arritur të krijojë një administratë e cila t’i përgjigjet problemeve aktuale që ka vëndi. Në mjaft raste kjo administratë dhe njerëzit e saj, është e paaftë të kryejë detyrën që ka. Prapa termit “ meritokraci ”, në mjaft raste fshihen njerëz që të vetmen aftësi të tyre kanë përshtatjen, servilizmin, komoditetin dhe prirjen për ta përdorur administratën shtetërore për interesat e tyre vetjake. Ndërsa në fushën politike, e vetmja aftësi e tyre është sharjet ndaj diktaturës komuniste për të shprehur “ modernizmin e tyre ” dhe isua që i mbajnë tezave të qeveritarëve mbi të ashtuquajturën filozofi të re për të shprehur “ besnikërinë e tyre ”. Megjithatë, e ardhmja do të i bëjë më të qartë tabllonë. A do të dijë ekipi qeveritar socialist të thellojë avantazhet që ka dhe të zbusë disavantazhet, këtë do ta tregojë më mirë e ardhmja e afërt. Deri tani Nano dhe ekipi i tij, kanë arritur t’i kapërcejnë me mënçuri dhe taktika të zgjuara politike pengesat, veçanërisht brënda partisë. Tipar i parë dallues i tyre është tatimi i pulsit brënda partisë nëpërmjet frazave me dy e tre kuptime. Teza të tilla plot ekuivoke si ajo mbi mentalitetin primitiv 555 vjeçar, mbi pragmatizmin, mbi populizmin, mbi integrimin etj, deri tani u kanë dhënë atyre avantazhin për neutralizmin e kundërshtarëve të tyre brënda partisë. Konferenca e fundit kombëtare e partisë socialiste e dëshmoi një gjë të tillë. Tipar i dytë dallues është qëndrimi ndaj kundërshtarëve brënda partisë. Në kundërshtim me praktikat e Berishës që kundërshtarët brënda partisë i etiketonte armiq dhe përçarës, Nano po tregohet shumë herë më i zgjuar. Ai, kundërshtarët e tij të hershëm dhe të rinj, jo vetëm që nuk i etiketon, por i avancon në poste nga më të rëndësishmet. Emërimi i disa antimocionistëve si ministra apo veprimi i fundit që riktheu Ruçin dhe Hajdaragën në kryesinë e partisë, dëshmojnë qartë për taktikën e zgjuar të Nanos. Partia demokratike dhe aleatët e saj Pas humbjes që pësoi, si pasojë e politikës së saj, partia demokratike, duket se akoma nuk e ka marrë vehten dhe vazhdon të bëjë një luftë politike, që në gjuhën figurative quhet “ lojë pa top ”. Format konkrete të kësaj lufte janë mitingjet, konferencat e shtypit dhe nxitja e grevave të urisë. Por mungon analiza reale e gjetjes së shkaqeve që e çuan këtë parti në gjëndjen që është. Kjo ka arsyet e saj. Para Partisë Demokratike qëndrojnë dy pengesa të mëdha. E para : Ajo tashme nuk ka program ekonomik dhe social, pasi programin e saj është duke e zbatuar partia socialiste dhe aleatët e saj. Mos thellimi në këtë pengesë të madhe, rrezikon që kjo parti të mbajë qëndrim majtist në fushën ekonomike siç ndodhi me qëndrimin që mbajti në parlament kur doli kundër aprovimit të rritjes së taksave dhe qëndrim të egër djathtist në fushën politike. Megjithë analizën reale të pjetër Arbnorit në mbledhjen e Këshillit kombëtar të partisë, duket se politikanët e kësaj partie, akoma nuk kanë arritur të formulojnë një program ekonomik të saktë dhe real, por vazhdojnë ta mbulojnë këtë me sulme kundër veprimeve ekonomike të qeverisë Pengesa e dytë : Në krye të Partisë Demokratike janë disa nga ata që konsiderohen si shkaktarët e katastrofës që ndodhi në Shqipëri gjatë vitit 1997. Vazhdimi i qëndrimit të tyre në krye të Partisë Demokratike, aq sa është një ndihmë e madhe për koalicionin aktual qeveritar, aq sa do të vazhdojë ta rrudhë elektoratin e kësaj partie, po aq do të shkaktojë pasoja në luftën politike në Shqipëri, pasi do të vazhdojë ta mbajë thelbin e kësaj lufte si “ luftë pa top ”. Pengesa e tretë : Përpjekjet për përsëritjen e historisë. Ka një tendencë në veprimtarinë, synimet dhe planet e drejtuesve kryesore të Partisë Demokratike, tendenca për përsëritjen e historisë dhe ngjarjeve historike në favorin e tyre. Eshtë një gabim fatal që vazhdon të shoqërojë veprimtarinë e disa drejtuesve të kësaj partie. Në 1991-1992, populli shqiptar u ngrit në demostrata dhe manifestime jo se i tha ky apo ai lider i Partisë Demokratike, por sepse ishte masivisht i pakënaqur nga pushteti i mëparshëm. Partia demokratike vetëm sa e shfrytëzoi këtë pakënaqësi. Populli shqiptar në shkurt-marsin e vitit 1997, u ngrit në demostrata, manifestime dhe deri në kryengritje, nga pakënaqësia masive ndaj pushtetit të athershëm. Partia socialiste dhe partitë e tjera të ish-opozitës vetëm sa e shfrytëzuan këtë pakënaqësi për të ardhur në pushtet. Këto janë ngjarje historike që në themel të tyre kanë shkaqe më të thella se sa lufta e politikanëve për pushtet. Të përpiqesh t’i përsëritësh këto ngjarje historike për të ardhur në pushtet, do të thotë të biesh në aventurizëm. Çdo ngjarje historike e përsëritur sipas dëshirave të politikanit, nuk ka qënë gje tjetër veçse karikaturë e vetë ngjarjes reale historike. Psikologjia që ekziston tek disa drejtues të Partisë Demokratike e konkretizuar në pohimin se “ ashtu si na rrëzuat ju me kryngritje të armatosur, me armë, po ashtu do tju rrëzojmë dhe ne ”, rezulton të jetë fatale për vetë këta politikanë. Tre janë variantet më të mundshme të evolucionit të Partisë Demokratike Varianti i parë : Partia demokratike t’i rikthehet programit të saj fillestar të cilin aktualisht po e zbaton koalicioni i sotëm qeveritar. Ky rikthim në mënyrë të natyrshme, do ta afrojë më tepër këtë parti drejt koalicionit të sotëm qeveritar dhe do të hapë rrugën drejt koalicionit të ardhshëm me ekipin e sotëm qeveritar. Varianti i dytë : Nën etjen e luftës për pushtet, partia demokratike të vazhdojë forma t eegra të luftës politike të cilat asaj i shkaktuan humbjen e rëndë të 29 qershorit. Një vëzhgim i situatës aktuale në këtë parti tregon se një variant i tillë është i mundshëm. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj partie, me naivitet dhe me politike inati vazhdon të ashpërsojë luftën politike, duke mos përfillur kërkënd, bile as bashkësinë andërkombëtare. Në kushtet kur mbizotëron prirja e nënvleftësimit të alternativës së besueshme ekonomike, dhe ashpërsimit të luftës politike jashtë kuadirt të lejuar të pluralizmit politik, ekziston mundësia që partia demokratike të kalojë akoma më djathtas, në ekstremin e djathtë, duke u shndrruar në parti nacionale-socialiste. Varianti i tretë : Përvehtësimi i programit të së djathtës tradicionale e cila është grupuar rreth formacionit politik e djathta e bashkuar. Pohimet e fundit të liderve të Partisë Demokratike në disa takime dhe konferenca shtypi se ata do të rishikojnë qëndrimin ndaj pronarëve, me tepër se sa pozicion i qartë ekonomik, është një përpjekje e dëshpëruar për të manipuluar këdo që mund të manipulohet. Pranimi i një rishikim serioz në qëndrimin ndaj pronarëve, do të shkaktojë një ashpërsim të mardhënieve me koalicionin e djathta e bashkuar, duke patur si rezultante ose shkrirjen e Partisë Demokratike në të djathtën e bashkuar ose shkrirjen e tëdjathtës së bashkuar brënda Partisë Demokratike. Ndërsa në shtresat e thjeshta të antarëve të partisë dhe simpatizantëve të saj do të shkaktojë zhgënjim, duke krijuar kushte komode për veprimtarinë e qeverisë. Se do të ketë mundësi partia demokratike, t’i eleminojë këto pengesa, kjo mbetet të shikohet në të ardhmen. E djathta e bashkuar Eshtë një formacion i ri politik, i cili në gjirin e tij grumbullon një sërë parti dhe shoqatash të cilët përbëjnë atë që quhet e djathta tradicionale shqiptare si partia e ballit kombëtar, e legalitetit, shoqata e të shpronësuarve etj. Me këto është bashkuar dhe partia republikane. Realisht e djathta e bashkuar përbën të djathtën reale në shqipëri si në aspektin ekonomik po ashtu dhe në aspektin politik. Megjithkëtë, i djathta e bashkuar gjatë periudhës 1992-1996, fitoi shumë pak. Në mungesë të një udhëheqësi apo të një grupi udhëheqësish, gjatë pesëvjetëshit të kaluar, ky formacion politik, shërbeu vetëm si një dekor i pushtetit të atëhershëm. Por aktualisht, duket se e djathta e bashkuar, e ka gjetur mirë rolin dhe pozicionin e saj në skenën politike shqiptare. E nisur fillimisht nga e djathta e bashkuar shkodrane, ky formacion politik, tashmë jo vetëm që nuk e pranon më lidërshipin e Partisë Demokratike, por shtron dhe nevojën dhe domosdoshmërinë e distancimit nga kjo parti, duke arritur deri atje sa që të mos e konsiderojë më partine demokratike si parti të djathtë. Ky evolucion i tanishëm i të djahtës shkodrane, do të ketë reperkusione të rëndësishme në jetën politike dhe sociale shqiptare. Këto reperkusione do të jenë pozitive, prandaj ky evolucion duhet përshëndetur dhe inkurajuar. Forcimi dhe konsolidimi i të djathtës së bashkuar do të bëjë që në vënd të luftës shterpë politike që po bëhet aktualisht me “ komunistë, neokomunistë, fondamentalistë, etj ”, nesër luftë politike të zbresë në terrenin e saj konkret dhe të jetë luftë për alternativa ekonomike. Megjithatë, kjo nuk është e lehtë për tu realizuar. Në gjirin e këtij formacioni politik, vihet re akoma përçarje, çoroditja politike dhe unisoni i mendimit politik dhe ekonomik, vihet re mangësia e një lideri politik që do të dijë ta shndrrojë këtë formacion politik në opozitë të vërtetë dhe reale në Shqipëri. Paradoksi më i madh është rreshtimi i udhëheqjes së partisë së legalitetit në një krah me Partinë demokratike, megjithse baza e kësaj partie është kundër kësaj aleance. Përpjekjet e Kalakulës, të Godos, Mentor Qukut etj, deri tani kanë dhënë pak rezultate. Godo ka qënë ndoshta politikani më i suksesshëm, por dhe ai shpesh herë është prirur nga “ Uni ” i tij. Kalakula në shkurt 1996, me qëndrimin që mbajti ndaj ligjit elektoral, u tregua më largpamës se shumë politikanë të tjerë të opozitës së atëhershme, por megjithatë partia që au drejton nuk e ka peshën e duhur në jetën politike të këtij grupimi politik. Sëmundja më e madhe e këtij grupimi është lufta se kush do të jetë i pari, tendencat karieriste të një pjesë prej liderve të tyre. Nuk duhet harruar veprimtaria diversioniste që bën partia demokratike për përçarjen e të djathtës së bashkuar. Deri tani ky formacion politik, më tepër inspirohet nga baza, nga degët e ndryshme nëpër rrethe, se sa qëndra e tij të rrezatojë në jetën politike shqiptare. Tablloja e ardhëshme e jetës politike shqiptare Zhvillimet e ardhshme politike, ekonomike dhe sociale në shqipëri, do të krijojnë dhe një tabllo tjetër të grupacioneve politike dhe aleancave midis tyre. Duan apo nuk duan politikanë të ndryshëm, aleancat dhe koalicionet e ardhëshme në shqipëri, do të kenë në themel të tyre jo preferencat e sotme politike, jo bindjet politike dhe ideologjike, por interesat ekonomike. Cila do të jetë kjo tabllo : Koalicioni aktual plus partia demokratike ? ! ! Në kushtet e një luftë gojore të ashpër midis koalicionit të sotëm qeveritar dhe Partisë Demokratike, në kushtet e akuzave dhe kundërakuzave ndaj njëra tjetrës, në kushtet e një kriminaliteti që ka marrë në disa raste format e terrorizmit, shumëkush ka të drejtë ta konsiderojë të pamundur një koalicion midis tyre. E megjithatë kjo përbën një ndër alternativat më të mundshme të jetës së ardhshme politike sociale dhe ekonomike të vëndit. Janë disa argumente të rëndësishme që do ta bëjnë realitet në të ardhmen këtë koalicion. Cilat janë këto argumente : E para : Interesat ekonomike. Një vëzhgim i thelluar i realitetit ekonomik shqiptar, të çon në konkluzionin se aktualisht në Shqipëri tonin jetës politike dhe sociale, ja jep grupimi ekonomik i krijuar gjatë periudhës 1991-1997. Origjina e këtij grupimi ekonomik është realiteti social dhe politik shqiptar i periudhës komuniste. Pavarsisht se i ndarë në parti të ndryshme politike si partia demokratike, partia socialiste, partia social-demokrate apo partia e Aleancës demokratike, ky grupim ekonomik i ka ruajtur mardhëniet mes vehtes. Lufta e ashper politike e zhvilluar në Shqipëri, midis dy partive kryesore, mardhëniet brënda këtij grupimi i ka dëmtuar vetëm në aparencë, por jo në thelbin e tyre. Nëqoftëse do të konkretizojmë me tej tabllonë e këtij grupimi, mund të themi se i vetmi ndryshim pas 29 Qershorit është : Nëqoftëse në periudhën 1992-1997, tonin jetës ekonomike të vëndit ja jepte shtresa kapitaliste ngjyrë blu në aleancë të hapur dhe të fshehur me shtresën kapitaliste ngjyrë rozë, pas pas 29 Qershorit 1997, tonin jetës ekonomike shqiptare po ja jep shtresa kapitaliste ngjyrë rozë veçse në aleancë të hapur me shtresën kapitaliste ngjyrë blu. Në ndihmë të argumentit tonë, do të sjellim emërimet e një pjese të administratës së qeverisë së Nanos. Një vëzhgim i thjeshtë të çon në konkluzionin se një pjesë e këtyre emërimeve, janë nga radha e shtresës së “ majtë ” e cila nën pushtetin e Partisë Demokratike u pasurua nëpërmjet lidhjeve të dukshme dhe të padukshme me pushtetin demokratik. Ardhja e kësaj shtrese në administratën aktuale, nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi dhe konsolidimi i këtyre lidhjeve ekonomike. E dyta : Origjina e njëjtë. Me përjashtime të vogla, partia demokratike dhe partitë e koalicionit qeveritar, kanë origjinë të njëjtë, ato rrjedhin nga partia e punës dhe simpatizantët e saj. Një vëzhgim i thelluar i përbërjes së këtyre partive nuk mund të të mos çojë në konkluzionin se në shumicën e tyre, drejtuesit e këtyre partive, kanë qënë pjestarë të shtresës midis bllokut dhe popullit, të cilët e kanë shumë të zhvilluar psikologjinë e kameleonizmit politik. E treta : Filozofia dhe ideologjia e njëjtë. Një studim i thelluar i programeve dhe veprimtarisë së Partisë Demokratike dhe partisë socialiste, i xhveshur nga propaganda dhe frazeologjia, të çon në konkluzionin se megjithë ndryshimet, megjithë dallimet midis shtresave dhe grupacioneve të ndryshme që ekzistojnë në këto parti, filozofia dhe ideologjia e këtyre dy partive është e njëjtë. Filozofia e tyre është kozmopolitizmi. Tek Berisha, kjo filozofi u përpoq të vishej me një cipë të hollë nacionalizmi. Ndërsa tek Nano, manipulimi është më i sofistikuar. Kozmopolitizmi, aktualisht tenton të vishet dhe të fshihet pas termit “ filozofia e re ”. E katërta : Frika nga kundërshtarët e njëjtë. Në thelb, si partia demokratike, ashtu dhe partia socialiste, kanë kundërshtarë të njëjtë. Këta kundërshtarë janë ; e djathta e bashkuar sot plus dhe partia komuniste nesër. Në thelbin e tyre ekonomik, interesat midis këtyre dy grupimeve janë të papajtueshme. Forcimi i të djathtës së bashkuar megjithë përpjekjet për ta përçarë atë, janë domethënia e parë e atij realiteti të ri politik që do të vijë nesër. Krijimi dhe konsolidimi i partisë komuniste do të jetë domethënia e dytë e realitetit politik të ardhshëm. Pikërisht për të përballuar këtë rrezik në rritje, kontradiktat e sotme midis koalicionit qeveritar dhe Partisë Demokratike do të vinë duke u zbehur, duke ja lënë vendin marrëveshjes midis tyre. Në ndihmë të tyre do të jenë dhe mjaft nga faktorët e sotëm ndërkombëtare. Natyrisht që për ta gëlltitur më mirë opinioni publik do të gjënden dhe termat e përshtatshëm për manipulimin e tij si për shëmbull, frika nga rreziku komunist apo frika nga rikthimi i pronarëve të mëdhenj të tokave. Kur shtrohet çështja e pjesmarrjes së Partisë Demokratike në koalicionin aktual qeveritar, shumë njerëz, e hedhin poshtë apriori këtë hipotezë duke gjykuar se “ Nuk mund të bëhet kurrë koalicion me ata që shkatërruan Shqiperinë dhe shtetin shqiptar ”. Revolta e tyre është emocionalisht e drejtë, por ajo është e pabazuar politikisht. Janë disa arsye që e mbështetin pohimin tonë : E para : Në tragjedinë shqiptare Berisha dhe grupi i tij, kanë përgjegjësine e tyre, por problemi është më i thellë dhe kompleks se sa pohimet emocionale dhe pragmatiste “ Berisha shkatërroi Shqipërinë ”. Në mesazhin e tij drejtuar partisë socialiste me rastin e konferencës kombëtare, Nano, e quajti Berishën një fenomen shqiptar, duke hapur dhe teorikisht, rrugën e bashkëpunimit dhe koalicionit të nesërm me partinë e tij. E dyta : Kompromisi i 9 Marsit 1997. Domethënia e këtij kompromisi dhe reperkusionet e tij në jetën e ardhëshme politike shqiptare, kanë mbetur akoma pa u studjuar siç duhet nga politologjia dhe analistika politike shqiptare. Si kompromis politik ai ishte një kompromis i dëshirueshëm, nga shumica dërrmuese e klasës politike shqiptare nga e djathta deri tek e majta. Pjella e tij ishte e famshmja “ Qeveri i pajtimit kombëtar ”. Qëllimi i kësaj qeverie ishte i dyfishtë. Nga njëra anë, ata që e emërtuan në këtë mënyrë qeverinë, këtë nuk e bënë rastësisht, por me një prapavijë shumë të qartë politike. Domethënia e saj ishte : “ Juve shqiptarët jeni të përçarë, tek ju ka përçarje veri jug, prandaj juve keni nevojë të pajtoheni ”. Me shumë makiavelizëm, konflikti qeveri-popull u trasformua në konflikt brënda popullit. Pohimet e herëpasherëshme të qeveritarëve aktuale për nevojën e pajtimit kombëtar, nuk janë gjë tjetër veçse sheshimi i trasesë për hedhjen e bazave të koalicionit të nesërm me Partinë demokratik. Nga ana tjetër para partive të ish opozitës u shtrua detyra e manipulimit të kësaj kryengritjeje duke dalë si shprehëse të dëshirave dhe aspiratave të tyre. Ashtu si Partisë Demokratike ju vu si detyre neutralizmi i çdo tentative për ndonjë revoltë të mundshme në Kosovë, po kështu dhe koalicionit qeveritar i është vënë si detyre neutralizmi dhe harrimi i kryengritjes reale që shpërtheu në shqipërinë e Jugut. Opozita reale :E djathta e bashkuar plus partia komuniste Evolucioni i jetës politike shqiptare ne të ardhmen e afërt, do të ravijëzojë dhe do të nxjerrë më në pah opozitën reale në Shqipëri. Përbërësit kryesorë të kësaj opozite do të jenë dy formacione politike, që aktualisht janë pa ndonjë ndikim të madh në jetën politike shqiptare. Këto formacione janë dy : E djathta e bashkuar dhe partia komuniste. Më tepër se bindje apo dëshirë, pohimi i mësipërm është rrjedhim logjik i analizës së ftohtë politike të jetës së vëndit : E para : Të dy këto grupacione, si e djathta e bashkuar ashtu dhe komunistët, janë grupacionet dhe shtresat më të humbura deri tani nga të gjitha shtresat e tjera të realitetit shqiptar. E djathta e bashkuar në fillimet e pluralizmit u mbështet tek partia demokratike për të realizuar interesat e saj. Në mungesë të një udhëheqësi dhe drejtuesi të zgjuar, për shumë kohë ajo e la vehten të përdorej për dhe në interes të Partisë Demokratike. Dhe duhet thënë se drejtuesit e Partisë Demokratike e përdorën mirë këtë shtresë në interes të tyre. Kjo shtresë dha ndihmesën kryesore për krijimin e reputacionit antikomunist të drejtuesve komuniste të Partisë Demokratike. Duke shfrytëzuar etjen e një pjese të kësaj shtrese për rehabilitim politik dhe nxjerrje dufi, pushteti i Partisë Demokratike ju la atyre fushë të lirë veprimi për të çvarrosur dhe varrosur cilin të donin, u shpërndau pa kursim dekorata me emra të bujshëm si Martir dhe pishtar idemokracisë. Por vetëm kaq. Ndërsa kur kjo shtresë filloi të kërkojë realizmin e interesave të saj ekonomike, atëhere muaji i mjaltit mbaroi dhe ata panë forcën e pushtetit demokratik. Mjafton të kujtojmë reagimin e egër të pushtetit ndaj grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë dhe ish të shpronësuarve, për të konkretizuar qëndrimin real të Partisë Demokratike ndaj tyre. Pavarsisht se cili mund të jetë qëndrimi dhe opinioni i shtresave të tjera ndaj programit ekonomik të së djathtës tradicionale shqiptare, duhet thënë se deri tani kjo shtresë nuk ka fituar asgjë nga programi i saj Në të njëjtat pozita është dhe partia komuniste e cila u nxorr jashtë ligjit nga parlamenti shqiptar në korrik 1992. Pjesmarrësit e kësaj shtrese, në mungesë të partisë së tyre, shtuan radhët e partisë socialiste, udhëheqjes së së cilës i interesoi për qëllime pushtetore kjo shtresë. Dhe duhet thënë se në luftën politike të zhvilluar në periudhën 1992-1997, pjesmarrësit e kësaj shtrese mbajtën peshë shumë të rëndësishme në ndihmë të partisë socialiste. Ndërsa në ngjarjet e shkurt-marsit 1997, kjo shtresë mbajti peshën kryesore dhe ishte faktori kryesor që i shkaktoi humbjen Berishës dhe faktori kryesor që i dha fitoren partisë socialiste. Megjithatë dhe kjo shtresë nuk fitoi gjë. Luftën dhe kontributin e tyre, udhëheqja e partisë socialiste e pranoi deri sa erdhi në pushtet, ndërsa tani përpiqet ta mbajë atë sa më larg. Përsëritjet e shpeshta të udhëheqjes socialiste për të mos afruar “ militantët ” në administratën shtetërore, kanë vetëm një synim : “ Të mos afrohet asnjë komunist ” në administratën shtetërore. E vetmja gjë që ka fituar kjo shtresë deri tani ishte “ kërcënimi ” i Majkos në parlament, kur me një ton të prerë dhe nga pozita force u diktoi atyre se si duhet të silleshin dhe të vepronin. Lind pyetja : Si mund të bashkohen dhe të bëjnë koalicion dy shtresa me programme të kundërta ? Eshtë plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Nuk shtrohet problemi i unifikimit të kuptimit mbi jetën. Shtrohet problemi i interesave që kanë këto shtresa. Dhe nëqoftëse kompromiset lidhur me kuptimin mbi botën janë të pamundshme, kompromiset për realizmin e interesave janë plotësisht të realizueshme. Për drejtuesit e këtyre dy shtresave duhet kuptuar mirë një realitet i deritanishëm : E para :Sa kohë ato do të veprojnë në luftën politike të përçara dhe me inate vetjake e interesa të çastit, aq kohë ato ose do të mbeten figurantë dhe garniturë e spektrit politik shqiptar ose do të përdorën si “ mish për top ” nga partia socialiste dhe partia demokratike. E dyta : E vetmja “ fitore ” e këtyre dy grupimeve, gjatë periudhës 1992-1998, ka qënë vetëm vetëm ngushëllimi shpirtëror. Mjafton vetëm një shëmbull i thjeshtë : Berisha menjëherë sa erdhi në pushtet, për të kënaqur pjestarët që sot përbëjnë të djathtën e bashkuar, anulloi ditën e çlirimit nga 29 nendor në 28 Nëndor. Ndërsa sa erdhi Nano në pushtet, ai për të kënaqur shtresën komuniste brënda partisë së tij, bëri veprimin e kundërt, riktheu përsëri 29 nëndorin si ditë e çlirmit. Ky veprim i Partisë Demokratike dhe i partisë socialiste, ka këtë domethënie : “ Ne po ju lëmë historinë dhe të drejtën historike, ndërsa ju do të na lini pasurinë dhe të drejtën e pronësisë mbi të ”. Deri tani, si partia demokratike, ashtu dhe partia socialiste, e kanë realizuar më së miri një gjë të tillë. Klasa politike shqiptare në periudhën 1992-1996, koalicionet i ka ndërtuar mbi bazën e preferencave vetjake, klanore, krahinore apo shoqërore. Pasoja e tyre ka qënë rrëmuja dhe anarshia totale e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Ka ardhur koha që koalicionet të ndërtohen mbi bazën e interesave ekonomikë socialë dhe moralë të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Forcimi dhe konsolidimi i tyre dhe hedhja e bazave për një koalicion të mundshëm, do t’i japë pluralizmit politik shqiptar normalitetin e tij, në vënd të kaosit dhe anarshisë së sotme. |