Propaganda e ish-pushtetit dhe një pjesë e propagandës ndërkombëtare i mëshon tezës se drejtuesit e qeverisë së pas 29 Qershorit 1997 dhe partitë e tyre përkatëse, kanë qënë frymëzueset dhe drejtueset e kryengritjes shqiptare. Pa hyrë në arsyet që serviren për një pohim të tillë, analiza e realitetit të shpërthimit të kryengritjes shqiptare si dhe analiza e programeve dhe veprimtarisë konkrete të këtyre partive e hedh poshtë pohimin e propagandës së ish-pushtetit shqiptar. Partia socialiste dhe partitë e tjera aleate të saj, as objektivisht, por as dhe praktikisht nuk mund të ishin frymëzueset dhe drejtueset e kryengritjes shqiptare. Së pari : Partia socialiste dhe aleatët e saj, nuk janë gjë tjetër veçse parti të lindura dhe rritura në kushtet e një klime pluraliste, ku parësore në luftën politike për të fituar pushtetin janë dialogu dhe zgjedhjet parlamentare. Të gjitha këto parti e kanë të përjashtuar nga programet e tyre marrjen e pushtetit me rrugë të armatosur. Synimi i tyre qysh nga lindja në vitet 1991 e më vonë ka qënë rregullimi i “ kozmetikës ” së tyre për tu pranuar në gjirin e partive homologe në Evropën perëndimore. Së dyti : Qëllimi i partisë socialiste dhe aleatëve të saj të koalicionit qeveritar, është diametralisht i kundërt me qëllmin e kryengritjes. Nëqoftëse thelbi i luftës politike të ish-opozitës është lufta për pushtet, thelbi i kryengritjes popullore isht dinjiteti kombëtar. Kryengritja popullore glorifikoi “ Shën Njeriun ” e përdhosur gjatë viteve, ish-opozita glorifikoi “ ShënPushtetin ”. Së treti : Kryengritja popullore shpërtheu jashtë skemave dhe kombinacioneve politike të klasës politike shqiptare dhe politikës amerikane, prandaj dhe u shtyp në mënyrë “ demokratike ” prej tyre. Ndërsa ish-opozita ishte pjesë e këtyre kombinacioneve politike. Së katërti : Kryengrtija popullore shqiptare ishte pasoja e një qeverisjeje të keqe, pasoja e një pushteti që ndërsa ishte legjitim me votat që mori në 1992-shin, u shndrrua ilegjitim me qëndrimin që mbajti ndaj popullit të cilit i përkiste. Ndërsa klasa politike e ish-opozitës si e tërë klasa politike shqiptare, ishte pasoja e artificialitetit dhe kombinacioneve politike të vitit 1991. Së pesti : Analiza e veprimtarisë së ish-opozitës gjatë viteve 1992-1996, qëndrimet e saj politike dhe sociale ndaj dëshmojnë për paaftësinë e saj për të marrë pushtetin me vota të lira, jo më për të marrë pushtetin me anë të kryengritjes. Parashtrimi i mëposhtëm do të sjellë fakte dhe dukuri në favor të tezës së mësipërme : Retrospektivë Në politikë fiton ai që bën më pak gabime Nëndor 1996 Kriza politike shqiptare, aq e përfolur brënda dhe jashtë vëndit, që zuri fill pas 26 Majit, me zgjedhjet e 20 tetorit duket se shënoi fundin e saj. Partia demokratike i fitoi zgjedhjet lokale. Fitoren e saj dhe humbjen e tyre e pranoi dhe opozita dhe në veçanti Partia socialiste. Me këtë fitore partia demokratike ja doli mbanë të rregullojë imazhin e saj të krijuar në botë pas zgjedhjeve të përfolura të 26 Majit. Natyrshëm që pas kësaj do ketë komente, analiza, opinione dhe gjykime të ndryshme. Brënda këtij kuadri janë dhe opinionet e mëposhtme të cilat dhe për shkak të largësisë janë të ftohta dhe frut i analizës së fakteve dhe ndodhive të luftës politike në Shqipëri në mes partive të ndryshme politike, jashtë ndjenjave dhe paragjykimeve partiake. Pse humbi opozita dhe në veçanti partia socialiste, pse fitoi partia demokratike, cilët ishin faktorët e brëndshëm dhe faktorët e jashtëm. Kush përgatiti më mirë humbjen, kush diti që humbjen ta kthejë në fitore dhe kush nuk e ruajti dot fitoren dhe në fund çfarë mund të thuhet për të ardhmen e luftës politike në Shqipëri Kuptimi naiv dhe kuptimi real mbi demokracinë Pa dyshim se fjala demokraci, ka qënë fjala më e lakuar gjatë periudhës së pluralizmit në Shqipëri. Por analiza reale dhe e ftohtë e luftës politike në Shqipëri, na evidenton në këtë çështje të madhe dy qëndrime diametralisht të kundërta: Kuptimin naiv dhe kuptimin real mbi demokracinë. Të parin më shumë e kemi ndeshur në radhet e opozitës dhe të një pjese intelekualësh, ndërsa të dytin e ndeshim më shumë në radhët e Partisë Demokratike. Le ta bëjmë më konkret pohimin tonë: Me qindra intelektualë në fillimet e pluralizmit u rreshtuan në ndihmë të Partisë Demokratike. Me shkrimet e tyre, me qëndrimin e tyre ata dhanë një ndihmesë të madhe për marrjen e pushtetit nga partia demokratike. Më vonë ishin pikërisht këta që filluan të thonë se “ kjo nuk është demokraci ” Kjo është luftë për pushtet ”. Ishte një kuptim naiv për demokracinë. Të luftosh për pushtet, ky është qëllimi kryesor i fjalës demokraci në çdo vënd të botës. Të njëjtin kuptim naiv për demokracinë e ndeshim tek opozita dhe veçanërisht tek veprimtaria e partisë socialiste. Mjaftojnë dy shëmbuj për ta ilustruar pohimin tonë. Shëmbulli i parë është arrestimi i Fatos Nanos. Nano u bë shumë i rrezikshëm për pushtetin me mitingjet e tij anë e mbanë Shqipërisë, prandaj ai duhej eleminuar nga skena politike. Në pamundësi për tu eleminuar për bindje politike se tashmë ekzistonte pluralizmi, ai u eleminua për shpërdorim të pozitës zyrtare gjatë kohës që kishte qënë. Shumë antarë dhe simpatizantë të Partisë socialiste në atë kohë dhe më vonë u shprehën “ Sa të poshtër, pse demokraci është kjo? ”. Këtij kuptimi tejet naiv, mund t’i japim vetëm një përgjigje: “ Po more zotërinj, kjo është vërtet demokraci. Pse çfarë prisnit ju që ta linim Nanon të ngrinte Shqipërinë në këmbë dhe t’i thoshnim Hajde shoku Nano merre pushtetin. Naivë të shkretë. Ne duam ta ruajmë pushtetin se për atë luftuam. Ju po ti jini të zotë, na e merrni, po mos prisni se do tju a japim ”. Shëmbulli dytë është periudha pas referendumit për projekt kushtetutën. Partia socialiste dhe partitë e tjera me “ Jo ”-në e elektoratit të tyre, i shkaktuan një humbje të rëndë Partisë Demokratike. Por vetëm kaq. Pas kësaj partia socialiste ra në gjumë me mendimin naiv se “ tani u pa kush ka më shumë elektorat. Kjo tani është e qartë dhe për botën dhe për pushtetin. Tani jemi në demokraci dhe neve na takon pushteti ” Dhe vetëm kaq e asgjë tjetër. Ndërsa partia demokratike filloi të marrë masa si tja hidhte kundërshtarit, si tja shvleftësonte fitore, si ta ruante pushtetin. Dhe vimë kështu tek shëmbulli i tretë i naivitetit fatal për demokracinë nga ana e partisë socialiste. Ligji mbi gjenocidin. Ligji për gjenocidin i miratuar nga parlamenti shqiptar ishte veprimi më i zgjuar politik i Partisë Demokratike për të ruajtur pushtetin, pas dështimit me projekt-kushtetutën. Në fakt veprimi i këtij ligji asaj ja dha dhe njëherë pushtetin. Ndërsa miratimi i këtij ligji nga partia socialiste ishte shëmbulli më i plotë i naivitetit politik të një partie që kërkon të marrë pushtetin. Atë ditë që socialistët ngritën dorën për të thënë se në Shqipërinë e kaluar ishte kryer gjenocid, realisht ata po atë ditë ngritën dorën për ta lënë dhe katër vjet të tjera pushtetin në duart e Partisë Demokratike. Për këtë fajin nuk e ka partia demokratike, fajin e kanë vetë socialistët. Përse? Dhe njeriu më i thjeshtë në Shqipëri e kuptoi se miratimi i këtij ligji nuk synonte ish klasën drejtuese në Shqipëri, goditjen dhe burgosjen e saj. Ata ishin të parrezikshëm për pushtetin. Për të eleminuar ata nuk kishte nevojë për ligj parlamenti, sepse kishte klauzola ligji aktual sa të duash. Ligji për gjenocidin u mendua, u projektua dhe u hartua si armë për të penguar partinë socialiste që kërkonte pushtetin, që pas referendumit e quante vehten fituese. Dhe deputetët socialistë me naivitet ja ngulën vehtes së tyre. Pastaj filluan të ankoheshin. Por ishte vonë, tepër vonë. Ankesat e tyre kishin dhe kanë vetëm një përgjigje: “ Pse ankoheni kot shokë socialistë. Ju vetë ishit dakord që në Shqipëri është ushtruar gjenocid. Me që vetë ishit dakord atëhere duhet të dini dhe tjetrën se gjenocidin e kanë ushtruar njerëz konkretë. Se cilët janë këta, këtë e di ligji dhe komisioni i të shtatëve. Nuk është faji ynë që ju ratë vetë me të dyja këmbët brënda ” Teoria e NJESHIT dhe demokracia është një problem tjetër që e bën më të prekshëm kuptimin naiv dhe real mbi demokracinë. Partia demokratike duke mbajtur vëndin e parë në përdorimin e fjalës demokraci, ruajti dhe zbatoi në praktikën e saj atë që në literaturën politike quhet teoria e njëshit. Në disa raste ajo përjashtoi nga udhëheqja apo radhët e saj të gjithë elementët që nuk ishin dakord me këtë teori, që nuk ishin dakord me Berishën si Njëshi i partisë. Rasti i parë ishin mocionistët që më vonë krijuan partinë e Aleancës demokratike, rasti i dyte ishte Kalakula që krijoi partinë e djathtë demokratike dhe rasti i tretë ishte shkarkimi i Selamit si kryetar partie që nuk krijoi asgjë. Veprime të tilla nga ana e opozitës janë konsideruar si veprime autoritare të Berishës. Në këtë konkluzion opozitën e ka çuar kuptimi naiv mbi demokracinë. Këto nuk janë veprime autoritare, por veprime të drejta dhe reale. Në gjithë botën perëndimore ndodh kështu. Në thelb kështu vepron dhe Shiraku, që pasi fitoi zgjedhjet nuk i dha asnjë post shokëve të tij që nuk e kishin përkrahur si Baladurit, Leotardit etj, por ua dha postet atyre që e përkrahën në fushatën për president si Zhypesë me shokë. Kështu veproi para ca kohësh dhe Kostas Simitisi në Greqi, pasi vdiq Papandreu. Teoria e njëshit është teori demokratike. Shikoni O.K.B-në. Aty ka demokraci për të gjithë shtetet të flasin dhe të thonë çfarë të duan, pra ka votë. Por kur vjen puna për të marë vendimet, aty ka dhe veto. Veton e kanë pesë shtete, Amerika, Kina, Franca, Anglia dhe Rusia. Njëra nga këto të mos dojë të miratohet një vendim që e kanë propozuar 189 shtete, vë veton dhe vendimi nuk miratohet. Megjithse është kështu nuk ka dalë ndonjë nga opozita shqiptare të thotë që O.K.B-ja është është organizatë autoritare. Në të kundërtën e Partisë Demokratike, opozita veproi ndryshe, ajo u perpoq të drejtonte dhe udhëhiqte pa teorinë e Njëshit, por në mënyrë kolegjiale. Pas burgosjes së Nanos, Partinë socialiste i drejtonin pesë “ njësha ”, katër nënkryetare dhe një sekretar i përgjithshëm. Përgjigja e Hajdaragës para dy vjetësh gjatë një interviste, se “ Berisha me burgosjen e Nanos me shumë e ka forcuar partinë socialiste sepse tani jemi katër Nano që drejtojmë ”, më shumë se realitet ishte një tollumbace propagandistike, pa vlera reale. Mungesa e Njëshit, partinë socialiste e dëmtoi shumë. Përpjekjet e Nanos për ta riparuar këtë gabim në pragun e Kongresit në muajin gusht, jo vetëm që ishin të vonuara, por për më tepër nga që në parti ishin krijuar tani pesë Njësha, të cilët kërkonin te bëheshin Njëshi real, shkaktuan pështjellim në radhët e saj duke dëmtuar imazhin në sytë e elektoratit dhe të opinionit ndërkombëtar. Politika, morali dhe diletantizmi i opozitës Periudha 1992-1996, dëshmon se opozita shqiptare dhe veçanërisht Partia socialiste në veprimtarinë e saj më shumë ka bërë moral se sa politikë, më shumë ka ecur me norma morale se sa me norma politike. Kjo ka qënë fatale për të. Morali dhe normat morale janë të vlefshme në jetën shoqërore dhe në lëndën e etikës. Ndërsa kur vjen puna në veprimtarinë politike dhe luftën për pushtet, ato nuk kanë vlerë, bile janë shumë të dëmshme. Le ta argumentojmë mendimin tonë: Qysh në fillimet e saj, Partia demokratike i kushtoi kujdes rreshtimit në anën e saj të sa më shumë njerëzve dhe shtresave të ndryshme njerëzish. Kriteri i saj nuk ishte karakteri i këtyre shtresave, nuk ishin veset apo virtytet e karakterit të tyre, por besnikëria ndaj vijës së partisë. Këtë kriter ajo e vazhdoi dhe më vonë duke e sofistikuar në terminologji, por duke e ruajtur në thelb. Kjo asaj i dha mundësi jo vetëm ta ruajë por dhe ta fitojë përsëri pushtetin. Kur Ajzenahuerit, këshilltarët e tij i thanë se Somoza ishte i dobët si karakter, ai u përgjigj: “ E di se Somoza është i poshtër, por megjithatë përkraheni se është i yni ”. Eshtë një mësim i madh për një parti politike që do të rrijë në pushtet apo që kërkon të marrë pushtetin. Këtë mësim të madh, Partia demokratike e ka zbatuar shumë më mirë se opozita. Njerëz me vese të ndryshme në karakter, por besnikë ndaj saj, ajo nuk i largoi, por i mbajti pranë, i përdori sa ju deshën dhe kur ju deshën dhe kur u bënë të pavlefshëm i kaloi në hije, natyrisht duke ju kujtuar se ua dinte veset dhe bëmat e tyre. Në shtypin e opozitës mjaft herë është folur dhe shkruar për veset e këtyre njerezve. Diletantizëm politik i opozitës. Ky diletantizëm ka vetëm një përjigje: “ Po mor zotni, mirë thua ti, por filani ëhtë i yni politikisht dhe na duhet. Pushteti nuk ruhet dhe drejtohet me norma morale, por me norma politike. Ju që kërkoni të vini në pushtet me norma të moralit më mirë shkoni në shkolla dhe jipni lëndën e moralit dhe të etikës ”. Ndërsa opozita dhe veçanërisht Partia socialiste më shumë u interesua për pastërtinë morale të radhëve të saj se sa për besnkërinë ndaj saj. Në fillimet e saj, ndikoi në këtë qëndrim dhe sulmi i Partisë Demokratike ndaj saj. Por nëqoftëse në fillim ishte e justifikueshme, më vonë ky qëndrim i saj nuk ishte gjë tjetër veçse diletantizëm politik, që asaj i kushtoi shtrenjtë. Duke pranuar si kriter veset dhe virtytet e karakterit, për të ruajtur gjoja pastërtinë e radhëve të saj, Partia socialiste bëri një gabim fatal. Në vënd të vinte vetullat, ajo nxorri sytë. Në fushën e moralit ekzistojnë terma të tillë si i poshtër, matrapaz, i pandershëm, hipokrit, servil etj. Por në fushën e politikës këto terma kanë emra të tjerë si i shkathët, manovrues, trim, i zhdërvjellët, elastik etj. Le të zbresim në një terren akoma më konkret duke konkretizuar disa dukuri të luftës politike Problemi i parë: Problemi i pluralizmit politik. Partia socialiste u përpoq te aplikonte pluralizmin politik në organizmin e saj, ashtu siç thuhet nëper libra dhe traktate politike. Ndërsa partia demokratike u tregua më e shkathët. Pluralizmin ajo e zbatoi vetëm në funksion të marrjes së pushtetit. Për Partinë demokratike, pluralizëm që nuk të ndihmon të vish në pushtet nuk ka vlerë. Prandaj ajo në funksion të ruajtjes dhe të marrjes së pushtetit ruajti vetëm fjalën Pluralizëm, duke i bashkangjitur sipas momentit terma të tille, si pluralizëm krahinor, pluralizëm karakteresh, pluralizëm regjional etj. Eshtë një fakt tashmë i njohur nga të gjithë se në fillimet e pushtetit kreu i Partisë Demokratike u mbështet shumë tek një masë e madhe komunistësh nga Veriu të cilët i duheshin për ruajtjen dhe forcimin e pozitave të tij. Askush nuk u interesua apo shqetësua se pse ndonjëri prej tyre dhe sot në shtëpinë e tij mban fotografinë e Enver Hoxhës. Rëndësi kishte ruajtja dhe forcimi i pushtetit. Dhe ky ishte një veprim shumë i mënçur politikisht. Problemi i dytë është problemi i biografive. Dhe në këtë çështje Partia socialiste veproi me norma morali, ndërsa partia demokratike me norma politike. Partia socialiste është ndoshta partia që më shumë se të gjitha partitë e tjera niset nga biografia e së kaluarës. Kjo bëri që në funksion të krijimit të një partie të pastër, në funksion të asaj se mos n a kritikojnë dhe na thonë se “ ju kini njerëz me biografi komuniste apo simpatizantë të komunizmit ”, ajo largoi nga vetja shtresa të tëra njerëzish që e njinin mirë luftën politike. Por mbajti në radhët e saj ish-komuniste të konvertuar në socialiste që njihnin vetëm librat dhe pragun e shtëpive të tyre, pra që në të kaluarën “ as e kishin ndezur, as e kishin shuar ”. Ata ishin me biografi të mirë,sepse nuk ishin ndeshur me njeri, por politikisht ishin diletantë dhe naive. Të kundërtën bëri partia demokratike. Kushdo që ishte me programin e saj ajo e pranoi pavarsisht nga biografia komuniste, monarkiste apo balliste. Ky ishte një veprim i zgjuar politik, që i mbuluar me nevojën e luftës kundër komunizmit dhe socializmit i dha asaj përparësi në luftën politike dhe mjetet e zhvillmit të kësaj lufte. Vijë e lëkundur politike Gjatë periudhës 1992-1996, vija politike e opozitës me disa përjashtime të vogla u tregua vijë e lëkundër pa një bosht të qëndrueshëm. Tek partia social demokrate, partia e Aleancës demokratike dhe partia demokratike e së djathtës, kjo lëkundje e vijës së tyre politike është shumë e hapur dhe e qartë. Ato e nisën vijën e tyre politike si aleate dhe bashkëpjesmarrëse me Partinë demokratike dhe e perfunduan si kundërshtare të saj dhe në aleancë me Partinë socialiste. Por lëkundjeve në vijën politike nuk u shpëtoi as Partia socilaiste. Për ta ilustruar më mirë mendimin tonë po sjellim dy shëmbuj nga praktika e partisë socialiste. E para qëndrimi i saj ndaj çështjes kombëtare. Në thelb qëndrimi i partisë socialiste ndaj çështjes kombëtare është i njëjtë me qëndrimin e Partisë Demokratike. Në këtë çështje që të dyja janë parti kozmopolite. Por ndërsa partia demokratike ka qënë më e hapur në këtë çështje, partia socialiste është treguar më e lëkundur. Heqja dorë nga kërkesat maksimale, hapsirat demokratike mbarë kombëtare, pranimi i autonomisë së 1974 etj,janë terma që partia demokratike i ka thënë hapur dhe me gojën e liderëve kryesorë të saj. Ndërsa partia socialiste megjithse është dakord me këto terma, nuk ka bëre prononcime të hapura. Për më tepër gazeta e saj Zëri i Popullit në mjaft raste ka botuar shkrime që janë në kundërshtim me vetë programin e partisë në çështjen kombëtare. Shkrimet e shumta të marrë nga organi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Zëri i Kosovës, apo shkrime të ndryshme të Rexhep Qosjes, kanë gjetur vënd dhe jehonë në Zërin e Popullit. Dihet preteksti se për çfarë arsye janë botuar. Për të thënë se Berisha dhe partia demokratike nuk e përkrahin republikën e Kosovës, prandaj shqiptarët e Kosovës nuk duhet ta përkrahin atë. Sepse realisht socialistët nuk kanë asgjë të përbashkët në program me pikpamjet e L.P.K-së dhe të Rexhep Qosjes. Por socialistët dhe ata që i botuan këto shkrime, harruan se për çfarë arsye i ka përdorur Berisha shkrimet e botuara në Zërin e Popullit. I ka përdorur për t’i thënë opinionit të jashtëm se socialistët janë përkrahësit dhe mbështetësit e forcave radikale në Kosovë, që janë kundër zgjidhjeve që ofron bashkësia ndërkombëtare. Pra dhe në këtë rast, arma e përdorur kundër Berishës dhe Partisë Demokratike u kthye si bumerang në kurrizin e Partisë socialiste. Një problem tjetër që shpreh lëkundjen e vijës politike të Partisë socialiste, ka qënë qëndrimi ndaj pushtetit në Shqipëri. Me oshilacione të ndryshme socialistet herë kanë thënë se në Shqipëri është instaluar diktatura, herë se në horizont po duken shënjat e diktaturës, herë se demokracia në Shqipëri është vetëm në letër, herë se në Shqipëri mbretëron revanshizmi, megjithse vetë pohojnë në parlament se në Shqipëri ka patur genocid etj. Gazetarëve apo njerëzve që nuk luftojnë për pushtet u lejohen oshilacione të tilla. Por një partie politike dhe për më tepër partisë kryesore të opozitës nuk i lejohen këto lëkundje, përkundrazi e dëmtojnë. Ja përse. Nëqoftëse thua se është instaluar diktatura dhe këtë e ke të argumentuar atëhere duhet të punosh ta përgatitësh elektoratin tënd të përballojë diktaturën. Përndryshe dëmton vehten. Të pohosh nëpër mitingje se në Shqipëri është instaluar diktatura dhe të shkosh në zgjedhje qetë qetë e pastaj një ditë më vonë të ankohesh se më rrahën apo më kërcënuan, kjo tregon lëkundje të madhe politike dhe ka vetëm një përgjigje: “ Pse ankohesh që të rrahën apo të dhunuan. Ti vetë ke thënë që në Shqipëri ka diktaturë. A ke thënë? Po kam thënë. Atëhere duhet ta dish se diktatura të rreh dhe të kërcënon, ashtu siç të burgos. Nëqoftëse e kishe seriozisht propagandën tënde, përse u fute në zgjedhje. Të thuash nga një anë se ligji për zgjedhjet është antidemokratik dhe nga ana tjetër përsëri thua se dhe më këtë ligj ne do t’i fitojmë zgjedhjet pasi kompjuteri i Partisë ka treguar se nga 115 zona, 82 janë të garantuara, se në mëngjesin e 27 Majit ne do t’i themi Berishës: Mirëmengjes opozitë, kjo nuk është logjikë politike serioze, por megallomani diletantësh politikë ”. Reformim i Partisë apo parti klubesh Një nga paradokset më të mëdha të partisë socialiste që do të mbetet në historinë e pluralizmit shqiptar, është koncepti i saj i të ashtuquajturit reformim i partisë. Udhëheqja e P.S.-së ka folur shpesh për reformimin, por më me forcë e paraqiti konceptin e saj për reformimin në pragkongresin e saj. Kush është njohur me tezat e udheheqësve socialiste për reformimin, kush gjykon me mëndje të kthjellët dhe që ka pak njohuri fillestare në politike, nuk e ka të vështirë që ta zbërthejë thelbin e vërtetë të të ashtuquajturit reformim. Me konceptet e udheheqjes socialiste i ashtuquajturi reformim nuk është gjë tjetër veçse shndrrim i partisë socialiste nga parti që lufton për pushtet, nga parti popullore në parti klubesh, e ngjashme me partinë e Aleancës demokratike dhe partinë social-Demokrate. Ja argumentat në favor të pohimit të mësipërm: E para: Në kuadrin e reformimit, udheheqja e kësaj partie, hodhi tezën e largimit dhe distancimit nga “ enveristët. ” E dyta: Më vonë ajo hodhi tezën e distancimit dhe të largimit të “ ramizistëve ”. Me mënyrën e propagandimit të këtyre tezave, ky veprim do të thoshte se partia socialiste nuk i donte votat e këtyre shtresave që ajo i emërtoi si enveriste dhe ramiziste. Bukur! Po çfarë mbeti dhe kush mbeti në partinë socialiste, cila ishte baza e saj? Logjika e thjeshtë formale të thotë se nuk mbeti kurkush. Me konceptin e saj të reformimit, udheheqja e kësaj partie duhet të presë që të rriten ata që kanë lindur pas 1991-shit, të bëhen 18 vjeç që t’i pranojë në radhët e saj, pasi vetëm ata nuk do të jenë as enveristë, as ramizistë. Të gjithë tjerët në Shqipëri janë të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër me enverizmin dhe ramizizmin pasi ato ishin ideologji zyrtare të Shqipërisë në të kaluarën. Dhe në Shqipëri të gjithë ata që marrin pjesë në votime janë produkt i Shqipërisë së kaluar, ideologjisë politikës, i shkollës, edukimit dhe kulturës së saj. Pra nga reformimi i programit u kaluan në reformimin e individit. Lind Pyetja? Pse e bëri këtë udhëheqja e Partisë socialiste? Nuk është e aftë? Nuk di të gjykojë politikisht? Nuk e ka të qartë se me këtë veprim përfundimisht u shndrrua në parti klubesh dhe diskutimesh bajate? Apo ishte lufta e karrikeve dhe e posteve ajo që shpiku këtë lloj reformimi? Veshtirë t’i përgjigjesh me saktësi kësaj pyetjeje, por të gjitha janë nga pak. Por një jë eshtë shumë e sigurtë. Me konceptin e saj të reformimit, udheheqja e partisë socialiste e shndrroi partinë nga parti popullore që lufton për pushtet në parti ideologjike që merret vetëm me propagandë dhe që nuk është e aftë për asgjë tjetër. Për çdo parti politike në çdo vënd pluralist, vota asnjëherë nuk ka patur dhe nuk ka ngjyrë. Ajo nuk është as shirakiste, as baladuriste as zhospeniste, as koliste as saliste, as enveriste, as ramiziste, as socialiste, as demokratiste. Ajo është thjeshtë votë, që preferon këtë apo atë program si më të saktë për realizimin e interesave individuale, apo përafërsisht më të saktë. Vetëm kaq dhe asgjë tjetër. Ndërsa për “ teoricienët ” socialiste na dalka se vota paska ngjyrë politike dhe ideologjike. Me këtë “ zbulim ” ata me të vërtetë meritojnë të hyjnë në librin e Ginisit. Dhe njeriu më i rëndomët në Shqipëri i di se reformimi i një partie qëndron në programin që ajo harton dhe në alternativat që ajo jep për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë. Dhe cili ishte rezultati i parë i këtij “ reformimi ”? Shtresat e njerëzve prej qindra mijra vetësh qëndruan indiferentë në votimet e 20 Tetorit. Dhe juridikisht partia socialiste u shndrrua me rezultatin që arriti, në një parti klubesh dhe ideologjike. Megjithatë një pjesë e udhëheqjes së saj tani ka me se të ngushëllohet: “ Të paktën tani u reformuam, shpëtuam nga ata enveristë dhe ramizistë dhe ...rroftë reformimi. Do presim sa të rriten vogëlushat 3-4 vjeçarë dhe pastaj do marrim pushtetin. Vonë do të jetë, por të paktën ata nuk do të jenë as enveristë as ramizistë. Do jenë safi socialistë!!! ” Dy enigma të mëdha të luftës politike Lufta politike midis pushtetit dhe opozitës, brënda harkut kohor të katër vjetëve, ka dy enigma të mëdha të ndodhura fare pranë njëra tjetrës në distancë kohore, që i përkasin njëra Partisë Demokratike dhe tjetra Partisë socialiste. Megjithse ato i kanë rrezikuar seriozisht pozitat dhe reputacionin e partive përkatëse, janë kaluar në heshtje apo me komente sipërfaqësore.Le t’i analizojmë konkretisht Enigma e parë: 28 Maj 1996. Ngjarja është e njohur. Opozita vendos të demostrojë në sheshin Skënderbej kundër dhunës dhe parregullsive në zgjedhje. Forcat e rendit ndërhyjnë dhe shpërndajnë demostruesit në sytë e vëzhguesve ndërkombëtare me egërsi të madhe. Eshtë veprimi më i trashë politik i Partisë Demokratike gjatë katër vjetëve, veprim që vetëm rastësia e shpetoi nga humbja e pushtetit. Perse? Një ditë pas zgjedhjeve, megjithë tërheqjen e opozitës nga zgjedhjet, megjithë konstatimet e bëra nga vëzhguesit e huaj, ata nuk e vinin në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve. “ Opozita do të demostrojë se nuk është dakord. Po mirë, le të demostrojë. Po do dalin me qindra mijra njerëz. Po mirë le të dalin, le të bërtasin sa të duan. Njeriu kur bërtet lehtësohet. Do bërtasin dy orë dhe pastaj do ikin në shtëpi. “ Dikush mund të thotë se po të grumbulloheshin me qindra mijra njerëz nuk dihej se çfarë do bëhej. Asgjë nuk do bëhej. Nëqoftëse demostruesit do drejtoheshin institucioneve qeveritare, ata do të akuzoheshin për dhunim të rendit kushtetues dhe do të harrohej dhuna, manipulimet dhe parregullsitë e zgjedhjeve. Opinioni do të merrej me opozitën. Shëmbulli i Armenisë pas 4 muajsh, kur ndodhi një situatë analoge si në Shqipëri e vërteton këtë. Një ditë pas zgjedhjeve, opozita armene duke e akuzuar pushtetin për dhunë dhe manipulim në zgjedhje, duke patur dhe përkrahjen e vëzhguesve ndërkombëtare, doli me rreth 100 mijë vetë dhe demostroi në rrugët e Erevanit. Pushteti nuk e pengoi, vetëm e vëzhgonte. Kur krerët e opozitës, të irrituar hynë në godinën e parlamentit, atëherë Presidenti armen Petrosian i akuzoi për tentim për grusht shteti dhe i dha urdhër ushtrisë për të ndërhyrë. Dhe brënda një ditë u harruan dhuna dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve, sepse pas kësaj ndodhie vëzhguesit e huaj mbështetën Petrosianin dhe u përmënd vetëm tentativa për grusht shteti e opozitës. Ndërsa pushteti në Shqipëri me veprimin fatal që bëri ktheu dhe ata vëzhgues të lëkundur me opozitën, duke u dhënë material gazetarëve të huaj te mbushin faqet e gazetave për muaj të tëre. Megjithatë është shumë interesant se Partia Demokratike në Shqipëri, këtë veprim e ka kaluar shumë lehtë brënda vehtes së saj. Sikur të ishte një veprim i thjeshtë, ndërsa ai ishte një veprim që po e përsëris vetëm rastësia bëri që të mos humbiste pushteti. Enigma e dytë: Pragkongresi i Partisë socialiste. Dhe kjo ngjarje dihet nga të gjithë. Kryetari i partisë, Nano nga burgu dërgon një mocion në të cilin kërkon që udhëheqja e lartë e partisë t’i nënshtrohej votëbesimit si dhe thellimin e reformimit të partisë. Në thelb mocioni i Nanos kishte të bënte me zbatimin e katër kushteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo është shumë e qartë. Amerika dhe fuqitë e mëdha të Perëndimit e kërkonin këtë reformim për ta mbështetur Partinë socialiste. Nano e kapi dritën jeshile të tyre. Por një gjë ngelet enigmë e madhe; Pse u bë gjithë ajo zhurmë nga një pjesë e udhëheqjes së lartë të partisë, pse u bënë gjithë ato insinuata. Mocioni vinte nga burgu dhe ishte shkruar me gardianin tek koka. Ishte shumë e natyrshme që kuptimi i tij real, të merrej duke lexuar midis rreshtave. Në fakt ndodhi e kundërta. Ai u lexua dhe interpretua në pamje të parë, sipas interesave meskine dhe karrieriste të një pjesë të udhëheqjes. Dhe e gjithë kjo luftë bërrylash që vazhdoi deri në kongres dhe të cilën duhet thënë se televizioni me mjeshtëri e pasqyroi “ mirë ”, la një shije të hidhur, shumë të hidhur tek elektorati i Partisë socialiste, shije që përgatiti atë indiferencë të këtij elektorati në zgjedhjet e 20 Tetorit. A mund të spiegohet kjo vetëm me karrierizmin e një pjese të udhëheqjes? Vështirë për ta besuar. Fakti që idealisti i madh dhe tribuni popullor Dritëro Agolli, luajti rolin kryesor për të shmangur me të madhen që do të ishte përçarja, pra luajti rolin e një politikani të urtë dhe largpamës, për të cilën kongresi atij i dha më shumë vota se të gjithë të tjerëve, pra ky fakt, flet se nuk ishte vetëm karrierizmi, ai që e krijoi këtë shije të hidhur. Për opinionin publik kjo ngjarje përbën një enigmë të madhe të luftës politike, njësoj si ngjarja e 28 Majit për partinë demokratike. Megjithatë është çështje e brëndëshme e Partisë socialiste ta sqarojë apo jo, ashtu siç është përsëri çështje e brëndëshme e Partisë Demokratike ta sqarojë apo jo enigmën e 28 Majit. Po më tej. Perspektiva e luftës politike Analiza e mësipërme ishte shumë e lehtë. Pasi ajo bëhej mbi bazën e atyre që kanë ndodhur të cilat njerëzit i kanë përjetuar. Natyrshëm shtrohet pyetja: Po më tej. Cila do të jetë perspektiva e luftës politike, cili do të jetë qëndrimi i pushtetit? Vështirë për tu parashikuar me saktësi. Në pamundësi të kësaj kemi të drejtë të bëjmë disa supozime që mund të vertetohen ose jo. Partia demokratike tani që përfundimisht e siguroi pushtetin dhe për katër vjet, mund ta ulë tensionin politik në drejtim të opozitës dhe të jetës politike e sociale në terësi. Kjo mund të shoqërohet me krijimin e një klime sociale më të qetë, me lirimin e të burgosurve politikë, veçanërisht të Fatos Nanos. Kjo mënyrë sjelljeje që natyrisht nuk mund t’i pëlqejë segmenteve revanshiste që ekzistojnë në gjirin e saj, do tja rrisë kredibilitetin Partisë Demokratike në shtresat e popullsisë shqiptare. Por njëkohësisht do bëje të pavlefshme dhe propagandën e opozitës në sytë e elektoratit të saj si dhe do përmirësojë imazhin e saj në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht ky është një variant. Por ka dhe një variant tjetër. Mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të 20 tetorit, të cilat i pranoi dhe opozita, ne gjirin e pushtetit mund të thellohet instikti i hakmarrjes dhe revanshit. Fakte dhe materiale për ta justifikuar ka boll. Të sharat dhe akuzat e opozitës ndaj pushtetit pas 26 Majit janë të shumta dhe të panumurta. Njerzit janë akoma të nxehtë për më tepër kur kanë pushtetin në dorë. Instikti i hakmarrjes mund të shfaqet në një formë arsyetimi të tillë: “ Hë, ku jini tani ju opozitarët që mbushët botën me akuza ndaj nesh. Ja pra bëmë dhe zgjedhje të lira, rezultatin e të cilave dhe ju e pranuat vetë, e pranoi dhe bota. Të gjitha i fituam dhe tani ju kemi në dorë. Duhet t’i hidhni poshtë akuzat që na kini bërë, ndryshe e kini keq ”. Kjo mënyrë të menduari dhe vepruari po t’i lihet terren i lirë, do ta tensionojë akoma më shumë klimën politike dhe sociale në Shqipëri. Partisë në pushtet veç nxjerrjes së dufit të çastit dhe pasioneve primitive do t’i sjellë vetëm dëm të madh, duke favorizuar akoma më shumë opozitën si dhe duke e rreshtuar opinionin ndërkombëtar akoma më shumë në anën e saj. Por dhe ky është vetëm një supozim. Logjika politike e ftohtë të thotë se pushteti në Shqipëri, do ndjekë variantin e parë, duke e spostuar krahun revanshist nga pushteti dhe ushtrimi i pushtetit. Në gjirin e pushtetit aktual, megjithse në hije, ka njerëz që mendojnë më shumë për përfitimet e përspektivës se sa të politikës së ditës. A do ketë qeverisje të përbashkët midis demokratëve dhe socialistëve Çështë kjo pyetje paradoksale do thonë menjëherë fanatikët e të dy partive. Kurrë, do thonë politikanët dhe propagandistët e zjarrtë. Por le t’i lëmë ata të bëjnë punën e tyre dhe tja nënshtrojmë pyetjen e bërë analizës së ftohtë politike. Nuk bëhet fjalë për sot, as pas pesë muajsh apo një viti. Bëhet fjalë për më vonë, për vitet e fundit të shekullit. Pyetja ka në bazë perspektivën e zhvillimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Le të marrim të parin; perspektivën e zhvillimit eknomik të vëndit. Aktualisht, në fushën ekonomike lufta në Shqipëri zhvillohet midis tre grupimeve kapitaliste. Grupimit kapitalist që¨mbështetet nga partia demokratike, grupimit kapitalist që mbështetet nga partia socialiste dhe grupimit tradicional kapitalist që mbështetet nga partia republikane, disa parti të tjera të djathta dhe shoqata e ish të shpronësuarve. Dy grupimet e para e kanë zanafillën qysh në kohën e partisë së punës, njerëzit që i përbëjnë këto grupime janë njerëz ish komunistë apo ish simpatizantë të komunizmit. Ndërsa grupimi i tretë janë përfaqësuesit e ish klasave të shpronësuara dhe të përmbysura nga partia e punës pas viteve 1945-1946. Veçori e këtij grupimi, pra e grupimit të tretë, është se të njëjtat aspirata me të ka dhe një shtresë ish komunistësh. Në efektivin prej 180 mijë vetësh të partisë së punës, rreth 18900 komunistë rrithnin nga familje të pasura të Shqipërisë, por që pasuritë e tyre i kishin falur pas 1946-ës. Grupimi i tretë ka me vehte të drejtën historike, por nuk ka pushtetin politik, është i përçarë në disa parti politike, nuk ka politikanë të zotë sot për sot, prandaj ai dhe manipulohet përgjithësisht lehtë si nga Partia Demokratike, ashtu dhe nga Partia socialiste. Në këto kushte grupimi kapitalist që mbështetet nga partia demokratike e ka të lehtë ta përballojë atë, prandaj nuk e ndjen nevojën e aleancës me grupimin kapitalist që mbështetet nga partia socialiste. Por kjo është vetëm për sot. Nuk kemi të drejtë të themi se dhe nesër do të jetë kështu. Fare mirë mund të ndodhë dhe do të ndodhë, që nesër grupimi kapitalist që ka të drejtën historike me vehte të konsolidohet në një parti të vetme, të nxjerrë nga gjiri i tij politikanë të zotë. Greva e urisë i shoqatës së të shpronësuarve ishte sinjali i parë. “ Rebelimi ” i Kurt Kolës dhe deklaratat e tij janë shënja e dytë. Deklaratat e Abaz Ermenjit pas 26 Majit janë shënja e tretë. Të tjera do të ketë në të ardhmen. Kjo do të krijojë një situatë të re për pushtetin. Për ta përballuar rrezikun që i kanoset grupimi kapitalist që sot ka pushtetin do kërkojë aleatë. Dhe aleati më i mundshëm është grupimi kapitalist që mbështetet nga partia socialiste. Në këtë rast interesat e tyre ekonomike do të puqen, pasi të dy janë pjella të Shqipërisë komuniste. Dhe kur puqen interesat ekonomike, ato politike është shumë lehtë të puqen. Momenti i dytë është politik. Nëqoftëse vezhgohet me kujdes situata sociale në Shqipëri nuk mund të mos vësh re se në gjirin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare, ka filluar të lindë një shtresë nacionaliste veçanërisht tek moshat e reja që kanë disa vite që kanë parë botën me sy. Kjo shtresë bashkë me përbuzjen që ka ndeshur ka fituar dhe një sasi të hollash të cilat po i investon në Shqiperi në forma të ndryshme. Tipari i kësaj shtrese është se ajo nuk e harron përbuzjen që ja kanë shkaktuar të huajt. Ajo nuk harron se e vetmja “ vizë ” që i dhanë të huajt ishin motoskafët dhe varkat plastike për në Itali. Por interesi për të fituar disa para e ka bërë që ta gëlltisë fyerjen dhe përbuzjen, por jo ta harrojë atë. Tipar tjetër i saj është se kjo shtresë jo vetëm që sot është qindra mijëshe, por ajo vazhdon të rritet me shpejtësi. Tipar tjetër i saj është se ajo tek asnjë nga partitë e mëdha politike të Shqipërisë, nuk gjen përgjigje për aspiratat dhe dëshirat e saj. Ajo është e ftohtë dhe indiferente si ndaj së majtës, ashtu dhe ndaj së djathtës. Se çfarë ngjyrimi politik do të ketë kjo shtresë, do të jetë nacional komuniste, do të jetë nacional socialiste, apo do të jetë anarkiste, kjo nuk dihet. A do të dalë më vehte si parti apo grupacion kjo shtresë qindra mijëshe, apo Baleta dhe Kalakula do ta përfshijnë në partitë e tyre dhe kjo nuk dihet. Por një gjë dihet me siguri. Mbas dy-tre vjetësh një shtresë e tillë do ketë dalë plotësisht në skenën politike shqiptare. Në këto kushte politike, si partia socialiste ashtu dhe partia demokratike do të kenë vetëm një alternativë: Të vazhdojnë luftën me njëra tjetrën duke qënë njësoj të rrezikuara apo të kërkojnë aleancën me njëra tjetrën. Që të dyja ato janë parti me fizionomi politike kozmopolite. Nevoja për të përballuar shtresën nacionaliste në formën e nacional komunizmit, të nacional socializmit apo të anarkizmit, do t’i bëjë të harrojnë ashpërsinë dhe tensionet e luftës politike së sotme politike dhe të qeverisin së bashku. |