Nga antikomunizmi tek meritokracia, nga 24/1-njëshi tek militantizmi) Për gati 7 vjet politikanët shqiptarë të së djathtës dhe të së majtës, nuk lënë rast pa folur për krijimin dhe funksionimin në Shqipëri të shtetit ligjor. “ Shteti i së drejtës, shteti ligjor, funksionimi i ligjit, kanë qënë dhe mbeten nga temat më të preferuara të çdo partie politike, dhe thelbi i luftës politike midis tyre. Po cili është realiteti ? Në harkun kohor të 7 vjetëve, mund të dallojmë dy periudha, një eksperiencë të përfunduar dhe një të saponisur. Antikomunizmi, fasada dhe realiteti Pushteti i periudhës 1992-1997, në themel të ndërtimit të shtetit ligjor, vuri antikomunizmin. Për këdo, dihet se antikomunizmi, nuk është gjë tjetër veçse një nocion ideologjik. E vetmja formë ligjore e tij, ishte ligji i famshëm 24/1, i aprovuar në prill 1992 dhe ligji mbi gjenocidin i aprovuar në fillimet e vitit 1995. Kriteri i zbatimit të këtij ligji dhe i interpretimit të tij, ishte presidenti, kryeministri, ministri, drejtori etj. Ashtu si fjala e tyre se filani është “ komunist ” përfundonte me heqjen e individit nga puna, po ashtu përsëri fjala e tyre se filani është “ antikomunist ” përfundonte me marrjen në punë dhe ngritjen në përgjegjësi. Nuk kishte rëndësi se çfarë ishte në realitet individi, rëndësi kishte se cila ishte etiketa që i ngjitej atij nga ata që kishin të drejtën e interpretimit të nocionit “ antikomunizëm ”. Me përjashtim të fasadës, shteti i periudhës 1992-1997 ishte në thelb një shtet ideologjiko-miqësor. Fundi i këtij shteti “ ligjor ” në propagandë dhe ideologjiko-miqësor në përmbajtje, ishte shpërbërja e shtetit shqiptar në pranverën e vitit 1997. Meritokracia, fasada dhe realiteti Pushteti i përzier i dalë nga zgjedhjet e 29 Qershorit 1997, synon dhe propagandon të ndërtojë në Shqipëri, shtetin “ ligjor ”, shtetin e së drejtës. Në themel të ndërtimit të këtij shteti pushtetarët e rinj, kanë gjetur një nocion më të butë dhe më joshës në pamje, “ meritokracinë ”. Por dhe meritokracia nuk është gjë tjetër veçse një nocion ideologjik ashtu si antikomunizmi. I vetmi ndryshim midis tyre, qëndron vetëm në kohë. Antikomunizmi është më i hershëm si nocion, ndërsa meritokracia është më e vonshme. Termi meritokraci lindi në fundin e viteve 70-të si nocion ideologjik. 24/1-shi dhe militantizmi Ashtu si antikomunizmi, dhe meritokracia, ka kufizimet e saj. Aktualisht, barikadë nuk është më ligji 24/1, por militantizmi. Nëqoftëse dje të mbrojtur nga ligji 24/1, pushtetarët hiqnin kë të donin dhe merrnin kë të donin në punë, në thelb e njëjta gjë është dhe sot. Pushtetarët e rinj marrin në punë kë të duan dhe heqin nga puna kë të duan, të mbrojtur nga termat ideologjikë “ meritokraci ” dhe “ militantizëm ”. Etaloni i saktësisë së këtyre termave nuk është ligji, por presidenti, kryeministri, ministri, drejtori etj. Parashtrimi i mëposhtëm do të na ndihmojë për të parë më mirë thelbin e parullës “ meritokraci ”. Eshtë e qartë për këdo se ministrat dhe drejtuesit e qeverisë së koalicionit kanë pohuar dhe vazhdojnë të pohojnë se ata në krye të ministrive që drejtojnë janë njerëz politikë. Duke e pranuar pohimin e tyre si të vërtetë, natyrshëm lind pyetja : Si ka mundësi që një funksion politik, të marrë atributet e etalonit të meritokracisë, si ka mundësi që politikanizmi të shndrrohet në profesionalizëm ? Ligji Bezhani : ligj ideologjik Para disa kohësh Parlamenti shqiptar, aprovoi një ligj për ruajtjen e pastërtisë së administratës, i cili u quajt, ligji Bezhani. Thellimi në ligjin që hartoi ky komision dhe që aprovoi parlamenti të çon natyrshëm në disa deduksione, që tregojnë natyrën e vërtetë të shtetit që po ndërtohet. Në ligjin e miratuar, përjashtohen nga jeta politike disa kategori njerëzish që i kanë shërbyer regjimit komunist. Në këto kategori ligji fut bashkëpuntorët e sigurimit të shtetit, agjentët dhe funksionarët më të rëndësishëm të partisë së punës. Domethënë ; sipas ligjit neqoftëse ke qënë bashkëpuntor i sigurimit të shtetit komunist përjashtohesh nga jeta politike, ndërsa nëqoftëse ke qënë bashkëpuntor dhe funksionar i ShIK-ut, pavarsisht nga rrahjet që ke bërë nuk përjashtohesh dhe mund të punosh dhe të marrësh pjesë aktive në jetën politike. Domethënë, përjashtohesh nga jeta politike nëqoftëse ke qënë funksionar i lartë i diktaturës komuniste, por nuk përjashtohesh nga jeta politike nëqoftëse ke qënë funksionar i lartë i pushtetit të mëparshëm dhe mund të kesh vjedhur pasurinë kombëtare apo të kesh dhënë urdhër për të shtypur me gjak revoltat popullore . Domethënë, përjashtohesh nga jeta politike për shërbimet që i ke bërë regjimit komunist, por nuk përjashtohesh nga jeta politike për shkatërrimet që i ke bërë shtetit shqiptar. Deputetët dhe qeveritarët që e mbrojtën dhe miratuan këtë ligj, e paraqitën atë si kontribut në ndërtimin e shtetit të së drejtës, të shtetit ligjor, që do “ të jetë roje ” e pastërtisë së administratës shtetërore ? ! Por ata harruan t’i japin përgjigje pyetjes : Nga kush kërcënohet administrata dhe shteti ligjor? Nga hajdutët ? Jo, se për ata nuk ekziston asnjë klauzolë në ligj. Nga Mafia blu dhe Mafia rozë ? Jo, se as për këtë nuk ekziston asnjë klauzolë . Nga kush tjetër ? Nga ata që dogjën Shqipërinë dhe nga ata që bënë sehir për interesa pushtetore se si digjej Shqipëria ? Jo, as për këta nuk ekziston ndonjë klauzolë në ligj, në të kundërtën ata i mbron filozofia e përfshirjes e qeverisë aktuale. Përse kategoritë e njerëzve pas viteve 91, që kanë shkelur të drejtat e njeriut, që arritën deri atje sa shpallën gjëndjen e jashtëzakonshme, që ftuan ushtritë e huaja të vinë në Shqipëri, që grabitën pasurinë kombëtare, nuk janë përfshirë dhe nuk mund të përfshihen në këtë ligj ? Përgjigja është e thjeshtë, por ajo tregon dhe thelbin ideologjik të ligjit Bezhani. Sepse këto kategori janë pjesë përbërëse e një sistemi tjetër politik. Shumica e të dënuarve të viteve 1992-1998 në Shqipëri, janë dënuar për atë që kanë bërë në të kaluarën dhe jo për atë që bëjnë sot. Po kështu dhe ligji të përjashton nga jeta politike jo duke u nisur se çfarë bën sot në sistemin kapitalist, por se çfarë ke bërë dje në sistemin komunist. Nëqoftëse do ta vazhdojmë akoma arsyetimin rreth thelbit të ligjit, do të duhej të evidentonim dhe paradokse të tilla : Në ligj thuhet se përjashtohen nga jeta politike, agjentët e zbulimeve të huaja. A është vërtetë kështu ? Le të arsyetojmë : E para ; agjentët e zbulimeve të huaja që kanë vepruar në Shqipëri, kanë patur si objekt të tyre përmbysjen e regjimit socialist në Shqipëri. Tani që ai sistem është përmbysur, si mund të përjashtosh nga jeta politike, ata që nën kërcënimin e sigurimit të shtetit, punuan për përmbysjen e tij ? E dyta : A përfshihen në termin “ agjent ” ish agjentët e zbulimeve amerikane, gjermane, angleze apo franceze ? Eshtë e qartë që jo. Parashtrimi i mësipërm të çon në deduksionin se ligji Bezhani, vetëm fasadën ka si ligj i së drejtës. Në thelbin e tij ai është ligj ideologjik, në duart e asaj force politike që ka pushtetin për të shmangur kundërshtarët e saj brënda dhe jashtë vehtes. Administratë anarkike Premisa e parë për ndërtimin e një shteti ligjor është organizimi i pushtetit dhe administratës së tij. Si është organizuar pushteti aktual dhe administrata e tij ? Pasqyron nevojat themelore të vëndit, apo konceptet e politikanëve që janë në pushtet, i nënshtrohet ajo kritereve rigorozisht shkencore apo karakterizohet nga anarshia dhe spontaniteti? Le të bëjmë një arsyetim : populli shqiptar sot dhe në perspektive ka nevojë për një pushtet dhe administratë që atij t’i sigurojë punë, para, drejtësi dhe rend publik. Realizimi i këtyre katër elementëve presupozon kushtin e parë të ndërtimit të një shteti ligjor demokratik. Ndërsa nënvleftësimi dhe mosrealizimi i tyre shtetin ligjor e shndrron në një fiksion-shtet. Për pasojë është e nevojshme dhe parësore që koalicioni qeveritar në këto katër sektorë, të caktojë njerzit e tij më të aftë intelektualisht, më të moderuar politikisht dhe më të shquar organizativisht. Por realiteti flet ndryshe. Me përjashtime të vogla, qëndrimi i partive politike që marrin pjesë në qeveri, për sektorët me jetikë të vëndit, është qëndrim anësor,nenvleftësues dhe primitiv. Duke marrë për bazë hierarkinë e këtyre partive kemi të drejtë të themi se njerzit më të aftë të koalicionit qeveritar, kanë marrë postet që janë të lidhur me politikën ndërkombëtare, me daljen në televizor, me pritjen dhe përcjelljen e të huajve. Lidërshipi socialist në një nga fjalimet e tij për organizimin e administratës dhe pushtetit shqiptar e ka vënë theksin tek aplikimi i përvojës së partisë socialiste franceze. Po e konkretizoj tezën e tij. Lionel Zhospeni, pasi erdhi në pushtet, njerzit më të aftë të partisë i caktoi në ato sektorë që kishte nevojë shoqëria franceze. Për pasojë, numuri dy i partisë socialiste franceze, vajza e të shumënjohurit Zhak Delor, Martinë Obri, u emërua ministre e punës dhe solidaritetit social, miku më i ngushtë i Zhospenit, Pierre Moskovitç u emërua ministër i mardhënieve me bashkimin europian, etj. Ndërsa në Shqipëri, ministria e punës dhe çështjeve sociale, ministria e drejtësisë apo ministria e shëndetësisë, vazhdojnë të trajtohen me mentalitetet e 30 vjetëve të shkuara nga udhëheqësit e koalicionit qeveritar. Për pasojë opinioni ndodhet dhe para paradoksesh dhe ironish tragjike si ai i para disa kohësh kur megjithë gjëndjen e mjeruar të sistemit shëndetësor, drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë, përcaktojnë si më kryesore hartimin e projekt ligjit për mospirjen e duhanit ! ! Një element tjetër i rëndësishëm që dallon një administratë anarkike nga një administratë e bazuar në ligj, është rregullorja e çdo ministrie, çdo drejtorie e cila përcakton kompetencat dhe funksionet e secilit punonjës. Por vështirë se mund të gjëndet ndonjë ministri e cila të ketë rregulloren e saj, veshtirë se mund të gjëndet ndonjë drejtori ministrie që të ketë rregulloren e saj, megjithse në çdo ministri ka zyre juridike dhe drejtori personeli. Të vetmet rregullore që ekzistojnë janë rregulloret e hartuara para 20 apo 30 vjetësh. Veprimtari kapitaliste me rregullore komuniste ! ! Preferencat vetjake dhe kriteret shkencore Anarkia dhe spontaniteti në ndërtimin e administratës shqiptare, del më në pah kur analizojmë politikën e ndjekur nga koalicioni qeveritar ndaj shtresës së kuadrove që u hoqën nga puna në vitin 1992. Një analizë shkencore e kësaj shtrese të çon në konkluzionin se : Një pjesë prej tyre, pavarsisht se u hoqën nga puna për bindje politike, realisht ishin të paaftë për të qëndruar në administratë. Një pjesë tjetër pasi u hoqën nga puna u morën me lloj-lloj tregëtish dhe realisht nuk bëjnë për një administratë të një shteti ligjor. Një pjesë tjetër për të siguruar mbi jetesën bënë punë nga më të rëndat, por fatkeqsisht nga ana profesionale e specialitetit, aktualisht janë disa vite pas kohës. Ndërsa një pjesë e mirë, jo vetëm që i rezistuan vështirësive të jetës, por nuk lanë pas as perfeksionimin e profesionit të tyre. Njohja e këtij realiteti nga ana e drejtuesve të koalicionit qeveritar, do t’i orientonte ata drejt thithjes në administratën aktuale të atyre specialistëve të cilët i rezistuan papunësisë dhe moralisht dhe intelektualisht. Ndërsa realiteti flet për një anarshi dhe spontanitet në metodën e drejtuesve të qeverisë aktuale. Kriteri themelor në thithjen e kësaj shtrese kanë qënë njohjet dhe preferencat vetjake dhe jo analiza reale e gjëndjes morale dhe profesionale të kësaj shtrese. Me këtë veprim, drejtuesit e koalicionit jo vetëm që nuk kanë krijuar një administratë efikase, por i kanë dhënë mundësi dhe opozitës të flasë konkretisht për njerëz të korruptuar moralisht dhe të paaftë intelektualisht të cilët në mjaft raste kanë marrë poste në administratën shqiptare. Kur nuk njihet realiteti Koalicioni qeveritar e mbajti komisionin Bezhani, me pretekstin se ai është “ roje ” e pastërtisë politike të administratës.Vazhdimësia e këtij komisioni do të thotë vazhdimësi e aplikimit të parullës “ politika në plan të parë ” në kushtet e një shoqërie kapitaliste, do të thotë të vazhdosh të mashtrosh njerzit se gjoja vërtet po ndërton një shtet ligjor, ndërsa në fakt ndërton shtetin ideologjik dhe nepotist. Shteti ligjor kërkon si parakusht të tij, të tjera organizma, kërkon ato organizma që do të jenë realisht “ roje ” e pastërtisë morale, e aftësisë profesionale dhe organizative. Pranë çdo ministrie ekzistojnë ato që quhen drejtori kuadri që tani i quajnë drejtori personeli. Funksioni i tyre real, nuk është gjë tjetër veçse ai i së kaluarës, ato janë organizma formale, që e shumta shërbejnë për tu dhënë pamje ligjore favoreve që bëjnë drejtuesit e ministrive. Do të ishte premisa e parë e ndërtimit të një shteti ligjor shndrrimi i tyre në organizma që të merreshin me përzgjedhjen e specialistëve që do të punonin në këto ministri. Ndërtimi i një administrate efikase, kërkon njohjen e realitetit dhe të problemeve që shtron ky realitet. Rreziku më i madh i ndërtimit të shtetit ligjor sot , që e pengon ndërtimin e tij nuk janë pikpamjet politike, nuk është e kaluara politike e individit por shndrrimi i postit në pronë private, është e sotmja e tij, karakteri i prishur i një individi, niveli i tij profesional dhe aftësitë e tij organizative . Konceptet “ socialist, demokratist, komunist, zogist, ballist etj, ” ekzistojnë në propagandën partiake, por nuk ekzistojnë në realitetin shqiptar. Në këtë realitet ekzistojnë njerëz hallexhinj, pensionistë, arsimtarë, të papunë, të pasur në rrugë të ndershme dhe të pasur në rrugë të pandershme etj. Megjithatë deri tani pushteti dhe administrata shqiptare është ndërtuar mbi bazën e materialit të propagandës dhe jo mbi bazën e realitetit shqiptar. Prandaj dhe ekziston një shkëputje e madhe midis pushtetit dhe administratës shtetërore dhe problemeve reale të shoqërisë shqiptare. Deri tani populli po shikon propagandën partiake mbi shtetin ligjor, por nuk shikon premisat e shtetit ligjor real. |