FillimiThelbi

Revolta popullore që shpërtheu në Shqipëri, prapa interpretimeve dhe kualifikimeve të pushtetit shqiptar, të opozitës shqiptare dhe të propagandës euroamerikane, prapa parullave që u hodhën dhe manipulimeve që u bënë nga forca te ndryshme politike për elektorat, e zhveshur nga preteksti për të cilin shpërtheu, ka thelbin e saj real. Përkrahja që ju dha asaj nga zona të ndryshme të vëndit, pjesmarrja në Vlorë e përfaqësuesve të Shkodrës, Lezhës, Mirditës apo Matit, i jep asaj domethënie shumë më të gjërë dhe më të thellë se dhe përmbajtja më e gjerë e dhënë nga politika dhe propaganda pozitive shqiptare apo e huaj. Lëvizje për dinjitet kombëtar Analiza dhe studimi i morisë së shkrimeve, deklaratave dhe intervistave, të dhjetra dhe qindra interpretimeve të dhëna nga shqiptarë dhe të huaj, analiza e thelbit të lëvizjes popullore jashtë skemave dhe preferencave partiake apo luftës për pushtet dhe për zona influence, në mënyrë të natyrshme të nxjerr në një konkluzion të rëndësishëm në formë pyetjeje: Cili është thelbi i këtyre revoltave apo i këtij “ revolucioni të vonuar demokratik ” siç e quan Rexhep Qosja, apo i kësaj “ kryengritje popullore ” siç e quan Dritëro Agolli. Revoltat popullore në Shqipëri, rastësisht filluan në Jug, rastësisht nisën me shëmbjen e fondacioneve piramidale. Por domosdoshmërisht ato u përhapën në të tërë Shqipërinë, domosdoshmërisht ato do të fillonin një ditë. Shëmbja e fondacioneve piramidale nuk ishe shkaku i saj, në të kundërtën ishte preteksti i saj. Ngjarjet në Shqipëri nuk patën në thelbin e tyre luftën për pushtet, nuk patën në thelbin e tyre kthimin e parave të humbura, nuk patën në thelbin e tyre programin e asnjë partie politike shqiptare të majtë apo të djathtë. Përse? Sepse në thelbin e tyre ato ishin një Lëvizje e fuqishme pë dinjitet kombëtar, në thelbin e tyre ato ishin patriotike kombëtare. Thelbi i tyre nuk është gjë tjetër veçse lufta e atdhetarizmit shqiptar që po rilind me kozmopolitizmin e partive politike shqiptare. Per ta kuptuar me mire pohimin e mesiperm, eshte e domosdoshme permbledhja e asaj qe u quajt demokraci ne Shqiperi ne vitet 1992 1997. Elementet e kesaj demokracie, te cilat populli shqiptar i vuajti ne kurrizin e tij jane :
Demokracia e poshtërimit. Asnjëherë populli shqiptar gjatë gjithë historisë së tij nuk ka qënë më i poshtëruar nga propaganda e të huajve, se sa gjatë periudhës 1992-1997. Me dhjetra filma, libra, reportazhe, komente fyese e denigruese jane përhapur në Europë, ndërsa klasa politike shqiptare, këtë qëndrim shovinist dhe racist e paraqiste si shprehje të lirisë së individit.
Demokracia e përdhunimit të historisë. Asnjëherë popullit shqiptar nuk i është përdhunuar historia kombëtare më shumë se sa në periudhën 1992-1997, kur nga politika zyrtare shqiptare, periudha historike 1945-1991, u quajt dhe u konsiderua as më shumë dhe as më pak si një histori e humbur. Gjatë kësaj periudhe populli shqiptar u bë objekt përbuzjeje dhe racizmi i mjaft krijimeve kulturore dhe artistike të të huajve. Filma të tillë si “ Lamerika ”, “ Ata vinin nga malet me borë ”, romane si “ Kameleoni ”, dhjetra emisione televizive që fillonin dhe mbaronin me nga një xhami, nuk ishin gjë tjetër veçse një shovinizëm i kulluar “ demokratik ”, i bekuar nga politika zyrtare e shtetit shqiptar. Nën maskën e luftës kundër komunizmit, klasa politike shqiptare në fakt i bëri gjyqin dhe përdhunoi racën shqiptare.
Demokracia e shkatërrimit të shtetit. Klasa politike shqiptare, që pretendonte se do ta shkatërronte komunizmin në Shqipëri, në fakt realizoi një gjë tjetër shumë makabre. Ajo arriti të shkatërronte vetë shtetin shqiptar. Në ngjarjet e pranverës 1997, gjatë kryengritjes popullore, praktikisht shteti shqiptar pushoi se ekzistuari dhe Shqipëria u rikthye realisht në vitin 1913, kur për të mbajtur gjallë shtetin një vjeçar shqiptar, në Shqipëri u vendosën forcat shumë kombëshe.
Demokracia e pabesisë. Klasa e sotme politike shqiptare është e vetmja klasë politike në gjithë historinë e shtetit shqiptar, që në themel të veprimtarisë se saj nuk vuri asnjë ligj juridik apo kod moral, por vetëm pabesinë.
Demokracia e parave të pista. Në marrdhëniet me popullin që i përkiste, klasa politike shqiptare e periudhës 1992-1997, bëri një krim të pashëmbullt. Në vënd të ndërtonte ekonominë reale të tregut dhe kapitalizmin e punës së ndershme, ajo punoi me të gjitha forcat për të ndërtuar “ njeriun e zi ”, që jeton si parazit, pa punuar vetëm me përqindjet e fajdeve të fondacioneve të piramidale. Duke i hequr popullit shqiptar të drejtën për të punuar, kjo klasë politike, realisht projektoi vdekjen e popullit që i përkiste.
Demokracia e hajdutëve dhe mashtruesve. Eshtë e vetmja periudhe në historinë e popullit shqiptar, ku hajdutët dhe mashtruesit nuk jetojnë vetëm në gjirin e shoqërisë si çdo shtresë shoqërore, por arrijnë të bëhen sunduesit e shoqërisë.
Demokracinë e mësipërme e provoi në kurriz gjithë populli shqiptar, pavarësisht nga bindjet politike dhe përkatësitë partiake. Kjo ishte pikënisja e asaj lëvizjeje të fuqishme popullore që do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët në një front të përbashkët. Konkluzioni i mësipërm rrjedh në mënyre logjike nga analiza e disa dukurive të pavëna në dukje nga politologjia dhe publicistika shqiptare dhe e huaj deri më sot. Evidentimi i tyre, e bën të plotë dhe të argumentuar konkluzionin sipas të cilit ngjarjet në Shqipëri janë një Lëvizje e fuqishme kombëtare.
Së pari: Në lëvizjen popullore që shpërtheu në Shqipëri, morën pjesë shtresa popullsie me pikpamje politike të ndryshme. Për herë të parë në periudhën e pluralizmit u gjëndën të bashkuar në një front të vetëm, njerëz me pikpamje socialiste, demokratike, monarkiste, social-demokrate, republikaniste etj. Të gjithë ata u ngritën realisht mbi programet e partive politike që u përkisnin apo që pëlqenin. Kjo dukuri u pasqyrua më vonë edhe në organizmat udhëheqëse të lëvizjes popullore që u quajtën Komitetet e Shpëtimit Publik. Mjafton të përmëndim vetëm një fakt; kryetari i Komitetit të Shpetimit Publik të qytetit të Beratit, u caktua një nga themeluesit e Partisë Demokratike shqiptare në këtë qytet.
Eshtë një fakt i pranuar nga të gjithë që njohin historinë e lëvizjeve popullore se bashkimi në një lëvizje i shtresave me pikpamje politike dhe ideologjike të ndryshme, është elementi i parë dhe qënësor i një Lëvizjeje thellësisht kombëtare.
Së dyti: Armatosja e gjithë popullit që u ngrit në revoltë, eshtë një element tjetër që flet për një lëvizje atdhetare me karakter thellësisht kombëtar. Partitë politike në Shqipëri të ish-opozitës duke filluar që nga Partia Socialiste dhe duke mbaruar tek partia e Aleancës Demokratike, janë të gjitha parti që kanë në programet e tyre dialogun dhe rrugën paqësore. Ato janë të paafta të rrëmbejnë armët, të cilave u frikësohen shumë. Vetëm një Lëvizje kombëtare jashtë kornizave të kozmopolitizmit të partive politike shqiptare është në gjëndje të armatoset dhe t’i mbrojë kërkesat e saj me armë.
Së treti: Kalimi masiv i ushtrisë dhe i policisë në anën e popullit të revoltuar përbën elementin e tretë që i jep Lëvizjes që shpërtheu në Shqipëri, një karakter thellësisht kombëtar. Asnjëherë ushtria dhe policia nuk kalon masivisht në anën e kësaj apo asaj partie politike në një vënd ku ka me dhjetra parti politike. Kur ushtria dhe policia kalon masivisht në anën e një lëvizjeje, kjo do të thotë se kjo lëvizje ka karakter thellësisht kombëtar dhe patriotik. Shumë analistë shqiptarë dhe të huaj e kanë shpjeguar kalimin masiv të ushtrisë në anën e kryengritjes me faktin se midis pjestarëve të ushtrisë kishte njerëz që kishin humbur paratë. Disa të tjerë e kanë shpjeguar me faktin se ushtria dhe policia shqiptare ishin të papërgatitura. Janë të gjitha interpretime ose naive ose qëllimkeqe, që me dashje apo padashje duan të mbulojnë shkakun e vërtetë të ndodhisë. Ushtria dhe policia, kaluan në anën e popullit jo sepse kishin humbur paratë, jo sepse ishin të papërgatitur, por sepse e ndienë se kishin të bënin me një lëvizje që nuk luftonte për pushtet, poste dhe privilegje, por vetëm për dinjitet kombëtar. Para ushtrise shqiptare u shtrua dilema : Të mbronte ata që e kishin urdheruar por që ishin te korruptuar, që patriotizmi i tyre fillonte e mbaronte tek kolltuku qeveritar, apo të kalonte në anën e tyre që ishin te revoltuar, të varfëruar, por qe patriotizmi i tyre fillonte tek pragu i shtëpisë dhe mbaronte në cepin më të larget te trojeve shqiptare? Dhe ushtria shqiptare në përgjithësi e zgjidhi dilemën shumë mire. Ajo kaloi ne anën e popullit. Me këtë akt, ushtria dhe policia shqiptare treguan një akt te madh patriotizmi, treguan se dhe ato kerkojnë dinjitet kombetar. Eshte kjo arsyeja qe ish-pushteti shqiptar, kur pa se shumica e ushtrise nuk ju bind urdherave te tij, u hakmorr ndaj saj në mënyre të egër dhe barbare. Me anën e militantëve te tij, ai e ndëshkoi mos bindjen e ushtrise, duke shkatërruar ne mënyrë makabre bazën materiale dhe logjistike te saj. Analizat që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Shqipëri për këtë çështje madhore, dëshmojnë se shkatërrimet e ushtrisë ndodhën masivisht pasi në Shqipëri ishte krijuar “ »Qeveria e Pajtimit Kombëtar» ”, dhe veçanërisht në disa zona të cilat nuk ishin prekur masivisht nga revolta popullore si në disa rajone të veriut dhe disa rajone të Shqipërisë së mesme.
Se katerti: Sistemi i meparshem ne Shqiperi ishte nje sistem nacional -komunist. Partite politike shqiptare te pluralizmit veçanerisht pushteti shqiptar, nga trashegimia e se kaluares, hodhi poshte nacionalizmin dhe mbajti gjalle vetem praktikat me te keqia te organizmit shteteror, si eliminimin e kundershtareve politike, teorine e biografive, persekutimin e atyre qe flisnin ndryshe, ngritjen ne sistem te korrupsionit duke e shndruar Shqiperine ne nje diktature kozmopolite te tipit latino-amerikan. Levizja kombetare qe ka shperthyer ne mbare Shqiperine, synon te beje te kunderten. Ajo nuk eshte komuniste, siç e etiketon propaganda e pushtetit shqiptar , as staliniste dhe mafioze siç ka filluar ta etiketojë dhe cilësojë nje pjese e propagandës perëndimore. Në të kundërtën, ajo është idealiste dhe romantike. Synimi i saj është që nga e kaluara të trashëgojë atë që u hodh poshte gjate periudhes 1992-1996, dinjitetin kombëtar dhe të hedhë poshtë të gjitha të këqiat e së kaluarës të manifestuara dhe te trupëzuara tek klasa politike shqiptare, veçanërisht tek pushteti shqiptar. Këtë e shprehu shumë qartë një nga drejtuesit e manifestuesve gjatë një interviste të dhënë seksionit shqip të BBC. Pyetjes se gazetarit se cili është qëllimi i revoltës popullore, ai ju përgjegj: “ Ne luftojmë që të fillojmë një epokë të re, në të cilën të rrojmë me dinjitet ”.
Së pesti: Karakteri idealist dhe patriotik i Lëvizjes popullore shqiptare, evidentohet qartë nëqoftëse mbajmë parasysh dhe një element të rëndësishëm të propagandës zyrtare shqiptare dhe asaj të huaj. Përbën një fakt tashmë të njohur se ish-pushteti shqiptar e njohu shpejt thelbin e revoltave popullore në Shqipëri. Prandaj ai u trëmb shumë dhe bëri të gjitha përpjekjet për ta mbytur në gjak këtë lëvizje. Diktatura kozmopolite gjithmonë trëmbet nga Lëvizja kombëtare. Ngjyrë politike kanë partitë e ndryshme, populli nuk ka ngjyrë politike, ai ka vetëm një ngjyrë, përkatësinë kombëtare. Në pamundësi ta mbyste në gjak këtë lëvizje, propaganda zyrtare shqiptare ndërmori fushatën e diskreditimit të saj. Emërtimet që ajo filloi të përdorë si “ stalinist, trockist, teori leniniste e marrjes së pushtetit, banditë, kriminelë etj ” të cilët sot janë me peshë emocionale negative, synonin t’i hiqnin kësaj lëvizje mbëshetjen gjithë popullore. Evolucioni i propagandës euroamerikane Ndërsa në propagandën euroamerikane, qëndrimi ndaj lëvizjes popullore shqiptare kaloi nëpër dy faza. Në fillim shumica dërrmuese e mediave perëndimore me anën e gazetarëve të dërguar në Shqipëri, i mbështetën revoltat popullore në mënyrë të plotë dhe të tërësishme. Në analizat dhe komentet e tyre, ato flisnin me termin “ popull kryengritës apo popull i armatosur ”. Në një nga shkrimet analitikë të botuar në fillim të muajit Mars 1997 ne gazetën e madhe gjermane “ Die Welt ” midis të tjerash theksohej se “ Vlora nuk teston vetëm Shqipërinë, por gjithë Ballkanin ”. Më vonë, pasi u njohën me thelbin kombëtar të Lëvizjes popullore, një pjesë e këtyre mediave, veçanërisht ato proqeveritare në shkrimet e tyre termin “ popull kryengritës apo popull i armatosur ” e zëvëndësuan me termat “ rebelë, ish-komunistë, mafiozë, terroristë etj ”. Kushdo që i ka studjuar apo që i njeh sadopak lëvizjet kombëtare që ekzistojnë sot në botë, e di shumë mirë se ndaj tyre termat “ rebelë, mafiozë apo terroristë ”, janë ndër më të preferuarit e propagandës perëndimore.