16 mars 2008
Thirrje për përgjegjësi emergjente kombëtare
Vetëm duke dëgjuar kryeministrin të shtunën në darkë mund të konkludohet për shkaqet e mirrëfillta të kësaj tragjedie kombëtare që vetëm për fat nuk mori përmasat e fatkeqësisë humane. Konkluzioni i parë është paftësia absolute e qeverisë dhe sidomos kryeministrit për menaxhimin e këtij operacioni kaq të vështirë me karakter egzistencialist për shqipëtarët dhe pastaj dhe ambjentalist. Analizat do të jenë të shumta dhe specialistët nuk kanë për të munguar por ata mungojnë detyrimisht në operacionet qeveritare. Pse-ja e kësaj do të gjëndet. Sot mjafton të ndalemi tek papërgjegjëshmëria natyrale apo e diktuar e kryeministrit Sali Berisha. Kryeministri Berisha dha më shumë alarm për të ardhmen kundrejt përmasave të tragjedisë që ndodhi. Është e vërtetë që përmasat e saj mund të ishin kolosale siç është më e sigurt që një gjë e tillë nuk duhej të ndodhte përveçse për fatalitet. Sepse dihet fare mirë që veç të bjerë një djegore nga një predhë e vjetër dhe plasja është e pashmangshme. Pikërisht kjo gjë që dihej, duhej të ishte arësyeja e marrjes të të gjitha masave që kjo të mos ndodhte (dmth të ishte e mbikqyrur nga specialisti). Kundrejt këtij rreziku sa të mundshmëm aq dhe të parashikushëm ngrihet operacioni i zbërdhimit të municionit në kërthizë të zhvillimit demografik. Pa u ndalur tek firmat private të huaja apo vëndase që tek e fundit e shikojnë problemin si bisnes, tragjedia në këtë mes vjen prej qeverisë që e shmang problemin nga vetja për t’ju a lënë atyre. Justifikimi për të jetuar qeveria në paq është se puntorët janë paraprakisht të instruktuar. Ndërkaq kryeministri nuk është në gjëndje të japi as në darkë informacione konkrete qoftë dhe përafërsisht për dimensionet e kraterit apo të fuqisë së valës goditëse që mund të kishte rënuar gjithçka përgjatë gjithë gjatësisë së saj. Nuk egzistoka në Ministrinë e Mbrojtjes një hartë topografike nga e cila të llogaritet përafërsisht perimetri i kraterit dhe thellësia (gjykuar nga lart me helikopter), kur dihet që zona u kontrollua deri në 10 metra larg. Ky ishte vetëm një shëmbull vetëm për efiçencën e qeverisë pas ndodhisë, domethënë se sa të papregatitur jemi për të gjykuar e vepruar në rast fatkeqësie , çka është ana më e papërfillshme e fajit kundrejt atij të prognozës. Për më tepër prognoza ishte evidente, paralajmërimet ishin bërë nëpërmjet predhave sporadike që kishin ditë që plasnin. Pa u ndalur tek dëshmitarët gjykojmë vetëm nga ç’është i detyruar të pohojë kryeministri, praktikisht çka është zyrtare. Deri të shtunën në mbrëmje nga viktimat që u identifikuan rezultonte një mungesë kriteri i pafalshëm në zgjedhjen e puntorëve e jo më në pregatitjen e tyre. Një djalë 19 vjeçar ( është e sigurt që në listat e puntorëve rezultojnë edhe fëmijë), një grua 40 vjeç dhe një burrë 59 vjeç, për çka nuk bashkohen gjëkundi as gjenetikisht e as intelektualisht për tu marë me operacione kaq të rrezikshme. Argumenti vetëvrasës i kryeministrit është pranimi prej tij që operacioni nuk zhvillohej nën mbikqyrjen e shtetit sepse Ministria e Mbrojtjes kishte detyrë veçse sa të transportonte predhat në fabrikën famkeqe. Ku punonin skllevër me fatin e parashkruar dhe në afërsi të saj jetojnë njerëz në një gjatësi vale ende të pallogaritur që mund të rafshonte vala goditëse. Ndaj akuzat se çfarë do të bëhet me qeverinë janë gjëja më e papërfillshme sot. Për të minimizuar efektin e asaj që ndodhi, kryeministri dha alarmin që kjo është gjëndja në Shqipëri. Meqënëse është kështu atëhere krahas masave për zonën e fatkeqësisë duhen marrë masa serioze të nivelit të situatës së jashtëzakonshme për gjatë gjithë kohës që Shqipëria do të mbetet në këtë proçes ku fjalën duhet ta thonë specialistët. Qeveritë, cilado qofshin, ta zbatojnë me përgjegjësi kombëtare. Në këtë situatë bashkëpunimi i vërtetë pozitë – opozitë është i domozdoshëm. Jeta e shqiptarëve në radhë të parë.
Liliana Hoxha
|
 |

|