25 shkurt 2008
Kosova u kry, po Shqipëria
Lakonizmi epikofilozofik por edhe modern i të shprehurit për fitoren e pamvarësisë nga kosovarët, përmban tërë diapazonin ndjesor të ndërgjegjshëm (të kontrolluar) e atë instiktiv (si ngazëllimin), me ngarkesë tronditëse. “Bac u kry ” realizon në vetvete jo vetëm historinë shekullore, të pasqyruar njëherësh me përpjekjet e pashoqe për pamvarësi ; aty përfshihet përbetimi popullor për çlirim me çdo kusht e sakrificë sublime, aty përfshihet vetë hymnizimi i ditës së fitores si finale e pashmangëshme për popullin martir të Kosovës, për heronjtë e kësaj e asaj bote, që i përkitën çështjes.I drejtohet Rugovës, Adem e familjes Jashari e të gjithë personazheve historikë, ( së paku që nga Lidhja e Prizrenit), që përfaqësojnë padyshim ndërgjegjen kombëtare. Por nëpërmjet simboleve kombëtare populli i Kosovës i drejtohet vetvetes. O popull kreshnik i Kosovës, në dinjitet të kombit shqiptar , për Besë e kreve me lavdi amanetin !. Këtij lakonizmi filozofikomodern në kohë e hapësirë të vullnetit popullor thellësisht të mbrujtur për të ndënjur këmbëkryq mbi baltën e tij të çliruar, ju përgjigj solemnisht protokolli zyrtar i shpalljes së pamvarësisë. Përveç brezit të luftës(mosha e tretë) që përjetuan çlirimin, të tjerët, ai themelori 40 deri 60 vjeç e mosha e re në tërë variacionin e saj nuk ka jetuar ditë më sinjifikative së vetëndjeri shqipëtar. Ndaj 17 shkurti është një ditë historike e jashtëzakonshme doemos edhe për ne. Atë ditë të ngulur sa më pranë TV, ajo që shihnim : përmbajtja fisnike tejet sqimatare e emocionit në parlamentin e Kosovës, do të ishte arësyeja e përlotjes prej lumturisë sonë për dinjitetin që po na vishnin të tërin si komb, në kohën që e gjithë bota s’kishte se si të mos përfillte këtë dinjitet ceremoniali fitoreje tonin
* * * Qëllimisht shkruaj pas shumë ditësh që të më lejojë jo vetëm etika por edhe ndërgjegja për të parë ditën e ceremonialit jo vetëm rozë, por as bardhë e zi, siç na detyron fatkeqësisht mediapolitika. Kush nuk do të donte të ishte në datën 17 në Prishtinë. Them kështu se nuk mund të kuptohet e jo më të justifikohet “mendjelehtësia” e zonjushës që flet zyrtarisht më shumë “Shqip” se kushdo, ndërsa atë ditë lajthit e “flet” në gjuhën sllave. Kjo zonjushë ka ndërmarë tema të mëdha kombëtare të arira prej skrupulozitetit të të ftuarve, pavarësisht nga “lapsuset” provokuese të saj. Po kështu ka intervistuar me cilësi Rexhep Qosen, Arber Xhaferin etj. Kësaj i kam kërkuar ndjesë duke menduar se e kam lënduar tepër publikisht kur i kam cilësuar në seancën e parë të hapjes time publike: gazetare “oborri”. Por R.Xhnga në 17 shkurt në Prishtinë në përfaqësim të shkruesit apo folësit mbi thashetheme meskino – vulgare, përgojoi e paragjykoi ceremonialin në ditën e shquar historike të pavarësisë. “Prognoza” e saj për të ardhmen ishte probabiliteti i garës për protagonizëm të dy familjeve Rugova e Jashari . Parashikim ky vetëm e vetëm se njëri nga liderat e Kosovës i përmëndi të dy familjet e lideri tjetër përmendi vetëm një. Në nivelin e Xhungës bajatoset edhe Zheji kur personalisht ai ka kontribuar kaq shumë jo vetëm për zhvillimin historik drejt pavarësisë së Kosovës, por duke sjellë në vëmëndje hera herës si rrallë gazetar, vetë idenë e bashkimit kombëtar. Nuk mbetet këtu “mëndjelehtësia” e zonjushës, por me cinizëm buzagaz perfekt, në emër të realizmit kritik ndalet në pazaret e kulisave të parlamentit të Kosovës, për zënkat midis tyre se kush do të lexonte deklaratën, kush do të firmoste,etj etj. Nuk e di se ku e gjen “kurajon” kjo gazetare bash ditën e pavarësisë të deklarojë prej Prishtine se harmonia midis lidërve : presidentit, kryetarit te parlamentit e kryeministrit s’ishte veçse eufori e ndarjes së pushtetit në duart e tyre. Nën tituj pretenciozë e egzibicionistë emisionesh (pra nën etiketë) gazetarë si kjo zonjëshë, kryejnë qëllimin e tyre të paguar, paraqitur gjoja me alibi lapsusesh apo mëndjelehtësish që i kompromentojnë edhe si nivel profesional, për çka janë aq ambiciozë. Sikur të mbetej një rastësi e izoluar në qëllim, roza festive e asaj dite do të dominonte. Poe ka edhe më. Duke ndjekur kryeministrin Thaçi gjatë leximit të deklaratës së shpalljes së pavarësisë, për arrogancë (së paku vaniteti) të znj Topalli ndaj dy parlamenteve: të atij kosovar e shqiptar, zëvëndësohet befas kryeministri Thaçi me kryeministrin Berisha, për të na përcjellë ky dhe vetëm ky, neve shqiptarëve të Shqipërisë rëndësinë historike të momentit. Nuk vonon pikërisht të hënën, (e nesërme 18 shkurt) Vizion Plus kuturis të intervistojë znj N.Hoxha të uronte Kosovën, madje dhe në emër të Enver Hoxhës. Vizion Plus si kurrë ndonjeherë media deri më sot, kërkon “të reja historike” prej saj në lidhje me përpjekjet e Enver Hoxhës për pavarësinë e Kosovës. Përveç qëndrimeve të shpallura me kohë nga instituti M-L, përveç hipokrizisë për qëndrim pro ndaj bombardimeve të NATO-s, përveç hipokrizisë më të thellë akoma për dëshirë të saj për bashkim kombëtar N.Hoxha nuk pyetet qëllimisht nga Vizion Plus në se Enver Hoxha ka qënë i gatshëm ne ‘79 me plan ushtarak konkret të mbështeste kryengritjen e armatosur për vetvendosje të Kosovës. Kryengritje që u spiunua nga shteti shqiptar dhe u asgjësua nga UDB-a. Kohë kur vriten drejtuesit e saj Isuf Gërvalla me shokë që udhëhiqnin kryengritjen andej, e Mehmet Shehu (komandanti i operacionit të mbështetjes ushtarake nga Shqipëria) këtej. Pra N.Hoxha qëllimisht nuk u pyet siç është pyetur R.Alia për të mos gënjyer edhe ajo si ai . Kjo mund te jetë një nga arësyet që R.Alia i shquar për “grande”stilin e vet si krejt i kompromentuar nuk guxoi të urojë Kosovën për ditën e pavarësisë. A do mundej E.Hoxha t’ja dilte thjesht ushtarakisht krahasuar me fuqinë ushtarake të Jugosllavisë, kjo është çështje që s’do shpërdoruar së paragjykuari, madje edhe nëpërmjet imponimit për të drejtat ndërkombëtare ndaj OKB. Për këtë ka dëshmuar hollësisht Veli Llakaj, në atë kohë shefi shtabit të përgjithshëm. Për këtë dokument ka dijeni ish shefi arkivit në K.Q.PPSH . Ka dijeni Shaban Sinani, kalemxhiu i R.Alisë e ish drejtor i Arkivit të Shtetit. Siç ka detyrë të prononcohet dhe të bëjë transparencë për këtë çështje drejtoresha e sotme e Arkivit te Shtetit
* * *
Kosova e çeli rrugën e saj të pavarësisë, megjithë pengesat në vazhdim të faktorit rus. Sot Kosova e pavarur përveç vullnetit të saj të pathyeshëm, njihet çdo ditë nga faktori ndërkombëtar. Shteti i ri i Kosovës i kërkon denjësisht Shqipërisë të lobojë në njohje më të gjërë të pavarësisë së saj. Ky akt ngjall dhimsuri të pamatë e na bën më të ndjeshëm kundrejt politikës reale e asaj mediatike shqiptare. Kundrejt qëndrimeve të pastra për Kosovën, çdo qëndrim tjetër sado rastësor në dukje apo i maskuar si çështje niveli, apo lapsusi në të vërtetë misionar, vetvetiu do të evidentohet, siç ka ndodhur deri më sot. (Kështu Andi Bushati, nipi i Hysni Kapos, loboi para zgjedhjeve të nëndorit në mbështetje të projekt planit rus për investime të rëndësishme në Kosovë, me kusht hiqeje dorë nga pavarësia). Sepse është pikërisht kjo kënetë postkomuniste që pa asnjë pengesë morale , por veçse sabotim në qëllim, e kanë lënë vetë Shqipërinë mbrapa, jo vetëm si zhvillim në vetvete, por për më keq në atë të integrimit europian. Nëse Kosova ecen e sigurt përpara me ndihmë të merituar ekonomike kryesisht SH.B.A e B.E, Shqipëria duhet te ngrihet nga bataku.
|
 |

|