KĖRCNIMET E MĖDHA TĖ BARTURA PERMES EKRANIT


Shkruan: Mehmet Bislimi
Para tri dite, në emisionin televiziv të Jeta Xharrës emituar me 16 shkurt 2007, fatkeqësisht i ritransmetuar të nesërmen, në ekranin e vogël para opinionit gjithëshqiptar u duk e u dëgjua (pa mbulesë) mjerimi dhe arroganca e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile përmes përfaqësuesve të tyre. Sidomos kufijtë e normales kaloi përfaqësuesi i 60 mijë votave të shqiptarëve të Kosovës! Përfaqësuesi i AAK-së, një herit edhe përfaqësuesi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, zotit Naim Maloku, në mënyrën më të ulët dhe të pakulturë shprehu mllefin e tij kundër rinisë së " Vetëvendosjes" me fjalët më fyese që nuk mund të dëgjosh as sokaqeve të qytetit si: " Boll, mos llomotit ma!". Këtij kërcënimi i mungoi vetëm një përkthim, që tamam do të na e kujtonte një kohë famëkeqe, jo të largët kur në gjuhën serbe na kërcënonin: "Dosta nemoj da gallamish vishe!" Vetëm kjo mungoi për ta treguar se me çfarë koncepti punon dhe jeton Naim Maloku!
Visar Ymeri, i cili përfaqësonte Lëvizjen Vetëvendosja u ndodh; përballë sulmuesve të paskrupullt si të Ulpiana Lamës që përfaqësonte Qeverinë, Naim Malokut që përfaqësonte Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, Veton Elshanit që përfaqësonte SHPK-në e Kosovës dhe Berat Buzhalës që përfaqësonte mediet kosovare.
Zoti Ymeri në këtë mes, u gjend i rrethuar dhe i sulmuar nga të gjitha anët, i shantazhuar që në fillim edhe i kërcënuar aq brutalisht! Një balancim të mundshëm, në këtë mes mundohej që ta mbante (sadopak), organizatorja e emisionit zonja Xharra.
Flas nga pozita e shikuesit e që më plot përgjegjësi them se ajo paraqitje e " përfaqësueseve të institucioneve tona", ishte më shumë se një pasqyrë e mjerimit real që sot, ka kapluar këto instanca e në të njëjtën kohë edhe krejt irrituese që gjeneronte kërcënim, fodullëk e verbëri urrejtjesh brenda përbrenda institucioneve në fjalë.
Zonja LAMA, që përfaqësonte Qeverinë e Kosovës (nëse jo, është mirë që Qeveria të distancohet nga paraqitja e saj atë natë), nuk po e përmbante dot alergjinë dhe urrejtjen e dukshme që ndjente kundër përfaqësuesit të Vetëvendosjes. Në fakt akuzën e vet të mëhershme në kërkim të dënimit më të rëndë për rininë e Vetëvendosjes, ajo vetëm sa e trashi edhe më! Ajo gjatë tërë kohës së atij emisioni, kishte edhe dy probleme tjera: simptomat e urrejtjes patologjike, që dukeshin në fytyrën e saj dhe leshrat e trazuara që gjatë tërë kohës nuk i zunë vend, duke i prishur edhe atë „çik“ grim të asaj nate aspak romantike për te. Kjo bezdi është e kuptueshme, nga se prej leshrave vuan edhe Qeveria, ani pse kryqeveritari është fare tullë. Ajo që tha zonja, madje dy- tri herë se nga tronditja e madhe që kishte pësuar për dy ditë rresht, nuk ishte ngritur nga shtrati?! Një eksperiencë interesante për ne, kur e tërë Kosova ishte në këmbë, përfaqësuesja e Qeverisë ia kishte futur shtratit!
Të rinjtë e Kosovës që po kërkonin të drejtat e tyre legjitime, zonjës Lama po i shkaktonin dhembje! Me siguri në shtrat nuk e mori dhe as që do e marrë atë, apo ndonjë tjetër nga qeveria, dhimbja për të rinjtë e vrarë në protestën e 10 shkurtit.
Zoti MALOKU tregoi se meritueshëm gëzon mbiemrin MALOK! Foli në emër të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, por më vonë edhe në emër të AAK-së dhe të 60-të mijë votave të saj! Ishte duke folur zoti Visari, kur Maloku ia këputi fare malokçe me një: "Mos llomotit ma"! Sa nuk ia ktheu edhe në gjuhën serbe, ngase Maloku ka ende nostalgji dhe vuan nga paraqitjet e tij në stilin e ish oficerit dhe pjesëtarëve të ish Jugosllavisë! Ai më ato sjellje përfaqësoi institucionet dhe subjektin e cekur më lartë! Ai i mbeti besnik shkollës që i dha sistemi i kaluar. Nuk do të komentoja më shumë sjelljet e tij, por do thosha: Mjerë ajo votë që ka shkuar në adresën e tij. Në fakt ai edhe këtu gënjeu, nga se ai nuk përfaqëson të 60-të mijë votat e AAK-së?
Në fakt ai i keqpërdori këto vota në atë emision. Do të ia kujtojmë Malokut, se e pati formuar një herë, një „Qendrën Liberale të Kosovës“, ku mori vota aq sa ka dashi mbrapa dhe ia mbathi e iu futë në b... byro të Ramushit, duke i thënë: " Lamush!- unë erdha tek ti... Lamush!- si ushtar i thjeshtë... Lamush!, mua me ndoqën nga Shtabi, që ku e kam letrën në xhep... Lamush!- më ndoqi daja yt..." të tëra këto, të bëra publike po në të njëjtin ekran! Duke u nisur nga kjo paraqitje e tij, do duhej që urgjentisht institucionet që zoti Maloku tha se i përfaqësonte atë natë, të distancoheshin nga kjo paraqitje sa injorante aq edhe agresive e arrogante. "Ja, shihe pykën", "ja këta ia futën pykën policisë", "ja ia futën me qëllim pykën"... ishin disa nga zërat e pa artikuluar, që i lëshonte Maloku gjatë tërë atij emisioni.
Zoti ELSHANI, përfaqësonte SHPK-në dhe u mundua sinqerisht (në stilin e milicit), që të mbuloj e arsyetoj veprimet e kolegëve të tij, me moton hyqymeti ka të "drejtë" gjithmonë dhe është i pagabueshëm!
Kështu ishte edhe në kohën e turkut, të ish jugosllavit, të ish Serbisë e tani edhe në këtë kohë kur UNMIK-u po bënë ligjin e „ demokracisë „ në Kosovë. Në fakt zoti Elshani bëri një krahasim eklatant, duke thënë se: „Sa herë që serbët bëjnë demonstratë, ata marrin leje dhe kurrë nuk ndodhë as një ekses“!!! Sa me simpati zoti Elshani paraqiti „kulturën e lartë“ të demonstruesve serbë dhe në të njëjtën kohë, gjithnjë duke aluduar në„vandalizmin e ultë“ të demonstruesve shqiptarë! E qartë, unë i kuptoj nostalgjitë e dikujt për pushtuesin (që nuk mund t‘i mbulojnë edhe pas 8 vitesh), por nuk i kuptoj, përse mundohen të gënjejnë hapur, kaq hapur popullin tonë?!!! Zoti Elshani, këtë nuk na e hedh dot. Serbët asnjëherë nuk i kanë marrë leje policisë suaj e as të UNMIK-ut për të demonstruar, ata kanë demonstruar kur kanë dashur dhe ku kanë dashur, madje demonstruesit e kulturuar e paqësor Serb kanë djegur me zjarr (vetëm ca vite më parë) katër makina të UNMIKU-t, si dhe njëri nga demonstruesit serbët ka hedhur edhe bombë mbi policinë e UNMIKU-t, ku janë plagosur mbi 10 policë të kontingjentit polak. Autori i demokracisë bombahedhëse, sot është lider i serbëve matanë Ibrit, si duket për meritat e tij në bombëhedhje- UNMIK-u! e ka lejuar që të avancohet edhe më shumë në nivel të përgjegjësisë politike! Prandaj do ta pyesja zotin Elshani: Pse po shtireni kaq naivi e nuk po keni guximin e moralin ta thoni të vërtetën?! Juve si pjesëtar i SHPK-së, po ju zunë matanë Ibrit serbët e kulturuar që nuk ushtrojnë dhunë: Do të ju rrahin me dajak deri sa të lodhen, dhe më në fund- do t’ju kthejnë në brekë të shkurtra këtej Ibrit. Ju ende nuk guxoni ta shkelni as edhe një pëllëmbë tokë matanë urës së Ibrit, po që se nuk ju merr policia e huaj me norë! SHPK, guxon të tregojë dhëmbët vetëm kur janë në pyetje demonstruesit e rinj e duarthatë shqiptarë, por jo edhe për të tjerët!
Ismail Qemali ka vdekur dhe sot nuk ka kush të thotë më- siç pati thënë ai dikur: "Kush ka ende gjak shqiptari lë të bashkohet me ne që ta shpallim pavarësinë!"...Gojët e liga të SHPK-së thanë: ajo ka qenë vetëm në film!...
Dhe në fund, dy fjalë edhe për qëndrimet e zotit BUZHALA si përfaqësues i medieve të shkruara- nëse nuk gabohem! Edhe më herët me disa shkrime e qëndrime na ka bërë shumë kurioz ky çunak, sepse në këtë botë ka ardhur shumë vonë për të mësuar zanatin në shkollat titiste. Kishte qenë i pafat për „vonesën“ (mbase kjo nuk ka qenë edhe në dorën e tij) pa e arritur Titon e gjallë dhe të ecte përkrah, ose përpara Azem Vllasit e të tjerëve. Nuk dyshoj fare se do bëhej "Titov Omlladinac" i mirë dhe ndoshta, do ta barte edhe stafetën e tij deri në ish hallën e sportit 25 Maji! Megjithatë është vonuar për tjera gjëra si këto, por është i pa vonuar që të bëhet "Omladinac" i mirë i dikujt tjetër?! Për qëndrimin e tij dhe gjuhën e urrejtjes, jo mediet tjera por edhe vetë Express-i duhet të distancohet nëse do të ruajë epitetin e medieve të pavarura.
Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, zoti YMERI, nuk ishte në nivelin e prezantimit të rinisë që demonstroi kërkesat e tyre më 10 shkurt. Nëse ai na ka bindur me fuqinë e tij prej aktivisti të denjë të Vetëvendosjes, nuk e bëri këtë me paraqitjen e tij tepër të brishtë në emision. Deri në një shkallë unë dhe publiku mund ta kuptojmë, ngase ishe ulur në mes të të gjithë atyre njerëzve të cilët vetëm dinë të sulmojnë- siç bënë edhe në rrugë para disa ditësh. Prandaj, një këshillë: më duket se ekrani nuk ishte për ju nëse doni të mos zhgënjeni përkrahësit e Vetëvendosjes zoti Ymeri.
Është e nevojshme, madje imediate që populli të mendojë shumë mirë (nëse nuk ka mundësi tjetër), që me institucionin e votës përfundimisht të ju tregojë vendin të gjithë juve që po thirreni në emrin dhe në votën e popullit, të cilën votë e keni keqpërdorur deri në skajshmëri. Pikërisht mbi votën tuaj o popull, pikërisht në emrin tënd o popull, pikërisht me djersen dhe gjakun tuaj o popull këta përfaqësues janë duke abuzuar rëndë, janë duke e zhgërryer jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e Kosovës. Mos luaj herën tjetër me institucionin e votës suaj më o populli im!