UCK-ja dhe Cinizmi i politikës
Parahyrje Historinë e « luanëve » të Vlorës në mars 1997, e shkruajtën dhe vazhdojnë ta shkruajnë « gjahtarët » e politikës shqiptare në Tiranë. Ndërsa historinë e « luanëve » të Drenicës, Junikut, Malishevës, Rahovecit etj, akoma nuk dihet se kush do ta shkruajë. Le të shpresojmë se « luanët » këtë radhë do ta shkruajnë vetë historinë dhe nuk do të lënë « gjahtarët » e politikës në Prishtinë, ta shkruajnë historinë e « luanëve » sipas interesave të tyre Autori Hyrje Masakra dhe përfitimet politike Mars 1998 Masakra në Kosovë u bë. Nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit u masakruan njerëz të pafajshëm. Pyetja shtrohet : Kush do përfitojë nga këto ngjarje ? Së pari : A do të përfitojë Milosheviçi dhe klani i tij shovinist ? Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare drejtuar atij për të rivendosur qetësinë, do të thotë që dhe dialogu që mund të fillojë nesër, të jetë dialog pas provës së forcës. Milosheviçi arriti ta bindë bashkësinë ndërkombëtare se në Kosovë veprojnë « terroristët » shqiptarë. Deklarata e Amerikës ku denohej Ushtria çlirimtare e Kosovës, është fitore e Milosheviçit. Së dyti : A do të përfitojnë politikanët shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë ? Dhe ata do të fillojnë të mburren dhe do të thonë se « përpjekjet tona e bindën bashkësinë ndërkombëtare ta detyronte Milosheviçin të pushonte masakrën dhe të fillonte bisedimet me politikanët shqiptarë », « ne shmangëm luftën, shmangëm pastrimin etnik ». Masakra do të shërbejë dhe për politikanët shqiptarë të ngjyrave dhe klaneve të ndryshme të forcojnë pozitat e tyre. Pas mbledhjes së grupit të Kontaktit dhe deklaratës së tij, politikanët shqiptarë shpejtuan të nxjerrin në pah aftësitë e tyre. Së treti : Ndoshta do të fitojnë dhe duhet të fitojnë forcat patriotike në Kosovë. Ushtria Clirimtare e Kosovës, e papërfillur deri tani i ka të gjitha shanset, ta kapë dhe ta shfrytëzojë këtë zgjim të ndërgjegjes popullore, për të dhënë hov dhe shkas një kryengritje gjithnjë e me një bazë shumë të gjërë popullore. Adem Jashari dhe shokët e tij me luftën dhe qëndresën e tyre heroike, folën shumë. Ata treguan se në Kosovë ka filluar të fryjë era e lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Realisht Miloshevi4i deshi të jepte një mësim patriotëve shqiptarë. Por këtë nuk e arriti dot prandaj dhe bëri një masakër. Megjithatë koha do të tregojë se kush do ta marrë inisiativën në dorë. Kapitulli i parë Pse shpërtheu kryengritja në Kosovë ? Ka më shumë se katër muaj që lufta në Kosovë ka marrë formën e një kryengritje popullore. Interesimi rreth saj është shumë i madh. Eshtë i tillë, brënda Kosovës, brënda Shqipërisë, por është i tillë dhe në mesin e politikës dhe diplomacisë europiane dhe botërore. Ecejaket e diplomacisë europiane dhe botërore, brënda harkut kohor Mars 1998-Gusht 1998, janë të panumurta si për nga sasia e diplomatëve dhe politikanëve ashtu dhe për nga rangu i tyre i lartë. Majfton të përmëndim për këtë pritjen që Presidenti amerikan Klinton i bëri Ibrahim Rugovës dhe vizitën e « rastësishme » të diplomatit të madh Holbruk me disa nga përfaqësuesit e UCK-së. Ky interesim që është i gjithanshëm, ka brënda futjen e kryengritjes së Kosovës, brënda kornizave të « lejuara » ose vënien nën kontroll të saj. Por ka dhe pohimin « pse shpërtheu kjo kryengritje ». Studimi dhe analiza e deklarimeve të politikanëve dhe analistëve shqiptarë dhe të huaj mbi shkaqet e shpërthimit të kryengritjes në Kosovë, të çon në konkluzionin se pas këtyre deklarimeve dhe aanlizave, qëndrojnë dhe fshihen interesat politike të kësaj apo asaj fuqie politike, të kësaj apo asaj partie politike në Tiranë apo Prishtinë. Një pjesë thonë se lufta në Kosovë shpërtheu si refleks i masakrës që bënë trupat sërbe në Drenicë, pra ajo ka karakter « vetëmbrojtës dhe spontan ». Një pjesë tjetër thonë se kryengritja ishte e « parakohshme, e dëmshme », pasi po shkakton shumë viktima. Disa të tjerë kryengritjen e paraqesin si shpërthim të « ndjenjave të çastit » të një grupi njerëzish që tani nuk dinë se çfarë të bëjnë me të, pra nuk kanë horizont politik. Disa të tjerë në prapavijë të saj shikojnë interesat e kësaj apo asaj fuqie të madhe europiane apo botërore. Megjithatë kryengritja në Kosovë, ka disa nga elementët e mësipërm, por ato nuk janë shkaqet e saj, por në disa raste aparenca që fsheh shkaqet e vërteta. Kryengritja në Kosovë ka shkaqet e saj të brëndshme, ashtu siç ka dhe thelbin e saj. Shpërthimi i saj nuk ishte i rastësishëm. Kryengritja në Kosovë pritej. Për mendjet e ftohta dhe jashtë interesave politike, kryengritja e Marsit 1998 e filluar në Drenicë dhe e përhapur në mbarë Kosovën, ishte dhe mbetet një rrjedhim llogjik i zhvillimit të ngjarjeve në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, i pozitës në të cilën u ndodhën shqiptarët gjatë kësaj periudhe, i raporteve të tyre me politikën dhe diplomacinë europiane dhe botërore. Shqiptarët nuk e deshën luftën. Ata janë një popull paqësor. Por lufta atyre ju imponua. Midis skllavërisë mesjetare dhe luftës, ata zgjodhën luftën, midis poshtërimit kombëtar dhe sakrificave që kërkon një kryengritje, ata zgjodhen sakrificat, midis konceptit « banor » dhe konceptit « popull », ata zgjodhën këtë të fundit. Analiza e mëposhtme i jep përgjigje më të plotë pohimit : « pse shpërtheu kryengritja » ? Retrospektivë Patriotizmi dhe shqiptarët Zvicër 1996 Me të drejtë shtrohet pyetja: Pse nuk ka sot patriotizëm real tek shqiptarët, me se është zëvëndësuar ai? Në pamjen e parë atdhetarizmi i sotëm tek shqiptarët kërkon të paraqitet si përkrahës dhe shprehës i atdhetarizmit te vertete. Por në fakt ai nuk është i tillë, por vetëm një fasadë, një maskë mashtruese. Tiparet e tij sot janë: Nga njëra anë është patriotizëm politik dhe ideologjik. Thelbi i tij është lufta dhe debati teorik se cila ngjyrë politike dhe ideologjike është bartëse e atdhetarizmit, cilat shtresa të popullsisë janë bartëse të atdhetarizmit. Vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, vetëm në intervistat e mjaft politikanëve shqiptarë, mund të konstatosh paradokse të tilla, si « patriotizëm demokratist », « patriotizëm ballist », patriotizëm lëdëkist », « patriotizëm socialist » etj. Nga ana tjetër është patriotizmi i programeve partiake. Parti të ndryshme me thelb të patriotizmit kuptojnë nocionin e tyre mbi atdhedashurine, ndersa patriotizmin tradicional e quajnë të ezauruar. Disa te tjera kerkojne vetem diçka abuzive, qe lidhet me venien e emrit të partisë, që të tingëllojë nacionaliste, ose përfshirjen e ndonje angazhimi kombetar në programet partiake. Po të ngelej vetëm me kaq do të ishte gjysma e së keqes. Por ata ngulin këmbë se vetëm patriotizmi i partisë së tyre është real, ndërsa i partive të tjera, ato në shumë raste dalin disa « progreke » disa « prosërbe » etj dhe anasjelltas. Një veçori tjetër e patriotizmit të sotëm është karakteri paqësor dhe kozmopolit i tij. Vetëm tek shqiptarët dhe politikanët e tyre, mund të gjesh shpikje të tilla që, ndërsa e quan veten patriot, kërkon dhe i mbështet shpresat tek të huajt për t'ia zgjidhur problemet që ka. Shëmbulli më tipik janë shumica e politikanëve në Prishtinë, që ndërsa e heqin vehten « patriotë », kërkojnë që Evropa dhe Amerika tua sjellë lirinë. Dhe veçoria e fundit e patriotizmit të sotëm të shqiptarëve është se ai është patriotizëm gojor, vetëm për në gazetë, për në konferencë shtypi apo intervistë dhe kaq. Me dhjetra politikanë në Prishtinë apo në Tiranë, shfaqen me dy fytyra. Brënda deklaratave, konferencave të shtypit, intervistave televizive të shfaqen si « patriotët më të mëdhenj, ndërsa në veprimtarinë praktike apo në mardhëniet me të huajt shfaqen si « qytetarë të botës » që kanë bërë moto të jetesës sentencën se « atdheu është atje ku jetohet më mirë » Atdhetarizmi i sotëm i shqiptarëve është karikatura e atdhetarizmit real. Kjo është e kuptueshme. Në një vend që klasa politike e tij ka si mënyrë jetese kozmopolitizmin, nuk ka vend dhe terren patriotizmi, ata përjashtojnë njeri-tjetrin, janë të kundërtat e njëri-tjetrit. E sotmja në kombin shqiptar i takon kozmopolitizmit, ndërsa e nesërmja do t'i takojë atdhetarizmit, i cili do të jetë sa i drejtë, po aq dhe i domosdoshëm. Fillimi i shekullit të ardhshëm klasën e re politike shqiptare do ta nxjerrë në skenë fare hapur dhe shumë të organizuar. Këtë nuk mund ta pengojë kurrkush, as partitë politike shqiptare, as komuniteti evropian, as kozmopolitizmi. Në të kundërtën, me qendrimin e tanishëm ata vetë po e përgatisin, po e ndihmojnë dhe po e përshpejtojnë rilindjen e tij dhe të klasës politike që do te jetë realizuesja e tij në praktikë. Le ta zgjerojmë këtë ide, për ta bërë më të qartë dhe më të saktë pohimin e mësipërm. Cilët janë ata faktorë që po e përgatisin sot dhe do ta përgatisin më shumë nesër klasën e re atdhetare shqiptare, cilët janë ata faktorë që nesër patriotizmin do ta nxjerrin në rendin e ditës si një imperativ dhe domosdoshmëri në të gjithë spektrin e kombit shqiptar. Zhgënjimi i shqiptarëve. Eshtë një fakt i njohur se në fillimet e viteve '90-të shqiptarët besuan shumë në gjithë atë propagandë që u bë mbi ata, që nga Saranda deri në Presheve. Atyre iu tha se, me përmbysjen e komunizmit, Shqipëria do te lulëzojë: politikisht, ekonomikisht dhe shpirtërisht; se njerzit e saj do te punojnë në vende të ndryshme të Evropës; se ata do te jenë të lirë të qarkullojnë ku të duan pa vështirësi. Dhe shqiptarët në Shqipëri e besuan plotësisht një propagandë të tillë dhe bënë ashtu siç tha Evropa. Shqiptarëve në Kosovë iu bë po e njëjta propagandë intensive, po me një paketë tjetër premtimesh më të kamufluara dhe më makiaveliste. Atyre iu rekomandua të bënin një rezistencë paqësore ndaj pushtimit serb, të mos rezistonin me mjete dhune, pasi komuniteti ndërkombëtar dhe epoka demokratike nuk do t'i linte pa shpërblyer. Klasa politike shqiptare e krijuar shpejt e shpejt në Prishtinë me anë kombinacionesh politike, (Mehmet Kraja në librin e tij « Vite të Humbura » e paraqet qartë këtë kombinacion), pra kjo klasë politike, që formalisht mori përsipër zgjidhjen e problemit të Kosovës, në praktikë bëri veprimin e kundërt. Ajo veprimtarinë e saj « çuditërisht » nuk e drejtoi kundër Beogradit « shovinist », por kundër Tiranës « komuniste ». Në Beograd kjo klasë politike e drejtuar nga Ibrahim Rugova, vetëm sa regjistroi emrat e partive në regjistrin e Ministrisë së Drejtësisë Serbe. Pas kësaj, ajo « zbarkoi » tërësisht në Tiranë për të « përmbysur komunizmin », që në fakt rezultoi me shkatërrimin e Shqipërisë. Eshtë kjo një ndër enigmat më të mëdha të periudhës 1991-1992, e cila ka nevojë të zbardhet në të ardhmen. Ndërsa mbi shqiptarët e Kosovës, u eksperimentua se deri kur mund të durojë njeriu. Dhe shqiptarët në Kosovë të gjitha i duruan. Duruan aq shumë sa për dekada të tëra nuk kishin duruar. Thënë në mënyrë figurative, ata e lanë fatin e tyre në « besë » të fuqive të mëdha europiane dhe botërore. Në emër të besës ata bënë çdo gjë që thanë fuqitë e mëdha të Evropës dhe botës. Në një kohë që duhet të vepronin me politikë dhe llogari, shqiptarët vepruan me kanun. Por harruan një gjë. Bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh kanunin, institucionin e besës, ajo njeh llogaritë dhe interesat e ndërsjellta, aleancat e vjetra dhe të reja. Prandaj, mbi këtë bazë, po u jep dhe do t'u japë shqiptarëve aq sa i dalin asaj llogaritë, aq sa nuk preken interesat e të tjerëve. Eshtë pikërisht ky qëndrim i bashkësise evropiane dhe botërore që në fundin e viteve 95-së ka filluar të shoqërohet me një zhgënjim të madh të shqiptarëve të Kosovës ndaj atyre tek të cilët lanë në dorë fatin e tyre. Por institucioni i besës tek shqiptaret historikisht nuk e ka perjashtuar edhe aktin e besëprerjes. Shqiptari e di se ka bese dhe pabesi. Ai nuk eshte aq naiv sa te mendoje se te gjithe jane te beses, sidomos ne kete kohe te lirise se mendimit dhe te fjales, ne kete kohe te shperdorimit te zotimeve. Shqiptaret priten shume nga zgjedhja e presidentit demokrat Klinton. Ata u pergatiten shume edhe per "sukseset" qe do te garantoje zgjedhja e Bob Dolit. Mirepo tani ata nuk mund te mos zhgenjehen kur shohin se shpresa e tyre ne SHBA u shemb ende pa iu ngritur lart kandidatura. Revolta e të zhgënjyerit është shumë e madhe, është shumë e egër. Bashkësia ndërkombëtare akoma nuk e ka njohur këtë. Miliona njerëz që vepruan ashtu siç u tha bashkësia ndëkombëtare, që përmbysën komunizmin në Shqipëri dhe e pritën Xhejms Bejkerin si perëndi, tani shikojnë se kjo nuk ishte veçse një mashtrim i madh. Miliona njerëz që kishin provuar për dekada dhunën dhe shtypjen titiste, apo shovinizmin sërb pranuan këshillat e bashkësisë boterore për të qëndruar urtë dhe duruan dhe ato që nuk durohen. Por tani e shikojnë se ky është një mashtrim kolosal, një shaka tragjike mbi kurrizin e tyre. Një komb i mashtruar dhe i zhgënjyer. Por varfëria dhe përçarja, sot nuk lejojnë që zhgënjimi i tyre të shfaqet me tërë forcën, prandaj ai është spontan dhe i çorganizuar, është individual. Eshtë i tillë sot, por nuk do të jetë nesër. Januz Bugajski, ekspert i studimeve strategjike amerikane, nuk gabon kur thotë se ne « parashikojmë se në Shqipëri do te lindë një patriotizëm shumë i egër ». Zhgënjimi i viteve 1991-1996, është premisa e tij e parë. Kjo është e vërtetë. Do të ketë apo jo forca politike të cilat do të dinë që këtë zhgënjim ta kanalizojnë siç duhet, apo ai do të shpërthejë në formë anarkie dhe kaosi, kjo nuk dihet. Një gjë dihet saktë ; ardhmja në kombin shqiptar i takon patriotizmit. Përbuzja dhe përçmimi Vitet 1990-1995, kanë qënë njëkohësisht dhe vitet kur shqiptarët kanë ndjerë në kurriz shume përbuzje dhe përçmim nga të huajt. Këtë nuk e mbulojnë dot vizitat e politikanëve dhe shtetarëve në vënde të ndryshme, as fjalët e bukura të rregulluara nga komentatorët e televizionit shqiptar. Atë që njeriu e përjeton në kurriz, nuk ka nevojë t'ia mbushë mendjen dikush për të kundërtën. Ata qindra e mijëra shqiptarë që punojnë në Greqi, këtë përbuzje dhe përçmim e shikojnë përditë jo vetëm kur kthehen nga policia të rrahur dhe masakruar, por dhe kur punojnë të pambrojtur nga asnjë ligj. Shqiptarët janë të vetmit që, megjithese në Greqi janë me qindra e mijëra, nuk i mbron asnjë ligj. Qindra dhe mijëra azilantë te tjere shqiptare nga Kosova, që dhuna serbe i hodhi në Perëndim, e ndiejnë në kurrizin e tyre përbuzjen dhe përçmmin, teksa e ngrysin jetën kampeve si endacakë dhe jetimë, apo bëhen pre e drogës dhe veseve të tjera. Qindra e mijëra shqiptarë në Kosovë që përbuzen, përçmohen dhe përdhunohen çdo ditë nga policët serbe janë një dëshmi tjeter e mjerimit të sotëm shpirtëror të shqiptarëve. Përbuzja ndaj tyre është e gjithanshme dhe në çdo segment të jetës. Ajo nuk kursen as klasën politike të shqiptarëve. Kur detyrohesh të rrish gatitu, megjithese je deputet apo kryetar partie, qofte edhe para një polici serb; kur detyrohesh të presësh dhe t'i bësh ndere një nëpunësi të thjeshtë ambasade, duke mbushur faqet e shtypit për këtë vizitë; kur detyrohesh t’i justifikosh politikanët e huaj që nuk të përfillin, për të mos e kuptuar populli, nuk ka pozitë më të ulët dhe më përbuzëse për politikanin shqiptar në Prishtinë. Kur e ndien se emri « shqiptar » në marredhëniet dhe raportet me të huajt të vë në pozitë të pabarabartë dhe inferiore, kur emisionet televizive për shqiptarët gjithmonë fillojnë me një xhami dhe mbarojnë me disa pleq të rreckosur, atëhere e kupton se je i rrethuar nga përbuzja dhe përçmimi i të tjerëve. Këte realitet shqiptarët sot e ndiejnë me tërë forcën e tyre. Askush, me pak përjashtime, askush me përjashtim të klasës politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk pajtohet me këtë përbuzje dhe përçmim. Por sot mospajtimi,inati, sedra është brenda njeriut, brenda vetes, brenda ndërgjegjes. Ajo sot është vetëm një ofshamë. Por ofshama e së sotmes, megjithatë, është paralajmërim i gjëmimit të së nesërmes. Dhe ky gjëmim do të ndihet shumë në Shqipëri, do të ndihet shumë në Kosovë. Shovinizmi « demokratik » Shqiptarët sot u janë nënshtruar dy lloj shovinizmash, shovinizmit fetar dhe shovinizmit politik. Shovinizmin politik e ndjejnë më shumë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit shqiptar. Kur shqiptarët në Kosovë i nënshtrohen një shtypje të egër, kur ata realisht nuk kanë asnjë të drejtë politike, kjo nuk është gjë tjetër veçse shovinizëm. Kur ata shikojnë se si hiqen monumentet e heronjve të tyre, në tokën e tyre, dhe vendosen figurat historike te pushtuesit, ky nuk është gjë tjetër veçse shovinizëm politik. Kur ata degjojnë parullat makabre "Vdekje shqiptarëve" dhe askush nga shteti "demokratik" maqedonas nuk shqetësohet, ky nuk është gjë tjetër veçse shovinizëm shtetëror. Ndërsa, kur mbi shqiptarët që duan dritën e kulturës dhe diturisë dhe hapin universitetin bien plumbat dhe shkopinjtë, përsëri "të shtetit demokratik", kjo është më tepër se shovinizëm, është inkuizicionizëm. Të zhvillosh mësimin e gjuhës shqipe nëpër shtëpi private, në fund të shekullit të 20-të, siç po ndodh në Kosovë, sepse shovinizmi serb ka okupuar objektet shtetërore, kjo është më tepër se shovinizëm, kjo është barbari mesjetare. Shovinizmit politik, të serbëve, maqedonëve dhe malazezeve, u shtohet dhe shovinizmi fetar. Por me një ndryshim. Ky shovinizëm prek dhe atakon gjithë hapesirën e kombit shqiptar. Përçues dhe përhapës të këtij shovinizmi janë mediat dhe stacionet televizive të Evropës. Shqetësimi i tyre kryesor kur flasin për shqiptarët nuk janë problemet që ata kanë si gjithë popujt e tjerë, nuk është lashtësia dhe kultura e tyre materiale dhe shpirtërore, por përqindja e religjioneve fetare. Prandaj, në shumicën e rasteve, artikujt apo emisionet fillojnë me të dhënën: « shqiptarët janë një popull ku shumica është muslimane ». Dhe pas këtij "zbulimi", flitet për kulturën, traditat, lashtësinë. Ky shovinizëm fetar që ushtrohet mbi shqiptarët e quan normale dhe civilizuese ndërrimin e fesë nga muslimanë në të krishterë, ndërrimin e emrave nga muslimanë në të krishterë, që ndodhin sot në Shqipëri, për arsye ekonomike, për të gjetur dhe siguruar një punë në Greqi, që të mbajnë gjallë me bukë familjen. Por dhe kjo është barbarizëm dhe jo civilizim. Të përdorësh kërcënimin e urisë si mjet për të ndryshuar fenë apo emrin, është përsëri me tepër se shovinizëm, është inkuizicionizëm. Faktorët e mësipërm janë ai bazament mbi të cilin nesër do të ngrihet patriotizmi i shqiptarëve. Do të ketë ky patriotizëm si thelb të tij vetëm revoltat popullore, apo do të shpërthejë në formën e kryengritjes, këtë nuk mund ta parashikojmë dot. Por një gjë mund ta parashikojmë me saktësi : Ai do të jetë i drejtë dhe plotësisht i justifikueshëm. Patriotizmi që zhgënjimin e sotëm do ta kthejë në realizëm, patriotizmi që përbuzjen dhe përçmimin e sotëm do ta kthejë në dinjitet, patriotizmi që shovinizmin e sotëm do ta kthejë në marredhënie partneriteti, pra, ky lloj patriotizmi nuk është nacionalizëm, por është demokraci reale. Shqiptarët, që sot janë vetëm bashkëkohës fizikë dhe realë të Evropës, nesër do të jenë dhe bashkëkohës historikë të saj. Ku filloi kryengritja ? Kryengritja filloi në Drenicë në Mars 1998. Shovinizmi serb gjykoi se ishte momenti që popullit shqiptar në Kosovë e në mbarë kombin shqiptar t’i jepte një mësim. Por nuk e realizoi dot, prandaj bëri një masakër. Pushtuesit gjithmonë bëjnë masakra. Për herë të parë kombi shqiptar u ngrit masivisht në mbrojtje të dinjitetit të tij kombëtar. U ngrit në Kosovë ku përballë kishte një makinë të egër shtetërore sërbe dhe një klasë politike shqiptare të përçarë dhe servile. U ngrit në Shqipëri ku përballë kishte një varfëri totale, një luftë të egër politike, një shtet që më shumë ekziston në letër se në realitet. Megjithatë u ngrit. Sot kryengritja popullore në Kosovë, është një realitet.
Pushka dhe politika Në Kosovë ka më shumë se katër muaj që po zhvillohet luftë çlirimtare. Nga njëra anë është pushtuesi sërb, ndërsa nga ana tjetër organizmi i ri ushtarako politik (Ushtria çlirimtare e Kosovës). Rritja dhe forcimi i këtij organizmi është tepër i shpejtë dhe befasues për politikën shqiptare si dhe për politikën euroamerikane. Ajo lindi në fillimet e vitit 1994, por pakkush ja vuri veshin, ndërsa askush nuk mori mundimin ta analizojë. Pjesa më e madhe e politikës shqiptare në Prishtinë fliste për « njerëz të frustruar », për « dorën e zgjatur të sigurimit sërb », për nevojën « e ndihmës së Interpolit » etj.Përjashtim bëri vetëm organizata Lëvizja popullore e Kosovës dhe gazeta e saj « Zëri i Kosovës », të cilët e mbështetën dhe e propaganduan qysh në fillimet e saj. Ndërsa pas Marsit 1998, situata ndryshoi rrënjësisht. E shprehur në mënyrë figurative mund të thuhet se politika në Kosovë ka ngelur shumë prapa « kallashnikovit » të UCK-së. Nevoja urgjente që politika të arrijë « kallashnikovin » UCK-ja ka vënë në lëvizje të gjithë, brënda Kosovës dhe jashtë Kosovës, brënda Shqipërisë dhe jashtë Shqipërisë. Befasia e çasteve të para u zëvëndësua nga analizat interesat dhe llogaritë politike. Frut i kësaj ishte mospranimi i propagandës sërbe mbi karakterin e saj terrorist dhe theksimi i karakterit të saj çlirimtar dhe vetëmbrojtës. Synimi është që ajo të vihet nën ombrellë politike. Lufta çlirimtare ka nevojë për politikë. Jashtë politikës, nuk mund të ketë asnjëherë luftë çlirimtare. Problemi shtrohet për çfarë politike ka nevojë lufta çlirimtare që po zhvillohet në Kosovë ?: 1-Për politikë që duke shfrytëzuar luftën dhe gjakun e të vrarëve të marrë flamurin e atdhetarizmit dhe të dalë në krye ? Këtë e shikojmë në përpjekjet e Rugovës dhe grupit të tij. Politika e Rugovës dhe grupit të tij, e cila pati sukses në vitet 1992-1995, tashmë ka dështuar plotësisht. Kushdo, edhe idhtarët më të mëdhenj të tij, tashmë e kanë kuptuar se politika e durimit dhe e rezistencës pasive, është e barabartë me asimilimin si popull. Lufta çlirimtare nuk ka nevojë për këtë politikë. 2-Për politikë që duke bërë kompromis politik dhe duke shfrytëzuar të kaluarën, të synojë të dalë si zëri politik i UCK-së siç po vepron grupi i Hydajet Hysenit dhe Adem Demaçit ? Këtë e shikojmë në përpjekjet e Lëvizjes Demokratike Shqiptare dhe të Partisë Parlamentare të Kosovës. Demaçi është autori i një sërë propozimesh politike që nga teza e tij mbi « vëllezrit » serbë deri tek projekti i Ballkanisë. Ndërsa Hydajet Hyseni, për gati 5 vjet bëri pjesë në Lidhjen Demokratike të Kosovës si nënkryetar i saj, dhe punoi për realizimin e vijës politike të durimit. Shkëputja e tij nga Rugova në fillim të vitit 1998, më tepër se një lëvizje politike në interes të popullit, ishte një veprim dëshpërues i një njeriu të zhgënjyer. Por lufta çlirimtare nuk ka nevojë për politikë që mbështetet mbi zhgënjimin. 3-Për politikë si ajo që u aplikua vitin e kaluar në Shqipëri, ku partitë politike të opozitës korrën frytet e kryengritjes dhe pas kësaj kryengritësit u etiketuan si « banditë » apo « kriminelë » ? Këtë e shikojmë në përpjekjet e qeverisë shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, në fillim të muajit Korrik 1998, sugjeroi që dhe në Kosovë, të aplikohej përvoja e partive politike në Shqipëri gjatë muajit mars-qershor 1997. Domethënë, që partitë politike në Prishtinë të marrin në dorë arritjet e deri tanishme të kryengritjes popullore në Kosovë, ashtu siç bëri partia socialiste dhe aleatët e saj në Tiranë. Dhe pasi të bëjnë këtë, pra pasi të marrin pushtetin atëhere, pjestarët e UCK-së, të konsiderohen « banditë dhe rebelë », të futen përsëri burgjeve apo të vazhdojnë të kërkojnë strehim politik në vëndet e Perëndimit. Edhe kjo është një përvojë politike, por është një përvojë politike e papranueshme dhe e gabuar. Frut i kësaj politike që Nano ja rekomandon forcave politike në Kosovë, janë mijrat e të vrarëve pas 9 Marsit 1997 dhe etiketimet « banditë dhe rebelë » ndaj atyre që sollën në pushtet qeverinë aktuale shqiptare. Mos pranimi i tezës së Nanos nga ana e UCK-së, bëhet i dukshëm po të analizojmë një fakt. Pas kompromisit të bërë më 9 Mars 1997, në Shqipëri, kryengritësit shqiptarë nuk u pranuan palë në bisedime, megjithse kompromisi ishte rezultat i kryengritjes së tyre. Të aplikosh këtë përvojë siç sugjeron Nano, do të thotë që UCK-ja të mos jetë palë në bisedime për të ardhmen e Kosovës. Aplikimi i kësaj politike do të thotë që kryengritja në Kosovë të ngelet në mes të rrugës, do të thotë që frytet e kryengritjes t’i gëzojnë ata që nuk « hodhën » asnjë pushkë, do të thotë që nesër historinë e « luanëve të luftës » ta shkruajnë « gjuetarët e politikës ». Të gjitha këto lloj politikash janë në interes të atyre që i propagandojnë, por nuk janë plotësisht në interes të luftës çlirimtare. Kush më shumë apo kush më pak, ato duan ta lënë në mes luftën çlirimtare dhe qëllimin e saj final. Synimi i këtyre politikave është që të marrin në dorë udhëheqjen e luftës çlirimtare për ta manipuluar pastaj atë. Cila është specifika e këtyre lloj politikave ? -Ato kanë mbështetjen e politikës ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare pasi u njoh me thelbin e kryengritjes popullore në Kosovë, kërkon me çdo kusht ta shuajë dhe në pamundësi të kësaj, ta neutralizojë dhe manipulojë atë. Ndihmësit më të afërm të saj janë forcat politike shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, prandaj ato u kanë dhënë dhe vazhdojnë tu japin mbështetje politike dhe propagandistike këtyre forcave. Mbështetja që po i jepet Rugovës, Nanos, apo të tjerëve dëshmon për një gjë të tillë. -Ato kanë të ngritura strukturat politike dhe propagandistike. Partitë politike në Kosovë, kanë një përvojë të gjatë politike dhe propagandistike. Për më tepër Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dhe përvojën propagandistike dhe organizative të ish-Lidhjes Komuniste të Kosovës. Drejtuesit dhe kuadrot e UCK-së, në shumicën e rasteve, nuk e kanë një përvojë të tillë. Atyre u duhet të zgjidhin njëkohësisht shumë gjëra, që nga lufta kundër pushtuesit deri tek aftësimi ushtarak, organizativ dhe propagandistik. -Qëllimin e tyre, këto lloj politikash e mbështesin në gjoja nevojën për të mos « i lejuar djemtë e Kosovës të hynë në aventurë ». Rrallë herë në histori, qëllimi i vërtetë politik ka dalë hapur. Kjo është e vërtetë si tek partitë e djathta ashtu dhe tek partitë e majta. Kështu po veprojnë dhe partitë politike në Kosovë. Askush prej tyre nuk e pranon cinizmin në politikë, nuk thotë se qëllimin e ka në shfrytëzimin e luftës dhe gjakut të të vrarëve për të qënë lidërshipi në bisedimet me Serbinë dhe më vonë lidërshipi i organizimit shtetëror dhe pushtetor në Kosovë. Në të kundërtën, propaganda e tyre ka marrë pozat e patriotizmit dhe keqardhjes për shkatërrimet, vrasjet apo raprezaljet në Kosovë. Si mund të përballohet kjo situatë ? Del nevojë urgjente që UCK-ja të legalizojë krahun e saj politik dhe njerzit e këtij krahu. Kërkesa që i vazhdon t’i bëhet UCK-së nga bashkësia ndërkombëtare, lidhur me këtë çështje dhe vetë nevoja e realitetit kosovar e shtrojnë me përparësi dhe urgjencë këtë çështje. Aktualisht, në fazën e tanishme të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë, ajo është bërë domosdoshmëri. Pse lind një nevojë e tillë urgjente ? Populli dhe opinioni publik ka nevojë të njohë udhëheqsit e tij realë, ata që kanë dalë nga lufta dhe jo ata që kanë dalë dhe vazhdojnë nga kombinacionet politike të kulisave. Thuhet me të drejtë në opinionin politik dhe propagandistik se Rugava, Demaçi apo Bukoshi e kanë humbur shumë kredibilitetin e tyre. Por përsëri po me kaq të drejtë thuhet se Rugova, Demaçi, Bukoshi etj, nuk mund të çvleftësohen plotësisht vetëm me pseudonime komandantësh, as me dy emra zëdhënësish, njëri nga të cilët në Kosovë dhe tjetri në Zvicër. Momenti është i tillë që puna e nisur të çohet deri në fund. Politika e UCK-së, tani duhet t’i paraprijë « kallashnikovit » të UCK-së, me qëllim që ai të vazhdojë të qëllojë gjithmonë në shënjë, me qëllim që ai të mos bjerë në anarki e kaos, as në ekstremizëm dhe as në manipulim politik. Nëqoftëse nuk do të bëhet një gjë e tillë, pra nëqoftëse nuk do të dalë dhe evidentohet krahu politik, atëhere herët apo vonë, do të ndodhë që « pushkën » e UCK-së, ta drejtojë, politika e Rugovës, Demaçit, Nanos, Berishës etj apo në rastin më të keq ta drejtojë anarkizmi dhe kaosi. Për drejtuesit aktualë të UCK-së, kjo është një kërkesë e kohës që do t’i shërbejë më shumë forcimit të rolit dhe autoritetit të saj, brënda dhe jashtë Kosovës. Dhe UCK-ja i ka të gjitha mundësitë ta bëjë një gjë të tillë. Ndër arsyet kryesore mund të përmëndim : 1-Ushtria Clirimtare e Kosovës, aktualisht ka shtabin e saj të përgjithshëm, i cili nga ana e tij ka drejtuesit e tij konkretë. 2-Ushtria Clirimtare e Kosovës kontrollon një pjesë të konsiderueshme të teritorit të Kosovës. Populli ka nevojë të shikojë se njerzit e UCK-së, ashtu siç dinë të luftojnë dinë dhe të ndërtojnë dhe drejtojnë, dinë të udhëheqin dhe të bëjnë politikë. 3-Krahu politik me njerëz konkretë, do t’i japë fund spekullimeve, insinuatave, aluzioneve, keqinterpretimeve që bëhen dhe vazhdojnë të bëhen nga elementë të ndryshëm të cilët duan të fitojnë kapital politik në kurriz të luftës së popullit. 4-UCK-ja duhet të bindë konkretisht bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht ato shtete që e simpatizojnë atë, veçanërisht Amerikën, se ashtu siç di të bëjë luftë për çlirimin e Kosovës, po aq mirë di të bëjë dhe politikë për çlirimin e Kosovës dhe më vonë për organizimin shtetëror të Kosovës. Institucionet kukulla dhe institucionet reale të Kosovës Përpara drejtuesve të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe simpatizantëve të saj në gjirin e partive politike të Kosovës, ka lindur nevoja urgjente i krijimit të institucioneve reale si shprehës reale të situatës së krijuar në Kosovë. -Klasa politike shqiptare në Prishtinë realisht dështoi para popullit të Kosovës. Por ajo nuk e pranon dështimin, prandaj përpiqet të riparojë me çfarë të mundet dhe si të mundet dështimin e saj. Në ndihmë të saj, në mënyrë të hapur dhe të fshehur, është vënë bashkësia ndërkombëtare, politika dhe diplomacia e saj. Por në ndihmë të saj në mënyrë të kamufluar është vënë dhe regjimi i Beogradit. Arsyet tashmë dihen. Për Beogradin, Rugova është shumë herë më i preferuar se sa UCK-ja. Refleks konkret dhe tregues i kësaj përkrahjeje dhe preference, është mbledhja e parlamentit të Kosovës dhe përpjekjet për krijimin e qeverisë në Kosovë. Realisht institucionet që përpiqet të ngrerë klasa politike në Prishtinë, janë artificiale. Të tilla ato kanë qënë qysh në fillim. Më shumë kanë shërbyer, Beogradit dhe Milosheviçit, për të thënë se « ja ne jemi pluralistë, ne i lejojmë shqiptarët të bëjnë referendume, të shpallin republikë, sepse ata i zbatojnë mirë ligjet tona ». Por ato mund të bëhen reale nëqoftëse Ushtria Clirimtare e Kosovës dhe drejtuesit e saj, nuk do të arrijnë të ngrënë institucionet që i duhen Kosovës dhe çështjes së Kosovës. Cili mund të ishte ky institucion ? 1-Aktualisht në gjirin e UCK-së, marrin pjesë dhe luftojnë përkrah njeri-tjerit njerëz të cilët deri dje kanë bërë pjesë në parti të ndryshme politike të Kosovës. Pra ata janë bashkuar në një organizëm pa marrë parasysh bindjet e tyre politike dhe qëndrimet e drejtuesve të partive të tyre. Ky është elementi i parë i institucionit real të nevojshëm për tu krijuar në Kosovë. 2-Në luftën e zhvilluar deri tani nga UCK-ja, kanë dalë në krye të njësiteve të saj si drejtues ushtarakë dhe organizatorë, njerëz që deri dje nuk njiheshin nga partitë politike dhe opinioni. Këta janë atdhetarët e vërtetë për të cilët kanë nevojë institucionet e Kosovës. Ata duhet të jenë në krye të këtyre institucioneve. Ky është elementi i dytë real i nevojshëm për krijimin e institucioneve reale të Kosovës. 3- Në gjirin e inteligjences së Kosovës, ka intelektualë të cilët jo tani po qysh në fillimet e krijimit të UCK-së e kanë mbështetur atë pa rezerva duke i dhënë përkrahje morale dhe propagandistike. Të njëjtën gjë ata e bëjnë dhe sot. Intelektualë të tillë duhet të bëjnë pjesë në drejtimin e institucionit real për të cilin ka nevojë Kosova. Ky është elementi i tretë i nevojshëm për krijimin e institucionit real të Kosovës 4-Populli shqiptar në Kosovë, me pjesmarrjen dhe përkrahjen masive ndaj UCK-së, realisht është shkëputur nga partitë politike, të cilave u kanë mbetur vetëm organet drejtuese. Pra realisht populli është grumbulluar rreth një institucioni, atij që ka marrë realisht në dorë fatin e Kosovës. Drejtuesit e UCK-së, duhet të bëjnë vetëm legalizimin e këtij institucioni, që mund të jetë : Këshilli Kombëtar i Popullit Shqiptar. Para dy Kompromiseve të mëdha Forcat patriotike në Kosovë dhe UCK-ja si shprehësja dhe bartësja më konkrete e tyre, aktualisht ndodhen para dy kompromisesh të mëdha, nga realizimi i të cilave do të varet dhe ecuria e mëtejshme e ngjarjeve në Kosovë. Kompromisi brënda shqiptar Ky është kompromisi i parë që duhet të arrihet në Kosovë. Tablloja në Kosovë është e tillë : Nga njëra anë ndodhen kreret e partive politike shqiptare politika e të cilave ka dështuar për realizimin e të drejtave kombëtare, por që të cilët nuk heqin dorë nga skena politike. Mes tyre ka politikanë që kanë dëshmuar realisht atdhetarizmin e tyre, megjithse ata janë të pakët. Nga ana tjetër janë elementët patriotë të grumbulluar në UCK apo në përkrahje morale, propagandistike dhe financiare të saj. Deri dje elementë të tillë, bënin pjesë në parti të ndryshme politike, ndërsa tani, lufta kundër okupatorit sërb i ka bashkuar në një front të vetëm. Të dy palët duhet të bëjnë kompromis. Qëndrimi hiq e mos këput që po e ndjek në disa raste dhe UCK-ja është i dëmshëm, është shënjë e mungesës së seriozitetit politik apo e euforisë politike. Por dhe kompromisi ka rregullat e tij. Në kompromis, palët duhet të heqin diçka nga vehtja e tyre apo e grupacioneve që u përkasin. Klasa politike e Kosovës, e cila e ndjen, por nuk e pranon zyrtarisht dështimin, është më e gatshme për të bërë kompromis me UCK-në. Por ajo ngul këmbë, që megjithë dështimin, të ruajë rolin e lidërshipit. Tipik është rasti i Rugovës. Megjithse Rugova flet për kompromis me UCK-në, ai nuk ka dhënë as shënjën më të vogël se e do vërtetë kompromisin dhe marrëveshjen. Cila do të ishte kjo shënjë, ky veprim konkret i Rugovës? Kjo shënjë e parë do të ishte dorëheqja nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke ruajtur vetëm postin e Presidentit. Tashmë është e njohur për të gjithë opinionin publik, se Rugova për periudhën 1992-1998, ka grumbulluar në dorën e tij të gjitha postet drejtuese. Ai është President i Kosovës, është Kryetar i LDK-së, kryetar i Këshillit koordinues të partive politike të Kosovës, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve etj. Me këtë veprim ai do të hidhte hapin e parë real drejt kompromisit. Ndërsa UCK-ja deri tani nuk është shprehur qartë për pranimin apo jo të kompromisit. Kjo lidhet me dyshimet e UCK-së ndaj klasës politike të Prishtinës. Shqetësimi se duke bërë kompromis, do t’i lihet përseri politika në dorë klasës politike të dështuar në Kosovë, nuk qëndron. UCK-ja ka në dorë armët dhe idealin e çlirimit. Pra veç të drejtës, ka dhe forcën. Në mardhëniet brënda shqiptare ajo është më superiore. Objektivisht ajo përbën lidërshipin kryesor politik dhe ushtarak në Kosovë. Këtë e kanë të qartë të gjithë, që nga shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare, politika dhe diplomacia e saj. Duke ruajtur këtë rol udhëheqës, ajo duhet të japë sinjalet e para reale se është e gatshme për kompromis me forcat më të shëndosha të klasës politike shqiptare në Prishtinë. Kjo do të ishte shënjë e seriozitetit dhe pjekurisë së saj politike. Kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare Ky është kompromisi i dytë i madh e i nevojshëm për tu realizuar nga forcat patriotike shqiptare, të drejtuara nga UCK-ja. Por dhe në këtë çështje shqiptarët nuk janë shumë të përgatitur dhe shumë të qartë. Analiza reale e situatës në Kosovë e bën më të qartë pohimin e mërsipërm. Qysh nga viti 1991 e deri më sot, Rugova dhe grupi i tij kanë paraqitur disa variante të zgjidhjes së problemit të Kosovës, që fillojnë nga referendumi, shteti i pavarur, protektorati, republika etj. Po kështu grupi i Demaçit ka dalë përsëri me disa variante të cilat fillojnë nga republika e Kosovës e mbarojnë tek krijimi i federatës ballkanike.(Ideja e federatës ballkanike është hedhur për herë të parë nga Gjergj Dimitrovi në kongresin e 7 të Internacionales Komuniste në vitin 1935, në vargun e marrjes së masave për përballimin e rrezikut të fashizmit). Ndërsa UCK-ja është me e qartë në variantet e saj. Ajo kërkon shtetin e pavarur shqiptar dhe bashkimin me Shqipërinë. Nga ana tjetër është dhe bashkësia ndërkombëtare. Deri në Mars 1998, kjo bashkësi e kishte lënë Kosovën në mëshirën e Serbisë. Me përjashtim të ndonjë rezolute apo të ndonjë fjale të mirë për « mikpritjen dhe traditat » shqiptare gjatë drekave apo darkave, asgjë serioze nuk vihej re në veprimtarinë e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Ndërsa për variantet e zgjidhjes së problemit të Kosovës, qëndrimi i saj ishte i prerë dhe asnjë ekuivok ; Kosova është çështje e brëndshme e Serbisë dhe problemi i saj do të zgjidhej vetëm në kuadrin e një autonomie. Pas fillimit të kryengritjes popullore në Kosovë, qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare filloi të ndryshojë. Interesimi i saj është rritur dukshëm. Brënda harkut kohor mars 1998-gusht 1998, në veprimtarinë politike dhe diplomatike të kësaj bashkësie vërejmë dy qëndrime, që sa vinë dhe po bëhen më të dukshme. E para : Eshtë qëndrimi europian, i cili me gjithë interesimin ndaj problemit të Kosovës, vazhdon të mbetet në variantin e autonomisë së zgjeruar. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Kinkel e ritheksoi dhe njëherë konceptin europian mbi zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke i mëshuar konceptit të autonomisë. E dyta Eshtë qëndrimi amerikan i cili pas vizitës së « rastësishme » të Holbrukut me pjestarë të UCK-së, ka avancuar më tej se sa autonomia e zgjeruar. Eshtë e qartë se në bisedimet midis shqiptarëve dhe sërbëve, faktori ndërkombëtar do të jetë jo vetëm ndërmjetës, por dhe shumë ndikues, ashtu siç ishte Holbruku në Dejton. Por bisedime do të thotë kompromis. Në bisedime asnjë palë nuk mund të kënaqet në masën 100%. Problemi shtrohet : Cili do të jetë kompromisi i shqiptarëve ? Veçanërisht, cili do të jetë qëndrimi i UCK-së ? A është ajo e gatshme për kompromis dhe cili do të jetë kufiri i këtij kompromisi, jashtë të cilit kompromisi do të ishte i pavlerë dhe vetëmashtrues? Për këtë çështje flitet shumë nga politika dhe propaganda, secili jep mendimin dhe gjykimin e tij. Megjithatë ka nevojë për një analizë të thellë, përpara se të gjykojmë se cili mund dhe duhet të jetë kompromisi i faktorit shqiptar në mardhënie me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo analizë duhet të marrë për bazë kërkesat e shqiptarëve dhe mundësinë reale të jetësimit të tyre. Cilat janë këto kërkesa ? Kërkesat maksimaliste dhe minimaliste Si çdo lëvizje kombëtare, dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që tashmë ka dhe krahun ushtarak të saj, ka vite që ka paraqitur kërkesat e saj, të cilat mund të klasifikojmë në tre kategori : E para : Kërkesa maksimaliste, të cilat në rastin e lëvizjes kombëtare shqiptare nënkuptojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. E dyta : Kërkesa mesatare, të cilat në rastin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nënkuptojnë bashkimin e trojeve shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe krijimin e republikës shqiptare në ish-Jugosllavi E treta : Kërkesat minimaliste, të cilat në rastin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nënkuptojnë krijimin vetëm të Republikës së Kosovës, brënda kuadrit të Jugosllavisë aktuale. Kompromisi midis palës shqiptare dhe bashkësisë ndërkombëtare, mund dhe duhet të realizohet brënda tre kërkesave të mësipërme. Njëra prej kërkesave të mësipërme duhet të jetësohet. Dhe kjo do të quhet kompromis. Nëqoftëse nuk realizohet asnjë prej kërkesave të mësipërme, atëhere kjo nuk mund të quhet kompromis. Por do të quhet nënshtrim.
|
 |
 |