Paradokse

Feudalizëm apo kapitalizëm ?

“Çfarë do të kemi fituar ne duke shkatërruar aristokracinë e fisnikëve, nëqoftëse ajo është zëvendësuar nga aristokracia e të pasurve?”
Zhan Pol Marat
Analiza e mardhënieve reale ekonomike të shoqërisë shqiptare të periudhës 1992-1998, ka evidentuar qartë krijimin, ekzistencën dhe luftën midis dy grupimeve. Të gjithë politikanët shqiptarë kanë 7 vjet që flasin për ekonomi tregu dhe kapitalizëm, për luftë kundër komunizmit dhe neokomunizmit etj. Por propaganda është propagandë, ndërsa realiteti ekonomik shqiptar flet ndryshe.
Brënda këtij realiteti ekonomik, gjatë periudhës 1992-1998, janë kristalizuar dhe ndeshen dy grupime kryesore. Nga njëra anë është grupimi që mbështetet në mentalitetin feudal dhe nga ana tjetër grupimi që mbështetet në mentalitetin kapitalist.

Feudalët e pluralizmit
Në pamje të parë konkluzioni i mësipërm mund të tingëllojë paksa paradoksal. Por në fakt nuk është kështu. Le të shikojmë tiparet e këtyre grupimeve për ta bërë më të qartë pohimin e mësipërm.
Tipari i parë është se qoftë njerzit me mentalitet feudal, qoftë ata me mentalitet kapitalist, i gjen në të gjitha partitë, të majta dhe të djathta. Megjithatë shumica mëe madhe e tyre bën pjesë në Partinë Demokratike dhe në Partinë Socialiste.
Tipari i dytë është se deri në vitin 1997, të dy këto grupime ishin në aleancë me njeri tjetrin nën maskën e luftës kundër komunizmit, ndërsa pas 1997-ës, maska ka rënë. Nuk ka më « gogol » komunizmi. Propagandën që vazhdon të bëhet nga segmente të ndryshme nuk e beson njeri. Prandaj ka filluar lufta e hapur midis tyre sekush do t’i japë tonin jetës politike dhe sociale të Shqipërisë
Le t’i konkretizojmë më tej dukuritë konkrete të dy këtyre mentaliteteve. Në vitin 1991 filloi prishja e kooperativave bujqësore. Ish-drejtuesit e tyre u vërsulën si të babëzitur kush të merrte pjesën më të madhe. Në vitin 1992 filloi privatizimi i pasurisë kombëtare të Shqipërisë. Që nga ky çast dolën në skenë feudalët shqiptarë me etiketa të ndryshme partiake të djathta dhe të majta. Në marrëveshje me njeri tjetrin ata i morën të gjitha pasuritë për vehte. Shqipëria nuk ishte gjë tjetër veçse « një çiflig ». Ndërsa shtresa të tëra të popullit nuk morën asgjë. Tipik është qëndrimi ndaj shtresës më të varfër të popullit dhe veçanërisht të persekutuarve. « Pasuria » e tyre në shumicën e rasteve nuk ishte gjë tjetër veçse grumbulli i letrave me vlerë dhe grumbujt e eshtrave që çvarroseshin dhe varroseshin me nderime. E njëjta dukuri dhe në periudhën 1997-1998. Shifrat e botuara për vlerën e mallrave të hyra në Shqipëri pa doganë janë marramëndëse. Ato kanë përfunduar në xhepat e feudalëve shqiptarë. Ndërsa propaganda dhe politika shqiptare lufton me granata tymuese.

Lufta e emrave
Politika shqiptare e majtë dhe e djathtë, segmente të politikës brënda së majtës apo brënda së djathtës kanë kohë që merren me emra politikanësh. Berisha, Meksi, Ruli, Pashko, Nano, Fino, Malaj, Meidani, Islami, Brokaj Gjinushi, Musaraj, Shehu etj etj emra politikanësh sipas preferencave të propagandës dhe luftës politike etiketohen për korrupsion. Por lufta e emrave është shumë e lehtë dhe pa rrezik për këdo. Për më tepër disa i ka bërë dhe shumë të njohur. Arben Malaj duhet të jetë shumë i « lumtur » se për dy muaj u bë njeriu më i njohur në Shqipëri. Ndërsa problemi është më i thellë se sa emrat. Përse ?
E para : Sepse para klasës politike shqiptare, problemi kryesor është të thonë se në cilët sektorë të jetës së vëndit vazhdon të praktikohet dhe zbatohet mentaliteti feudal dhe në cilët mentaliteti kapitalist. Vetëm publikimi i faktit se nga mungesa e zhdoganimeve buxheti i shtetit ka humbur rreth 80 million dollarë, flet shumë. Prapa kësaj shifre qëndron « koshadhja » e feudalëve të babëzitur dhe makutë shqiptarë, që të vetmen psikologji kanë t’i marrin të gjitha për vehte, pa menduar për atë që në gjuhën ekonomike quhet « riprodhim kapitalist ».
E dyta : Të eleminojnë praktikat feudale në ndërtimin e shtetit dhe ekonomisë duke i hapur rrugë praktikave kapitaliste. A nuk është një praktikë feudale që të bllokosh mekanizmin e kreditimit e cila përbën një ndër mekanizmat kryesore të mentalitetit kapitalist ? A nuk është mentalitet dhe praktikë feudale që të sulmosh tjetrin pse merr kredi apo pse ka borxhe, kur dihet se me qindra dhe mijra ndërrmarje në botë jetojnë me kredi dhe kanë borxhe, ashtu siç kanë dhe falimentin ? A nuk është praktikë dhe mentalitet feudal shmangia nga ndërtimi i shtetit social, kur dihet se edhe vëndet më klasike kapitaliste po shkojnë drejt thellimit të shtetit social siç bëri kohët e fundit Toni Bleri në Angli, ku u vendosën sanksione ligjore ndaj atyre prindërve që hiqnin fëmijët nga shkolla. Në historinë e mardhënieve njerëzore, vetëm feudalizmi nuk e ka njohur termin « shtet social ».
Kapitalizmi krahinor
Megjithse elementët e ekonomisë së tregut, kanë kohë që janë futur në Shqipëri, megjithse kapitalizmi i ka bërë hapat e para, veç dobësive të tjera, ai karakterizohet nga një tipar shumë qënësor. Kapitalizmi aktual në Shqipëri para së gjithash është kapitalizëm krahinor. Ligjet që aprovon Parlamenti shqiptar janë ligje për gjithë teritorin e Shqipërisë, ndërsa kur vjen çështja tek zbatimi i tyre, problemi ndryshon shumë. Ligjet e ekonomisë së tregut nga një krahinë në tjetrën mbajnë dhe marrin nuancat e krahinës ku ato zbatohen. Prandaj sot në Shqipëri mund të flasësh për kapitalizëm « tropojan », kapitalizëm « gjirokastrit », kapitalizëm « lezhjan », kapitalizëm « vlonjat », kapitalizëm tiranas », kapitalizëm verior apo kapitalizëm « jugor »
Por kapitalizmi krahinor më shumë përngjason me sistemin feudal që bazohej në principatat dhe në rregullat e pashkruara se sa me sistemin kapitalistin që bazohet në ligjet e përgjithshme dhe të domosdoshme për të gjithë vëndin.
 
                                 Me feudalët apo kapitalistët ?
Pyetja mbart në vetvehte shumë pandehma. Ajo shtrohet para Nanos, Meidanit, Gjinushit, Berishës, Cekës, Mediut, Kalakulës etj. Ajo bën të qartë se në shoqërinë shqiptare lufta nuk zhvillohet midis mentalitetit komunist apo kapitalist, nuk zhvillohet midis rrymave të ndryshme brënda mentalitetit kapitalist. Ajo zhvillohet midis mentalitetit kapitalist që po lind në Shqipëri dhe mentalitetit feudal i cili ka rrënjë të thella. Në pozicionin e kryeministrit, të presidentit apo kryetarit të parlamentit, roli i Nanos, Meidanit apo Gjinushit, është përparësor. Për më tepër që deri tani gjuha e tyre nuk është e qartë, por me plot ekuivoke dhe nëntekste. Ndërsa ndeshja midis mentalitetit feudal dhe atij kapitalist në shoqërinë shqiptare, ka dalë hapur, egër dhe pa shënja pajtimi. Do të përkrahin për hir të interesave të çastit, grupimin që mbështetet në mentalitetin feudal ? Dhe kësisoj Shqipëria realisht do të kthehet 555 vjet pas. Apo për hir të interesave të perspektivës, do përkrahin dhe inkurajojnë grupimin e shoqërisë shqiptare që mbështetet në mentalitetin kapitalist ? Dhe kësisoj, Shqipëria do të ecë përpara. Liberal-demokratët në fushën e politikës, duhet të tregojnë me veprime praktike se dhe në fushën ekonomike janë liberal-demokrat. 

Korrupsioni-forcë lëvizëse e shoqërisë kapitaliste
Ka vite që flitet për korrupsionin dhe luftën kundër tij. Koalicioni i sotëm qeveritar kur ishte në opozitë, predikonte se sapo të vinte në pushtet, do ta zhdukte korrupsionin dhe të korruptuarit. Ndërsa pasi erdhi në pushtet, hyri në aleancë me të korruptuarit e pushtetit të mëparshëm, por pa e shndrruar akoma korrupsionin në tipar esencial të pushtetit. Kaloi një vit dhe opinioni veç zhurmës dhe komisioneve, nuk ka parë asnjë individ të pushtetit të djeshëm të dënohet për korrupsion, ashtu siç nuk ka parë asnjë individ të pushtetit aktual të dënohet për korrupsion. Përse ndodh një gjë e tillë ? Eshtë rastësi dhe dukuri shqiptare apo kemi të bëjmë me një ligjësi të përjetshme ndaj së cilës shteti dhe shoqëria janë të paaftë.
         
Korrupsioni dhe lufta e klasave
Korrupsioni nuk mund të zhduket sepse ai përbën ligjin kryesor të një shoqërie pluraliste. Ashtu si kozmopolitizmi nuk është gjë tjetër veçse varianti kapitalist i internacionalizmit proletar komunist, edhe korrupsioni nuk është gjë tjetër veçse varianti kapitalist i luftës së klasave. Në kushtet e një shoqërie pluraliste, juridikisht nuk ekziston eleminimi i individit nga skena politike për shkak të bindjeve politike, siç ndodh në kushtet e një shoqërie moniste. Megjithatë shoqëria dhe partitë politike kanë nevojë për eleminime politike, për largime nga skena politike, të individëve të ndryshëm, kur këta vinë në kundershtim me interesat e partive apo të shtetit juridik. Por në pamundësi të përdorimit të bindjeve politike, si mjet për eleminimin nga skena politike vihet në përdorim ligji i korrupsionit. Individi akuzohet për korrupsion publikisht dhe dënohet, nëqoftëse ai nuk ka hequr dorë vullnetarisht nga jeta dhe skena politike. Me këtë partia politike dhe shteti juridik, realizon dy qëllime njëkohësisht: E para krijon përshtypjen e rreme tek opinioni publik se ai është i papajtueshëm me korrupsionin dhe e dyta: bën dhe spastrimin e qeverisë apo partisë nga elementët që kanë filluar të mos i binden më vijës së partisë apo qeverisë.
Ligji i korrupsionit, është një ndër me kryesorët dhe më të efektshmit për spastrime politike. Drejtues të ndryshëm partish politike, politikanë apo funksionarë shtetërorë, korruptohen në forma të ndryshme, në emër të lirisë së individit dhe të embëlsisë së parave apo rryshfeteve, ata pranojnë të marrin paratë që ua japin tregtarë, afaristë apo njerëz të ndryshëm. Por ata harrojnë një gjë. Shoqëria zyrtare nuk flet, ajo hesht, por ajo gjithmonë regjistron aktet e tyre të korrupsionit. Ndërsa në rastet kur, për arsye të ndryshme, individë të tillë, « rebelohen » ndaj partisë apo pushtetit, atëhere këtyre individëve të « rebeluar » dhe të korruptuar u vihen në dukje deri dhe imtësitë më të vogla të korrupsionit të tyre, duke i vënë para alternativës: “besnikëri ndaj qeverisë, partisë apo demaskim publik dhe eleminimin përgjithmonë nga skena politike, deri dhe dënimin me burg”.
 
 Element i rëndësishëm e lirive dhe të drejtave të njeriut
Korrupsioni përbën, në fushën teorike, një nga liritë dhe të drejtat themelore të individit. Të luftosh seriozisht kundër tij për ta zhdukur do të thotë të kufizosh lirinë e individit. Korrupsionin e bëjnë dhe e duan të gjithë, të majtë të djathtë, të qendrës apo periferisë, të kuq, blu apo jeshil, sepse është një nga liritë e tyre themelore, sepse në fund të fundit dollari ka vetëm një ngjyrë: ngjyrën jeshil. Duke qenë se të sjell fitim të lehtë vetë shoqëria zyrtare e pranon dhe mbron korrupsionin, duke e quajtur, me terma të pranueshëm nga morali i shoqërisë si për shëmbull : “Më bëri një nder, dua t’i bëj një nder, nderi me nder lahet, hallall i qoftë vuri veten në rrezik për të më ndihmuar të kaloja pa doganë gjithë atë mall, e ka hak një dhuratë të madhe”
Fjala “nder” apo « borxh moral », e dëgjuar nga goja e njerëzve të ndryshëm, nuk të shkakton ndonjë ndjenjë neverie, habie apo përbuzjeje. Por nëqoftëse do të konvertohet në vlerë materiale, atëhere tabloja ndryshon menjëherë. Në vend të përsëritjes disa herë të fjalës “nder”, do të na duhet të përsëritim shifra të ndryshme: “100, 1 mijë, 5 mijë, 50 mijë dollarë, një veturë benz, një vilë, një tender miliona dollarësh », dhe kështu pambarimisht. Forca dhe pesha e fjalës “nder”, varet nga sasia e parave të dhuruara për shërbimin e bërë. Ja se si kategoritë e moralit në shoqërinë pluraliste, marrin ngjyrat dhe vlerat e kategorive ekonomike.
 
Korrupsioni nuk rrezikon thelbin e sistemit
Korrupsioni nuk mund të zhduket sepse ai nuk rrezikon thelbin e sistemit pluralist. Ai rrezikon klasën politike të një vendi kur e ka përfshirë atë. Por kjo zgjidhet, duke e eleminuar këtë klasë politike dhe duke e zëvendësuar me një tjetër. Shembulli i Italisë së vitit 1992, kur gjithë klasa e atëhershme politike doli e korruptuar e për pasojë, duke filluar që nga Andreoti, Kraksi, Marteli etj. u larguan nga skena politike, duke u zëvendësuar me një klasë të re; është dëshmia më mirë për këtë pohim. Megjithatë, sistemi mbeti ai që ishte dhe nuk pësoi asnjë ndryshim. Ai rrezikon udhëheqjen e një partie politike, por dhe kjo zgjidhet duke e zëvendësuar me një të re. Ai rrezikon individin kur për efekte propagandistike dhe manipulimi duhet dënuar, por asnjëherë dhe në asnjë vend korrupsioni nuk rrezikon rendin politik dhe ekonomik.
Korrupsioni nuk ka ngjyrë ideologjike
Korrupsioni nuk mund të zhduket sepse ai nuk ka ngjyrë politike dhe ideologjike. Korrupsionin e kanë mbrojtur dhe vazhdojnë ta mbrojnë të gjithë, të majtë apo të djathtë qofshin. Politikanë dhe partiakë të ndryshëm, me bindje politike të kundërta, lidhen në një aleancë të padukshme, por të fuqishme për të mbrojtur korrupsionin e tyre dhe njeri-tjetrin nga sulmet e shtresës me emra « Falkone apo Borselino ». Dy shëmbuj janë të mjaftueshëm. I pari nga përvoja shqiptare. Emrat e mjaft zyrtarëve të djeshëm të së djathtës, të përmëndur për korrupsion sot mbrohen me lidhje të dukshme dhe të padukshme nga pushtetarët e majtë.
I dyti është nga përvoja italiane. Mbrojtësi më i madh i korrupsionit të majtistit Betino Kraksi nuk është kush tjetër veçse djathtisti i deklaruar, lideri politik i partisë “Forza Italia”, miliarderi Silvio Berluskoni.
« Vdekje komunizmit », rroftë feudalizmi
E megjithatë, situata politike dhe propagandistike në Shqipëri, lufta politike midis pushtetit dhe opozitës, është shumë paradoksale. Politikanë të djathtë, nëpër sheshe bërtasin : « Vdekje komunizmit », ndërsa përkrahin brënda tyre feudalët dhe mentalitetin feudal. Nga ana tjetër politikanë të majtë, akuzojnë të djathtët për « neokomunistë dhe stalinistë », ndërsa mbështesin feudalët dhe mentalitetin feudal brënda administratës apo partive të tyre. Ndërsa realiteti shqiptar dhe e ardhmja e Shqipërisë, ka shtruar një problem të mprehtë, urgjent dhe tragjik, që kërkon përgjigje nga klasa politike shqiptare: Kush do të fitojë në Shqipëri : Feudalizmi apo kapitalizmi. Do të ndërtohet në Shqipëri shoqëria kapitaliste, që bazohet në « diktaturën » e ligjit dhe ekonomisë së tregut, apo shoqëria feudale e veshur me një kostum « modern », që do ta çojë Shqipërinë drejt feudeve dhe principatave të para 500 vjetëve, të cilat popullit do t’i prezantohen si « zona të lira ».
 
 
 
Ideologjia dhe patriotizmi
(Sprovë për një analizë reale të kaluarës 50 vjeçare të Shqipërisë)
Para tre vjetësh, nxorra në qarkullim librin « 50 vjet histori e pahumbur ». Miku im Shaban Sinani, në reçencën që i bënte librit, pasi vinte në dukje vlerat e tij, bënte një sugjerim që libri do të fitonte më shumë po të kalohej nga fryma e polemikës që kishte libri në atë të analizës reale të së kaluarës. Për kushtet në të cilat ndodhej propaganda politike në Shqipëri në vitin 1994, preferova frymën polemike të librit. Tashmë kanë ndryshuar shumë gjëra. Në Shqipëri u bë një kryengritje që përfundoi në anarki dhe kaos, ndërsa në pushtet ka ardhur një koalicion pesë partish i udhëhequr prej partisë socialiste. Në kushtet e reja të krijuara pas kryengritjes së Marsit 1997, analiza reale e së kaluarës është bërë parësore. Filozofia « e re » që ka filluar të propagandohet, ka në themel të saj braktisjen dhe hedhjen poshtë të mentalitetit dhe « praktikave primitive 555 vjeçare ».Sali Berisha është autori i tezës se 50 vjetët e kaluar janë « një histori e humbur ». Ndërsa Fatos Nano është autor i tezës mbi mentalitetin 555 vjeçar të historisë shqiptare.
E kaluara shqiptare, pra periudha 1941-1990, kishte brënda edhe ideologji edhe patriotizëm. Teza më e përhapur lidhur me raportin midis ideologjisë dhe atdhetarizmit, në periudhën 1991-1998, ka qënë teza se në periudhën 1941-1990, ideologjia ka qënë parësore, ndërsa atdhetarizmi nuk ka qënë veçse derivat i saj.
Do ta nisim analizën tonë nga disa elemente të dukshëm të raportit midis anës ideologjike dhe anës kombëtare, në Shqipëri dhe në vëndet e tjera të Evropës Lindore dhe Qëndrore. Për objekt të analizës do të marrim elementet më qënesore që dallojnë një komb nga njeri tjetri. Këto elemente janë: Flamuri kombëtar, qëndrimi ndaj historisë së kaluar, dhe kriteri i vlerësimit të të renëve në luftën për pavarsi dhe në luftën antifashiste që e udhëhoqën komunistet.
Le të marrim të parën : Flamurin kombëtar. Duke studjuar dhe parë flamujt kombëtarë të shteteve të ndryshme të Evropës Lindore dhe Qëndrore dhe të Shqipërisë, para luftës së dytë botërore, në periudhën e sistemit socialist dhe tani në sistemin e ri kapitalist, kemi një tablo të tillë. Shumica e vëndeve ish-socialiste, më ardhjen në pushtet të qeverive komuniste pas viteve 1945, bënë ndryshime në flamujt kombëtarë të vëndeve të tyre, që shkonin nga 50% deri në 100%. Këtë ato e justifkuan me ndërtimin e një shoqërie dhe sistemi të ri që sipas tyre do të ishte krejtësisht i kundërt dhe i ndryshëm nga i pari dhe që duhej të pasqyrohej dhe në emblemat kryesore kombëtare. Eshtë kjo arsyeja që pas dështimit të socializmit, parlamentet e këtyre vëndeve, ju rikthyen flamujve që kishin patur para luftës së dytë botërore. Kështu ndodhi me flamujt e shtetit çekosllovak, polak, bullgar, rumun, sovjetik etj, ku ndryshimet aktuale të flamujve kombëtarë, prekin rreth 65% të flamujve kombëtare të përdorur nga këto vënde në kohën e sistemit socialist. Ndërsa Shqipëria, ose siç konsiderohet në propagandën e klasës së sotme politike shqiptare, "vëndi me ortodoksinë më të egër staliniste, që çdo gjë ja nënshtroi komunizmit", nuk u prek nga ky ndryshim kaq i madh. Flamuri aktual kombëtar që përdor sot shteti shqiptar, ka vetëm një ndryshim fare të vogël. Eshtë hequr vetëm ylli, që zinte 5% të sipërfaqes, ndërsa sipërfaqja tjetër e flamurit mbeti po ajo që ishte në kohën e Shqipërisë komuniste. Pra flamuri shqiptar ndryshoi vetëm 5%, në krahasim me atë të mëparshmin. Këtë detaj të rëndësishëm, që ka të bëjë me emblemën themelore të një kombi, asnjë politolog dhe analist shqiptar nuk e ka vënë re. Megjithatë atë para 20-vjetësh e ka vënë re një politolog i huaj antikomunist. Në librin e tij, "Diktatorët e shekullit të 20-të", Artur Konte midis të tjerash nënvizon se "Eshtë ndërkaq, stema e Skënderbeut, me të vetmen shtesë të një ylli të kuq, që përbën flamurin e Republikës së shokëve"(Artur Konte, Diktatorët e shekullit të 20-të, faqe 271).
E dyta:Kriteri i përdorur për vlerësimin e të rënëve për lirinë e kombit.
 Në këtë çështje do të marrim të analizojmë një element konkret. Kriteret e përdorur në vëndet ish-socialiste dhe në Shqipëri në vlerësimin e të rënëve në etapa të ndryshme të historisë. Në të gjitha vëndet ish-socialiste, dekorata më e lartë që shprehte vlerësimin maksimal, ka qënë dekorata: "Hero i Popullit". Përsëri në këtë çështje do të marrim dhe të krahasojmë qëndrimin e qeverive komuniste liberale të Evropës Lindore dhe Qëndrore dhe qëndrimin e qeverisë të Shqipërisë. Sipas statistikave të botuara, me këtë dekoratë në vëndet ish-socialiste, janë dekoruar 95% e të rënëve në luftën antifashiste 1939-1945 dhe 80% prej tyre kanë qënë komuniste. Ndërsa përsa i përket Shqipërisë kemi këtë tabllo: Me titullin e lartë "Hero i Popullit", për 45-vjet janë dekoruar 132 veta të rënë në të gjitha luftrat. Nga kjo shifër, 60 prej tyre kanë qënë komunistë, ndërsa 72 të tjerët nuk kanë qënë të tillë. Akoma më tej. Nga kjo shifër, 62, kanë qënë pjesmarrës në luftën antifashiste, 31 kanë rënë në luftë për mbrojtjen e teritorit të Shqipërisë pas çlirimit, ndërsa 39 kanë qënë pjesmarrës të luftrave që ka zhvilluar populli shqiptar që nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Në dhënien e dekoratës "Hero i Popullit", nuk është marrë parasysh kufiri administrativ i Shqipërisë, por është ndjekur kriteri i kombit. Kështu nga qeveria e Shqipërisë janë bërë Heronj Populli, 16 vetë që kanë punuar dhe janë vrarë në trojet shqiptare jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë.
Disa prej tyre, ndër më të shquarit janë :
1-Sulejman agë Vokshi Kosovë
2-Ymer Prizreni Kosovë
3-Sef Kosharja Kosovë
4-Mic Sokoli Kosovë
5-Isa beg Buletini Kosovë
6-Qerime (Shotë) Galica Kosovë
7-Asim Vokshi, Kosovë (komunist)
8-Hajdar beg Dushi, Kosovë (komunist)
9-Emin Duraku Kosovë (komunist)
10-Ramiz Varvarica, Kosovë
11-Xhemal Kada, Kosovë
12-Xheladin Beqiri (Karadaku) Kosovë (komunist)
13-Idriz Seferi, Kosovë
14-Haxhi Zeka, Kosovë
Ndërsa më interesant është fakti tjetër së nga shifra e mësipërmë, 23 prej tyre kanë qënë pjestarë të familjeve të pasura të Shqipërisë, pra kanë qënë agallarë dhe bejlerë, bajraktarë etj. Dhe prandaj në atë që quhet altari i të rënëve për liri, rrinë bashkë, nga njëra anë Hero i Popullit, komunisti i vendosur Qemal Stafa, ndërsa nga ana tjetër Heroi i Popullit, Bajram Beg Curri, nga njëra anë komunisti i vendosur Kastriot Muço, ndërsa nga ana tjetër Ismail Bej Qemali, nga njëra anë komunisti i vendosur Ndoc Mazi, ndërsa nga ana tjetër bajraktari i Hotit Dedë Gjo Luli, nga njëra anë komunisti i vendosur Emin Duraku, ndërsa nga ana tjetër Isa Beg Boletini, nga njëra anë komunisti i vendosur Asim Vokshi, ndërsa nga ana tjetër Sulejman Agë Vokshi, nga njëra anë komunisti Meleq Gosnishti, nga ana tjetër Abdyl Bej Frashëri, nga njëra anë komunisti Manush Alimani, nga ana tjetër antkomunisti Luigj Gurakuqi, nga njëra anë komunisti Hajdar Dushi, nga ana tjetër prijësja e komitëve Qerime Shotë Galica, nga njëra anë komunisti Asim Zeneli, nga ana tjetër prijësi i komitëve Çerçiz Topulli, nga njëra anë komunisti Dino Kalenja ndërsa nga ana tjetër prijësi i komitëve Rrapo Hekali. Mund ta vazhdonim akoma listën me emra, por dhe kaq mjaftojnë për konkluzionin që mund të nxjerrim. Këtë dukuri e gjejmë vetëm në Shqipëri, dhe në asnjë vënd tjetër të Evropës Lindore dhe Qëndrore. Pikërisht në këtë vënd, dekoratën "Hero i Popullit", e mbajnë si komunisti ashtu dhe agai, beu, bajraktari, apo komiti.
Nga disa personalitete të njohur shqiptarë, është nënvizuar dhe vazhdon të nënvizohet se glorifikimi i Stalinit dhe Leninit në Shqipëri, është bërë aq i madh sa ka lënë plotësisht në hije, figurat e ndryshme kombëtare. Personalitete të tillë kur flasin për glorifikimin e Stalinit apo Leninit, kanë të drejtë. Por kur bëjnë krahasimet me figurat kombëtare, gabojnë. Le t'i referohemi realitetit. Eshtë e vërtetë se në bulevardin Deshmorët e Kombit në Tiranë, ishin të vendosur monumentet e Leninit dhe Stalinit. Por 50-metra me tutje në sheshin më të madh të kryeqytetit, ishte monumenti i Skënderbeut. Nëqoftëse do të nisemi nga përmasat e këtyre monumenteve që janë treguesi kryesor i rëndësise që u kushtohet, atëherë na del një dukuri e tillë : Nga përmasat e lartësisë, monumenti i Leninit dhe Stalinit të marrë së bashku nuk arrijnë veç deri tek bishti i kalit të Skënderbeut. Këtë dukuri e ka vënë re dhe pohuar një i huaj. Artur Konte pohon se "Statuja e Skënderbeut, eklipson statujat që janë afër , të Leninit dhe Stalinit"(Konte, Diktatorët e shekullit të XX-të, faqe 271). Eshtë përsëri e vërtetë se në Vlorë monumenti i Pavarsisë, ku sintetizohen luftrat dhe përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarsi, është unikal në Shqipëri, si për nga përmasat, ashtu dhe për nga pjestarët që bëjnë pjesë në të.Patriotë, kaçakë, komitë, luftëtarë nga të gjitha viset e Shqipërisë janë të trupëzuar në këtë monument. Asnjeri prej tyre nuk ka qënë komunist. Propagandistë të ndryshëm, për të bërë të argumentuar thëniet e tyre nënvizojnë dhe thonë se një qytet i tërë mori emrin e Stalinit. Kjo është e vërtetë. Kuçova u quajt qyteti Stalin. Por nuk është vetëm kjo, historia kërkon realizëm. Një qytet tjetër në veri të Shqipërisë, ndryshoi emrin. Por tashmë nuk mori ndonjë emër komunisti, por emrin e një beu që terë jetën kishte qënë komit dhe prijës komitësh. Qyteti i Tropojës u quajt Bajram Beg Curri.
Tabllo e pjesshme e disa prej « Heronjve të Popullit » të dekoruar nga pushteti "komunist"
1-Isa beg Boletini, antikomunist nga Boletini i Kosovës
2-Sylejman agë Vokshi , antikomunist nga Gjakova
3-Abdyl bej Frashëri, antikomunist nga Përmeti
4-Dedë Gjo Luli, antikomunist, bajraktar i Hotit
5-Ismail bej Qemali, antikomunist nga Vlora
6-Bajram Beg Curri, antikomunist dhe antizogist nga Malësia e Gjakovës
7-Ymer Prizreni, antikomunist nga Prizreni
8-Qerime Shote Galica, antikomuniste nga Drenica, drejtuese e lëvizjes kaçake
9-Selam Musai antikomunist nga Tepelena
10-Rrapo Hekali antikomunist nga Mallakastra
11-Themistokli Gërmenji antikomunist nga Korça
12-Sali Butka, antikomunist nga Kolonja
13-Sado Koshena, antikomuniste nga Vlora
14-Zigur Lelo, antikomunist nga Vlora
15-Kanan Maze, antikomunist nga Vlora
16-Spiro Bellkameni, antikomunist nga Korça
17-Luigj Gurakuqi, antikomunist nga Shkodra
18-Hibe Palikuqi antifashiste nga Peshkopia
19-Çelo Sinani antifashist nga Gjirokastra
20-Nimete Progonati, antifashiste nga Tepelena
21-Shahin Toçi antifashist nga Burreli
22-Mujo Ulqinaku, antifashist nga Durrësi
23-Vasil Laçi antifashist nga Saranda
24-Ylbere Bylybashi antifashiste nga Libohova
25-Hajdar Beg Dushi, komunist dhe bej nga Kosova
26-Persefoni Kokëdhima antifashiste nga Himara
27-Pashko Vasa, antikomunist nga Shkodra
28-Baba Faja, antifashist nga Martaneshi
29-Nik Pjetër Ndreka, patriot nga Kelemendi
30-Dila Pjetër Marku, patriote nga Zadrima
31-Prenda Tarazhi, patriote nga Mirdita
32-Shkurte Cara, patriote nga Mirdita
33-Babë Rexhë Deliu, patriot nga Kruja
34-Babë Hasan Gërxhaliu, patriot nga Kuksi
35-Hekuran Zenuni, patriot nga Berati
36-Dyleman Çela, antikomunist nga Burreli
37-Çerçiz Topulli, antikomunist nga Gjirokastra
38-Mihal Grameno, antikomunist nga Korça
39-Idriz Seferi antikomunist nga Kosova
40-Mic Sokoli antikomunist nga Tropoja
41-Sali Murati antikomunist nga Vlora
42-Bajo Topulli, antikomunist nga Gjirokastra
Dhe për ta mbyllur këtë tabllo të pjesshme: Gjergj Kastrioti Skënderbeu , antikomunist u shpall zyrtarisht « Hero Kombëtar ».
E treta: Qëndrimi dhe kriteret e përdorura për vlerësimin e historisë së kaluar
 Një vëzhgim dhe analizë reale e qëndrimit të udhëheqjes komuniste shqiptare, ndaj historisë së lashtë, të mesme dhe të re të popullit shqiptar, nxjerr më mirë në pah patriotizmin e saj. Megjithse në pamjen e parë, ajo të krijon përshtypjen e një ortodoksie komuniste, ndaj historisë së vëndit të saj, nuk mban qëndrim klasor, por qëndrim kombëtar. Kriteri i vlerësimit të ngjarjeve apo figurave të ndryshme historike, nuk kanë qënë parimet ideologjike, por ndikimi i këtyre ngjarjeve apo personave në fitimin e lirisë dhe pavarsisë së vëndit. Një kalim në vlerësimin e ngjarjeve dhe figurave të ndryshme historike, e vërteton plotësisht këtë konkluzion. Deri në vitet 1945, historia e Shqipërisë, tek shqiptarët më shumë ka ekzistuar në folklorin dhe eposin e saj, ndërsa historia e shkruar më shumë ka qënë në arkivat apo dokumentet e Parisit, Moskës, Londrës, Romës apo Vienës. Pas vitit 1945, filloi të shkruhej historia në mënyrë të organizuar tek shqiptarët dhe në vëndin, institutet, akademitë dhe nga shkencëtarët e tyre. Sot në Shqipëri, njerez të ndryshëm, mund të kenë, vrejtje, akuza, sugjerime për subjektivitet të pjesëve të ndryshme të kësaj historie, për qëndrimin që është mbajtur ndaj figurave te ndryshme historike. Kjo është normale, në asnjë vënd të botës, asnjë histori e shkruar nuk ka qënë dhë nuk është e përsosur. Ajo gjithmonë është rishkruar, plotësuar dhe konsoliduar. Këtij realiteti duhet t'i nënshtrohet dhe historia shqiptare e periudhës 1945-1991. Por nuk duhet hedhur poshtë e tëra si e pavlerë.
 
Përse shqiptarët kanë kaq shumë « tradhëtarë » ?

Eshtë ndoshta një nga pyetjet më të rëndësishme, por dhe më të parrahura në letërsinë politike të kombit shqiptar. Me disa përjashtime të vogla si për shëmbull një esè e shkruar nga historiani Hakif Bajrami në Prishtinë dhe të një trajtese të publicistit Shaban Sinani në Tiranë, në politologjinë dhe analizën politike shqiptare, të të gjitha kohrave, ky problem është aanshkaluar. Por ai ekziston realisht. Përballimi i tij kërkon një analizë të plotë dhe të paanshme. Për çdo politolog, historian apo analist politik, njohja dhe përballimi i këtij problemi me gjakftohtësi dhe pa pasione, është me vlera të çmuara për të nxjerrë konkluzionet e duhura në mardhëniet e klasës politike shqiptare dhe veçanërisht në analizën e historisë kombëtare të të gjitha periudhave historike.
Përballimi i problemit të shtruar në formë pyetjeje bëhet më i prekshëm dhe më i domosdoshëm, nëqoftëse do të bëjmë një vështrim të shkurtër historike të jetës politike dhe sociale të Shqipërisë, të evolucionit dhe fatit të dhjetra e dhjetra figurave historike, të kritereve që janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për vlerësimin dhe kualifikimin e tyre. Le ta vëzhgojmë problemin qysh nga viti 1912 e deri në ditët tona. Cili është konkluzioni kryesor i këtij vëzhgimi ? Një fakt tragjik dhe tronditës, një fakt që vetëm njerëzit e sëmurë mëndërisht nuk i shqetëson dhe nuk i vë në mendime. Një histori e tërë e mbushur me tradhëtarë » shqiptarë të shpallur nga vetë shqiptarët. Një histori e mbushur me gjysma heronjsh dhe gjysma tradhëtarësh. Një histori e mbushur me heronjo-tradhëtarë dhe tradhëtaro-heronj. Njësoj si në mitologjinë e lashtë, njësoj si në kohën e ekzistencës së centaurëve, këtyre qënieve gjysëm njeri dhe gjysëm kafshë.
Në periudhën që kemi marrë për të analizuar, pra në periudhën 1912-1999, më shumë ka atdhetarë apo më shumë ka « tradhëtarë » ? Le të bëjmë një analizë të shkurtër, që do të ndihmojë shumë për të nxjerrë konkluzionet e nevojshme :
Së pari : Grupi i figurave politike që u shfaqën në skenën politike shqiptare në periudhën 1920-1939. Si konsiderohej dje dhe si konsiderohet sot Avni Rustemi, Bajram Curri, Fan Noli ? Si konsiderohej dje dhe si konsiderohet sot Ahmet Zogu, Sulejman Delvina, Xhaferr Ypi, Turhan Pasha, Ethem Toto, Koço Kotta etj ? Pra për ta përmbledhur problemin ; çfarë janë gjithë këto figura politike : Atdhetarë apo tradhëtarë ? Ne kohen e tyre Fan Noli dhe grupi i tij, Ahmet Zogun Xh. Ypin , Turhan Pashën etj, i quanin tradhëtarë, Salep Sulltan, Sulltani i Salembozës etj.Nga ana e tij, Zogu, i vrau ose i dëboi kundërshtarët e tij politikë, duke i konsideruar armiq të monarkisë e të shtetit. Atëherë kush është tradhtari dhe kush është atdhetari ? Le të vimë në historinë bashkëkohore. Si cilësohet sot Ahmet Zogu në Shqipëri, nga propaganda zyrtare, si cilësohet Hasan Prishtina që u vra nga Ahmet Zogu, po përsëri nga propaganda shqiptare.Si cilësohet sot ne Shqiperi, Ismet dhe Ethem Toto, si cilësohet Myfit Libohova, si cilësohet Mithat Frashëri. Për më tepër si cilësohen nga pushteti dhe si cilësohen nga partitë e ndryshme politike ?
Së dyti : Grupi i figurave politike që dolën gjatë luftës së dytë botërore. Në periudhën e Luftes se dytë Botërore, Partia komuniste dhe ushtria N-C dolën fitues. Gjithë udhëheqja e Ballit Kombëtar, gjithë bashkepunetoret e nazifashizmit u cilësuan tradhëtarë. Ndërsa fituesit u cilësuan heronj. Kaluan 45 vjet dhe në pushtet në Shqipëri në vitin 1992 erdhi Partia Demokratike. Dukuria e pare qe u vu re ishte : ata që deri dje ishin shpallur tradhëtarë u shndërruan në atdhetarë dhe martirë. Ndersa ata qe deri dje ishin heronj, atdhetare, u shpallen tradhetarë. Ish tradhetaret u çvarrosen dhe po varrosen me nderime si atdhetare dhe martire. Ish-heronjtë u çvarrosen dhe u varrosen pa nderime. Le të konkludojmë : A ka kombi atdhetarë dhe a ka kombi tradhëtarë ? Atdhetarët janë të tille se i përkasin kësaj apo asaj partie, se kanë këtë apo atë ngjyrë ideologjike, apo se kanë kryer keto apo ato sherbime ne interes te kombit ? Tradhetaret jane te tille sepse kane vepruar kunder kesaj apo asaj partie, kunder kesaj apo asaj ideologjie, apo se me qendrimin dhe veprimin e tyre, kane demtuar ne kete apo ate mase kombin ? Pra kush jane tradhetaret dhe kush jane atdhetaret. Atdhetaro-tradhetare dhe tradhetaro-atdhetare nuk mund te kete. Enver Hoxha, atdhetaro- tradhetar nuk mund te jete, i dyzuar nuk mund te jete. Ahmet Zogu tradhetaro-atdhetar nuk mund te jete, i dyzuar nuk mund te jete. Ali Kelcyra tradhetaro-atdhetar nuk mund te jete. Xhafer Deva tradhetaro-atdhetar nuk mund te jete. Hasan Isufi kriminelo-martir nuk mund te jete. Hasan Dosti tradhetaro-atdhetar nnuk mund te jete. Dhe keshtu me radhe te gjitha figurat e tjera qe nga 1920 e deri tani, gati pa përjashtim janë me dy emërtime edhe tradhëtar edhe atdhetar. Lind pyetja ?  Përse ka ndodhur dhe perse ndodh nje gje e tille ? Cili është shkaku, cila është arsyeja ? A u a tërheq vëmëndjen, qeveritarëve dhe liderëve partiakë të Shqipërisë, një dukuri e tillë, një metodë e tille e trajtimit, qëndrimit, fatit dhe vlerësimit të figurave historike të kombit. Eshtë vërtet nje fakt tragjik, por është nje fakt real. Po t’i hyjmë numërimit do të shikojme se Shqiperia, është vënd unikal ne Evrope për nga numuri i « tradhëtarëve ». Megjithese është kështu, megjithese shumica dërrmuese e figurave historike të kombit shqiptar kane dalë dhe vazhdojnë të dalin «tradhtarë », ndërsa te gjithe pa perjashtim kane dy emra « Tradhtaro-atdhetarë » ose ne te kunderten, askush ne Shqiperi nuk merakoset pernje gje te tille. Lideret partiake dhe qeveritaret aktuale ne Shqiperi, harrojne dukurite dhe pasojat negative te nje qendrimi te tille naiv dhe foshnjarak. Veçanerisht ne mardhenie me te huajt, ne politiken dhe diplomacine europiane dhe boterore. Perballe nje numri kaq te madh « tradhetarësh », ata sot ndodhen ne pozitë te vështirë, tepër të vështirë në mardhëniet me politikanët e Evropës dhe te Amerikës. Me qëndrimin e tyre indiferent dhe mospërfillës, ata duken sikur u thonë qeveritarëve dhe partiakëve shqiptarë : « Përse ankoheni ju shqiptarët se nuk kini arritur akoma konsolidimin kombëtar, përse ankoheni ju shqiptarët se fqinjet tuaj veriorë dhe jugorë kanë synime ekspansioniste ndaj jush, përse thoni ju se për zgjidhjen e problemit te Kosoves fajin e ka Europa. Ju vetë e keni pohuar se një pjesë te Vermoshit dhe Shën-Naumin, Ahmet Zogu ja fali Jugosllavisë. Ju vetë e keni pohuar se Kosovën e shiti Enver Hoxha. Ju vetë keni thënë dhe vazhdoni të thoni se shumica dërrmuese e figurave tuaja historike jane tradhetarë. Atëhere çfarë keni me Evropën e me Amerikën ? Cfare keni me Greqinë dhe Serbinë ? Vete e keni fajin. »
Dukuria e dyte ka te beje me vete te ardhmen e Shqiperise e te kombit shqipetar. Nje vend me kaq « shume tradhetare », kurre nuk mund te perparoje, kurre nuk mund te ece perpara, ai eshte i destinuar te shperbehet te coptohet e te ricoptohet. Pasi ai nuk di te nxjerre ne krye « atdhetare » por vetem « tradhtaro-atdhetare ».
 
Sa shumë « agjentë dhe tradhëtarë » ! ! ?
Cila është dukuria që vihet re ne percaktimin e termit « tradhetar » ? Shumica derrmuese e atyre qe jane quajtur tradhetare, jane quajtur edhe agjente ose te shitur tek kjo apo ajo fuqi ballkanike dhe europiane. Le te analizojme shkurtimisht dhe kete dukuri. Cili eshte realiteti dhe cila eshte fasada ?
-Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pas vdekjes, pas 530 vjetëve akuzohet si agjent i krishtërimit
-Ismail Qemali akuzohet per tradheti te larte se donte te vinte Shqiperine nen protektoratin e Turqise ne pragun e luftes se pare boterore. Për këtë arratiset nga Shqipëria dhe vdes në Itali
-Ahmet Zogu në vitin 1939 arratiset nga Shqipëria dhe më vonë akuzohet si agjent jugosllav.
- Fan Noli « peshkop i kuq », arratiset nga Shqipëria dhe akuzohet si agjent sovietik.
- Balli Kombetar dhe krerët e tij arratisen nga Shqipëria dhe akuzohen si agjentë dhe të shitur tek gjermanet dhe italianet e më vonë tek anglo-amerikanët.
- Legaliteti dhe Abaz Kupi akuzohen si agjent të anglezeve dhe më vonë dhe të amerikanëve.
- Grupi i deputeteve arrestohen dhe dënohen si agjente te amerikaneve dhe anglezeve.
- Koçi Xoxe, Pandi Kristo arrestohen dhe dënohen si agjent te jugosllaveve.
- Nako Spiro, Beqir Balluku, Abdyl Kellezi arrestohen dhe akuzohen si agjent te sovjetikeve.
- Mehmet Shehu vret vehten dhe akuzohet si poliagjent, agjent i te gjitheve.
- Enver Hoxha, pas vdekjes, me fillimet e pluralizmit akuzohet si agjent i jugosllavëve, si proserb qe shiti Kosoven.
- Sali Berisha akuzohet nga opozita si agjent i sërbëve
- Fatos Nano akuzohet nga opozita e sotme si agjent i grekëve.
Shihet qarte se ne çdo periudhë te historise tek shqipetaret, cilesimi tradhetar eshte bashkshoqeruar me cilesimin agjent i kesaj apo asaj fuqie te jashtme.
Lind pyetja :Akane nxjerre mesime qeveritaret dhe lideret e sotem partiake ne Shqiperi nga ky qendrim dhe praktike e se kaluares ? Per fat te keq jo. Perkundrazi e kane ngritur ne sistem kete qendrim dhe praktike. Vetem 8 vjet pluralizem ne Shqiperi dhe ka me shume « tradhetare dhe armiq te demokracise » se sa patriote dhe atdhetare. Ata qe jane ne pushtet akuzojne ata qe jane ne opozite si tradhetare, destruktive, progreke. Ndersa ata qe jane ne opozite akuzojne qeveritaret si proserbe , si te shitur. Atehere kush jane atdhetarët meqë të dy palët dalin tradhëtarë. Deri kur ? Sa do të vazhdojë kjo praktikë dhe ky qëndrim ? Cili është qëllimi kryesor i klasës politike shqiptare ; ndërtimi i shtetit dhe institucioneve demokratike, konsolidimi dhe konservimi i dinjitetit kombëtar në kushtet e reja apo që politikanët shqiptarë t’i hanë kokën njeri-tjetrit, të sulmojnë e linçojnë njeri-tjetrin me akuza nga më monstruozet ? Naivitet politik ? Tragjedi kombëtare apo luftë për pushtet në kurriz të Shqipërisë ?
Siç duket qeveritarët dhe politikanët shqiptarë të pluralizmit nuk heqin dot dorë nga e kaluara. Siç duket jo vetëm sot, por dhe në të ardhmen në Shqipëri do të vazhdojë të « lindin tradhëtarë dhe agjentë », pasi kështu duan politikanët dhe qeveritarët e saj. Duke bërë bilancin e periudhës 1991-1998, na duhet të pohojmë se « armiqtë dhe tradhëtarët », do të lindin, kur do të duhet të mbulohet paaftësia e klasës politike shqiptare. Në marsin e vitit 1997, kur një popull i tërë ishte i pakënaqur nga sundimi i klasës politike në pushtet, kjo klasë politike me aparatin e saj propagandistik, fliste për plane të « agjenturave të huaja në bashkëpunim me brënda » të cilat kishin synim « destabilizimin » e Shqipërisë. Ndërsa në muajin shkurt 1998, kur në qytetin e Shkodrës, populli u la nën mëshirën e rrugës, klasa politike shqiptare në pushtet, në vënd të paaftësisë totale për ndërtimin e shtetit, filloi të fliste për « plane të disa agjenturave të huaja », që të lidhura me elementë brënda vëndit, donin të « destabilizonin » Shqipërinë.
Le të rikthehemi përsëri në problemin që po trajtojmë. A ka patur Shqipëria tradhëtarë ? Kjo nuk diskutohet. Si për të gjithë popujt e tjerë, ashtu dhe në historinë e popullit shqiptar, ka patur tradhëtarë. Por çështja shtrohet : kush e ka bërë analizën më të saktë, kush ka patur dhe kush ka të drejtë ? Gjykimet partiake, gjykimet politike, gjaknxehtësia, pasionet dhe emocionet apo historia ? Përvoja e popullit shqiptar tregon se të gjithë ata që historia nuk i ka përfillur, që nuk i ka mbajtur gjallë dhe nuk i ka futur në eposin e tij, nuk janë tradhëtarë por njerëz që nuk lanë asnjë gjurmë, që në historinë e këtij vëndi nuk vunë asnjë gur e nuk derdhën asnjë pikë djersë.
Ndërsa atdhetarë janë të gjithë ata që populli në historinë e tij qindra vjeçare, i ka mbajtur gjallë i ka ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi, gjithë ata që pavarsisht nga ngjyrimet partiake apo ideologjike dhanë djersën dhe kontributin e tyre për të konsoliduar themelet e shtetit dhe kombit shqiptar. Duan apo nuk duan pushtetarët dhe liderët e sotëm antikomunistë shqiptarë, ashtu siç deshën apo nuk deshën pushtetarët e djeshëm monarkiste dhe komunistë ; historia e ka bërë e bën dhe do ta bëjë të sajën.
Liste e shkurter e disa figurave historike dhe emertimet qe kane marre e vazhdojne te marrin ne kohëra te ndryshme. Ne formulimet e meposhteme autori eshte mbeshtetur vetem ne propaganden e partise qe ka patur dhe ka pushtetin. Kjo quhej dhe quhet zyrtare.
 
« Atdhetaro-Tradhëtarët » dhe « Tradhëtaro-atdhetarët »
 
1. Enver Hoxha : Komandant i pergjithshem i Ushtrise NC, udheheqesi kryesor i Partise se Punes per afro 50 vjet. Per 45 vjet rrjesht konsiderohej si figura me e shquar e kombit shqiptar. Aktualisht nga propaganda zyrtare shqiptare, cilesohet si armiku me i madh i kombit shqiptar.Per kete propagande sot te jesh enverist eshte me keq se sa te jesh fashist, te jesh titist. Nuk dihet se çfarë emërtimesh do të marrë më vonë. Per kombin shqiptar aktualisht eshte me dy emra : « Atdhetaro-Tradhetar »
2. Ahmet Zogu : Ish-mbret i Shqiperise ne periudhen 1928-1939. Në periudhën kohore 1945-1991, ka qëne konsideruar si tradhetar i popullit shqiptar, si njeri qe përmbysi « revolucionin demokratik te qershorit te vitit 1924 » me ndihmen e Pashiqit dhe shiti Shqipërinë per interesa te tij personale. Pas ketij viti , fillon rehabilitimi i tij. Në propaganden zyrtare shqiptare, flitet gjeresisht për të si për nje figurë të shquar.Arrihet deri aty sa te shpallet figure me e madhe edhe se Skenderbeu. Nuk dihet se çfarë emërtimesh do të marrë në të ardhmen Aktualisht vazhdon te jete me dy emertime : « Tradhetaro-Atdhetar ».
3. Mitat Frasheri : Ish-kryetar i Ballit Kombëtar në Shqipëri. Më vone i ikur nga Shqiperia se bashku me mbeturinat e forcave gjermane. Në periudhën kohore 1945-1990, është cilësuar tradhëtar i vëndit. Pas pluralizmit, me ardhjen ne fuqi te Partise Demokratike, fillon rehabilitimi i tij dhe cilesohet si nje nder atdhetaret me te medhenj te kombit shqiptar. Zyrtarisht ky emërtim i ka mbetur dhe pas 29 qershorit 1997. Aktualisht vazhdon te jetë me dy emertime : « Tradhetaro-Atdhetar ».
4. Ali Bej Kelcyra : Një nga udhëheqësit kryesor te Ballit Kombëtar ne kohen e Luftes se Dyte Boterore. I njohur veçanerisht per firmosjen e protokollit me gjeneralin fashist italian Dalmaco, sipas te cilit forcat e Ballit nuk do t’i luftonin pushtuesit italian. Ne historine e deritanishme ky protokoll njihet me emrin Dalmaco-Kelcyra. Për 45 vjet, në peiudhën kohore 1945-1990 cilësohet tradhëtar. Propaganda zyrtare shqiptare e pas vitit 1992, e rehabiliton dhe e quan si nje nder atdhetaret e medhenj te Shqiperise. Zyrtarisht ky titull i ka mbetur dhe pas 29 qershorit 1997. Aktualisht eshte me dy emertime : « Tradhetaro-Atdhetar ».
5. Mehmet Shehu : Një ndër udhëheqësit kryesorë në luftën antifashiste nacional-çlirimitare. Pas luftës, emërohet ministër i brëndshëm dhe kryeministër i vëndit deri në vitin 1981. Pas kësaj kohe cilësohet armik, tradhëtar dhe poliagjent. Përfundoi me vetvrasje. Në propagandën e sotme zyrtare të shtetit shqiptar nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin ndaj tij. Eshtë lënë në fuqi vendimi dhe cilësimi i mëparshëm për të. Prandaj vazhdon të mbajë dy emërtimet e së kaluarës : « Atdhetaro-tradhëtar-poliagjent ».
6. Nako Spiru : Një ndër udhëheqësit kryesorë të luftës nacional-çlirimtare dhe të Partisë Komuniste shqiptare.Pas çlirimit një ndër drejtuesit kryesorë të shtetit të ri shqiptar. Vret vehten në 1947 dhe cilësohet tradhëtar i popullit. Rehabilitohet në vitin 1948 dhe cilësohet atdhetar. Dënohet përsëri pas vdekjes në vitin 1982 si pjesmarrës në komplotin e mehmet Shehut. Por nuk lejohet heqja e eshtrave të tij nga varrezat e dëshmorëve të kombit. Në 3 maj 1992 me dekret presidencial çvarroset nga varrezat e dëshmorëve të kombit me motivacionin se ka qënë komunist dhe partizan. Propaganda e sotme zyrtare e shtetit shqiptar ka lënë në fuqi emërtimet e mëparshme të tij. Eshtë i veçantë në emërtimet që ka : « Atdhetar-agjent-atdhetar-komplotist-i çvarrosur ».
7. Hasan Dosti : Ish-ministër i drejtësisë në qeverinë fashiste të Mustafa Krujës. Më vonë një ndër udhëheqësit kryesorë të ballit Kombëtar, me cilësinë e nënkryetarit të komitetit qëndror. Cilësohet armik në periudhën 1945-1992. Pas vitit 1992, rehabilitohet zyrtarisht dhe shpallet atdhetar në periudhën 1992-1997. Aktualisht propaganda e sotme zyrtare e shtetit shqiptar ka lënë në fuqi emërtimet e mëparshme : « Tradhëtaro-atdhetar ».
8. Ramiz Alia : Ish-komandant i formacioneve partizane gjatë luftës së dytë botërore. Më vonë ish-udhëheqës i rëndësishëm i Partisë së Punës. Prej vitit 1985, udhëheqësi kryesor i Shqipërisë duke mbajtur dy poste, atë të Presidentit dhe atë të sekretarit të parë të partisë. Opinioni jashtë Shqipërisë e cilëson si element demokrat që bëri të mundur ndryshimin e pushtetit në Shqipëri pa gjakderdhje. Në periudhën 1992-1997 u bënë përpjekje që zyrtarisht ti ngjitej emërtimi « gjenocidist ». Por kryengritja popullore e shpëtoi dhe aktualisht vazhdon në mënyrë zyrtare të ketë vetëm emërtimin e monizmit : « Atdhetar »
9. Abaz Kupi : Ish-kryetar i legalitetit gjatë luftës nacional-çlirimtare. Në fillimet e luftës ishte pjesmarrës në Konferencën e Pezës dhe antar i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë antifashiste. Iku nga Shqipëria me ndihmën e forcave aleate angloamerikane. Për 45 vjet ka qënë i cilësuar armik e tradhëtar. Në periudhën 1992, rehabilitohet duke u cilësuar zyrtarisht si një nga atdhetarët e mëdhenj të vëndit. Propaganda zyrtare e shtetit të sotëm ka lënë në fuqi dy emërtimet e mëparshme : « Tradhëtaro-atdhetar ».
10. Nevzat Halili :Ish-anetar i LKJ dhe profesor i gjuhes angleze. Merr pjese aktive ne levizjen pluraliste ne Maqedoni dhe zgjidhet kryetar i Partise me te madhe shqiptare Posperiteti Demokratik. Deri ne nentor te vitit 1993 nga propaganda zyrtare eshte cilesuar si atdhetar dhe demokrat. Po ne kete muaj, nga propaganda zyrtare e Shqiperise u cilesua si « kuisling » dhe i « shitur ». Pas disa vitesh rikthehet për¨seri në politike në krye të një partie shqiptare në Maqedoni dhe ricilësohet « atdhetar ». Aktualisht mban emertimet « atdhetaro-kuisling-i shitur-atdhetar ». Te shohim a do t’i ndryshoje emertimi me vone. 
 
11. Sali Berisha : Ish-antar i partisë së Punës dhe mjek kardiolog. Në kohën e shpalljes së pluralizmit del në krye të Partisë Demokratike. Në kongresin e parë të saj, në shtator 1991 zgjidhet kryetar i partisë. Pas fitores së 22 Marsit 1992, lë detyrën e kryetarit të partisë dhe zgjidhet kryetar i republikës. Në propagandën zyrtare shqiptare të periudhës 1992-1997, mori emërtime të tilla si « atdhetar, demokrat i shquar, reformator » etj. Në maj të vitit 1992 për nder të tij u këndua kënga « Mirse vjen o yll o dritë ». Pas kryengritjes së marsit 1997 detyrohet të largohet nga pushteti. Aktualisht propaganda zyrtare e shtetit shqiptar ndaj tij mban qëndrim të dyzuar dhe të paqartë. Në raste acarimesh të klimës politike cilësohet « kriminel i veshur me imunitet politik », në raste të tjera të uljes së tensionit si « partner i rëndësishëm në politik ». Pas 14 shtatorit 1998, mori dhe emrtimin « puçist ». Nuk dihet se çfarë emërtimesh do të marrë më vonë.
12. Ibrahim Rugova : Ish-antar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe shkrimtar. Në vitin 1989 përjashtohet nga lidhja e komunistëve. Me krijimin e Lidhjes demokratike të Kosovës, zgjedhet kryetar i saj. Në zgjedhjet e 24 majit 1992 zgjidhet president i republikës së Kosovës, rizgjidhet përsëri president i saj në 22 Mars 1998. Gjatë kësaj periudhe propaganda zyrtare e ka cilësuar « atdhetar, demokrat, patriot, yll demokracie » etj. Lëvizja nacional-çlirimtare që ka filluar në Kosovë, ka filluar ta akuzojë për bashkëpuntor të Millosheviçit dhe kolaboracionist. Nuk dihet se çfarë emërtimesh do të marrë më vonë, veçanërisht kur të mos jetë më president.
13. Rexhep Qosja : Intelektual i shquar i kombit shqiptar. Në fillimet e pluralizmit në Shqipëri, Partia demokratike e cilësonte si një ndër atdhetarët më të spikatur duke mbajtur portretin e tij në mitingjet e shumta që zhvillonte. I tillë u pranua nga tërë kombi shqiptar. Pas vitit 1993 në propagandën zyrtare të shtetit shqiptar ndryshoi emërtimi ndaj tij. Atdhetari zyrtarisht filloi të cilësohej « titist, ekstremist, terrorist, enverist etj » U arrit deri atje sa ju ndryshua dhe mbiemri duke e quajtur « Qosiç ». Pas vitit 1997, përsëri në propagandën zyrtare të shtetit shqiptar, ndryshoi emërtimi ndaj tij, duke e konsideruar si një atdhetar të madh. Në festimet e 85 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, ftohet zyrtarrisht nga pushteti shqiptar dhe në koncertin e dhënë, këndohet dhe një këngë për të. Brënda harkut kohor 1991-1998 ka marrë këto emërtime : « Atdhetar-titist-terrorist-enverist-atdhetar-rilindas i madh ». Nuk dihet se çfarë emërtimesh do të marrë në të ardhmen.
14. Neritan Ceka : Ish-nënkryetar i Partisë demokratike. I cilësuar nga propaganda e vitit 1991 si demokrat dhe atdhetar. Në fund të vitit 1991 boton një deklaratë duke dalë kundër kursit politik të partisë së tij. Në harkun kohor 1992-1997 nga propaganda zyrtare e shtetit shqiptar trajtohet si agjent, armik i demokracisë. Pas vizitës në beograd cilësohet zyrtarisht me anë të një komunikate televizive « kuisling dhe i shitur ». Pas zgjedhjeve të 29 qershorit ndryshon emërtimi ndaj tij duke u konsideruar si atdhetar. Brënda harkut kohor 1991-1998, ka marrë zyrtarisht këto emërtime : « Atdhetar-armik-agjent-kuisling-atdhetar ». nuk dihet se çfarë emërtimi do të marrë në të ardhmen.
15. Fatos Nano : Ish-antar i Partisë së punës. Ish-kryeministër i Shqipërisë në mars-prill 1991. I cilësuar nga opinioni i brëndshëm dhe i jashtëm i periudhës tetor 1990-shkurt 1991 politikan reformator dhe ekonomist i prirë drejt ekonomisë së tregut. Më vonë Kryetar i Partisë Socialiste. Gjatë vitit 1992-1993, nga propaganda zyrtare konsiderohet si « koka e korrupsionit, destruktiv, progrek, enverist ». Në 30 korrik 1993 arrestohet. Lirohet nga burgu në sajë të kryengritjes populloree të marsit 1997. Pas zgjedhjeve të 29 qershorit, ndryshojnë emërtimet ndaj tij, duke u cilësuar atdhetar. Aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Emërtimet zyrtare të harkut kohor 1991-1998 janë : «Demokrat-i korruptuar-enverist-demokrat-dezertor». nuk dihet se çfarë emëtimesh do të marrë më vonë.
16. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Për shekuj dhe dekada të tëra, legjendë dhe burim frymëzimi për shqiptarët. I shpallur Hero Kombëtar në periudhën 1945-1990. Në periudhën 1992-1997 fillon atakimi i figurës së tij. Në një nga distertacionet për gradën shkencore doktor i shkencave, ai cilësohet tradhëtar dhe shkaktar i fatkeqësive të popullit shqiptar kur ishte gjallë. Disertacioni me emërtimin e tij « tradhëtar », miratohet nga organet zyrtare të shtetit shqiptar. Pra pranohet zyrtarisht se autori i disertacionit kishte të drejtë. Aktualisht dhe Skënderbeu është me dy emërtime : « Hero-tradhëtar ». Nuk dihet se çfarë emërtimesh do të marrë më vonë.
Lista mund të vazhdojë akoma dhe të zgjatet pambarimisht. Por konkluzioni, gjithsesi është i qartë :
Përfundim i pjesshëm
Kaq shumë « tradhëtarë » dhe kaq pak figura historike të panjollosura kanë në themel të tyre disa shkaqe që kanë nevojë të evidentohen dhe të dihen.
Së pari :Historikisht po dhe aktualisht, në cilësimet « tradhetar, armik apo i shitur », më shume ka vepruar dhe vepron jo llogjika dhe analiza kombetare, por llogjika dhe analiza partiake, ideologjike dhe personale. Kushdo që ishte kunder Ahmet Zogut dhe ideologjise monarkiste, ishte tradhëtar dhe i shitur. Kushdo që ishte kundër Enver Hoxhes dhe Partise se Punes, ishte tradhetar dhe i shitur. Kushdo që ishte kunder S.Berishes dhe Partise Demokratike, ishte tradhetar, armik i terbuar i demokracise, apo i shitur.
Ne te tria rastet, pavaresisht nga ngjyrimet ideologjike , thelbi eshte nje dhe i vetem. Drejtuesi kryesor i shtetit dhe partia qe drejtonte dhe drejton ai, ishte njehsuar dhe vazhdon te njehsohet me kombin. Rrjedhimisht kush ishte dhe kush eshte kunder tyre , a priori eshte dhe kunder kombit, pra eshte tradhetar.
Se dyti : Qeveritaret shqipetare as kane njohur dhe vazhdojne te mos e njohin akoma llogjiken e dialogut dhe te doreheqjes. Nëqoftese kjo ishte e justifikuar me periudhat e mëparshme, pasi Shqiperia ne vitet 1928-1939 ishte monarki, dhe pas vitit 1945 diktature proletariati, eshte e pajustifikueshme në periudhën 1991-1998, kur te paktën formalisht quhet vend pluralist. Shëmbulli më tipik ishte qëndrimi i qeverisë së periudhës janar-shkurt 1997, e cila për të mos dhënë dorëheqje, për të mos ikur nga pushteti, shkatërroi shtetin. Si per qeveritaret e së kaluarës ashtu dhe per te sotmit : Dialog do të thotë poshterim dhe doreheqje do te thote dorëzim. Me kete llogjike qe sot perben vijen e sjelljes se qeveritareve shqipetare , kush kerkon dialog dhe kush ben dialog, kush kërkon dorëheqje, ai menjehere do te akuzohet per fyerje, menjehere do te cilesohet armik i demokracise, menjehere do te akuzohet per destabilizues, per perçares i kombit, tradhetar etj.
Ajo qe ka me tepër rëndësi, ne kete çeshtje eshte fakti se qeveritaret dhe lideret e sotem partiake te Shqiperise , kane shume nevoje te nxjerrin mesime nga e kaluara. Megjithate faktete e deritanishme te zhvillimit te jetes politike ne Shqiperi, tregojne se ata jane shume larg nje gjeje te tille . Perse valle ?…Nuk e kuptojne se çfare tragjedie po i pergatisin vvendit me nje menyre te tille te vepruarit. Veshtire te besohet, por siç duket atyre u pelqen e kaluara , megjithese bejne sikur e shajne dhe e kritikojnë. Gjejne me komode dhe me te pershtatshme sharjet dhe etiketimet, se sa analizen llogjike, gjejne me reale termat « armik, tradhetar, i shitur », perdorimin e te cilave ua jep posti dhe qenja ne pushtet. Me kete qendrim dhe kete praktike, ata perfundimisht pushojne së qëni politikanë dhe shnderrohen ne monarke dhe sundimtare. Dhe sa rrëzohen nga posti, sa bien nga posti, menjehere nderrohen vendet. Atdhetaret shnderrohen ne tradhetare dhe tradhetaret ne atdhetare.
Pra me llogjiken e deritanishme « tradhetaret dhe armiqte » do te vazhdojne te shtohen ne Shqiperi. Me kete llogjike, Shqiperia nuk do te kete kurre tradhetare apo atdhetare. Por do te kete qenje me dy koke te quajtur « tradhetaro-atdhetare dhe atdhetaro-tradhetare ».
 
Demokracia dhe konventa morale e shoqërisë
Neqoftese te gjithe pohojne se ne Shqiperi, demokracia, ka nevoje te shnderrohet ne realitet, atehere para se gjithash, kerkohet te eliminohet njehere e mire kjo dukuri qe denigron njerezit dhe e le kombin pa figurat e tij historike. Kjo kerkon para se gjithash qe çdo parti te largoje nga skena politike sundimtaret, bajraktaret, feudalët dhe te nxjerre ne krye atdhetaret dhe politikanët që duke marrë parasysh realitetet e reja politiko dhe sociale, ruajnë dhe kultivojnë thelbin dhe identitetin kombëtar. Sot per sot, tonin e jetes politike ne Shqiperi, nuk ia japin politikanet dhe atdhetaret, por sundimtaret, karrieristet dhe diletantet politikë. Bashkëjetesa e mendimeve dhe pikpamjeve te ndryshme nuk i njeh termat « tradhetar, armik apo i shitur », perkundrazi njeh vetem nje shprehje « opozitare, por vellezer ». Megjithatë fatkeqsisht shqiptarët nuk kanë akoma një marrëveshje, një konventë morale, me të cilën të jenë dakord të gjithë, të majtë apo të djathtë, të qëndrës së majtë apo të qëndrës së djathtë. Klasa politike shqiptare, akoma nuk ka një mendim të përbashkët se cilat janë figurat politike dhe historike të pranueshme për të gjithë. Konventa morale të cilën e ka çdo shtet në Evropë dhe në botë, është premisa e parë e shkallës së civilizimit të një kombi dhe të një vëndi. Edhe Amerika, edhe Franca, edhe anglia, edhe gjermania, edhe Italia kanë me dhjetra e dhjetra parti politike. Por secili prej këtyre vëndeve ka një konventë morale, për figurat historike të kombeve të tyre, të cilën janë të detyruar ta zbatojnë të gjitha partitë. Ndërsa mos zbatimi i saj konsiderohet cënim i ndërgjegjes dhe dinjitetit kombëtar. Ndërsa tek shqiptarët akoma nuk dihet se kush quhet cënim i dinjitetit dhe frymës kombëtare. Liria e individit. grupit apo partisë politike që atakon idetë dhe pikpamjet politike të individëve, grupeve apo partive të tjera politike, është shprehje e shkallës së pluralizmit politik të një vëndi. Ndërsa liria e individit, grupit apo partisë politike që atakon konventën morale të vëndit apo shoqërisë, është shpërdorim i lirisë dhe shprehje e anarshisë dhe primitivizmit të një vëndi apo një shoqërie.
 
 
 
« Vija » e Kuqe dhe « lumi » i gjakut
Në periudhën kohore 1992-1997, mbi popullin e Kosovës u ushtrua një propagandë manipulative e rrallë dhe marramëndëse. Politikanët dhe partiakët shqiptarë, si zëdhënës dhe altoparlantë të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare, këtë « detyrë » e kryen shumë mirë mbi popullin e tyre. Brënda kësaj propagande dhe pjesë përbërëse, bile nga më kryesoret ishte referimi që bënin politikanët shqiptarë, për gjoja mbështetjen totale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sa herë që politikanët shqiptarë ndodheshin ngushtë para popullit të tyre, ata e gjenin « shpëtimin » tek Amerika. Sipas tyre Amerika dhe drejtuesit e saj, e kishin paralajmëruar udhëheqjen sërbe, se ata nuk do të toleronin shkeljen e « vijës së kuqe » në Kosovë. Tragjikomedia e politikanëve dhe propagandistëve shqiptarë ishte e madhe. Askush nga populli nuk e dinte se cila ishte vijë e kuqe, që nuk duhej ta toleronte Milosheviçi. Megjithatë, « vija e kuqe », tashmë është shndrruar në « lumë gjaku ». Por përsëri ka vetëm deklarata dhe lundër deklarata, intervista, kërcënime verbale dhe vetëm kaq. I vetmi mjet që mund dhe duhet ta ndalë këtë « lumë gjaku », është rezistenca e popullit shqiptar të Kosovës dhe e forcës së saj ushtarake.
 
Adem Demaçi
Nga Ballkania tek Uçk-ja
Vëzhgimi i konceptit politik të Adem demaçit lidhur me zgjidhjen e problemit të kosovës është paraqet një rrëmujë zgjidhjesh. Në fillimet e viteve 1991, pasi doli nga burgu, ai përqafoi vijën e Rugovës, duke i thënë atij se unë do tju ndihmoj në rrugën tuaj. Më pas bashkë me disa politikanë të tjerë, mori pjesë në një funeral me moton « Të varrosim dhunën ». Në vitin 1994, mbrojti konceptin e projektkushtetutës së Shqipërisë ku problemi i Kosovës trajtohej si problem pakice kombëtare. Në vitin 1996, përpunon platformën e tij të quajtur Ballkania.Me caktimin e tij kryetar i partisë parlamentare të Kosovës, përpunon teorinë tjetër me moto : « As luftë, as kapitullim ». Ndërsa me fillimin e kryengritjes në Kosovë, në muajin gusht caktohet përfaqësues politik i UCK-së. Nuk dihet se çfarë platforme do të përcaktojë në të ardhmen.
 
Sali Berisha :
Nga bashkimi tek hapsirat demokratike e përsëri tek bashkimi
Në fillimet e pluralizmit në Shqipëri një nga tezat kryesore të Berishës, ishte përpunimi i platformës së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Pasi zgjidhet president i Shqipërisë, në vitin 1993 në Bruksel, deklaron se Shqipëria as ka kërkuar dhe as do të kërkojë ndryshime kufijsh. Në vitin 1994, u bën thirrje shqiptarëve të Kosovës të heqin dorë nga kërkesat maksimaliste. Gjatë vizitës në Londër, deklaron se shqiptarët duhet të kenë një autonomi si i vitit 1974. Ndërsa në vitin 1995, hedh tezën e pakuptueshme nga kërkushi se problemi i Kosovës do të zgjidhet brënda « hapsirave demokratike ». Ndërsa gjatë muajit shtator 1998, deklaron përsëri se do të luftojë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Nuk dihet se çfarë konceptesh të tjera do përpunojë në të ardhmen.
 
Fatos Nano
Nga Republika « minus » tek « rrethimi demokratik »
Gjatë vizitës së tij në Zvicër, në takimet me komunitetin shqiptar, antarë dhe simpatizantë të Lëvizjes popullore të Kosovës, Nano ishte dakord me pikpamjet e tyre për zgjedhjen radikale të problemit të Kosovës. Gjatë kohës që ishte në burg, nuk përpunoi ndonjë platformë konkrete lidhur me Kosovën. Ndërsa mbasi i bë Kryeministër, në takimin me Millosheviçin në Kretë, ishte partizan i zgjidhjes paqësore, me tezën drejtuar Milosheviçit se « ju që bëtë luftën, kini mundësi të bëni dhe paqen ». Gjatë vitit 1998 hedh tezën se Kosova mund dhe duhet të bëhet një republikë minus. Më vonë ashtu si Berisha, përpunon tezën e pakuptueshme të zgjidhjes së problemit të Kosovës në kuadrin e « rrethimit demokratik » që do t’i bëhet Serbisë. Nuk dihet se çfarë konceptesh do të përpunojë më vonë
Ibrahim Rugova :
Nga protektorati tek shteti i hapur
Më tipiku nga politikanët shqiptarë, është Ibrahim Rugova. Në fillimet e tij, në prag të Konferencës së hagës, ai doli me tre variante për zgjidhjen e problemit të kosovës, njëri prej të cilëve ishte bashkimi me Shqipërinë, Më vonë hoqi dorë dhe doli me variantin e pavarsisë së Kosovës, duke shfrytëzuar referendumin e 24 Majit 1992. Më vonë, hodhi idenë e shtetit neutral të kosovës, e hapur ndaj serbisë dhe Shqipërisë. Nga mesi i viteve 1994, doli me variantin e Kosovës si protektorat nën kujdestarinë e OKB-së. Tani i është rikthyer tezës mbi republikën e Kosovës. Nuk dihet se çfarë varianti do të përpunojë më vonë.
 
Përmbledhje e paradoksit të politikanëve shqiptarë lidhur me çështjen kombëtare:
Periudha kohore 1992-1998
-Bashkim me Shqipërinë
-Republikë e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi
-Pavarsi e Kosovës
-Republikë e Kosovës
-Republikë brënda federatës ballkanike
-Shtet neutral
Shtet i hapur
-Autonomi i 1974
-Republikë minus
-Protektorat
-Hapsira demokratike
-Rrethim demokratik
-Republikë me rezolutë
 
Tiranë ; Mars-Gusht 1998