Çështja kombëtare
Me shpërbërjen e Jugosllavisë, në Kosovë, pushoi se ekzistuari zyrtarisht klasa e vjetër politike. Vëndin e saj e zuri një klasë e re politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së saj, në Kosovë u zhvillua referendumi për pavarsinë e Kosovës, u shpall Republika e kosovës, u zgjodhën organet e Kosovës etj. U zhvillua një veprimtari marramëndëse ecejakesh nëpër botë për të siguruar përkrahjen ndërkombëtare. U bë një propagandë marrëzisht euforike duke krijuar në popull idenë se mjafton 3% detyrim dhe detyra quhet e kryer. Në mardhëniet me Serbinë u predikua dhe aplikua teoria e moskundërshtimit apo e rezistencës paqësore apo ndryshe teoria kristiane që kur të bien në një faqe, mos kundërshto por ktheji faqen tjetër. Brënda kësaj periudhe, u hodh teza e Rugovës se deri në vitin 1991 shqiptarët kishin qënë « grindavecë dhe destabilizues », ndërsa pas kësaj periudhe ata u bënë « stabilë » ! ! Përfundimi pas 5 vjetësh: Serbia nuk e njeh pavarsinë dhe republikën e Kosovës. Bashkësia europiane nuk e njeh pavarsinë e Kosovës. Amerika po ashtu. Deklarata e 22 Majit 1993, e ministarve të jashtëm të grupit të Kontaktit, ishte e qartë dhe pa asnjë ekuivok : « Pavarsia e Kosovës nuk pranohet ». Ndërsa Serbia vazhdon politikën e saj dhe nuk pranon të bisedojë as për autonominë e Kosovës. Bile nuk pranon të bisedojë as për të drejta njerëzore siç janë arsimi apo shëndetësia, jo më për të drejta kombëtare. Tashmë këtë e di dhe qytetari më i thjeshtë i Kosovës. Kosova dhe e ardhmja e saj aktualisht ndodhet në një udhëkryq të madh historik. Konkluzioni: Vija politike e klasës politike të Kosovës në arritjen e pavarsisë, dështoi plotësisht. Janë të pakta ato shtresa të popullsisë tashmë në Kosovë që besojnë në vijën politike të klasës politike kosovare të përfaqësuar nga Rugova. Mosbesimi, dëshpërimi apo zhgënjimi janë tashmë ndjenjat më të përhapura në shumicën e popullit shqiptar në Kosovë. Në politikën e jashtme, u rrëzua mjegulla e propagandës se gjoja faktori ndërkombëtar po e mbështet pavarsinë e Kosovës. Politikanët shqiptarë nuk kanë më se çfarë t’i thonë popullit të tyre për gjoja mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Në mes të Prishtinës dhe në sytë e politikanëve shqiptare, mëse një herë politikanë dhe diplomatë të bashkësisë ndërkombëtare kanë deklaruar dhe vazhdojnë të deklarojnë se ata po bisedojnë me Sërbinë, për ti siguruar Kosovës një autonomi. U vërtetua plotësisht në sytë e shumicës së opinionit të shqiptarëve të Kosovës se : Politika e rezistencës pasive e aplikuar nga klasa politike në Prishtinë, nuk është shënjë e qytetërimit evropian, por dukuri e vetnënshtrimit dhe fyerjes kombëtare. Politika e « nacionalizmit si kapital politik », e aplikuar nga klasa politike në Tiranë, nuk është shënjë e atdhedashurisë, por dukuri i mashtrimit politik. Çfarë duhet bërë ? Ka disa mundësi dhe variante që kanë nevojë të përpunohen dhe realizohen. Kryesorja është që të mos kultivohet pesimizmi dhe të mos vazhdojë më manipulimi i turpshëm i klasës politike në Prishtinë dhe Tiranë. Rruga e parë: Të pranohet autonomia e Kosovës, që sugjerohet nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë do ta pranojë lehtësisht dhe Sërbia. Në këto kushte, brënda këtij varianti, brënda kësaj zgjidhjeje politike, nuk ka nevojë të luftohet për daljen në skenë të një klase të re politike. Klasa aktuale politike në Prishtinë është e vlefshme, ajo i ka të gjitha mundësitë, pasi ajo e përballon autonominë. Shumica dërrmuese e kësaj klase është produkt dhe pjellë e autonomisë së Kosovës së vitit 1974 dhe të vitit 1989. Megjithatë është tepër e vështirë të pranohet ky variant. Eshtë e pamundur. Shumica e popullit në Kosovë nuk ka për ta pranuar këtë mundësi. Nga presioni i popullit për efekte propagandidtike nuk do ta pranojnë hapur dhe një pjesë e konsiderueshme e politikanëve në Prishtinë. Rruga e dytë: Të mos pranohet autonomia e Kosovës dhe të vazhdohet për realizimin e materializimit të republikës dhe pastaj në një fazë më të mëvonshme të pavarsisë së saj. Në këto kushte, me pranimin e këtij varianti, lind nevoja e daljes nga skena të klasës aktuale politike të Kosovës dhe nevoja urgjente e daljes në skenë të klasës së re politike. Por përsëri lind një pyetje ? Si mund të realizohet kjo kur dihet se sa e vështirë është lufta për pushtet dhe kur askush nuk pranon se ka dështuar? As Rugova, as Bukoshi, as Krasniqi, as Demaçi etj, pra askush prej tyre nuk pranon se ka dështuar. Në të kundërtën, ata luftojnë t’i mbushin mëndjen popullit se vazhdojnë të jenë të suksesshëm. Në ndihmë të tyre është një propagandë e fuqishme shtypi dhe televizive. Përsëri ka dy rrugë: Rruga e parë është vetëm konstatimi i dështimit të vijës. Kjo është shumë e lehtë, pasi tani kanë filluar ta shohin të gjithë ata që marrin sadopak vesh nga politika. Eshtë shumë e lehtë dhe shumë komode për të gjykuar atë që ka ndodhur dhe njerzit e saj. Pra është shumë lehtë të thuash se « Rugova ka dështuar » se « Bukoshi ka dështuar, pasi ai më shumë është kryeministër i jashtëm se sa kryeministër real », se « Demaçi ka dështuar, pasi ai kërkon të kthejë rrotën e historisë pas me ballkaninë e tij të famshme » etj etj si këto. Por kjo nuk e zgjidh problemin. Ajo konstaton se çfarë është bërë, por nuk thotë se çfarë duhet bërë. Veçanërisht në politikë nuk lejohet boshllëk, pasi ndryshe do t’i hapej rrugë anarkisë dhe kaosit. Rruga e dytë është hartimi i një vije të re politike që të mbajë parasysh eleminimin e dështimeve të deritanishme dhe të parashikojë taktikat që duhet të ndiqen për realizimin e pavarsisë së Kosovës. Kjo është më vështirë, por nuk është e parealizueshme. Çfarë mund të ketë në thelbin e saj kjo vijë e re politike? Disavantazhet e çështjes kombëtare shqiptare. Eshtë një fakt i njohur se politika dhe diplomacia shqiptare në politikën e jashtme ka disa disavantazhe të cilat duke qënë objektive kanë nevojë të njihen për të zvogëluar negativitetin e tyre në çështjen kombëtare. Cilat janë këto disavantazhe që vija e re politike mund dhe duhet t'i mbajë parasysh në veprimtarinë e saj: 1-Shqiptarët janë bashkëkohës reale dhe fizikë të Evropës, pa qënë bashkëkohës historike të saj. Përse është kështu. Le të bëjmë një sqarim të shkurtër. Mos kemi të bëjmë me ndonjë kontradiksion apo paradoks? Sepse dikush mund të na kundërshtojë menjëherë duke na thënë : « Nuk është e vërtetë, pasi në Evropë ka me dhjetra probleme pakicash kombëtare të cilat dhe sot janë të pazgjidhura ». Megjithatë ka një dallim esencial dhe rrënjësor, midis çështjes shqiptare, çështjes baske, çështjes irlandeze, çështjes hungareze, rumune polake etj etj. Cili është dallimi ? Kur flitet për problemin e Kosovës, nuk kemi të bëjmë me zgjidhjen e një çështjeje të një pakice kombëtare, por me një çështje kombëtare të pazgjidhur. Shqiptarët janë i vetmi popull i Evropës që problemin kombëtar e kanë akoma të pazgjidhur megjithse po hyjmë në shekullin e 21-të. Më shumë se gjysma e teritoreve dhe më shumë se gjysma e popullit jeton jashtë kufjive të shtetit të njohur zyrtarisht nga bashkësia ndërkombëtare. Por pohimi i këtij realiteti, ka brënda dhe disavantazhin e parë të madh, për politikën dhe diplomacinë shqiptare. Sepse nuk duhet të mos harrojmë se Evropa përgjithësisht çështjet kombëtare i zgjidhi deri në fund të shekullit të kaluar, maksimumi deri në Konferencën e Versajës në vitin 1919. 2-Shqiptarët janë i vetmi popull në Evropë që janë të vetmuar, pa miq dhe aleatë të konsoliduar. Edhe ky pohim përbën një disavantazh. Megjithatë i xhveshur nga propaganda e politikanëve shqiptarë të Prishtinës dhe Tiranës është fatkeqsisht i vërtetë. Dihet se përgjithësisht në Evropë bëjnë pjesë tre grupe të mëdhenj popujsh që janë të ndarë në dhjetra shtete. Popujt romanë, gjermanike dhe sllavë. Origjina e përbashkët racore, i bën këto grupe popujsh që ti gjënden njeri-tjetrit në rastet e zgjidhjes së problemeve madhore. Për ta ilustruar mjafton të marrim si shëmbull Rumaninë. Pas rrëzimit të Causheskut, udhëheqësi i Rumanisë u bë ish-sekretari i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Rumune, Ion Iliesku. Megjithse propaganda e disa vëndeve perëndimore, filloi të fliste kundër tij, kjo nuk e pengoi shtypin francez të shkruante se vëllezërit latinë erdhën në gjirin tonë, kjo nuk e pengoi ish-presidentin e Francës, Miteran që të bënte vizitën e tij të parë në Bukuresht, për t’i dhënë mbështetje. E njëjta gjë përsëritet pas pesë vjetësh, me rastin e diskutimit të kërkesave të ish-vëndeve socialiste për tu pranuar në NATO. Eshtë tepër e njohur për të gjithë, politikën dhe diplomacinë, këmbëngulja e madhe të Shirakut për pranimin e Rumanisë në NATO, para shteteve të tjera. Origjina e njëjtë romane përbën një ndër shkaqet e kësaj këmbënguljeje. 3-Shqiptarët janë i vetmi popull i Evropës me tre besime fetare, por me asnjë grindje dhe luftë fetare. Por nëqoftëse për shqiptarët kjo është shënjë civilizimi dhe harmonie kombëtare, për psikologjinë evropiane është ndryshe, është « pabesi dhe barbarizëm », jo ndaj kësaj apo asaj filozofie dhe ideologjie politike, por ndaj besimit në përgjithësi. Por të gjithë e dinë se psikologjia ka ndikimin e saj në përpunimin e politikës dhe të diplomacisë. Për ta bërë më të prekshme këtë, mjafton të sjellim disa fakte. Në periudhën 1992-1997, një pjesë e mirë e propagandës perëndimore në shkrimet apo emisionet televizive, përpiqej të jepte përshtypjen e popullit shqiptar si një vend musliman duke vënë gjithnjë në ballë të emisionit apo të shkrimit, pamjet apo numrin e xhamive. 4-Pozita e dobët ndërkombëtare e shtetit shqiptar në Shqipëri. Aktualisht në Shqipëri janë disllokuar forcat shumëkombëshe. Nga klasa politike shqiptare, një gjë e tillë konsiderohet si normale, si shprehje e demokracisë dhe e mardhënieve demokratike ndërkombëtare. Por në thelb nuk është kështu. Prania e forcave ndërkombëtare në Shqipëri, e ka dobësuar së tepërmi pozitën ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Aktualisht në Shqipëri nuk ka shtet, por vetëm një protektorat i cili mbahet në këmbë nga forcat e operacionit « Alba ». Ka dhe një qeveri që çuditërisht quhet e « Pajtimit » kombëtar, e cila mezi kontrollon Tiranën. Kryeministri real i Shqipërisë realisht është një i huaj, i cili quhet Franc Vranicki. Në fazën aktuale, ai nuk mund të jetë mbështetës i zgjidhjes së çështjes kombëtare në Kosovë, pasi ai nuk ekziston . Eleminimi i dobësive të vijës së mëparshme politike. Politika shqiptare e periudhës 1992-1997, në drejtim të realizimit të çështjes kombëtare, ka qënë një politike pa bosht, ka qënë një amalgamë zgjidhjesh, pozicionesh, qëndrimesh, asnjëherë në unison me njëra tjetrën. Me përjashtim të slloganit « ne kemi shpallur pavarsinë », çdo veprim tjetër nuk i është përgjigjur realitetit politik dhe social në Kosovë. Disa tregues konkretë janë të mjaftueshëm : Teoria dhe praktika e bindjeve politike. Në Kosovë thonë se luftojnë për zgjidhjen e çështje kombëtare me dhjetra parti politike e me dhjetra politikanë. Secila prej tyre ngul këmbë se bindjet politike të saj janë faktori themelor i zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Secili politikan ngul këmbë se bindjet politike të tij, janë pikënisja më e drejtë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Koncepti dhe mentaliteti i tyre rrëzohet shumë kollaj po të shtrohet pyetja: Në konferencën e Berlinit të vitit 1878, cilat bindje politike i coptuan trojet shqiptare ? Bindjet komuniste, monarkiste apo kapitaliste ? Në konferencën e Versajës të vitit 1919, apo dhe më vonë dhe në atë të Jaltës, të vitit 1945 kush ishte primare: bindjet politike apo interesat e fuqive evropiane për tregje dhe zona influence? Secili që do të gjykojë me mëndje të ftohtë, do të arrijë në konkluzionin se ndarja e kombit dhe trojeve shqiptare gjithmonë ka patur në themel interesat dhe zonat e influencës midis fuqive të mëdha. Në mënyrë të natyrshme shtrohet pyetja: Kur të tjerët për të na coptuar, nuk janë nisur nga bindjet politike, por nga interesat, përse ne për tu bashkuar nisemi nga bindjet politike? Eleminimi i teorisë dhe praktikave të bindjeve politike në mënyrë të natyrshme do të kërkojë eleminimin e partive politike shqiptare në Kosovë dhe krijimin e një organizmi gjithë kombëtar. Kjo do të jetë dhe duhet të jetë pikënisja e hartimit dhe përpunimit të një vije të re politike në Kosovë. Lufta për shtet apo lufta për pushtet Deri tani, megjithse në propagandë, është theksuar se veprimtaria e të gjitha forcave politike të Kosovës ësshtë orientuar drejt luftës për pavarsinë e saj, në praktike është vepruar në të kundërtën. Veprimtaria e tyre, tregon se ato parësore kanë patur luftën për pushtetin fiktiv në pushtetin sërb se sa luftën për shtetin real të Kosovës. Ka shumë elementë që provojnë pohimin e mësipërm, por do të veçoj dy prej tyre. Elementi i parë është. Vetëm nga vëzhgimi i propagandës së shtypit shqiptar gjatë një muaji, del se rreth 70% e kësaj propagande ka qënë brënda për brënda partive politike shqiptare me kritika të ndërsjellta ndaj njëra tjetrës dhe rreth 30 % ka qënë ndaj Sërbisë që pengon jetësimin e shtetit shqiptar. Ky vëzhgim është kryer vetëm në tre gazeta, në « Rilindja », « Bota Sot » dhe « Koha ». Elementi i dytë. Në luftën për të fituar një shtet përdoren të gjitha format e luftës që nga demostratat, grevat, deri tek kryengritja e armatosur, ndërsa në luftën për pushtet përdoren vetëm format paqësore të luftës siç janë mitingjet, zgjedhjet etj. Përcaktimi i klasës politike shqiptare për një rezistencë paqësore pasive, ështe domethënia më e qartë se në veprimtarinë tyre, lufta për shtetin e Kosovës është vetëm një reklamë propagandistike, ndërsa lufta për pushtet brënda shtetit serb është thelbi i veprimtarisë së tyre. Politika e inatit dhe « inati » i politikës. Në veprimtarinë e saj klasa politike shqiptare në Kosovë, në përgjithësi më shumë ka bërë një politikë të inatit. Treguesi më konkret i kësaj politike kanë qënë dhe janë qëndrimi ndaj kritikave dhe sugjerimeve të ndryshme. Ka qënë fakt se në Kosovë, me dhjetra njerëz, intelektualë, analistë politikë apo publicistë, kanë reaguar me fakte dhe argumente ndaj vijës politike të ndjekur nga grupi i Rugovës dhe partive të tij aleate. Mirpo çfarë ka ndodhur ? Ndaj tyre është reaguar jo me tolerancë, jo me qetësi, por me inat, me bajraktarizëm, duke harruar pasojën. Eshtë harruar « inati » i politikës. Dhe « inati » i politikës është disa fish më i madh. Nga njëra anë ata që e kanë ushtruar politikën e inatit janë thelluar më tepër në gabime sepse "për inat të filanit" ne « do bëjmë siç dimë vetë ». Ndërsa nga ana tjetër janë larguar nga lufta për zbatimin e vijës politike me qindra njerëz, mendimet e të cilëve nuk janë përfillur. Dëmin më të madh e ka pësuar çështja kombëtare që ka mbetur në vënd numuro, apo që është diskredituar akoma më shumë. Teoria e mohimit Vija politike e politikanëve dhe partive politike në Kosovë, ka qënë në shumicën e saj, një vijë politike mohuese. Ato që të gjitha dhe me dhjetra herë kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë "se ne nuk mund të jetojmë dot nën pushtetin serb". Kjo përbën tiparin themelor të vijës së tyre politike. Le ta pranojmë për një çast se të gjithë në këtë pikë janë të sinqertë. Por mungon themelorja në këtë thënie, që ata e quajnë vijë politike: Si do të dilet nga kjo situatë, si do të realizohet pavarsia e Kosovës. Ata nuk pohojnë asgjë, në veprimtarinë e tyre. Në këtë drejtim vija politike e politikanëve shqiptarë është tepër e zbehtë dhe përmblidhet vetëm në një frazë, që tashme është bërë bajate: "Ne kemi shpallur pavarsinë ». Megjithse me i avancuar, këtij difekti themelor nuk i shpëtoi as grupimi i ri i Adem Demaçit, që doli në skenën politike shqiptare në fillim të vitit 1997. Thelbin e vijës së tij politike, Demaçi e ka përmbledhur në shprehjen "As luftë, as Kapitullim". Vëzhgojeni me kujdes. Pra "as.., as", pra mohim. Por nuk thuhet po kaq hapur se çfarë do të bëhet. Midis « luftës » dhe « kapitullimit » është një fushë shumë e gjërë veprimi, e mbushur me elementë konkretë, të cilët nuk përmënden, por përmëndet vetëm ajo që nuk do të bëhet, pra "As luftë, as kapitullim". Po çfarë do të bëhet? Populli ka nevojë pikërisht për atë që do të bëhet, për rrugët nëpër të cilat do të eci drejt realizimit të pavarsisë dhe jo për ato që nuk duhet të ecë. Besa dhe diplomacia Përbën ndoshta difektin më të madh të vijës politike të shqiptarëve në realizimin e pavarsisë kombëtare, që ështe e nevojshme të eleminohet në të ardhmen. Eshtë e vërtetë se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, veç të tjerave kërkohet dhe një diplomaci e zgjuar me të huajt, veçanërisht me fuqitë e mëdha. Por çfarë ka ndodhur me shumicën e klasës politike shqiptare gjatë këtyre 5 vjetëve? Po të vëzhgosh veprimtarinë e saj, politikën dhe propagandën e saj, do të vesh re një dukuri shumë interesante, por dhe shumë trishtuese. Gjatë periudhës kohore të mësipërme, pra gjatë viteve 1992-1997, shumica e politikanëve shqiptarë, kanë bërë vërtetë politikë dhe diplomaci, por fatkeqsisht këtë e kanë bërë në gjirin e tyre, me shqiptarët dhe brënda shqiptarëve, me popullin e tyre dhe brënda popullit të tyre. Ndërsa me të huajt, në të kundërtën, ata kanë ecur me besë, me sinqeritet, me besim naiv. Vetëm një vëzhgim i pjesshëm i propagandës së këtyre 5 vjetëve, të bind për një gjë të tillë. Propaganda e politikës shqiptare gjatë këtyre pesë vjetëve, është përpjekur dhe vazhdon të përpiqet ti mbushë mendjen popullit se "çështja e Kosovës" shkon mirë etj, etj në një kohë që ajo ka shkuar keq, në një kohë që bashkësia ndërkombëtare e ka kufizuar atë deri në nivelin e të drejtave qytetare. Pra ka bërë diplomaci dhe politikë me popullin e saj. Ndërsa të huajve u thuhet se ne jemi keq, Serbia na shtyp, ne jemi një popull që meritojmë të shpërblehemi, ne e kemi lënë zgjidhjen e çështjes sonë në dorën e bashkësisë ndërkombëtare sepse kemi besim etj. Ndërsa të huajt në takime me politikanët shqiptarë, kanë ecur dhe vazhdojnë të ecin me interesa. Kjo mënyrë të vepruari e ka vënë politikën dhe diplomacinë shqiptare në një pozitë të pafavorshme, ndërsa çështjen kombëtare e ka katandisur në çështje të të drejtave të njeriut. Propaganda dhe politika Në zbatimin e një vije politike, për më tepër kur bëhet fjalë për realizmin e pavarsise së Kosovës, dhe politika dhe propaganda kanë vëndin e tyre, por ato e dëmtojnë shumë klasën politike dhe qëllimin e saj kur ngatërrohen dhe zëvëndësojnë njëra tjetrën. Po bëhem më konkret: E para : Propagandës i lejohet dhe ta zbukurojë realitetin për tu mbajtur gjallë njerëzve shpresën, ndërsa politikës nuk i lejohet. Dhe e dyta; propagandës i lejohet të merret me ngjyrat ideologjike dhe bindjet politike të njerëzve, ndërsa politikës nuk i lejohet. Fatkeqësisht në praktikën e klasës politike të Kosovës, më shumë është bërë dhe vazhdon të bëhet propagandë se sa politikë. Në politikën e klasës politike shqiptare në Kosovë, vihen re dy dukuri që e mbështesin pohimin e mësipërm. Dukuria e parë është zbukurimi i realitetit të çështjes së Kosovës, fshehja e gjëndjes reale, krijimi i një gjëndjeje euforike etj, e cila e ka emrin propagandë dhe jo politikë. Vetëm një vëzhgim i përciptë i deklaratave të politikanëve të ndryshëm shqiptarë, i konferencave të tyre të shtypit, i pohimeve të tyre para popullit të bind për një gjë të tillë. Ja një shëmbull konkret: Qysh në Maj 1993 në Deklaratën e pesë shteteve të grupit të Kontaktit, ku bënte pjesë dhe Amerika u deklarua se ato nuk e njohin pavarsinë e Kosovës. Por këtë të vërtetë të hidhur, politikanët shqiptarë ja mbajtën të fshehur popullit, duke predikuar të kundërtën, që gjoja Amerika po i mbështet politikanët shqiptarë. Pas 4 vjetësh kur të dërguarit e ambasadës amerikane deklaruan fare hapur në mes të Prishtinës se ata do të mbështesin vetëm autonominë e Kosovës, kjo ishte një zhgënjim i madh për popullin shqiptar që ishte ushqyer për shumë vite nga politikanët e tij me idenë false se Amerika po na mbështet. Dukuria e dytë ka të bëjë me bindjet politike të njerëzve. Politikanët shqiptarë që luftojnë për pavarsinë e Kosovës, në mobilizimin e njerëzve rreth realizimit të këtij qëllimi, janë nisur nga bindjet politike të njerëzve. Mbi këtë bazë ata kanë afruar vetëm ata njerëz që kanë të njëjtat bindje politike ose simpatizantë të tyre. Ndërsa ndaj të tjerëve është mbajtur qëndrim i ftohtë, indiferent dhe në disa raste përbuzës apo armiqësor. Pra elementi i propagandës është bërë element i politikës. Në propagandë, ka emërtime të tilla si demokrat, republikan, lëpëkist, i kuq, i verdhë, i majtë i djathtë etj. Por në politikën për arritjen e pavarsisë kombëtare, këto terma nuk vlejnë, në politikë ka një kriter tjetër: Kush është i përkushtuar dhe kush jo ndaj çështjes kombëtare, kush është patriot falso dhe kush i vërtetë, kush është i aftë dhe kush i paaftë . Duam apo nuk duam, jemi të detyruar për hir të së vërtetës, të pohojmë se shumë politikanë deri tani kanë luajtur me fatin e Kosovës. Ky është cinizëm dhe asgjë tjetër. Të luash me një histori nuk është dinjitoze, të luash me një gazetë nuk është profesionalizëm, të luash me një parti nuk është serioze, por të luash me ndjenjat e një populli, kjo është më tepër, është aventurë, është hipokrizi
Njohja dhe shfrytëzimi i mardhënieve ndërkombëtare në interes të pavarsisë së Kosovës Përvoja e viteve 1991-1996 dëshmon se klasa politike shqiptare në Kosovë, ka bërë një politikë të jashtme tepër diletante dhe pa bosht për sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare në arritjen e pavarsisë së Kosovës. Me tepër se sa analizë e faktorëve pozitivë dhe negativë në mardhëniet ndërkombëtare, kjo politikë ka qënë një numur i pafund vizitash, deklaratash, takimesh me diplomatë të të gjitha shteteve. Në themel të saj ka qënë besimi naiv se pavarsinë e Kosovës do ta zgjidhin mardhëniet demokratike dhe rendi i ri botëror. Klasa politike shqiptare e Kosovës nuk e kuptoi ose nuk deshi ta kuptonte se pas viteve 1991, pra pas përmbysjes së socializmit, i vetmi ndryshim në botë është se tani ekziston vetëm një sistem. Tjetër ndryshim thelbësor nuk ka në krahasim me të kaluarën. Me përjashtim të fasadës, thelbi i mardhënieve ndërkombëtare, ka mbetur po ai i mëparshmi. Nëqoftëse do ta përmbledhim thelbin e këtyre mardhënieve do të kishim një tabllo të tillë: Nga një anë kemi shpresat e popujve dhe vendeve të ndryshëm të cilët besojnë në krijimin e rendit të ri botëror dhe në vendosjen e marredhënieve demokratike në politikën ndërkombëtare. Njëkohësisht kemi interesat jetike dhe pragmatiste te Amerikës, kemi interesat e Kinës për t'u bërë superfuqi, kemi interesat e Gjermanisë për t'u bërë NJESHI i Evropës, kemi interesat e Francës për të vazhduar të lozë një rol të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare, kemi interesat e Rusisë për t'u rikthyer e fuqishme në politikën botërore, kemi interesat e botës arabe që nëpermjet integralizmit islamik të krijojë një fuqi të re botërore me peshë në politikën ndërkombëtare. Nga ana tjetër kemi epokën e pas socializmit, të mbushur me konflikte dhe mosmarrëveshje nga më të ndryshmet, kemi nacionalizmat e sotëm lindorë dhe perëndimorë, ashtu siç kemi dhe një propagandë marramendëse për marredhënie cilësisht të reja ndërkombëtare. Për ta bërë më të prekshëm konkluzionin e mësipërm, po argumetoj rolin e Amerikës si NJESHI i botës, shpresat e popujve të vegjël tek Amerika dhe realitetin e politikës së jashtme amerikane. Pse Amerika është sot Njëshi i botës? Së pari: Fuqia ekonomike teknologjike, shkencore dhe ushtarake, e kanë shnderruar sot Amerikën në superfuqinë e vetme në botë. Së dyti: Amerika është një komb dhe shtet i ri në krahasim me shtetet e tjera të Evropës. Ajo u krijua si e tillë nga vetë evropianët me emigrimet e tyre gjatë shekujve të fundit. Për më tepër, ajo u krijua jo nga një komb i vetëm, por nga disa kombe evropiane, të cilat, me vajtjen në Amerikë, u transformuan në amerikanë. Së treti: Në ndryshim nga shumë vende dhe shtete të ndryshme të Evropës, qofshin dhe të fuqishme, si Franca, Gjermania, Anglia, Italia, Japonia, apo Kina, Amerika, si gjeografikisht, ashtu dhe historikisht, është më e privilegjuar. Për çfarë arsye? Amerika nuk kufizohet nga vende dhe shtete që kanë qenë apo janë armiq të saj, nga vende që kanë qenë apo janë në konflikt me të. Të dy vendet që kufizohen me të, Kanadaja dhe Meksika, jo vetëm që janë më të pazhvilluara nga ajo, por kanë interes të mbajnë marredhënie të mira me të. Eshtë një pozicion i privilegjuar i saj në raport me të tjerët. Veçoritë e mësipërme i kanë dhënë Amerikës privilegjin mbi shtetet e tjera të fuqishme. Në vitet e pas përmbysjes së socializmit Amerika në disa raste ka treguar se e ka marrë përsipër rolin e rregullatorit të marredhënieve ndërkombëtare, pra, rolin e NJESHIT. Le të përmendim disa prej tyre. -Kriza izraelito-palestineze-jordaneze dhe siriane po zgjidhet me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të saj. -Kriza në Irlandën e Veriut ka filluar të zgjidhet me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të saj. Kriza në Haiti u zgjidh me ndërhyrjen ushtarake të saj. Kriza në Bosnjë ka filluar të zgjidhet me ndërhyrjen e drejtpërdrejte të saj politike dhe ushtarake. Duam apo nuk duam ne ky është realiteti. Tek njeriu ekziston dhe ideal politika por dhe real politika. Nëqoftëse individit i lejohet të gjykojë apo të veprojë dhe në bazë të ideal politikës, politikanit kjo nuk i lejohet, përndryshe ai nuk do të jetë politikan por aventurier. Le të vimë tani tek një problem tjetër aq i domosdoshëm për tu njohur dhe i lidhur ngushtë me problemin e Kosovës. Problemi shtrohet në formë pyetjeje : Nëqoftëse realiteti objektiv i marredhënieve ndërkombëtare ia ka dhënë këtë rol Amerikës, po vetë Amerika a është e përgatitur për një rol të tillë? Më thjesht: Forca e Amerikës a mund të jetë shpresë për të drejtën e popujve të vegjël? Përgjigjja e drejtë dhe e saktë kësaj pyetje do të ndriçojë jo vetëm realitetin e sotëm, por dhe përspektivën e të nesërmes. Veçanërisht politika shqiptare ka nevojë për sqarimin real të kësaj pyetjeje. Në mënyrë të natyrshme para viteve '90-të psikologjia dhe mentaliteti i klasës politike amerikane ishte i drejtuar në thelb në ruajtjen dhe konsolidimin e asaj që ishte arritur dhe në përpjekjet për eleminimin e komunizmit, neutralizimin e Bashkimit Sovjetik si rivali kryesor i saj. Njëkohësisht, një numer vendesh që ndodheshin nën sferën e ndikimit socialist, ishin jashtë vëmendjes së Amerikës. Për më tepër dhe ndaj tyre qendrimi i saj ishte i ftohtë dhe në disa raste armiqësor. Periudha e pas viteve 90-të krijoi një situatë të re dhe për klasën politike amerikane. Duhet thënë që në terësi klasa politike amerikane nuk ka qënë dhe nuk është akoma e përgatitur psikologjikisht, politikisht dhe organizativisht, për ta përballuar rolin që ka në sferën e marredhënieve ndërkombëtare. Kjo mungesë përgatitje, ka arsyet e saj objektive dhe subjektive, të cilat aktualisht përbëjnë një pengesë për Amerikën në luajtjen e rolit të NJESHIT në marredhëniet ndërkombëtare. Së pari: Qysh më përpara Amerika ka bërë dhe bën pjesë në disa organizma që deri dje quheshin të kampit kapitalist. Në këto organizma, ajo në mënyrë të natyrshme ka pasur një rol themelor. ka qenë ne mënyrë figurative lidershipi i këtyre organizmave, ka ndërtuar dhe vazhdon të ndërtojë marredhenie të shumellojshme me mjaft nga këto vende. Përfshirja e mjaft shteteve të tjera ish-socialiste në kampin kapitalist, krijoi një situatë të re. Nga njëra anë kërkohej që sa më parë këto shtete të ndërtonin strukturat kapitaliste, ndërsa nga ana tjetër ndihmat për këto shtete, ishin shumë të pakta. Teoria e amerikanëve në këtë çështje ka qenë dhe është: Amerika nuk u jep njerëzve peshk, por i mëson të zënë peshk. Nga ana tjetër, futja e shteteve të ndryshme ish-socialiste në kampin kapitalist ka krijuar probleme të shumta midis shteteve të ndryshme. Në të gjitha këto raste është kërkuar qendrimi i Amerikës në zgjidhjen e këtyre konflikteve. Duhet thënë se në raste të tilla, Amerika ka mbajtur në disa raste qendrim jo të drejtë. Le të japim një shembull. Midis Shqipërisë dhe Greqisë, në vitin 1994-1995, u krijua një konflikt ndërshtetëror si pasojë e arrestimit nga ana e Shqipërisë e pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke për kryerjen e krimit të spiunazhit. Ky konflikt që i kaloi përmasat midis dy shteteve me ndërhyrjen e Amerikës u zgjidh në favor të Greqisë. Arsyeja është e thjeshtë. Greqia është mike e vjetër e Amerikës, është antare e NATO-s. Konkluzioni është i qartë: Në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme që ndodhin sot në botë Amerika më shumë ka mbajtur dhe mban anën e shteteve që kanë qenë anetare të organizmave ku ka bërë dhe bën pjesë dhe Amerika. Së dyti: Ekzistenca e lobeve të ndryshme në Amerikë dhe ndikimi i tyre në politikën amerikane. Eshtë një fakt i njohur dhe i ditur nga të gjithë se kombi amerikan, është komb i ri, që është formuar në shumicën e tij nga evropianë të emigruar nga vënde të ndryshme të Evropës. Me gjithë kohën e madhe që ka kaluar dhe ndërrimin e gjeneratave, shumë prej tyre nuk e kanë harruar origjinën e vjetër kombëtare dhe kanë krijuar dhe lobe të ndryshme në Amerikë mbi bazën e këtyre origjinave kombëtare. Për nga vendi që zënë në administratën shtetërore dhe në fushën e pasurisë, varet dhe ndikimi i këtyre lobeve në politikën e jashtme të Amerikës, në raport me shtete dhe vende të ndryshëm dhe konfliktet midis tyre. Ndër më të fuqishmet nga këto lobe janë lobi hebraik, grek, irlandez, serb etj. Jo vetëm përvoja e kaluar, por dhe përvoja e periudhës 1990-1995, dëshmon se ndikimi i këtyre lobeve është i fuqishëm në qendrimin e politikës së jashtme amerikane. Disa dukuri të kësaj periudhe na e bëjnë më konkret dhe të dukshëm pohimin e mësipërm. Hapat e ndërrmara nga qeveria amerikane, në fillimin e proçesit të paqes në Irlandën e Veriut, për zgjidhjen e konfliktit 16-vjeçar dhe pranimin e krahut politik të IRA-s irlandeze në bisedimet për paqe si të barabartë me palët e tjera, veç të tjerave është dhe ndikimi i fuqishëm i lobit irlandez në politikën e jashtme amerikane. Ndërhyrja e departamentit amerikan të shtetit pranë qeverisë shqiptare për lirimin nga burgu të pesë spiunëve grekë veç të tjerash është dhe ndikimi i lobit të fuqishëm grek në politikën e jashtme të Amerikës. Në marredhëniet dhe konfliktin Greqi-Shqipëri, shefi i Shtëpisë së Bardhë, amerikani me origjinë greke Xhorxh Stefanopullos dhe lobi greko-amerikan i fuqishëm, natyrisht që do të mbështeste politikën e Greqisë, duke ndikuar dhe në administratën amerikane. Në vitet e para të krizës ballkanike Amerika mbështeti Serbinë, me gjithse Serbia hapur luftonte për krijimin e Serbisë së madhe. Në këtë mbështetje kishte influencën e tij dhe lobi serb në Amerikë. Serbo-amerikani, Milan Paniç, që u bë për disa kohë kryeministër i Jugosllavisë ishte një nga njerezit me të pasur në Kaliforni dhe pjesetar i lobit serb në Amerikë. Së treti: Politika pragmatiste boshti i politikës së jashtme amerikane. Filozofia e pragmatizmit nuk ka lindur në Amerikë. Me lindjen e shoqërisë njerëzore shtresa të tëra njerëzish e kanë aplikuar atë, pa marrë mundimin ta përpunojnë teorikisht. Në Amerikë, kjo teori ka gjetur aplikimin e saj më të saktë dhe më të plotë në politikën e jashtme amerikane. Pragmatizmi përbën sot një nga tiparet më themelore të politikës së jashtme amerikane. Me gjithë mbulesat që kërkojnë t'i vishen, ky pragmatizëm është përsëri shumë i dukshëm. Ai komprometon rëndë rolin e Amerikës si NJESHI i botës në mosmarreveshjet dhe konfliktet e ndryshme që kanë shtetet me njeri-tjetrin. Zbërthyer në nje gjuhë te thjeshtë dhe të kuptueshme ky pragmatizëm do të thotë: Unë ndërhyj dhe përkrah atje ku kam interes të drejtpërdrejtë, atje ku interes lidhet me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Amerikës. Le të japim disa shembuj. Në fillimin e viteve '80-të filloi lufta midis Iranit dhe Irakut. Amerika në këtë luftë mbështeti fuqimisht Irakun me armatime dhe logjistikë. Kjo ishte rrjedhim i pragmatizmit të politikës amerikane. Irani pas përmbysjes së shahut filloi të ndiqte një politikë të pavaresisë nacionale duke u përpjekur që këtë politikë ta infiltronte dhe në shtetet e tjera arabe, të cilat dihen që janë eksportuesit kryesorë të naftës. Frika nga revolucioni islamik iranian, që nuk është gjë tjetër veçse një nacionalizëm i kulluar arab, e detyroi Amerikën të mbështesë Irakun. Ndërsa pas 10 vjetësh, kur Iraku sulmoi dhe pushtoi Kuvaitin, ishte përsëri Amerika që sulmoi Irakun dhe e detyroi atë ta lëshojë Kuvaitin. Arsyeja përsëri qendron tek pragmatizmi dhe interesat jetike të Amerikës. Le të vimë në Ballkan. E thamë më lart se në fillim qëndrimi i Amerikës ishte prosërb. Ndërsa pas viteve 1993 filloi të dukej një ndryshim në qëndrimin e saj. Duke mos i hedhur poshtë serbët, Amerika filloi të përkrahte dhe ekzistencën e shtetit boshnjak. Përsëri në këtë qëndrim të ri kryesor ka qenë dhe është pragmatizmi dhe interesat jetike të Amerikës. Dihet se në mbështetje të boshnjakëve dolën shumë shtete muslimane, shumica e të cilave janë aleate të Amerikës, të cilat filluan të bëjnë presion mbi Amerikën. Ndër shtetet që përkahën Bosnjën ishte dhe armiku kryesor i Amerikës në botën arabe, Irani, ashtu siç ishte dhe aleati i saj më i ngushtë, Turqia. Ministri i jashtëm iranian Ali Akbar Velajeti, në vizitën që bëri në Bosnjë, gjatë takimit me Izetbegoviçin, i premtoi atij një ndihmë të gjithanshme. Pikërisht në këtë moment pragmatizmi amerikan u shfaq në formën e tij më të plotë. Pa keqësuar marredhëniet me Serbinë, Washingtoni përkrahu ekzistencën e shtetit boshnjak, në formën e federatës kroato-boshnjake, duke ndërhyre me forcë dhe me politikë për t'i dhënë fund tragjedisë boshnjake. Së katërti: Interesat jetike të Amerikës dhe marredhëniet demokratike në politikën ndërkombëtare. Politika e jashtme amerikane, si në të gjitha kohët, por dhe tani, para së gjithash, ka mbajtur dhe mban parasysh interesat e vetë Amerikës, të popullit amerikan dhe sigurisë amerikane. Kjo lidhet me ato që quhen interesa jetike të Amerikës. Përvoja e ish-vendeve socialiste e periudhës së viteve 1990-1995 është konfirmimi i tezës së mësipërme. Interesat e këtyre shteteve përballë interesit të Amerikës për marredhënie të mira me Rusinë nuk vlejnë shumë. Në rastin konkret marrin fuqi ato që quhen interesa jetike të Amerikës. As Shqipëria, as Sllovakia, as Bullgaria, as Lituania, nuk mund ta kërcënojnë Amerikën dhe popullin amerikan, ndërsa Rusia po. Potenciali i saj ushtarak vazhdon të jetë përsëri shumë i fuqishëm dhe rrezik potencial për Amerikën. Marredhëniet me Rusinë bëjnë pjesë në ato që quhen interesa jetike për Amerikën. Ndërsa marredhëniet me shtetet e tjera të përmendura më lart bëjnë pjesë në ato që quhen marredhënie demokratike. Por interesat jetike janë gjithmonë më të fuqishme se interesat demokratike. Kjo ka nevojë të kuptohet mirë në vijën politike të klasës shqiptare në Kosovë. Përndryshe, do të vazhdojë si deri tani, « të ngopet me lugë të zbrazët » Le të vimë tani tek një problem tjetër. Si është trajtuar problemi i Kosovës, nga partitë politike në Shqipëri ? Analiza e këtij problemi është i domosdoshëm për politikën dhe opinionin publik në Kosovë : Kosova si kapital politik Nga klasa politike në Tiranë çështja e Kosovës është përdorur si kapital politik në funksion të marrjes dhe të mbajtjes së pushtetit në Shqipëri. Por asnjëherë nuk është përdorur si një nga problemet më të mëdha të kombit shqiptar. Blloku i politikanëve që në 1992-shin dolën në opozitë me Partinë e Punës, hodhën tezën e bashkimit të Shqipërisë më Kosovën. Por pasi erdhën në pushtet u pa se kjo ishte vetëm një mashtrim politik. Kronika historike e bën më të qartë : Së pari : Partia demokratike dhe aleatët e saj Nëqoftëse do të analizojmë qëndrimin e partisë demokratike dhe aleatëve të saj, ndaj problemit të Kosovës, do të mundemi të evidentojmë dy faza kryesore të këtij qëndrimi, të cilat na paraqiten si më poshtë : Faza e parë : Partia demokratike në opozitë 1991 Krijohet në fillimet e vitit 1991 në Tiranë dhe Prishtinë klasa politike e pluralizmit. Qëndrimi i saj ndaj çështjes kombëtare është i njëjtë : « Kosovën e kanë shitur komunistët,e ka shitur Enver Hoxha etj. Kur ne ta përmbysim komunizmin, atëhere do ta zgjidhim dhe problemin e Kosovës ». Në këtë fazë Partia demokratike arriti deri atje sa në fushatat e saj elektorale premton bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ndërsa klasa politike në Prishtinë e drejtuar nga Ibrahim Rugova, rreshtohet krah saj, duke dhënë një kontribut të ndjeshëm moral dhe financiar në arritjen e fitores së Partisë Demokratike. Në Zvicër u arrit deri atje sa drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë shpërndarë me mijra trakte për mobilizimin moral dhe financiar të komunitetit shqiptar në Zvicër me qëllim që « të përmbysim komunizmin në Shqipëri se kështu do bashkojmë Kosovën me Shqipërinë » Faza e dytë : Partia demokratike në pushtet 1992-1997 Analiza fare shkurt e kësaj faze do të na japë tabllonë e mëposhtme : -Gusht 1992, mblidhet në Londër Konferenca për Jugosllavinë. Në këtë Konferencë merr pjesë dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, ndërsa presidenti i Shqipërisë në këtë kohë bën vizitën në Kuvait. Kosova trajtohet si minoritet në materialet e konferencës. Tekstin e deklaratës e miraton dhe qeveria shqiptare me anë të ministrit të jashtëm të saj Alfred Serreqi. -1994, presidenti gjerman Hercog viziton Shqipërinë. Ai mban një fjalim në parlamentin shqiptar dhe premton autonominë e Kosovës. Fjalimi i tij duartrokitet nga deputetet e parlamentit që para 3 vjetësh kishte aprovuar një rezolutë ku njihte pavarsinë e Kosovës. -Tetor-Nëndor 1994 në Shqipëri zhvillohet fushata për miratimin e projektkushtetutës. Në ndihmë të Partisë Demokratike vinë dy politikanë të shquar të Kosovës, Rugova dhe Demaçi. Megjithse ata dhe klasa politike shqiptare në Prishtinë kishin bërë referendumin për pavarsinë e Kosovës, bënë thirrje për miratimin e kushtetutës së Shqipërisë ku Kosova trajtohet si pakicë kombëtare. 1994-1995, qeveria shqiptare u bën thirrje klasës politike shqiptare në Prishtinë të heqin dorë nga kërkesat maksimaliste, domethënë të hiqnin dorë nga republika. Dukuritë e mësipërme janë të mjaftueshme për të ripohuar se problemi i Kosovës, ka shërbyer si kapital politik për Partinë demokratike dhe aleatët e saj. Së dyti : Partia Socialiste dhe aleatët e saj Deri në momentin që po analizojmë Partia socialiste në lidhje me çështjen e Kosovës, ka kaluar në disa faza. Analiza e tyre do të na japë tabllonë e mëposhtme : Partia socialiste në opozitë 1992-1997 -Nëndor 1992, Drejtuesi kryesor i partisë socialiste, Fatos Nano, sëbashku me disa të tjerë, zhvillojnë një vizitë në komunitetin shqiptar në Zvicër. Aty ata priten dhe shoqërohen nga Lëvizja popullore e Kosovës, e njohur për qëndrimin e saj radikal në zgjedhjen e çështjes së Kosovës. 1993-1996, ish opozita shqiptare dhe gazeta e saj « Zëri i Popullit » akuzojnë qeverinë se përdor Kosovën për kapital politik. Në shtypin e opozitës zënë vënd të dukshëm shkrimet e krahut radikal në Kosovës veçanërisht të gazetës « Zëri i Kosovës » dhe Rexhep Qosjes. 1994-1996, Partia socialiste dhe aleatët e saj akuzojnë pushtetin shqiptar se po e shet Kosovën. Fillon dhe përsëritet e njëjta akuzë që Partia demokratike kishte bërë ndaj Partisë së Punës. Dhjetor 1996-janar 1997, Partia socialiste dhe aleatët e saj akuzojnë pushtetin shqiptar se kërkon të ndezë luftën në Kosovë për të mbajtur pushtetin. Lëvizja ilegale dhe lëvizja legale Zvicër 1996 Në lëvizjet e popujve të ndryshëm për liri dhe pavarësi kombëtare, janë shfaqur në skenën politike dhe kombëtare, dy lloj lëvizjesh. Njëra prej tyre ka dëshiruar të mbetet ilegale në format kryesore të veprimit dhe organizimit të saj, ndërsa tjetra ka dëshiruar dhe vepruar legalisht në format e veprimit të saj. Një dukuri e tillë ka shoqëruar dhe veprimtarinë e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi historikisht dhe deri në ditët tona. Sot në lëvizjen legale hyjnë dhe janë të inkuadruara dhjetëra parti politike në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, me kryetarët e tyre dhe programet e tyre politike, më e rëndësishmja prej të cilave është Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërsa në lëvizjen ilegale hyjnë dhe marrin pjesë disa organizata të veçanta ndër më të rëndësishmet e të cilave është Lëvizja Popullore e Kosovës. Dhe brënda forcave të shqiptarëve pavarësisht nga nuancat e parëndësishme midis partive të ndryshme politike, thelbi i mëdyshjeve, diskutimeve, opinioneve politike, i ndarjeve dhe rreshtimit të shqiptarëve, është sjellë dhe vazhdon të sillet rreth një problemi kryesor: Cilën rrugë duhet të ndjekim për arritjen e pavarësisë, për jetësimin e republikës: Legale apo ilegale? Nëqoftëse do të bëjmë një bilanc të gjëndjes aktuale, del se shumica e shtresave të popullsisë shqiptare është për vijen legale të arritjes së pavarësisë kombëtare. Fakti që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe garniturat e saj me emërtime të ndryshme partish, kanë me vete masën më të madhe të njerëzve, flet në pamje të parë në favor të tyre. Për rrugën ilegale të arritjes së pavarësisë, janë një pakicë e popullsisë. Fakti që Lëvizja Popullore e Kosovës dhe organizatat e tjera ilegale kanë me vete një pakicë njerëzish në raport me popullsinë, flet në pamje të parë në disfavor të tyre. Në ndihmë dhe mbështetje të lëvizjes legale për arritjen e pavarësisë, janë disa ngjarje të rëndësishme të viteve 1990-1992. Gjatë kësaj periudhe shqiptarët në mënyrë legale arritën të krijojnë parti politike, gjatë kësaj periudhe ata filluan të kritikojnë në shtyp dhe fjalime pushtuesin e tyre duke mos patur frikë që nga një kritikë mund të futesh në burg siç ndodhte në të kaluarën. Gjatë kësaj periudhe ata arritën që të bëjnë referendumin popullor dhe të shpallin Republikën e Kosovës. Të gjitha këto akte në pamje të parë shumë të rëndësishme për arritjen e pavarësisë i kanë shtuar shumë radhët e lëvizjes legale për pavarësi. Megjithatë kjo është ana e jashtme e problemit që po analizojmë. Po të depërtojmë më në thellësi dhe po t'ja nënshtrojmë analizës, po ta matim me qëllimin që kanë të dy këto lëvizje, raporti do të na kthehet kokëposhtë; lëvizja ilegale del më e fuqishme në qëllimin e saj, ndërsa lëvizja legale del shumë më e dobët. Le ta bëjmë këtë analizë pa paragjykime: Lëvizja legale qëllimin e ka ilegal Menjëherë shumë anëtarë dhe simpatizantë të lëvizjes legale do të protestojnë duke thënë: «Nuk është e vërtetë, qëllimi ynë është shumë legal, « ne luftojmë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me mjete paqësore, ne kemi shpallur kushtetutën, kemi shpallur Republikën e Kosovës etj». Njerëz të tillë kanë të drejtë vetëm kur bëjnë propagandë, ndërsa kur futemi në analizë më të thellë ata mbeten pa argumente. Përse? Lidhja Demokratike e Kosovës që është përfaqësuesja kryesore e lëvizjes legale, kërkon ta arrijë qëllimin e saj, pra pavarësinë e Kosovës, me ndihmën e fuqive të mëdha evropiane dhe si rezultat i bisedimeve me Sërbinë dhe në dialog me të. Këtu fillon ilegaliteti i qëllimit të saj. Qysh nga ky moment, kjo lëvizje legale del me qëllim ilegal. Le ta argumentojmë: shikoni shtypin e kësaj lëvizjeje: pas çdo takimi të të mëdhenjve, gazetarët dhe politikanët fillojnë dhe bëjnë supozime: «Çfarë u tha për ne, si foli filani, kush na mbështeti, kush ishte kundër, ai që ishte kundër ishte kundër vërtet apo kjo ishte rastësi, si duhet kuptuar kjo thënie apo ajo thënie etj., etj». Kush i ka lexuar shkrimet e Shkëlzen Maliqit apo Jusuf Buxhovit, e ndjen menjëherë pozitën e vështirë të autorëve të shkrimeve, ata vetëm supozojnë në shkrimet e tyre. Dhe nuk kanë faj për këtë. Kur nuk di asgjë, je i detyruar të bësh lloj-lloj supozimesh. Kush ka dëgjuar dhe lexuar konferencat e ndryshme të shtypit dhe intervistat e politikanëve në Kosovë, e ndjen menjëherë pozitën e vështirë të tyre. Ata duke mos ditur gjë se çfarë thuhet realisht në takimet e të mëdhenjve, vetëm supozojnë dhe merren me pandehma. Këto pandehma dhe supozime të tyre janë reale, sepse ata nuk e dinë se çfarë u tha për pavarësinë e Kosovës në këtë apo atë mbledhje. Pra fshehtësia ekziston, ajo duket hapur, ilegaliteti i qëllimit ekziston, atë nuk e mbulon dot. Duke e ndjerë ilegalitetin e qëllimit të tyre, ata përpiqen me anë të propagandës, me anë të ndonjë thënie, të qetësojnë opinionin, ta bëjnë legal se çfarë u tha dhe çfarë u diskutua. Por kjo është pak dhe ka vlerë vetëm për një kohë të shkurtér dhe vetëm për njerëzit që kanë dëshirë të mashtrohen. Element tjetër që e bën ilegal qëllimin e lëvizjes legale të përfaqësuar nga Lidhja Demokratike, është fakti, se realizimi i pavarësisë kërkohet të bëhet me pazarllëqe politike. Pazarllëqet politike gjithmonë kanë në thelbin e tyre lëshimet e ndryshme. Vetë fjala «pazar» në terminologjinë popullore e ka këtë kuptim. Megjithatë sikur të kishte mundësi që këto pazarllëqe t'i realizonte udhëheqja e lëvizjes legale, do të ishte gjysma e së keqes. Por këto pazarllëqe politike bëhen midis të mëdhenjve, ata duhet të kënaqen të gjithë që të bien dakord. Por interesat e tyre nuk janë të githa të njëjta përballë qëllimit të shqiptarëve. Të tjera janë interesat e Amerikës, të tjera të Gjermanisë, të tjera të Rusisë, Francës dhe kështu me radhë. Se çfarë pazarllëqesh bëjnë ato me njëri-tjetrin shqiptarët nuk e dinë. Kjo është e fshehtë, është ilegale. Se çfarë u tha për qëllimin e lëvizjes legale që është pavarësia e Kosovës në Dejton, kjo është ilegale, se çfarë u tha në takimet midis 16-shes së Unionit Evropian, përsëri kjo është e fshehtë, është ilegale. Shqiptarët dhe udhëheqja e tyre, nuk ftohen atje ku ndizet zjarri. Ata janë të detyruar të rrinë larg, kanë të drejtë të shikojnë vetëm tymin dhe mbi këtë bazë të orientohen. Lëvizja legale e shqiptarëve ka vetëm një ritual: pret me gjak të ngrirë se çfarë do të thotë Klintoni, Koli, Jelcini, apo Shiraku nëpërmjet emisarëve të tyre për qëllimin e tyre që është pavarësia e Kosovës dhe e dyta vazhdon të përsërisë të njëjtin sllogan për të krijuar tek pasuesit dhe simpatizantët e saj imazhin e kundërt se «ne aty jemi, kërkesat tona i kanë parasysh, nuk heqim dorë nga pavarësia» etj. Ilegaliteti i qëllimit të lëvizjes legale, del më lakuriq, në qoftë se do të krahasojmë qëllimin që i vuri ajo vehtes në vitin 1990 dhe qëllimin që i ka vënë sot. Në 1990, lëvizja legale i vuri vehtes si qëllim pavarësinë e Kosovës. Gjatë viteve në vazhdim deri në ditët tona, u pa qartë se «pavarësia e Kosovës», nuk ishte qëllimi i vërtetë i kësaj lëvizjeje, ai ishte vetëm fasada, qëllimi i vërtetë ishte ilegal, i fshehur nga tymi i propagandës shurdhuese dhe zhargoni politik. Vitet 1995-1996 e nxorën atë nga ilegaliteti, e bënë legal. Insistimi i Berishës që shqiptarët në Kosovë të pranojnë një autonomi, sugjerimi i amerikanëve që shqiptarët të heqin dorë nga republika, kërkesat e Rugovës për një protektorat civil etj. janë qëllimi i vërtetë i lëvizjes legale. Por sot ai nuk mund të qëndrojë më i fshehur dhe ilegal. E detyruar nga fuqitë e mëdha lëvizja legale tani po e nxjerr hapur qëllimin e saj, po e nxjerr atë nga ilegaliteti dhe njerëzit po e marrin vesh të vërtetën. Vrapimi drejt bisedimeve pa kushte me Serbinë pavarësisht rezultateve është treguesi më i mirë i kësaj. Lëvizja legale nuk ka histori, ajo përdor historinë e lëvizjes ilegale Harku i pesë viteve të lëvizjes legale në trojet shqiptare jep dhe një dëshmi shumë interesante, të pavënë në dukje nga propaganda aktuale. Cila është kjo dukuri? Dihet se çdo lëvizje politike dhe kombëtare, që të qëndrojë dhe të ketë simpati në popull, është e nevojshme dhe e domosdoshme të ketë jo vetëm një program joshës aktual, por dhe një histori, një të kaluar të pëlqyeshme dhe të pranueshme nga populli. Para këtij problemi të madh u ndodh në fillimet e saj në fillim të viteve 90-ta edhe Lëvizja legale e Kosovës e përfaqësuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pas pesë vjetësh na duhet të pohojmë se Lëvizja legale e zgjidhi me sukses këtë dilemë. Zyrtarisht sot ajo paraqitet me një histori të pëlqyeshme dhe të pranueshme nga populli. Cila është kjo histori e djeshme e lëvizjes së sotme legale. Këtu fillon një nga paradokset më të çuditshme të skenës politike shqiptare. Lëvizja e sotme legale në Kosovë, zyrtarisht përpiqet të bëjë të sajën historinë e djeshme të lëvizjes ilegale. Ajo kritikon dhe kundërshton sot lëvizjen ilegale, megjithatë është e detyruar të mbështetet tek historia e kësaj lëvizjeje. Pse ndodh një gjë e tillë? Sepse lëvizja legale nuk ka histori kombëtare, nuk ka të kaluar. Prandaj ajo sot përpiqet të marrë dhe të konsiderojë si të sajën historinë e lëvizjes ilegale, qoftë dhe formalisht. Sot lëvizja legale, partitë e ndryshme politike, janë te detyruara të flasin para popullit, por dhe para të huajve, janë të detyruara të shkruajnë dhe botojnë shkrime për Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Gjon Serreqin, Marie Shllakun, Kadri Halimin, Metush Krasniqin, Zija Shemsiun, Afrim Zhitinë etj., që të gjithë përfaqësues të lëvizjes ilegale në Kosovë. Pra lëvizja e sotme legale, nuk e pranon lëvizjen e sotme ilegale, por ka dëshirë të jetë pronare e historisë së kësaj lëvizjeje. Përse ndodh një gjë e tillë kur realisht lëvizja legale e shqiptarëve nuk është dakord me idetë dhe rrugët e lëvizjes ilegale, kur është kundërshtarja më e madhe e kësaj lëvizjeje? Siç duket ka disa arsye. E para: Të vdekurit nuk flasin. Ata nuk kanë mundësi t'i kundërvihen hipokrizisë sepse janë vrarë. Kështu që për lëvizjen e sotme legale historia e tyre përbën një rast të mirë për të mbushur boshllëkun e madh të lëvizjes legale në çështjen kombëtare. Të shkruash historinë e atyre që vepruan në kushte të vështira ilegale, është njëqind herë më komode se sa të veprosh dhe vetë si ata. Fjalimi apo artikulli, nuk kërkojnë privacione, për më tepër kur shoqërohen dhe me honorare dhe emër të mirë në popull. E dyta: Lëvizja legale si e tillë ka një histori të papranueshme për popullin. Cila është kjo histori që zyrtarisht kërkon ta fshehë lëvizja legale? Historia e vërtetë reale e saj nuk është gjë tjetër, veçse historia e lëvizjes legale në vitet 1945-1989, e përfaqësuar nga historia e klasës politike shqiptare gjatë kësaj periudhe. Ta pranojë hapur se kjo është e shkuara e saj, kjo për lëvizjen e sotme legale dhe politikanët e saj do të thotë të humbasë simpatinë në popull. Prandaj ajo ka zgjedhur një rrugë më të zgjuar. Në thelbin e saj të sotëm, ajo nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i lëvizjes legale të viteve 1945-1990, ndërsa në dukje, për të fituar simpati në popull, ajo i ka marrë lëvizjes ilegale historinë e saj, të shkuarën e saj. Kështu ajo sot paraqitet si një lëvizje me mjete paqësore dhe legale, që përpiqet të përvehtësojë dhe pronësojë historinë e lëvizjes ilegale. Lëvizjes së sotme legale në Kosovë, më shumë se sa Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Emin Krasniqi, Gani Syla, Berat Luzha etj, u duhet historia e tyre e djeshme, veprimtaria e djeshme ilegale e tyre. Kësaj ajo ia ka arritur me sukses. Lëvizja ilegale qëllimin e ka legal Sot në trojet shqiptare, ekziston dhe lëvizja ilegale. Lëvizja Popullore e Kosovës është përfaqësuesja kryesore e kësaj rryme. Megjithë vështirësitë dhe mangësitë, ajo është e pranishme në skenën politike shqiptare. Në raportin e forcave, lëvizja ilegale, është në disfavor në krahasim me lëvizjen legale. Ndërsa në raportin e qëllimit, lëvizja ilegale ka një avantazh shumë të madh. Në qoftë se qëllimi i lëvizjes legale është ilegal, qëllimi i lëvizjes ilegale është legal. Në qoftë se për lëvizjen legale, liria dhe pavarësia nuk përbën veçse maskën për të fituar simpatinë e popullit, për lëvizjen ilegale liria dhe pavarësia e Kosovës, përbën thelbin e saj të programit dhe veprimtarisë, që për tu realizuar kërkon sakrificat dhe privacionet e lëvizjes ilegale dhe vendosmërinë e shtresave të tjera të popullsisë. Legaliteti i qëllimit të Lëvizjes ilegale, nuk është një dëshirë apo pohim subjektiv e propagandistik. Këtë pohim e mbështesin disa faktorë shumë të rëndësishëm, që vështirë se mund t'i kontestojë dikush. Cilët janë këta faktorë? E para: Në funksion të realizimit të qëllimit të saj, lëvizja ilegale qysh nga viti 1945 deri në ditët tona i ka dhënë historisë qindra dhe dhjetëra dëshmorë, me qindra dhe mijra vite burg. Dihet nga të gjithë se dhënia e jetës dhe privimi i jetës personale është treguesi më i lartë i vërtetësisë së qëllimit të një lëvizjeje. Askush nuk mund të dyshojë në legalitetin e qëllimit të lëvizjes ilegale. As dje, por as edhe sot. Pohimet e sotme se tani kanë ndryshuar kushtet, se lëvizja ilegale nuk ka të ardhme, se ajo ka këtë apo atë ngjyrë politike, në variantin më të mirë nuk janë gjë tjetër veçse shprehje e filisteizmit dhe pafuqisë së atyre që i predikojnë. Ndërsa në variantin më të keq, ato nuk janë gjë tjetër veçse refleks i psikologjisë së matrapazëve politikë dhe kozmopolitë që nuk mund ta mendojnë kurrë jetën e tyre jashtë tutelës së Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. E dyta: Legaliteti i lëvizjes ilegale bëhet më i dukshëm edhe nga fakti se ajo qëllimin e saj e mbështet më shumë tek faktori i brendshëm dhe ndihma e faktorit të jashtëm. Parimi i saj se po nuk u përpoqe vetë, nuk të ndihmon njeri, më shumë se një parim ideologjik, siç trumbetohet nëpër disa gazeta, është një parim i njohur dhe pranuar nga historia e njerëzimit deri në ditët tona. E treta: Legaliteti i qëllimit të lëvizjes ilegale, del më qartë dhe në raportet dhe marrëdhëniet e saj me lëvizjen legale të përfaqësuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Duke e kuptuar nevojën e ekzistencës dhe të një lëvizjeje legale, Lëvizja Popullore e Kosovës, si përfaqësuesja kryesore e lëvizjes ilegale, në qëndrimin ndaj saj zgjodhi një rrugë shumë të zgjuar dhe kombëtare. Ajo preferoi të jetë oponencë e lëvizjes legale dhe jo opozitë e saj. Ky pozicion i lëvizjes ilegale është sa politikisht i zgjuar, aq dhe kombëtarisht i nevojshëm. Oponenca ndaj lëvizjes legale, i la lëvizjes ilegale rrugë të hapur për të mbetur deri në fund kundërshtare e pushtuesit. Ky qëndrim i pjekur tregon qartë legalitetin dhe vërtetësinë e qëllimit të lëvizjes ilegale. Qoftë në programin e saj, qoftë në veprimtarinë praktike, lëvizja ilegale e përfaqësuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës, ka treguar dhe vazhdon të tregojë se ajo nuk lufton për pushtet, por për shtetin shqiptar të Kosovës. Nga historia e lëvizjeve politike dhe çlirimtare të të gjitha vëndeve, dihet mirë se njerëzit që nuk luftojnë për pushtet, janë njerëzit më të zhveshur nga vese të tilla si karrierizmi, hipokrizia, dyfytyrësia, mashtrimi politik, lypsarllëku etj. Në të gjitha këto raste, qëllimi i një lëvizjeje të tillë është shumë legal dhe i qartë, i zhveshur nga prapaskenat dhe matrapazllëqet politike, që në fjalorin e sotëm politik, quhen elasticitet, dialog, bisedime, kompromise etj. Elementët e mësipërm, janë ata faktorë që lëvizjen ilegale e fuqizojnë dhe forcojnë, që i sigurojnë asaj drejtësinë e qëndrimeve dhe të ardhmen, pavarësisht nga pozita e sotme e disfavorshme e saj. Një trajtim më shkencor, më analitik, një oponencë më e ngrohtë dhe më e kulturuar ndaj problemeve të sotme të çështjes shqiptare dhe klasës politike shqiptare të pluralizmit, nga ana e kësaj lëvizjeje, do të ketë rrjedhime të shpejta në zgjerimin e influencës dhe rritjen e peshës së saj në spektrin e forcave që aspirojnë për lirinë dhe pavarësinë reale të Kosovës.
|
 |
 |